Limaj as nuk pranon të flet më për Hashim Thaçin, ka një arsye

Periskopi.com Lajme

Deklaratat e presidentit Hashim Thaçi për bashkim të shqiptarëve në rast se BE vazhdon për të mos pranuar Kosovën, lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj i ka quajtur shaka.

“S’merrem me deklaratat hajgare të Thaçit, sepse ai brenda dite 10 herë i ndërron deklaratat”, ka thënë  Limaj në Televizionin Rrokum.

Limaj ka thanë se BE nuk i merr seriozisht deklaratat e Thaçit, sepse nuk ka seriozitet në atë çka thotë.

“Ato deklarata janë mashtrim për qytetarët, si me rastin e ushtrisë”, ka thënë Limaj.

Sipas Limajt, deklaratat dhe marrëveshjet e Thaçit i kanë dërgu vetëm dëme Kosovës.

 

 

 

 

 

Thaçi sikur Edi Rama ‘kërcënon’ BE-në: Nëse na e mbyllni derën, shqiptarët do të jetojmë në një hapësirë të vetme

Periskopi.com Lajme

Nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, atëherë të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Reagimi i tij, pason deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama i cili ka thënë se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të përjashtohet nëse perspektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE venitet.

“Bashkimi Evropian, aktualisht as në raport me Kosovën dhe as me Ballkanin Perëndimor, nuk ka as vizion dhe as lidership për integrimin apo zgjerim me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Thaçi.

“Këtë vonesë, këtë ngurtësi, e këtë jovizion për Ballkanin Perëndimor, për fat të keq janë duke e shfrytëzuar ideologji dhe vende joevropiane dhe të frymës dhe vizionit jo euroatlantik”, ka theksuar ai.

“Natyrisht që qytetarët e Kosovës janë të frustruar me Bashkimin Evropian, me ngurtësinë e tyre, me bllokadën e tyre dhe padrejtësinë dhe ndëshkimin që po u bëhet qytetarëve të Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave, sepse Kosova ka përmbyllur të gjitha kriteret e nevojshme dhe të domosdoshme dhe krejtësisht me të padrejtë e ka vënë edhe çështjen e demarkacionit”, ka thënë tutje presidenti i Kosovës.

“Natyrisht, atë që e kam thënë edhe në vitin 2013 e them edhe tani, nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme për t’u integruar pastaj tutje në familjen evropiane”, është shprehur Thaçi.

Ditë më herët, në një intervistë për “Politico”, Edi Rama ka paralajmëruar se “Evropa mund të përballet me një makth” nëse vendet e Ballkanit “çmenden” si pasojë e nxjerrjes së zgjerimit jashtë agjendës së BE-së.

Ai në plan të parë e ka vënë bashkimin e shqiptarëve në kuadër të integrimit të tyre në Bashkimin Evropian. Por, nëse kjo rrugë pamundësohet, ai ka paralajmëruar edhe mënyra tjera.

“Askush nuk do të shohë drejt unioneve më të vogla. Të gjithë duan që të bashkohen në Unionin e madh. Por nëse nuk ka shpresë, nuk ka perspektivë dhe nuk ka hapësirë, atëherë bashkimet e vogla mund të ndodhin”, ka thënë Rama.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i kishte cilësuar si populiste deklaratat e homologut të tij nga Tirana, Edi Rama.

Në një intervistë për “KTV”, ai është shprehur se Kosova nuk synon bashkim tjetër veç BE-së.

“Ne nuk e kemi orientimin që të bëjmë bashkime tjera, përveç Bashkimit Evropian. Edhe nëse s’na pranojnë për dere, do të hyjmë për dritareje”, ka theksuar ai. (REL)

Ende pa datë për vazhdimin e dialogut

Periskopi.com Lajme

Zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Kocijançiq ka thënë se në këtë moment ende nuk është caktuar data për rrethin e ri të dialogut Beograd- Prishtinë në nivelin e lartë politik.

Në BE përsëritin se dialogu është në interesin e të dyja palëve dhe se presin vazhdimin e punës konstruktive.

BE forcon kontrollin kufitar brenda zonës Schengen

Nga e premtja e 7 prillit në kufijtë e BE-së do të aplikohen rregulla të reja të zonës Schengen duke ushtruar një kontroll të imtësishëm mbi pasagjerët për të mbrojtur BE-në nga terrorizmi, raporton Reuters.

Periskopi.com Lajme

 

Shtetasit e vendeve të tjera dhe qytetarët e BE-së do të kontrollohen tërësisht në kufi, e ndërsa rregulli i ri është parashikuar se do të shkaktojë pritje të gjata dhe trauma për udhëtarët.

Shtetet e zonës Schengen kanë filluar të paralajmërojnë qytetarët e tyre për rregullat e reja./Albeu.com/

 

BE kërcënon Maqedoninë: Nëse vazhdoni kështu, harrojeni mbështetjen tonë

Presidenti i Këshillit të Evropës Donald Tusk pas takimit me presidentin maqedonas Ivanov është shprehur se Maqedonia s’ka alternativë tjetër përpos BE-së dhe zgjidhjen nga kriza politike do të duhet ta gjejë vetë Maqedonia.

Periskopi.com Lajme

“Vij me një porosi të fuqishme nga liderët dhe institucionet e BE-së, perspektiva juaj është e padyshimtë. Ju mbetet juve që të gjeni zgjidhjen për krizën politike të bazuar në demokraci. Vetëm një zgjidhje e tillë do të jetë e qëndrueshme”, është shprehur Tusk.

Njeriu i parë i BE-së ka falenderuar Ivanovin për ndihmën që ofroi Maqedonia në krizën e refugjatëve, dhe në fund i ka bërë me dije se nuk do ta ketë mbështetjen e BE-së derisa të gjendet zgjidhja e duhur për kalimin e krizës politike.

“Kur ta gjeni zgjidhjen (për zhbllokim të proceseve demokratike) do të mund të konsideroni në mbështetjen tonë,” është shprehur Tusk.

 

 

Kryeministri hungarez sërish lëshohet në deklarata

Kryeministri hungarez, Viktor Orban tha sot se Bashkimi Evropian duhet të ndryshojë, në mënyrë që të mbetet vendi më i mirë në tokë.

Periskopi.com Lajme

Gjatë fjalës së mbajtur në Kongresin e Partive Popullore Evropiane (EPP), që po mbahet në Maltë,  Orban tha gjithashtu se në qoftë se EPP ka për qëllim për ta udhëhequr këtë ndryshim, ai porositi që ta fillojë ndryshimin.

Rusia shpërfill BE dhe SHBA: Nuk i lirojmë protestuesit

Kremlini refuzoi t’i bindej thirrjeve të SHBA dhe BE për lirimin e protestuesve opozitarë, të arrestuar gjatë atyre që u cilësuan si protesta të paligjshme ditën e diel.

Periskopi.com Lajme

“Nuk mund ti pranojmë thirrjet”,-tha zëdhënësi i qeverisë, Dimitri Peskov, i cili përgëzoi policinë për profesionalizmin e treguar.

Nga ana tjetër ai akuzoi organizatorët e protestave për provokim dhe blerjen e manifestuesve të mitur me para.

Qindra njerëz u arrestuan të dielën në lidhje me protestat masive, më të mëdhatë që prej viteve 2011-2012, mes tyre edhe lideri i opozitës ruse Aleksei  Navalni.

Një gjykatë në Moskë e dënoi atë me 15 ditë burg për mosbindje të urdhrave policore. Përpara se të shfaqej në gjykatë,  40 vjeçari përshëndeti mbështetësit me një mesazh në Twitter. “Do të vijë koha kur në gjyq do të dalin ata”, -tha ai.

Navalni përsëriti akuzat për korrupsion kundër kryeministrit Dimitri Medvedev, të cilat ishin edhe arsyeja e manifestimeve të së dielës në të gjithë vendin.

Ndërsa policia e Moskës raportoi më herët për 500 të arrestuar, një grup për të drejtat e njeriut pretendon se të ndaluarit kishin qenë 1030 dhe se të paktën 120 prej tyre ishin ende pas hekurave.

Lideri i opozitës Navalni organizoi protestat mbarëkombëtare, pasi publikoi prova për pasuritë e mëdha që zotëronte Medvedev.

BE dhe SHBA kanë reaguar me shqetësim ndaj zhvillimeve në Rusi, duke dënuar aksionin e policisë e duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të demostruesve paqësorë.

Maqedonia, në prag të sanksioneve nga BE-ja

Rritja e presioneve nga bashkësia ndërkombëtare mund të ndihmojë në kapërcimin e krizës qeveritare në Maqedoni, e cila tani ka marrë edhe dimensionin e krizës etnike dhe ndëretnike, vlerësojnë njohësit e çështjeve ndërkombëtare. Komentet vijnë pasmesazheve të fundit në Shkup të komisionarit Johanes Hahn, i cili kërkoi respektimin e shumicës së re parlamentare dhe lejimin e formimit të qeverisë.

Periskopi.com Lajme

Mersel Bilalli, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Fon, thotë për Radion Evropa e Lirë se Maqedonia ka shansin e fundit për të evituar pasojat nga kriza e gjatë politike dhe sipas tij, masat ndëshkuese do të nisin që nga zyrtarët nëse edhe më tej vazhdojnë të shpërfillin thirrjet për kapërcimin e krizës institucionale.

“Mendoj se fillimi i sanksioneve do të jetë i lidhur me personalitete të caktuara, siç është presidenti i shtetit, ish-kryeministri, ndoshta edhe struktura të biznesit të lidhura me VMRO DPMNE-në, por edhe lobe tjera. Pra, unë mendoj se faza e parë mund të jenë sanksione personale e ndoshta më vonë ato mund të zgjerohen që për fat të keq, pasojat do t’i ndiejnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, thotë Bilalli.

Europarlamentari Ivo Vajgl në një deklaratë për mediet maqedonase tha se VMRO-ja duhet të respektoj rrethanat e reja dhe të mos e pengojë kalimin e pushtetit te shumica e re.

Ai tha se në rast se nuk ka përmirësim të gjendjes, ndoshta do të përdoren edhe instrumente tjera apo sanksione, ku bën pjesë edhe ndihma financiare. Vajgl deklaroi se ish-kryeministri Gruevski në takimet e realizuara me euro-parlamentarët u ka thënë atyre se “do ta çojë deri në vend(politikën e tij), pasi nuk i shkohet në burg”. Vajgl ka thënë se nëse ky do të ishte motivi, atëherë edhe një kohë të gjatë nuk do të ketë kompromis. Këto pretendime të euro-parlamentarit janë hedhur poshtë nga VRMO-ja, duke i quajtur “manipulime në shërbim të opozitës”.

Edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Denko Malevski, nuk e përjashton edhe mundësinë e vendosjes së sanksioneve, por fillimisht ndaj zyrtarëve, përfshirë edhe drejtuesit e VMRO-së, të cilët me të gjitha mënyrat e mundshme po pengojnë konstituimin e Kuvendit dhe të institucioneve tjera.

“Sanksionet mund të çojnë në prishjen e sistemit, por sa i përket individëve, sigurisht se Brukseli ka mekanizma të tillë dhe mund të aplikojë diçka të tillë. Paralajmërimet e tyre janë shumë serioze, më serioze edhe nuk mund të jenë. Ata janë kundër nxitjes së nacionalizmit, në veçanti, në kohën kur presin ndryshimet në pushtet apo respektimin e rezultatit zgjedhor dhe lejimin e funksionimit të shumicës së re parlamentare, ashtu siç ndodh në çdo shtet demokratik”, vlerëson Malevski.

Aplikimi eventual i sanksioneve, sipas komunikologut Mitko Gaxhovski, mund ta përkeqësojë gjendjen në Maqedoni, pasi pasojat do të bien edhe mbi qytetarin e rëndomtë.

“Nëse shteti përballet me izolim ndërkombëtar, kjo do të ketë pasoja të mëdha, madje edhe deri në pamundësinë e pagesës së pensioneve dhe pagave, që mund të çojë në situata të pakontrolluara dhe kjo gjithsesi se nuk do të ishte në favor të VMRO-së dhe të pushtetit të saj, pasi e gjitha kjo do t’u faturohej atyre nga ana popullit”, thotë Gaxhovski.

Partitë e shumicës së re parlamentare, LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët që kanë 62 deputetë, të premten kanë njoftuar se kandidati tyre për kryetar të Kuvendit është Talat Xhaferi nga BDI-ja, por kandidatura e tij duhet të kalojë në Komisionin për zgjedhje dhe emërime që drejtohet nga VMRO-ja.

Ajo ka bërë të ditur se do ta kundërshtoj[ çdo nismë që nuk e respekton fituesen e zgjedhjen apo VMRO-në, ndërsa këtë e kanë paralajmëruar edhe protestuesit, por me arsyetimin se do të kundërshtojnë zgjedhjen e çdo kryeparlamentari, i cili, sipas tyre nuk e dënon deklaratën e partive politike shqiptare, me të cilën, siç pretendojnë ata, federalizohet Maqedonia dhe rrënohet karakteri i saj unitar.

Liderët e BE-së mblidhen në Romë, mungon Theresa May

Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë mbledhur në Romë për të shënuar 60-vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së Romës, me të cilën janë hedhur themelet e Unionit të sotëm.

Periskopi.com Lajme

Ajo që bie në sy, shkruan Reuters, është mungesa e kryeministres britanike Theresa May, e cila të mërkurën edhe formalisht në letrën dërguar kryetarit të Këshillit të Evropës, Donald Tusk do të bëjë të ditur daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

BE thërret ambasadorin turk pas deklaratave kërcënuese të Erdogan

Bashkimi Evropian thirri sot ambasadorin e Turqisë në Bruksel për t’i kërkuar shpjegime pas deklaratave kërcënuese për sigurinë e qytetarëve evropianë nga presidenti, Recep Tayyip Erdogan, theksoi një zëdhënëse.

Periskopi.com Lajme

“Ne i kemi kërkuar përfaqësuesit të përhershëm të Turqisë në BE të vijë në Shërbimin Evropian të veprimeve të jashtme, shërbim diplomatik i BE-së, sepse ne dëshirojmë të marrim një shpjegim përsa i përket komentev të presidentit Erdogan në lidhje me sigurinë e evropianëve në rrugët e mbarë botës”, deklaroi zëdhënësja, Maja Kocijancic.

“Ambasadori i Turqisë në BE duhet të flasë me “drejtuesin” përgjegjës të marrëdhënieve me Ankaranë”, theksoi ajo.

Kriza e rëndë diplomatike mes Ankarasë dhe evropianëve ka kaluar sërish në një etapë tjetër kur presidenti turk deklaroi se asnjë evropian nuk mund të bëjë më asnjë hap në rrugë i sigurtë, nëse BE mban ndaj Turqisë një qendrim që ai e gjykon armiqësor.

“I drejtohem edhe njëherë evropianëve (…) Turqia nuk është një vend që mund të goditet, ose të mund të luash me nderin, apo t’i dëbosh ministrat”, është shprehur me tone të ashpra Erdogan.

“Mbarë bota e di atë që po ndodh. Nëse ju silleni në këtë mënyrë, nesër, asnjë evropian, asnjë perëndimor nuk do të mund të bëjë një hap më shumë në siguri, me qetësinë asnjë vend të botës”, shtoi ai, disa orë para një atentati që shkaktoi tre të vdekur dhe 40 të plagosur në Londër.

Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian janë prëkeqësuar ndjeshëm këto javët e fundit pas ndalimit të disa mitingjeve zgjedhore pro-Erdogan, në të cilat do të merrnin pjesë ministrat turq në Gjermani dhe Holandë.

BE: Kurrë nuk do të pranojmë aneksimin joligjor rus të Krimesë

Bashkimi Evropian kurrë nuk do të pranojë aneksimin e Krimesë, është bërë e ditur të premten me rastin e tre vjetorit të aneksimit joligjor rus të kësaj pjese të Ukrainës.

Periskopi.com Lajme

 

“Bashkimi Evropian përsërit se nuk do të njohë dhe do të vazhdojë të gjykojë këtë shkelje të drejtës ndërkombëtare. Kjo mbetet sfidë direkte për bashkësinë ndërkombëtare me pasoja të rënda për rendin juridik ndërkombëtar , i cili mbron sovranitetin unik të të gjitha shteteve”, ka deklaruar shefja e diplomacisë evropiane Federika Mogherini.

Ministri i Jashtëm hungarez: Pakti mes BE-së dhe Turqisë është në rrezik

Ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Peter Szijjarto, ka deklaruar sot se kontaktimi i Turqisë me qytetarët që jetojnë jashtë vendit, është një aktivitet normal.

Periskopi.com Lajme

“Ne si hungarezë e kuptojmë shumë mirë këtë çështje. Sepse shumë qytetarë hungarezë jetojnë jashtë vendit tonë. Është mese normale që qeveria jonë të jetë në kontakt me qytetarët e saj jashtë vendit dhe të këshillohet me ta”, ka thënë Szijjarto që ka shtuar se Pakti mes Bashkimit Evropian (BE) dhe Turqisë është në rrezik.

Duke vënë në dukje se është shumë i shqetësuar për zhvillimet që kanë ndodhur mes Turqisë dhe Holandës, Szijjarto ka theksuar se është një situatë e pazakontë që dy vende anëtare të NATO-s të kenë probleme për një çështje të tillë.

Çfarë po ndodh në PDK? Zenun Pajaziti thotë se demarkacioni nuk është kusht i BE-së

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së Zenun Pajaziti ka thënë se marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi nuk është kërkesë e Bashkimit Evropian si kusht për liberalizimin e vizave.

Periskopi.com Lajme

Këto deklarime Pajaziti i dha në Zona B të Klan Kosovës, teksa shtoi se kufijtë janë përmendur edhe në vitin 2009-të, në çështjet që janë ngritur në ‘’Planin e Ahtisarit’’.

“Nuk mund të gjykohet nëse kjo Qeveri nuk merr vendime. Kjo është një marrëveshje ndërkombëtare.  Çështja në Kosovë e liberalizimit të vizave nuk varet nga qëndrimi im. Opozita nuk mund të hiqet nga ajo që ka bërë. Procesin e pikës kufitare, marrëveshjes së Demarkacionit e kemi neglizhuar të gjithë”, tha ai.

“Në vitin 2009 unë kam qenë pjesë e Qeverisë e ku fare nuk është përmend liberalizimi i vizave. E kemi bërë një udhërrëfyes për detyrat që mund të na ishin dhënë sepse kemi thënë se jemi të gatshëm t’i përmbushin. Kur ka filluar procesi, tek ne (Kosova)  ka pasur disa kritere politike shtesë për liberalizimin. Por kriteret negociohen”, tha Pajaziti

“Atëherë nuk besoj që është parë kaq komplekse kjo ku do të vinte koha që s’do të mund ta ratifikojmë këtë marrëveshje”.

“E para ky kriter nuk është kërkesë e Bashkimit Evropian, ka qenë kërkesë edhe atëherë kur nuk kemi qenë pjesë e udhërrëfyesit, po e them me përgjegjësinë e plotë”.

“Në 2009 më është përmend kufiri dhe kriteret dhe çështjet që ka ngrit Ahtisari në pako. Para se të jetë në udhërrëfyes”.

“Nuk dua të arsyetoj ndoshta mund të kishte diçka më shumë. Nuk dua të jem aq komod e të themi se e kemi kërkuar ne marrëveshjen për Demarkacionin”, ka përfunduar Pajaziti, njofton Klan Kosova.

Asnjë i dënuar i profilit të lartë, BE-ja lavdëron luftimin e korrupsionit

Dënimi i dy avokatëve publikë me nga 3 mijë euro gjobë, dënimi i ish-prokurores Vahide Badviku me tre vjet burg dhe një rast i hedhjes poshtë të aktakuzës janë provat e vetme që Kosova ia ka ofruar Bashkimit Evropian për të dëshmuar luftën e korrupsionit.

Periskopi.com Lajme

Edhe pse asnjëri rast nuk i takon kategorizimit “korrupsion i nivelit të lartë”, përfaqësues të BE-së kanë thënë se kanë parë “përparim të qartë”.

Organizatat e shoqërisë civile që e monitorojnë këtë fushë e thonë të kundërtën, shkruan sot Koha Ditore.

Bashkimi Evropian pati përcaktuar luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë si njërin nga kriteret për liberalizimin e vizave dhe pati theksuar se vendimet e gjykatave për luftë të korrupsionit të nivelit të lartë duhet të jenë vendime të formës se prerë. Institucionet e drejtësisë kanë të shënjestruara 36 raste të korrupsionit për “zyrtarët e lartë”.

Vetëm katër raste janë vendime përfundimtare e që nuk i takojnë profilit të lartë. Këshilli Gjyqësor i Kosovës ia ka konfirmuar gazetës se nuk ka asnjë dënim të formës së prerë për ndonjë zyrtar qendror.

BE në panik, 5 ngjarjet që do shkaktojnë kaos në Ballkan

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk këtë javë theksoi se tensionet në Ballkan janë jashtë kontrollit, dhe këto të fundit sipas tij po shkaktohen pjesërisht për shkak të ndërhyrjes së faktorëve të huaj të cilët janë duke u përpjekur për të destabilizuar këtë zonë tash e një kohë.

Periskopi.com Lajme

 

Mediat kroate raportojnë se kjo situatë ka shkaktuar panik në Bashkimin Evropian, pasi ata më në fund e kanë kuptuar se kaosi në Ballkan mund të jetë në rritje.Mediat kanë evidentuar pesë ngjarjet të cilat do të mund të shkaktonin probleme dhe destabilizim në rajon: Problemi për krijimin e Qeverisë në Maqedoni – Situata në Maqedoni është mjaft alarmante.

Presidenti Gjorge Ivanov, ka refuzuar t’ia japë mandatin Zoran Zaevit edhe pse ky i fundit ka arritur të sigurojë nënshkrimet e shumicës. Ai si arsyetim e ka përdorur Platformën Shqiptare, e cila sipas tij e shkelë sovranitetin dhe pavarësinë e Maqedonisë. Shqiptarët në anën tjetër, duan të ndryshojnë kushtetutën për të futur gjuhën shqipe si të dytën zyrtare, dhe duan përfaqësim të barbartë të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Madje LSDM, ka drejtuar akuza te Presidenti se po tenton të bëjë grusht shteti. Situata e tensionuar në Bosnjë dhe Hercegovinë – Shteti i Bosnjës ka qenë një ndarje mes dy njësive federale – pjesën kroate të Federatës dhe atë të Republikës së Serbisë.

Udhëheqësi i Republikës së Serbisë, Milorad Dodik rregullisht ka kërcënuar që do të organizojë një referendum për pavarësi, dhe situata duket mjaft e tensionuar. Kosova e dëshiron Ushtrinë, Serbia kundër – Deputetët e Kosovës kanë miratuar një rezolutë që kërkon lirimin e pakusht të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, e që deri te ky vendim do të ndërpritet edhe dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Përveç kësaj, mosmarrëveshjet kanë lindur pasi Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mori hapa konkretë dhe vendosi për hartimin e projektligjit që do të transformonte Forcën e Sigurisë së Kosovës në Ushtri.

Për këtë hap, menjëherë ka reaguar kryeministri i Serbisë, Aleksandr Vuçiç i cili ka thënë se kjo është në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe Kushtetutën e Kosovës.

Ndërhyrja ruse në Mal të Zi – Shteti i Malit të Zi sipas të gjitha gjasave në muajin maj do të bëhet anëtar i 29-të në NATO. Rusia është e vendosur kundër këtij vendimi, dhe e gjitha kjo ka kulmuar me akuza për orkestrimin e një grusht shteti nga Rusia në Mal të Zi. Podgorica zyrtare thotë se ata kanë kapur një grup rusësh duke u përpjekur të kryenin një sulm terrorist në ditën e zgjedhjeve, pra më 15 tetor të vitit të kaluar.

Sipas Policisë malazeze gjatë natës së zgjedhjeve ishte planifikuar të kryheshin një serivë veprimesh terroriste, duke sulmuar institucionet, dhe duke mos përjashtuar as rrëmbimin e qëllimshëm të kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviç. Kurse këto akuza kategorikisht i ka mohuar Kremlini zyrtar.

Ndikimi i fuqive botërore në ngjarjet e Ballkanit – Duke folur për ndërhyrjen e faktorëve të jashtëm, Donald Tusk ndoshta i është referuar Rusisë, e pse jo edhe Turqisë e cila është politikisht shumë e pranishme në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Për shumë vite pikërisht Bashkimi Evropian ka mbështetur ndikimin e Uashington në Rajon, por pas ardhjes në pushtet të Donald Trumpit kjo ka ndryshuar.

Ministri i jashtëm malazez, Srxhan Darmanvovic ka thënë se qeveria e Malit të Zi nuk ka parë ndonjë kthesë në politikën amerikane në Ballkan, por ai i ka bërë thirrje BE-së dhe NATO-s që të rrisin përpjekjet që të garantojnë siguri dhe stabilitet në rajon.

Tusk paralajmëron menjëherë pas rizgjedhjes: Ballkani po na rrëshqet nga dora

Sipas Tusk, Ballkani Perëndimor ka rëndësi jetike për Evropën.

Periskopi.com Lajme

Presidenti i rizgjedhur i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka thënë këtë mbrëmje se tensionet dhe ndarjet në Ballkanin Perëndimor kanë dalë “jashtë kontrollit” dhe kjo, sipas tij, ka ndodhur për shkak të “ndikimeve nga jashtë”.

Sipas Tusk, Ballkani Perëndimor ka rëndësi jetike për Evropën, transmeton lajmi.net.

Ai në takinin me liderët e BE-së në Bruksel, tha se do të kërkojë nga udhëheqësit që të marrin masa duke përfshirë zhvillime strategjike.

BE-ja nuk e merr në konsideratë letrën e Ivanovit

Bashkimi Evropian nuk merr në konsideratë letrën e presidentit Ivanov dhe nuk i ndryshon asnjë presje qëndrimit të shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherini.

Periskopi.com Lajme

Në përgjigjen drejtuar televizionit Alsat lidhur me komentimin e letrës së kreut të shtetit që kërkonte dënimin dhe hedhjen poshtë të platformës shqiptare nga Brukseli, zëdhënësja Maja Kocijancic tha se mesazhet e dërguara një javë më parë nga Mogerini ishte të qarta dhe është presidenti ai që duhet ta rishqyrtojë vendimin e tij.

“Jemi në dijeni të letrës së presidentit Ivanov. I bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë, përfshirë presidentit, të respektojë rezultatin zgjedhor, të veprojë në përputhje me Kushtetutën, të respektojë shumicën e qartë parlamentare, të lejojë procesin demokratik të rrjedh. Kështu, i bëjmë thirrje presidentit që ai të rishqyrtojë qëndrimin e tij aktual dhe të mundësojë formimin e qeverisë së re”, deklaroi Maja Kocijancic, zëdhënëse e BE-së.

Bashkimi Evropian komentoi tërthorazi edhe platformën shqiptare. Ky dokument, sipas Brukselit, si pjesë e mundshme e programit qeveritar duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën

“Sikurse kemi theksuar disa herë, nuk do të spekulojmë ose komentojmë mbi ndonjë program qeveritar specifik i cili duhet sigurisht të jetë në përputhje të plotë me kushtetutën e vendit. Por ne presim formim të shpejtë të qeverisë së re e cila duhet të jetë e angazhuar në implementimin e reformave të prapambetura. Do të vazhdojmë të këmbëngulim në zbatimin e të gjitha pikave të Marrëveshjes së Përzhinës dhe Prioriteteve nga Reformat Urgjente. E gjithë kjo është thelbësore, në mënyrë që të rikthejmë vendin në rrugën e BE-së, atë që dëshirojnë dhe meritojnë qytetarët e vendit”, tha tutje zëdhënësja e BE-së.

Brukseli ritheksoi fuqishëm mesazhet e qarta të dërguara javën e kaluar rreth marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, për hir të paqes, stabilitetit dhe ardhmes evropiane të rajonit si një i tërë.

Zogaj: Hashim Thaçi nuk duhet të merret seriozisht

Opinionisti Petrit Zogaj thotë se nuk është hera e parë që Hashim Thaçi del kundër deklaratave të ShBA-së dhe BE-së.

Periskopi.com Lajme

Thotë se këto dy të fundit ka vite që i kërkojnë të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar, e që Thaçi heshtë.

Shkrimi i plotë:

Nuk eshte hera e pare qe Hashim Thaci del kunder kerkesave te ShBA-se dhe BE-se. Dy te fundit me vite te tera i kerkojne qe ta luftoje korrupsionin dhe krimin e organizuar, Thaci heshte. Me vite, ShBA dhe BE te kete rend e ligj ne kete vend, te kete zhvillim ekonomik, Thaci e ben te kunderten. Per afro dy vite, Hashim Thacit dhe kolegeve te tij, Biden, Kerry, Nuland dhe gjithe nomenklatura e BE-se i kerkojne qe te votoje demarkacionin dhe Asociacionin, ndersa Thaci ben pazate politike meskine. Prandaj, edhe kjo ndeshja e sotme e tij me ShBA-ne, NATO-n dhe BE-ne po duket brenda logjikes se nje refuzimi inatqor dhe aspak institucinal. Mbi te gjitha, eshte problematike me e marre seriozisht Presidentin, ka kohe qe s’merret seriozisht dhe mire behet. / Periskopi

Liderët Evropianë përkrahin zgjerimin dhe thellimin e Bashkimit Evropian

Liderët Evropianë të Francës, Gjermanisë, Italisë, dhe Spanjës e kanë përkrahur idenë e zgjerimit dhe thellimit të Bashkimit Evropian, pasi blloku prej 28-vendesh po përgatitet për të shënuar 60 vjetorin e Traktatit të themelimit të saj, përcjell Periskopi.

Periskopi.com Lajme

Gjatë pritjes së udhëheqësve të tjerë në Pallatin e Versajës, presidenti francez Ftancois Hollande tha se “Uniteti nuk do të thotë uniformitet”.

Komisioni i BE-së, pranon se projektet nuk duhet të përfshijnë të gjithë anëtarët e BE-së, derisa Kevin Connolly për BBC-në raporton se,  Brexit është një goditje psikologjike dhe buxhetore që po “lë në hije”, përvjetorin.

“Udhëheqësit e BE-së janë duke u fokusuar në një strategji premtuese dhe më bashkëpunuese, ku  shikohet mundësia e shteteve të ndryshme anëtare të bashkimit të jenë pjesë e projekteve të përbashkëta në kohë që i përshtaten atyre”, tha ai.

Në bisedimet e samitit të BE-së në Bruksel të cilat do të mbahen të premten, do të përqendrohen më shumë se si të shkojnë përpara me Brexitin, mes tensioneve për integrimin e emigrantëve, globalizimin dhe si të ringjallin ekonominë e “sëmurë” të eurozonës.

Gjithashtu jo të gjithë anëtarët janë në zonën kufitare pa vizat Shengen, derisa  nga 28 vende pjesë e bashkimit vetëm 19 prej tyre përdorin euron. /Periskopi/

NATO dhe BE duhet ta ndalin bashkë Rusinë në Ballkan

NATO nuk mund të ndaloj e vetme Rusinë dhe duhet të formulojë një "strategji të madhe" për sigurinë në Europë me Bashkimin Europian, thotë Adrian Bradshaw, zëvendëskomandant suprem i NATO’s.

Periskopi.com Intervista

Në një intervistë për gazetën “The Financial Times”, Gjenerali britanik Adrian Bredshow, zëvendëskomandanti i NATO’s për Evropë, ka shprehur mendimin se NATO’ja nuk mund ta sprapsë e vetme Rusinë, dhe se duhet të formulojë një ‘strategji të madhe’ për sigurinë në Evropë së bashku më Bashkimin Evropian.

Gjenerali britanik Sir Adrian Bradshaw, thotë se Rusia do të paraqes rrezik për aq kohë sa Vladimir Putin do të jetë në pushtet. Thotë se mund të ketë pasoja ‘katastrofike’ nëse Perëndimi humb koherencën te ‘një kundërshtar që i ka në duar të gjitha nivelet e pushtetit’.

“Është përgjegjësi e NATO’s që jo vetëm të jetë arkitekte dhe ekzekutuese e strategjisë ushtarake, por të kuptojë se si strategjia ushtarake mund të integrohet me armët tjera të fuqisë kombëtare dhe të ngrit flamurin kur nevojiten aksionet jo ushtarake”, tha gjenerali Bradshaw.

“Duhet të lëvizim në drejtim të mundësisë së formulimit të një strategjie të madhe sipas modës së vjetër”, theksoi ai.

Ai tha se është shtuar shqetësimi për rajonin e Ballkanit, për çka nevojitet një qasje e përbashkët ndërmjet BE’së dhe NATO’s. Qeveria në Mal të Zi thotë se Rusia ishte pas trazirave vitin e kaluar.

”Jemi në dijeni (për atë që po ndodh në Ballkan) dhe po e përcjellim gjendjen me shumë, shumë kujdes”, ka thënë Gjenerali Bredshow, duke dhënë përfundimin se “Ballkani është pika e dobët (e sigurisë) në Evropë”.

Derisa perëndimi po merret me ekstremizmin islamik, Bredshow thotë se pak njerëz e kuptojnë rrezikun që vjen nga Moska.

Gen Bradshaw ka shërbyer si zëvendëskomandant i NATO’s që nga viti 2014. Ai do të zëvendësohet nga James Everard.