BDI po tërhiqet edhe nga Qeveria teknike

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sonte ka shqyrtuar mundësinë e tërheqjes nga Qeveria teknike e Maqedonisë.

Periskopi.com Lajme

Në mbledhjen e mbajtur nga kryesia e partisë në Reçicë të Vogël, u shqyrtua mundësia e largimit nga qeveria, dhe nëse ky veprim do të ndihmonte zhbllokimin e situatës, përfshirë këtu edhe punën e Kuvendit.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi se vendimi do të merret pas konsultimeve me partitë e shumicës parlamentare dhe ekspertët e fushës.

“Ne nga të gjitha aspektet e kemi analizuar tërheqjen e pjesëtarëve të ekzekutivit të Bashkimit Demokratik për Integrim, të shohim se sa mund të kontribuojë në zhbllokimin e situatës, sepse ka zëra që kjo mund të jetë një kontribut. Ne do të konsultohemi me të gjitha partitë dhe ekspertët se çfarë mund të prodhojë ky veprim”, deklaroi Ahmeti.

Javë më parë, nga BDI-ja deklaruan se tërheqja e ministrave të tyre nga Qeveria do ta dërgonte vendin në zgjedhje të parakohshme. Megjithatë Ahmeti tani deklaron se zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhja më e mirë dhe se më të rëndësishme janë zgjedhjet lokale.

“Nuk është zgjidhja më e mirë shkuarja në zgjedhje të parakohshme. Kemi probleme shumë më të rëndësishme. Zgjedhjet e parakohshme nuk do të thotë se ofrojnë një zgjidhje më të mirë dhe ne jemi në kërkim të zgjidhjeve më të mira tani që të dalim nga kjo situatë. Shumë më me rëndësi është të mendohet se sit ë tejkalohet ngërçi për t’u organizuar zgjedhjet lokale”, shtoi kryetar i BDI-së.

VMRO dhe BDI përplasen për deklaratën e përbashkët të partive shqiptare

Ilija Dimovski i VMRO DPMNE-së këmbëngulë se temë e bisedimeve me BDI-në rreth formimit të Qeverisë në asnjë moment nuk ka qenë deklarata e përbashkët e partive shqiptare.

Periskopi.com Lajme

Sipas tij, fakti që BDI nuk bëri koalicion me VMRO PMNE-n është pikërisht mospranimi i kësaj platforme.

“VMRO DPMNE absolutisht nuk ka pranuar dhe nuk ka biseduar për të ashtuquajturën platformë nga Tirana. Këtë gjë e kemi potencuar dhe kumtuar tashmë disa herë. Megjithatë, për fat të mirë ishte kumtuar edhe nga vetë BDI se dallimi mes VMRO-së dhe LSDM-së është se kjo e fundit ka pranuar platformën e Tiranës”, deklaroi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.

Nënkryetari i BDI-së Nevzat Bejta nga ana tjetër demanton Dimovskin. Në emisionin “Rruga Drejt” Bejta tha se VMRO DPMNE-ja kishte propozuar dygjuhësisë në uniformat e policisë.

“Ai ka qenë propozim i tyre, me të cilin jemi pajtuar edhe ne që policët shqiptarë t’i kenë uniformat në gjuhën shqipe. Ai është propozim i atyre, që uniformat e policisë shqiptare të jenë në dy gjuhë, gjuhën maqedonase dhe gjuhën shqipe”, deklaroi Nevzat Bejta, nënkryetar i BDI-së.

Nga BDI-ja njoftuan se koalicioni me VMRO DPMNE nuk u arrit për shkak të qëndrimeve të ndara rreth Speciales. Por VMRO-ja insiston se ndarja me BDI-në erdhi pasi Gruevski nuk ka pranuar platformën shqiptare.

Ali Ahmeti nuk do të jetë në krye të BDI-së, mësohet kush e zëvendëson

Gazeta austriake “Standard” ka shkruar se Ali Ahmeti së shpejti mund të ndërrohet nga posti i kryetarit në BDI, transmeton Dojçe Vele.

Periskopi.com Lajme

Këtë e kanë konfirmuar edhe burime partiake të cilat kanë thënë se gjatë krizës nëpër të cilën po kalon Maqedonia, Ahmeti nuk ka treguar aftësi lideri, por se është treguar tejet i influencuar herë nga Gruevski, e herë nga Zaevi.

Me këtë, thonë burimet partiake, Ahmeti nuk ka ofruar ndihmën e nevojshme për bashkësinë ndërkombëtare për dalje nga kriza, ndihmë që ata e kanë pritur nga kryetari i partisë më të madhe shqiptare.

Në këtë situatë, aftësi më të mëdha lidershipi ka treguar nënkryetarja e partisë, Teuta Arifi, thonë burimet e Gazetës Lajm, e cila në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare ka filluar të ndryshojë kursin “pro-vmroist” të partisë.

Gazeta Lajm ka tentuar të kontaktojë me zëdhënësin e BDI-së, Bujar Osmani lidhur me këto informacione, por nuk ka patur sukses.

Njëkohësisht gazeta “Standard” ka shkruar se edhe brenda VMRO-DPMNE-së janë paraqitur pakënaqësi kundër kryetarit të kësaj partie, Nikolla Gruevski.

BDI vendosi, Osmani: Do të jemi pjesë e Qeverisë së re

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka vendosur që të jetë pjesë e Qeverisë së re me LSDM. Ky vendim është miratuar mbrëmë në mbledhjen e kryesisë qendrore, ndërsa ai është bërë i ditur nga zëdhënësi i saj, Bujar Osmani, informon INA.

Periskopi.com Lajme

Ai ka sqaruar se partia e tyre ka sqaruar dilemat që të jetë ose jo në qeveri dhe se pas debateve është vendosur se BDI përveç përkrahjes së liderit të LSDM, Zoran Zaev për marrjen e mandatit, ajo do të jetë edhe pjesë e Qeverisë së re.

Njëkohësisht Osmani theksoi se BDI  si subjekt politik është e hapur për hetimin e aktiviteteve të saj që nga themelimi i saj dhe se angazhimi i saj bazohet në reforma në drejtësi.

Osmani ka përmendur tani programin zgjedhor që kanë pasur gjatë zgjedhjeve të njohur si përbetimet e BDI-së, ndërsa nuk ka përmendur platformën e partive shqiptare. Vendimi për hyrje në qeveri ka të bëjë me respektimin e vullnetit të shqiptarëve. (INA)

Ahmeti: BDI nuk vepron me emocione, nuk është shërbëtor i asnjë partie

BDI nuk vepron në sajë të emocioneve, nuk është servis e as shërbëtor i partive tjera, këtë e shprehu kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti në takim me ambasadorin e Francës në Maqedoni, Kristian Timonier.

Periskopi.com Lajme

“Edhe përkundër presionit të vazhdueshëm opinionbërës, BDI nuk vepron në saje të emocioneve dhe preferencave, por me racionalitet dhe të fokusuar në zotimet para qytetarëve, duke mos qenë as servis i njerës palë e as shërbëtor i palës tjetër”, tha Ali Ahmeti njofton Portalb.

Në këtë takim Ahmeti bëri me dije që për BDI-në me rëndësi është stabiliteti i vendit si dhe çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me shqiptarët në Maqedoni dhe integrimeve euro-atlantike.

“Për BDI-në, stabiliteti i vendit është shumë i rëndësishëm përballë sfidave vendore, rajonale, por edhe globale. Prioritetet tona kanë të bëjnë për rrumbullakësim të Marrëveshjes së Ohrit, sundim të së drejtës, fqinjësi të mirë, zhvillim ekonomik dhe integrim euroatlantik”, shtoi ndër të tjerash Ahmeti.

Kryetari Ahmeti njoftoi Ambasadorin e Francës që BDI nuk ngutet, por dëshiron që të sigurohet për realizim të pritjeve të qytetarëve, bashkë me rishqyrtimin dhe zbardhjen e rasteve të kontestuara si Monstra, Sopoti, Kumanova, apo edhe vet përgjimet.

Ish-deputetja shqiptare e BDI’s behët notere (Foto)

Ermira Mehmeti përfundimisht është larguar nga politika dhe nga partia shqiptare në Maqedoni, BDI.

Periskopi.com Lajme

Ajo tashmë është bërë notere. Vendimi është marrë, dhe ajo ka hapur zyrën e saj në Shkup.

Të enjten shumë njerëz ishin për ta uruar.

Ndryshe, Ermira Mehmeti është e njohur në opinion që nga viti 2002. Një kohë të gjatë ka punuar si këshilltare e ish zv. kryeministrit Musa Xhaferi.

Më pas u bë deputete në Parlamentin e Maqedonisë dhe ishte angazhuar në pozitat më të larta.

Mehmeti, ishte një politikane e re dhe me shumë perspektivë, mirëpo audio-incizimet që u konsideruan si skandal, ia mbyllën karrierën politike.

Ajo në përfundim të vitit që kemi lënë pas, ka deklaruar se më nuk përfaqëson asnjë subjekt politik dhe do të jetë qytetare e lirë./ Periskopi

 

15995168_761495477340708_8024948523363741198_o  15995160_761494467340809_4941279056027905302_o 15965086_761493994007523_5692995713288376178_n 15995164_761488800674709_4656744389089888930_o 15995090_761485627341693_907211195278308107_o 15965262_761477607342495_6640733516516648923_n 15937321_761475920675997_8600156123217836646_o 15937190_761474544009468_6573519060865494629_o

 

Vendimet për Kosovën nuk kanë qenë të popullit maqedonas por të VMRO dhe BDI-së

Deklaratat e ministrit të jashtëm serb Ivica Daciq definitivisht kanë ndikuar në prishjen e raporteve mes dy vendeve, reagon kështu partia serbe e Maqedonisë.

Periskopi.com Lajme

Vendimin e qeverisë drejtuar nga VMRO dhe BDI për pranimin e pavarësisë së Kosovës dhe votimi për pranim të Kosovës në UNESCO nuk mund të përshkruhet si vendim i popullit maqedonas sepse e njejta nuk është sjellë me referendum, jam i sigurisë se në referendum nuk do të miratohej, ka thënë kështu Goran Ilijevski nga partia serbe e Maqedonisë duke shtuar se këto vendime edhe më pak mund të arsyetojnë maqedonasit që jetojnë në Serbi.

Në deklaratat dhënë së fundi Ilijevski vlerëson se është e cuditshme interesi që të bëhet presion dhe të aktualizohet cështja e kohës kur Maqedonia është në fazën e formimit të qeverisë së re me përbërje të re sepse e rëndësishme është që vendimet nuk mund të ndryshohen.

“Pyetja është shumë e ndieshme jo vetëm tash por edhe në të ardhmen, madje edhe qeveria e re do të duhet të përballet me këto problematika diplomatike e që duhet të mbahen raporte të mira edhe me Serbinë”, ka thënë Ilijevski.

Sipas tij, mesazhi i një diplomati me përvojë si është Daciq sigurisht që nuk është e shpejtuar e as e pamenduar por nuk është dorëzuar në adresë të duhur sepse sic thotë ai populli është i shenjtë a qeveritë që marin vendim kundër vullnetit të popullit, ndryshohen.

Daciq në intervistën e fundvitit për Beta ka thënë se Serbia ka gabuar që e ka pranuar Maqedoninë nën emrin kushtetutes sepse ajo e ka pranuar Kosovën si shtet.

Në këtë Ilijevski komenton me pyetjen pse partia e serbëve e drejtuar nga Ivan Stoilkoviq pas vendimeve për pranimin e Kosovës nuk doli nga koalicioni me VMRO, përfaqësues të të cilëve kanë kaluar këto vendime.

Pse Daciq fillimisht nuk ju kërkon logari atyre të cilët janë pjesë e koalicionit që pranoi Kosovën?, pyet ai.

Për tejkalimin e problemeve thekson ai duhet që të ketë ambasador më autoritar në Shkup e Beograd dhe të harohen interesat momentale politike, ndërsa problemi në aspektin shtetërorë dhe interesi nacional për Maqedoninë e jo për blerje të poenave politik tek partneri i koalicionit, transmeton Zhurnal.

Ahmeti: Vota e shqiptarëve nuk duhet të përçahet

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti në një intervistë për Zërin e Amerikës para zgjedhjeve të 11 dhjetorit thotë, mes tjerash se shqiptarët mund të humbasin deputetë në zonat zgjedhore 1, 2 dhe 5 nëse votat e tyre shpërndahen për më shumë kandidatë në garë.

Periskopi.com Lajme

Ai nuk mendon se shqiptarët do të votojnë për një parti maqedonase. Zoti Ahmeti pret që pas zgjedhjeve të hapen çështje siç është ajo e emrit të Maqedonisë. Ai flet për zhvillime të tjera aktuale në Maqedoni dhe për perspektivat e vendit.

Zëri i Amerikës:Zoti Ahmeti, këtë fushatë dhe këto zgjedhje i keni cilësuar si historike. Duket se edhe elektorati ret diçka më shumë nga këto zgjedhje. Çka prini ju të ndodh pas 11 dhjetorit?

Ali Ahmeti: Janë vërtetë zgjedhje të rëndësishme e pse jo edhe historike sepse e gjithë çështja është se çka do të ndodh pas 11 dhjetorit, cila do të të jetë axhenda, sa do të jemi ne të suksesshëm në axhendën e paracaktuar që duhet të zbatohet pas 12 dhjetorit. Republikën e Maqedonisë e presin detyrime të rëndëishme karshi qytetarëve, rajonit e komunitetit ndërkombëtar. Pas 11 dhjetorit unë pres që në këtë vend të shtrohen tema të rëndësishme siç është çështja e zgjidhjes së problemit të emrit, gjetja e një kompromisi sepse ky kompromis na lehtëson rrugën drejt marrjes së ftesës për anëtarësim në Nato. Me këtë, forcohet paqja, stabiliteti në këtë vend dhe në rajon; mbi të gjitha krijohen marrëdhënie më të mira në mes dy etnive më të mëdha, sepse shumëçka varet nga marrëdhëniet në mes shqiptarëve dhe maqedonasve, pastaj është çështja e investimeve, krijohet një klimë më e mirë për investime.

Zëri i Amerikes: Sipas parashikimeve, shqiptarët në këto zgjedhje do të dalin me 3 a 4 deputetë – më pak se sa që kanë pasur, për shkak të numrit më të madh të partive shqiptare në garë. A është kjo shqetësuese për ju?

Ali Ahmeti: Kjo më brengosë. Mendoj se shqetësimi dhe brenga nuk janë kategori të njëllojta. Më brengos sepse dobësohen shqiptarët. Unë gjithmonë kam thirrë partitë e vogla që të bëhen bashkë se të tilla bëhen më të forta dhe le ta fitonin Bashkimin Demokratik për Integrim! Dhe nuk është humbje për shqiptarët nëse do të humbte BDI-ja, por humbje do të jetë nëse shqiptarët humbin mandate, nëse përçahet vota shqiptare. Mirëpo, nuk ndodhi që partitë e vogla të bashkohen me një program dhe nën një ombrellë dhe kjo gjë më brengosi sepse në qoftë se shqiptarët ndajnë votat, sigurisht se i dobësojnë mandatet (në parlament). Dhe në këtë situatë medoemos u bëj thirrje shqiptarëve që ta votojnë sa më shumë BDI-në si dalëzotës i vetëm i kauzës shqiptare në Maqedoni, e që di të përballet në situata me të tjerët, di të ofrojë zgjidhje dhe alternativa; Ka vizion se si duhet ndryshuar e sotmja dhe e nesërmja të bëhet më e mirë. Unë nuk shoh tek këto lëvizje të vogla që janë krijuar, kapacitet për t’u përballur dhe zgjidhur problemet. Unë për 14 vjet nuk kam bërë thirrje “Votoni BDI-në”, por në këtë gjendje duke pasur këtë brengosje vërtetë u them shqiptarëve në Maqedoni: Votoni BDI-në si i vetmi dalëzotës që di të përballet me të tjerët!

Zëri i Amerikës: Por, Ju nuk keni provuar t’i afroni partitë e reja shqiptare në një koalicion parazgjedhor me BDI-në.

Ali Ahmeti: Nuk ka pasur vullnet që partitë e vogla që janë krijuar të bashkohen me BDI-në dhe unë nuk bëj thirrje hipokrizie kur shoh që diçka nuk mund të ndodh. Një pjesë ka dalur nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe kanë krijuar iniciatva të reja.

Zëri i Amerikës: Zona e 6 zgjedhore (që përfshin Tetovën, Gostivarin, një pjesë të Dibrës së Madhe) mbeti me më tepër se 5% të numrit të votuesve nga që parashikohet me kodin zgjedhor. Rrjedhimisht, shqiptarëve këtu u ‘digjet’ ndonjë madat deputeti. A ndjeni faj, me që keni qenë faktor i cili mund ta zgjidhte problemin?

Ali Ahmeti: Shqiptarët në zonën e gjashtë nuk mund të kenë ndonjë humbje nga mosbalancimi i zonave zgjedhore. Ky balancim kërkon marrëveshje me konsensus nga të gjitha palët dhe nuk premtonte koha që të zgjateshin negociatat për arësye të kalimit të kohës dhe zënies së afateve për organizimin e zgjedhjeve. Në zonën e 6 ka 5.20 % më tepër votues të regjistruar se që parashikohet. Por unë mendoj se humbja më e madhe do të jetë nëse ndodh që shqiptarët t’i ndajnë votat në zonën 1 (Shkup), 2 (Shkup, Kumanovë) dhe në zonën e 5-të (Strugë, Kërçovë) dhe nuk mendoj se do të ketë humbje në zonën e 6-të. Ne kemi dhe një fatkeqësi këtu sepse gati 40% e votuesve nga zona e 6 nuk jeton në vend, por në shtete të Evropës perëndimore, Kroaci e Slloveni…

Zëri i Amerikës: Z. Ahmeti, Lidhja Social Demokrate maqedonase po hapë shtabe zgjedhore nëpër zona të banuara kryesisht me shqiptarë dhe nuk është për t’u habitur nëse merr vota nga elektorati shqiptar. A ju brengos kjo gjë?

Ali Ahmeti: Jo, sepse shqiptarët dinë për kë të votojnë. Shqiptarët e dinë se kush e ka ndryshuar të djeshmen dhe të sotmen; shqiptarët janë shumë të sigurtë dhe të vetëdijshëm se të nesërmen përsëri do ta vazhdojnë ta ndryshojnë partitë e tyre politike, shqiptare. Në këtë vend ende jemi të organizuar mbi baza etnike. Maqedonasit votojnë për maqedonasit – shqiptarët votojnë për shqiptarët. Kauzën shqiptare e mbrojnë shqiptarët. Mua nuk më shqetëson fare pse LSDM ka bërë ndonjë aktivitet a veprimtari… Unë kam përcjellë deklaratat e z. Zoran Zaev. Ai është aq shumë kontradiktor, sa që herë-pas-here duken qesharake. Paradite thotë “gjuha shqipe zyrtare, pasdite thotë: unë nuk lejoj që në këtë vend të ndryshohet kushtetuta dhe se gjuha shqipe nuk mund të jetë e barabartë me gjuhën maqedone”.

Mirë është që në Maqedoni të ketë parti që do të vepronin mbi baza ideore, por kjo mbetet një dëshirë e njerëzve me vizione. Hë për hë këtu nuk janë krijuar ato kushte sepse ende ka dallime në mes forcave politike shqiptare dhe atyre maqedonase. Unë kam qenë në koalicion qeveritar edhe me LSDM-në edhe me VMRO-në; kemi dallime të mëdha për shumë çështje që kanë të bëjnë me etnitë në këtë vend, kështu që kjo mbetet një dëshirë për në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: A i përmbaheni atij ‘rregullit të pashkruar’ se partia shqiptare e cila del me më shumë vota duhet të hyjë në koalicion qeveritar me partinë më të madhe maqedonase, që fiton zgjedhjet? Edhe nëse ajo promovon politika që nuk u përshtaten shqiptarëve?

Ali Ahmeti: Shumë do të varet nga programet e partive politike, nga negociatat pas 11 dhjetorit në mes partive politike fitimtare; Varet nga bisedat mbi temat që kërkojnë zgjidhje urgjente.

Zëri i Amerikës: Nëse i fitoni zgjedhjet në kampusin shqiptar, a do të jeni të gatshëm ta ndani pushtetin edhe me një apo parti të tjera shqiptare?

Ali Ahmeti: Kjo çështje duhet vlerësuar pas zgjedhjeve. Duhet të bisedohet me të gjitha nivelet, me organet drejtuese të partisë (BDI) që të shohim çka është në të mirë të shqiptarëv ne atë do ta bëjmë.

Zëri i Amerikës: Z. Ahmeti, çka u ofron BDI dhe çka u garanton shqiptarëve më shumë se partitë tjera shqiptare në Maqedoni?

Ali Ahmeti: BDI ka një program mjaft të përpunuar dhe të hartuar nga ekspertët më të mirë që kanë shqiptarët në Republikën e Maqedonisë dhe mendoj që është i pakrahasueshëm me programet e partive konkurrente shqiptare këtu me ca fletushka të vogla me nga 3, 4 faqe. Ne vazhdojmë të materializojmë me përkushtim barazinë e plotë si një kapitull përmbyllës në të gjitha fushat, që nga ajo kombëtare e deri te ajo ekonomike. Përshpejtimi i hapave për investime si të huaja poashtu edhe vendore. Ne kemi pasur një gjysmë mandati kaotik, por është bërë hapërimi më i madh brenda dy dekadave në këtë vend. Brenda tre muajve të fundit janë hapur mbi dy mijë vende pune që nga Struga, Kërçova dhe Tetova me fabrika të mëdha dhe me nam. Dhe vitin e ardhshëm pres që numri të arrijë në pesë mijë. Janë në proces edhe hapje të fabrikave të reja në kuadër të zonave të lira ekonomike por gjithashtu punojmë me përkushtim që investitorët vendas të kenë përparim më të madh, t’i shfrytëzojnë beneficionet e shtetit. Duhet bërë ndryshime të disa ligjeve për lehtësimin e veprimtarive të investitorëve dhe të zotohen komunat për ktrijimin e kushteve më të mira për krijimin e vendeve të reja të punës.

Zëri i Amerikës: Ka vërejtje nga komuniteti ndërkombëtar në lidhje me përzierjen e interesave shtetërore me ato partiake dhe për trysni ndaj punonjësve të administratës shtetërore. Ju jeni pjesë e pushtetit dhe rrjedhimisht kritikat vlejnë edhe për ju!

Ali Ahmeti: Ne nuk jemi të interesuar as të bëjmë trysni ndaj administratës dhe nuk jemi të interesuar që forcërisht t’i rrisim kapacitetet tona; Ne paraqesim program të cilin e vlerësojnë ata me të drejtë vote. Të ushtrohet frikë dhe dhunë, pavarësisht peshës së asaj dhune mbi elektoratin, nuk është gjë e mirë. Është me rëndësi që në këtë vend të thellohen reformat në drejtësi, të funksionojë shteti ligjor dhe këto mbeten detyra të cilave nuk mund t’iu shmangemi dhe sigurisht që në mandati i ardhshëm do të përqendrohet në këto çështje. Ky vend duhet të futet në binarë të mirëfilltë sa i përket funksionimit të shtetit ligjor.

Zëri i Amerikës: Si i shikoni veprimet e Prokurorisë së Posaçme në këtë periudhë dhe mundësinë e procedimit të rasteve që kanë të bëjnë me shqiptarët?

Ali Ahmeti: Ne kemi mbështettur Prokurorinë Speciale. Ajo është rezultat i negociatave midis katër forcave politike më të mëdha në vend. Unë vazhdimisht kam theksuar se Prokuroria e Posaçme duhet të merret me punë të gjyqësisë dhe të mos partizohet, politizohet dhe të mbajë anën e dikujt dhe në vazhdimësi do të ketë përkrahjen e BDI-së, por të kryejë punën e vetë profesionale. Sa i përket lëndëve, unë do të doja që rasti “Monstra” të kalojë në shqyrtim nga Prokuroria e Posaçme. Ndërsa rasti i Sopotit është në mbyllje e sipër dhe është vërtetuar shumëfish se ata njerëz nuk janë fajtorë.

Zëri i Amerikës: pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, pavarësisht rezultateve, a e shihni Maqedoninë më afër proceseve euro-integruese?

Ali Ahmeti: Mendoj se do të jetë një përballje e fortë për temat që theksova më lartë, për çka nevojitet guxim sepse duhet të merren vendime të rëndësishme dhe të vihen përpara interesat e shtetit dhe jo ato të një partie politike apo grupimi politik.

Zëri i Amerikës: Z. Ahmeti, a do ta njihni rezultatin e zgjedhjeve pavarësisht se kush del fitues?

Ali Ahmeti: Unë në radhë të parë kërkoj që zgjedhjet të jenë të lira, që të gjithë njerëzit të shprehin lirshëm vullnetin e tyre, që çdo njeri të ketë dinjitet dhe integritet në këto zgjedhje sepse mbarëvajtja e një procesi zgjedhor është imazhi i një shteti, i një kombi dhe komuniteti dhe dëshiroj dhe kontribuoj që këto zgjedhje t’i përmbajnë të të gjitha këto vlera dhe standarde. Nuk vihet në pyetje kontestimi nga ana ime i verdiktit të qytetarëve. Unë e respektoj atë dhe nuk ka asnjë diskutim për këtë.

Rusia zyrtare akuzon BDI-në se është me Amerikën dhe Evropën

Ambasada ruse në Maqedoni është përfshirë në përplasjen politike në periudhën e kampanjës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen me 11 dhjetor të këtij viti.

Periskopi.com Lajme

Zëdhënësi i kësaj ambasade, Stanisllav Lupin i ka reaguar kandidatit të BDI-së për deputet, Artan Grubi, njëherit edhe Bashkimit Demokratik për Integrim për orientimin e tyre pro perëndimor ose më saktësisht lidhjen e tyre me Amerikën dhe Evropën, transmeton TetovaSot.

Lupin ka reaguar ndaj Grubit në debatin “Rruga drejtë” në Alsat-M ku si duket i ka penguar orientimi pro perëndimor i Bashkimit Demokratik për Integrim.

“Para disa ditësh me interes të madh e kam ndjekur debatin zgjedhor në Alsat-M. Bravo zotëri Grubi. Tani përfundimisht fal deklaratës tuaj e kemi kuptuar për “ndikimin” e disa forcave misterioze në Maqedoni të cilët kanë dashur të krijojnë probleme të sigurisë dhe ta destabilizojnë edhe vendin edhe rajonin.

Është simpomatike megjithatë që zotëri Grubi nuk përmendi fakte konkrete të cilat do ta forconin këtë tezë, vetëm u thirr në disa hulumtime politike të pa emëruara.

Mendoj se me suksesin e njëjtë njeriu do të mund që të jap deklaratë për shembull për aktivitetet rrënuese në Maqedoni nga ana e jashtëtokësorëve ose për disa forca mistike.

Krijohet përshtypja se nebulozat e këtilla kanë për qëllim që ta largojnë vëmendjen e qytetarëve nga përzierja e vërtetë në punët e brendshme në Maqedoni nga ana e shteteve të caktuara perëndimore e cila është duke ndodhur tashmë disa vite, ku haptas janë duke e pranuar, madje edhe e përshëndetën disa pjesëmarrës në debatin e njëjtë në Alsat-M.

Fakte frapante dhe të pakontestueshme për përzierjen e këtillë nënkupton edhe shkelje e suverenitetit të Maqedonisë e që të gjithë e dinë se çka është dhe nuk ka nevojë të përmendet prapë.

Të gjitha zgjedhjet herdo-kurdo përfundojnë. Jam i bindur se tentimet e disa politikanëve që me çdo kusht ta tërheqin vëmendjen e votuesve, madje edhe në mënyrën më ekstravagante, të kërkojnë sqarim për krizën aktuale në Republikën e Maqedonisë me aktivitete të disa forcave të fshehta euro aziatike, në mënyrë adekuate do të kuptohen nga qytetarët me mendje të shëndosh dhe sensin për humor”, shkroi zëdhënësi i ambasadës ruse në Shkup, Stanisllav Lupin në llogarinë e tij në Facebook./TetovaSot/15281932_10154605885936708_326536967_n 15319325_10154605885941708_32800105_n

Ahmeti në Reçicë: BDI, forca e pamposhtur e shqiptarëve

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sonte përmbylli fushatën zgjedhore në Reçicë të Vogël, në Reçicën e Universitetit të Tetovës, e të rezistencës kombëtare.

Periskopi.com Lajme

Kryetari i BDI-së, z.Ali Ahmeti para banorëve të Reçicës së Vogël u zotua se partia që ai udhëheq do të vazhdojë “betejën” paqësore me të gjitha qarqet që nuk ia dëshirojnë të mirën shqiptarëve.

“BDI është forcë e pamposhtur, që fiton, por ne nuk dëshirojmë fitore do si do, ne duam mandat të rëndësishëm ku do të mund të tejkalohen çështjet që vërtet duan imunitet. Problemi i çështjes së emrit do mirëkuptim brenda shteteve, siç është kontesti me palën greke apo me atë bullgare. Ne jemi përpjkur si BDI që të mos qëndrojmë si shiques, por jemi kyqur në mënyë aktive për zgjidhjen e këtyre problemeve. E lehtë është të ikësh nga fronti dhe nuk ka më lehtë t’ia kthesh shpinën furtunës. Ne qëndruam aktor në këto ngjarje, në këto zhvillime të mëdha, prandaj dolëm të sukseshëm në këto negociata”, deklaroi kryetari i BDI-s dhe bartësi i listës zgjedhore në njësinë zgjedhore numër 6, z.Ali Ahmeti.

_mg_8030_mg_8034_mg_8035_mg_8038_mg_8040_mg_8070_mg_8067

Ahmeti në Prespë: BDI, gardiani i vetëm i çështjes shqiptare

Karvani i Bashkimit Demokratik për Integrim sonte zbarkoi dhe në Prespë. Kryetari z.Ali Ahmeti para prespanëve prezantoi pesë përbetimet e BDI-së për zgjedhjet e 11 dhjetorit. Në fjalimin e tij para qytetarëve të pranishëm, Ahmeti tha se BDI do të vazhdojë të jetë gardiani i vetëm i çështjes shqiptare në Maqedoni.

Periskopi.com Lajme

Ahmeti porositi hapur prespanët që mos të lejojnë që të ndahen, pasi nga copëtimi i votës tonë dobësohet pozita e shqiptarëve, kurse fitojnë partitë e mëdha maqedonase.

“Vëretet më brengos themelimi i shumë partive politike, pasi copëtimi i votave do na dobësojë, jo që do fitojnë, por do të turpërohen. Çështjen do e dëmtojnë, 4-5 mandate do na ikin, për të marrë 1 depuett të duhen 10 mijë vota, e ato nuk grumbullohen aq lehtë, prandaj nga do që shkoni e flisni, thuani se ne nuk kemi nevojë për ndarje e copëtim, shqiptarët në Maqedoni nuk kanë nevojë për më shumë se tre parti. Nga bashkimi asgjë e keqe nuk vjen, nga bashkimi vetëm të mira kemi”, deklaroi kryetari i BDI-s dhe bartësi i listës zgjedhore në njësinë zgjedhore numër 6, z.Ali Ahmeti.

Lideri i BDI-së rikujtoi partitë e vogla shqiptare, se përveç fyerjeve dhe urrejtjes që mbjellin në popull, asgjë tjetër nuk do të mund të arrijnë. Ndërkohë tha se partitë politike maqedonase nuk kanë pse të kërkojnë votën shqiptare, pasi përfaqësues legjitim i shqiptarëve mund të jenë vetëm partitë shqiptare.

“Çdo të bëjë BDI pas 11 dhjetorit? Në radhët të parë BDI punon të sigurojë një fitore të fuqishme tek shqiptarët. Ka zëra që thonë se shqiptarët do të votojnë për LSDM-në, por u rikujtoj se përfaqësues legjitim të shqiptarëve janë ekskluzivisht vetëm përfaqësuesit politik shqiptar, se po të ishte ndryshe në Maqedoni nuk do të kishte luftë, e nuk do të vriteshin shqiptar për flamur e arsim. Ne nuk mund të imponojmë se kush do të fitojë tek pala maqedonase,pasi ata vendosin vet, a do të jetë LSDM apo VMRO-DPMNE, ne do të respektojmë vullnetin e shumicësmaqedonase, ashtu siç është parim, që edhe ata të respektojë të njëjtën. Unë i shoh dhe të tjerët, i shoh të gjithë ata kryetar të partive të reja, të vogla, nuk kanë kapacitet, dhe fundja me axhami nuk zgjidhen problemet që na presin pas 12 dhjetorit”,u shpreh Ahmeti.

prespe-2

Aleanca për Shqiptarët: BDI inskenon sulmet, për të akuzuar të tjerët!

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar lidhur me thyerjen e shtabit të BDI -së në Sllupçan të komunës së Likovës.

Periskopi.com Lajme

Ku sipas tyre ky incident është i inskenuar me qëllim për të njollosur subjektet tjera politike.

Aleanca për Shqipëtarët vlerëson se BDI shpeshherë i ka përdorur këto truke edhe në zgjedhjet e kaluara, me të vetmin qëllim, për të përfituar politikisht.

“Aleanca për Shqiptarëtdistancohet nga të gjitha tendencat e qëllimshme dhe të paqëllimshme që kanë të bëjnë me incidente të fushatës dhe thyerje të shtabeve zgjedhore.

Njëkohësisht i bën thirrje anëtarësisë dhe mbështetësve partiak që mos bien pre e këtyre provokimeve dhe të jenë të kujdesshëm gjatë gjithë këtij procesi zgjedhor, duke kontribuar për një proces zgjedhor demokratik si dhe duke promovuar vlerat qytetare dhe demokratike të Aleancës për një fushatë të qetë, pa tension dhe pa luftë psikologjike”, theksohet në reagim, duke kërkuar nga BDI që të tërhiqet nga këto manipulime dhe tentime parazgjedhore. “Edhe sikur vërtetë dikush të ju gjuaj me gurrë dhe të Ju thotë se jeni të padëshiruar në vendbanimet tuaja, ajo nuk është faji i Aleancës për shqiptarët”, nënvizohet në reagim./albeu.com/

Ali Ahmeti

Ali Ahmeti pengohet për të hyrë në Kumanovë, reagon BDI

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti është penguar teksa ka një grup personash, teksa ishte nisur për një takim me qytetarët e Kumanovës.

Periskopi.com Lajme

Në një deklaratë për mediet BDI dënon ashpër aktet e paligjshme për siç thotë kjo parti, ndaj karvanit të delegacionit.

“Një grup i vogël provokuesish të dhunshëm tentuan të ndalin rrugën e Kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti drejt një takimi me qytetarët e Kumanovës. Tentativa e tyre dështoi dhe Ali Ahmeti zhvilloi në Kumanovë një takim në një sallë plot me mbështetës e simpatizantë”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Kjo parti ka shprehur keqardhje për përdorimin e turpshëm të dhimbjes së njerëzve nga disa grupe të reja politike të cilat duan të afirmohen nëpërmjet akteve të dëshpëruara.

“BDI dënon çdo mjet politik jopaqësor dhe mbetet e vendosur të vazhdojë rrugën e vetë politike me anë të bisedave me qytetarët”.

Ndërkohë, në takimin me kumanovarët , Ali Ahmeti shprehu mirënjohje për mbështetjen e treguar ndaj tij dhe BDI-së dhe tha se së bashku ishin më të fortë sesa keqbërësit.

“Keqbërësit në Kumanovë kurrë nuk do të gjejnë aleatin te Bashkimi Demokratik për Integrim,” u shpreh Ali Ahmeti.

Kim Mehmeti i penduar, e quan gabim përkrahjen që ia bëri BDI-së

Anëtari i Këshillit Opozitar të shqiptarëve të Maqedonis, Kim Mehmeti, në një qëndrim të tijin të fundit, thotë se nuk është anëtar i asnjë partie dhe nuk do të merret aktivisht me politikë, por shton se do të mbështesë rininë e Lëvizjes “Besa” dhe të krahut të Rilindjes Demokratike Kombëtare.

Periskopi.com Lajme

“S’jam anëtar i asnjë partie dhe kurrë nuk do merrem aktivisht me politikë, por e them publikisht se me aq sa mundem, do e mbështes rininë e Lëvizjes ‘Besa’ dhe të krahut të RDK-së, që iu bashkëngjit koalicionit opozitar! Për dashamirët që më thonë se gaboj dhe se nuk kam nevojë për diçka të tillë, vetëm dy fjalë: nuk mund të bëj gabim më të turpshëm se ai i 2002, kur i kam përkrahur drejtuesit e BDI-së?! Pastaj ka diçka edhe më të turpshme se të gabosh: të mos bësh gjë për ta korrigjuar gabimin…”, ka shkruar Mehmeti.