Pesha e kryqit tonë medial

Baton Haxhiu Opinione

E dimë se është oportuniste në raport me masat që na konsumojnë kur mediat tona dalin më mirë duke bërë reality show të politikës, duke u përqendruar në negativitet.

Mirëpo, tani shihet se, si media, i kemi kaluar disa limite. Jemi kapur në lojën vicioze që e krijuam vetë.

Ne jemi ndër shkaqet primare të degradimit të politikës në spektakël bulevardesk, ashtu siç e përshkruan përpikërisht Mario Vargas Llosa në veprën e tij “Gjithçka Bulevard”, ku thotë se “kush humb kulturën e tij, humb edhe veten”.

Ne, mediat, humbëm kulturën mediale dhe veten, ndërsa rrugës për në varr duam të marrim me vete edhe binjaken tonë aq të dashur – politikën.

E vërteta?

Informimi objektiv?

Kush çan kokën për këtë punë.

Ne, mediabërësit, ndonjëherë më së paku.

Ky është bumerang. Mediat duhet të jenë më shumë se agjent pushtetesh dhe politikash.

Pyetja e vërtetë nuk është ajo që po ndodh në mes të Ramës dhe mediave, por ajo që po ndodh mes mediave dhe realitetit.

Unë mendoj se ne, si media, shumë shpesh harrojmë se para së gjithash duhet të ndërmjetësojmë mes ngjarjeve dhe publikut – për të informuar.

Në realitet, gjithnjë e më shumë duam të jemi ata që krijojmë ngjarje, vendosim rendin e ditës, vendosim atë që është e rëndësishme sipas standardeve tona dhe jo atyre që me të vërtetë kanë rëndësi.

Në vend se të kërkojmë shfaqjen e realitetit, ne bëjmë çmos që të na jepet material për ta shfaqur një botë ashtu siç do të donim ne: skandaloze, plot intriga, interesante, zbavitëse për masat. Mos e joshëm, madje edukuam, edhe politikën që të na ofrojë sa më shumë ndodhi të këtij lloji?

Nuk e mendonim këtë derisa politika na tregoi dhëmbët, na preku edhe ne. Dhe këtë prekje po e përjetojmë si thikë pas shpinë, apo si refuzim i politikës që ta bëjë lojën tonë.

Edi Rama është duke vepruar si të gjithë politikanët tjerë deri më tani. Jo sepse ai ekskluzivisht donte kështu, por sepse ne e krijuam kontekstin ku kjo është mënyra e vetme për të vepruar. Reagimin e Ramës mund ta reduktojmë tamtamçe, siç e kemi zakon në neurozë të tij, në strategji dandeske të kryeministrit shqiptar për ta spostuar vëmendjen nga krizat edhe më të mëdha.

Mund të bëjmë si të duam.

Por, a do na shpëlajë kjo ne si media për t’i ikur përgjegjësisë?

Reagimi i Ramës mua personalisht më tepër më del si shprehje e një frustrimi politik ndaj një sistemi mediatik që për bazë nuk e ka kryekëput informimin objektiv të masave, por pa përgjegjësinë minimale dhe në interes të agjendave të caktuara politike dramatizon deri në eksplodim gjithçka – jo për të zbardhur e shënjuar probleme, por për t’u hakmarrë. Për ta bërë mentalitetin aq të nxehur saqë të plasë vetvetiu bashkë me politikën, në këtë rast me qeverinë.

Kështu veprojmë ne, mediat. Shumica prej nesh.

Pse?

Sepse, “kush paguan na përdor”?

Jo patjetër.

Më shumë qëndron kjo: ne u ndihmojnë politikanëve të krijohen – për t’i përdorur pastaj, duke u dhënë atyre përshtypjen iluzore se na paskan front për vete. Dhe kur del një politikan që nuk futet dot brenda këtij sistemi mediatik, plas sherri. Si Rama, ngase ai nuk është produkt mediatik.

Performanca e tij nuk është thjesht estetike dhe sikurse ligjërimi i tij nuk është thjesht retorik, ashtu qëndron edhe fakti se Rama ka bërë ndryshimin më të thellë politik në terren që nga fillimi i tranzicionit deri sot.

Natyrisht, në Shqipërinë e tashme ka vend për shumë kritika.

Por, në rrethanat e Shqipërisë, nuk ka pasur asnjë qeveri qendrore më shoqërisht të përgjegjshme dhe institucionalisht më zhvilluese se kjo.

Mediat janë të fundit, njëjtë si opozita pa kredibilitet dhe vizion, që mund ta kontestojnë këtë.

 

2.

Fakti që sot, në vitin 2018, ne ende po diskutojmë për raportin kaq të përlyer të mediave me politikën, sipas mendimit tim, vetvetiu, pa na thënë kush, na bën Kazan.

Jemi bërë çorbë e pashikueshme.

Ne duhet të jemi shumë më shumë se sa të bëhemi temë. Edhe më keq: ndonjëherë jemi aq narcistë, tiranë, me pikëpamjet tona, saqë besojmë në këtë dhe në çdo jetë të mundshme të ketë vetëm një realitet: Ne!

Dhe askush tjetër.

Vetëm si themi ne, se ndryshe kot është.

Ne bëjmë çmos që mos të ketë realitet ndryshe nga ai fiktivi që duam me çdo kusht t’ia imponojmë edhe pushtetit, qeverisjes, politikës, xehetarisë dhe bujqësisë.

Çfarë po ndodhë me ne?

Punë e politikanëve është ta gjejnë mënyrën më të mirë për të nxitur agjendën me të cilën ata mendojnë se duhet të bëjnë dallimin. Ne, mediat, krijuam kontekstin në të cilin mund të zgjidhni midis aspekteve të ndryshme të realitetit, ose, versioneve më të këqija, shumë shpesh të ndryshme, të realitetit.

Kjo është pyetja e vërtetë që duhet t’ia parashtrojmë vetes.

Sepse duke menduar se ne jemi më të rëndësishmit, na mungon të shohim se gjithnjë e më shumë publiku e dyshon këtë. Dhe gjithnjë e më shumë mendon për ne si për ata që e shqetësojnë të vërtetën dhe nuk e dorëzojnë atë.

Shikuar nga etika profesionale, mungesa e dallimeve të qarta nga politika na vizaton një portret shumë më të keq se Kazani – edhe për arsye se jemi të papërtypshëm, që e bën Kazanin shumë me funksional dhe më fisnik se mediat.

 

3.

Çfarë është produkti ynë mediatik sot?

Fakti që ne si media e shtrojmë këtë pyetje tregon se ende e kemi të vështirë ta kuptojmë cakun tonë për t’i shërbyer publikut, për të vërtetën që i duhet dhe e dëshiron.

Ne e shohim veten si ndërmjetës të fuqisë dhe tani ndjehemi të sulmuar. Kur ndjehemi të sulmuar, ne do të dëshironim ta zhvendosnim përsëri balancën e fuqisë për të mirën tonë.

Dhe përsëri: A nuk e lëmë shpesh veten të përdoremi për agjendat e pushtetit duke hequr mundësinë që ta forcojmë pozicionin tonë? Natyrisht, shumë prej nesh përfundojmë si agjentët e pushtetit. Shumë shpesh bëjmë kështu duke dashur të besojmë se e bëjmë atë për të mirën publike, edhe pse shumica e publikut mund të kenë pasur ose kane ide të ndryshme.

Jemi të joshur nga fuqia e njëjtë politike që e gjejmë në mënyrë të pabindur tek të tjerët.

Ne duhet të fillojmë t’i bëjmë punët tona më mirë, duke e informuar publikun më së miri që dimë.

Kjo është fuqia jonë e vërtetë.

E pabesueshme çka bëri Baton Haxhiu, në debatin ndërmjet Hajredin Kuçit e Kujtim Shalës

Periskopi.com Lajme

Debati në “Zona e Debatit” në Klan Kosova mbrëmjen e sotme ka qenë shumë befasues.

Në përballjen e dy anëtarëve në largim të kabinetit qeveritar Mustafa, përpos përplasjes së ashpër ndërmjet Hajredin Kuçit të PDK-së dhe Kujtim Shalës së LDK-së, ka ndodhur edhe diçka e rrallë.

Për rreth 30 minuta, drejtuesi i emisionin Baton Haxhiu nuk e ka thënë as edhe një fjalë.

Gjatë gjithë pjesës së parë të intervistës, Baton Haxhiu vetëm i ka shikuar dy të ftuarit si spektator.

Nikollë Lesi i dërgon letër ‘djalit kosovar’, Baton Haxhiut

Politikani i njohur, Nikollë Lesi ka reaguar pas opinionit të Baton Haxhiut ku i sugjeronte kryeministrit Edi Rama, ndarjen me Ilir Metën.

Periskopi.com Lajme

Por Lesi i është kundërvënë Haxhiut duke i thënë që mos ta sygjerojë Ramën për një ndarje të mundshme me Metën pasi një ndarje e tillë do e çonte Ramën për “lesh në presh”.

“Rama dhe Meta janë të dënuar të futen së bashku në këtë zgjidhje për zgjedhje. Ndryshe nëse Edi Rama merr aventurën e largimit të LSI, siç ia sugjeroni, e keni çuar Edi Ramën ‘për lesh, në presh’! Si dikur Tritan Shehun e PD-së, në Lushnjë”, – shkruan Lesi.

Shkrimi i plotë i tij

Baton Haxhiu është një djalë kosovar që ka marrë nënshtetësi shqiptare. Analist, gazetar dhe drejtues i një media në Kosovë. Realisht njihet si njeri që këshillon Edi Ramën. Së fundmi edhe në Prishtinë i organizoi pritjen, darkën dhe shumë mirë bëri pasi miqtë, edhe në kohë të vështira politike duhen ndihmuar e respektuar. Në këtë pikë Batoni mbetet korrekt si njeri.

Nuk kam asnjë ankesë për Batonin, përkundrazi e shoh me respekt historinë e tij.

Por në një shkrim të botuar sot në disa web-e dhe gazeta me titull  “Demokracia e çadrave”, shkrim që nga një web në tjetrin merrte tituj të ndryshëm sipas preferencave të botuesit apo linjave editoriale momentale, Batoni nxit Edi Ramën që të largojë Ilir Metën nga koalicioni dhe të qeverisë pa Ilir Metën (LSI). Bile një togfjalësh helmues si “Iliri «është helmi i socialistëve dhe melhemi i demokratëve ndërkohë që nën kupolë nuk ndodh asgjë», na thotë një diplomat i invovuar në kritë. Me të drejtë, së paku nuk ndodhë asgjë pozitive”-citon Batoni duke futur heshtën brinjë me brinjë, por dihet se më i majtë se Ilir Meta nuk është Edi Rama. Mirë apo keq, Ilir Meta ka dalë nga e majta, punon për të majtën, bile paksa të majtën tradicionale dhe mbetet te e majta si në gen ashtu dhe në përspektivën e afërt. Edi Rama, ndonëse është kryetar i PS-së dhe kryeministër i së majtës, ai nuk ka asnjë lidhje shpirtërore me të majtën socialiste. Aspak. Rama si kryeministër ka bërë disa reforma drastike, të pranueshme, siç edhe ka bërë sallatë shumë të tjera. Ai është Rilindas, siç e thotë mjaft bukur lideri i LIBRA, Ben Blushi. Dhe për më tej Edi Rama ka marrë selinë rozë me një grup rilindasish, që pasi e shpartalloi PS-në, duke larguar ikonat socialiste si filozofin e së majtës Ben Blushi dhe “karlmaksin e PS-së”, Koço Kokëdhimën; tani Edi Rama ka mbetur shah-mat. Edi Rama në thelb mbetet njeri punëtor, pasionant, arrogant. Si me magji janë ndërthurur te ai e majta ekstreme me te djathtën sakatuese. Por ky është ai. Nuk e ndryshojmë dot. Ai ka nevojë për një barazpeshë brenda qeverisë, ndryshe është i pallogaritshëm në vendime e veprime.

E kam thënë në krye të herës, sapo filloi protesta e opozitës në çadër, se Edi Rama ka rastin që nga kryetar i PS-së të kthehej në një Burrë Shteti. Pra as më pak e as me shumë: Të jepte dorëheqjen nga kryeministër në emër të ruajtjes së shtetit dhe bashkë me Ilir Metën hyn në zgjedhje dhe i fiton. Zgjedhje pa opozitën, Baton i nderuar, nuk mund të ketë dhe as do ketë. Këtë e di mjaft mirë ti. E provoi Sali Berisha në maj 1996 dhe shkaktoi luftën civile, sepse iu bashkëngjit edhe rënia e piramidave. Por kryesisht fillimi i rënies së shtetit dhe Berishës ishte se nuk pranoi zgjedhjet me opozitën dhe më pas nuk pranoi të sakrifikonte qeverinë në emër të një marrëveshje të madhe politikë gjithëkombëtare.

Vitin 1996 dhe 1997 e njoh shumë mirë, i nderuar Baton. Siç e njeh edhe Edi Rama që u rrah dhe u godit me 23 janar 1997 nga forcat e SHIK-ut, e njeh edhe Ben Blushi se ishte kryeredaktor i gazetës “Koha Jone” ( një nga kryeredaktorët me të mirë të historisë së gazetës), e njeh dhe Ilir Meta ish-nënkryetar i PS-së, i cili bashkë me Pandeli Majkon ishin ikona e rinisë së PS-së dhe e së ardhmes së socialistëve.

Ndonjë sugjerim për shkrimin tuaj të sotëm, Baton, edhe mund ta bëjmë. Apo nuk lejohet?

E para ky shkrim është i vonuar në kohë. Mund të bëhej dy vite më parë, kur Edi Rama ishte i blinduar, kur edhe mund ta largonte LSI-në, ndonëse nuk dihej përfundimi i sherrit. Tani është shumë vonë. Edi Rama nuk është në ditët e tija më të mira apo kaq i fortë sa “të qeverisë pa Metën”, siç ia sugjeroni. Nuk ka asnjë shans Rama. Edhe këtu është shah-mat, siç mbetet në raport me opozitën e cila nuk futet në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Sugjerimi juaj, si me magji, u mor nga kampi i opozitës sot dhe u bë kryelajm shkrimi jot. Pra opozita realisht mezi e pret që Edi Rama të largojë Metën sepse e di përfundimin, ashtu sikurse nxit Ilir Metën të ikë nga Rama dhe t’ia braktisë anijen e pushtetit, duke e lenë në mes të detit 10- ballësh, Edi Ramën.

Nuk është koha për braktisje koalicionesh, sidomos në këto muaj, kur anija është shpuar gjithëandej, kudo. Nuk mbahet “uji i oqeanit” duke vendosur dorën iks ministër mbi vrimat ku fut ujë anija qeveritare, aq me tepër që opozita po i prish direkun me mos futjen e saj në zgjedhje.

Natyrisht që precedenti i tanishëm i çadrës krijon  precedentë edhe pas katër vitëve dhe kështu në vijim, por Rama-Meta mund të ngrihen mbi interesat politike përkatëse, mbi pushtetin dhe të ruajnë shtetin nga destabiliteti. Vendosin, bashkërisht, që të hyjnë në zgjedhje si koalicion dhe paralel me këtë vendim krijojnë qeverinë teknike me opozitën, por me një kusht: Dorë për dorë qeveria teknike me votimin e PD-së në Parlament të Vettingut.

Nuk ka zgjidhje tjetër, Baton.

Rama dhe Meta janë të dënuar të futen sëbashku në këtë zgjidhje për zgjedhje. Ndryshe nëse Edi Rama merr aventurën e largimit të LSI, siç ia sugjeroni, e keni çuar Edi Ramën “për lesh, në presh”! Si dikur Tritan Shehun e PD-së, në Lushnjë.

Miqësisht

Nikoll Lesi

Projekti i Klan Kosovës prezantohet në Napoli (FOTO)

Projekti i objektit të Klan Kosovës është prezantuar në Napoli të Italisë në mesin e 37-të projekteve europiane në ekspozitën e organizuar nga Shoqata Italiane e Arkitektëve.

Periskopi.com Lajme

Ideja, planifikimi dhe realizimi i ndërtesës së Klan Kosovës janë përzgjedhur nga arkitektët italianë si projekt i dalluar arkitektonik.

Arkitekti Astrit Nixha, autor i projektit dhe Baton Haxhiu, drejtor i Klan Kosovës, në Napoli kanë folur për mënyrën e realizimit të objektit të Klan Kosovës, sfidat, funksionalitetin dhe planet për modifikimin dhe zgjerimin e tij në të ardhmen.

Kryeministri i Qeverisë Teknike

Administrata është rutinë.

Baton Haxhiu Opinione

Por, është keq kur Qeveria dhe qeverisja bëhen rutinë.

Është shumë më keq kur liderët hyjnë brenda rutinës dhe janë të paguximshëm për vendime strategjike.

Brenda kësaj rutine burokratike ka hyrë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Janë bërë pothuajse dy vjet e gjysmë që politika e tij po vendnumëron.

Nuk po flas për reformat rutinore të Administratës Tatimore të Kosovës.

Po flas për një lider të munguar i cili fajëson opozitën për bllokim të politikës në Kosovë.

Ku gabon kjo politikë e kësaj mazhorance?

Opozita ka ndërtuar një strategji polemizuese, bllokuese dhe rrënuese për këtë Qeveri. Që është e natyrshme për një strategji opozitare. Por, habit fakti që kjo Qeveri nuk ka alternativë dalëse nga ngërçi politik.

Isa Mustafa kërkon që të mëshirohet nga Opozita.

Kërkon një mirëkuptim opozitar. Mirëpo, para kësaj ai duhet të kërkojë të mëshirohet nga LDK-ja dhe PDK-ja, që janë bllokueset kryesore të proceseve politike në Kosovë. Këto dy parti, thjesht, janë të pafuqishme për të bërë as edhe një hap tutje.

Isa Mustafa po del të jetë është i pafuqishmi brenda partisë së tij.

Kryeministri duket se nuk e ka forcën e liderit ta bindë partinë e tij të dalë nga kjo bllokadë.

Ai nuk është më lider.

Ai, tashmë, është vetëm një Administrator i Qeverise – sikur kjo Qeveri të ishte teknike, e jo Qeveri që ka mbi 90 vota në Parlament.

Duke qenë i tillë, edhe PDK-ja është bërë parti pa motivim politik dhe pa dëshirë që të gjejë zgjidhje nga kjo bllokadë.

Çka ka ndodhur realisht?

Pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2014, kishim bllokadën e gjatë të opozitës së bashkuar (VLAN) që besonte se i ka “numrat” dhe formulën për ta bërë Qeverinë Haradinaj, por nuk ia doli.

Numrat, dhe këto 2/3, e bënë koalicionin e madh falë pazarit të Hashim Thaçit me Isa Mustafën, sipas formulës: “Ti, Isë, Kryeministër – unë President, kur Atifete Jahjagës t’i përfundojë mandati”.

Ndonëse ky pazar funksionoi, Qeveria, me gjithë atë shumicë bindëse në Kuvend, nuk do të mund t’i imponojë agjendat e veta politike dhe zhvillimore.

Edhe pa numra, opozita nuk e pranoi disfatën duke politizuar skajshmërisht dy vendime-marrëveshje ndërkombëtarisht të nënshkruara të Qeverisë: Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe Marrëveshjen për Demarkacion me Malin e Zi.

Opozita ndezi alarmin e tradhtisë kombëtare dhe me përdorimin e gazit lotsjellës bllokoi, ose çrregulloi, mbajtjen e seancave të Kuvendit të Kosovës, si dhe organizoi protesta, disa prej tyre tejet masive, që për qëllim e kishin dorëheqjen e Qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Por, lotsjellësi dhe retorika populliste nuk e zmbrapsën Qeverinë. Përkundrazi, kriza me kohë e kaploi Opozitën, pasi që AAK dhe Nisma nuk deshën që t’i nënshtrohen skenarëve imponues – dhe shpesh të dhunshëm – të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kështu, e gjithë beteja e Opozitës, madje përkundër aferave komprometuese për pushtetin, siç ishte ajo e publikimit të përgjimeve “Pronto 2”, nuk pati efektet e pritura mobilizuese.

Në vend të ngërçit të përgjithshëm tani ndodhi vetëbllokada dhe defansiva e “Frontit Patriotik”, të cilit i mbetet vetëm të vetëlavdërohet se kinse e paska shpëtuar Kosovën nga lufta.

Kuptohet, ngërçi politik që ka hyrë në vitin e tretë doemos la pasoja në raportet ndërkombëtare të Kosovës, duke zvogëluar kredibilitetin e shtetit në kërkim të afirmimit dhe stabilizimit të plotë. Më e dukshmja prej këtyre pasojave ishte mosliberalizimi i vizave.

Në të vërtetë, kanë ngecur të gjitha proceset vitale për daljen e Kosovës nga gjendja e vendnumërimit.

I vetmi ngushëllim relativ ka qenë fakti se pos ngërçit të brendshëm ka pasur edhe disa zhvillime të jashtme që nuk i dramatizonin aq shumë autogolat e Kosovës. Bëhej fjalë për krizën dhe vendnumërimin e pothuajse tërë rajonit të Ballkanit, si dhe krizën e madhe të refugjatëve dhe daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja.

Por, tash që mjegullat janë fashitur dhe BE-ja po i rikërkon rrugët e stabilizimit dhe fuqizimit të politikave të saja, nuk ka më vend për vazhdimin e ngërçit dhe Qeveria e Kosovës duhet t’i kthehet trajtimit të punëve të mbetura.

Obligimi i parë është dialogu me Serbinë. Në nivelet teknike ai ka vazhduar, por tani kërkohet rivendosja e dialogut mes kryeministrave të të dy vendeve për jetësimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit të prillit 2013.

Ky proces praktikisht nuk ka alternativa të padëmshme. Kërkesat për riformatizimin e dialogut, ose ndryshimin e karakterit të tij, mendoj se nuk janë as realiste, e as të dobishme.

Qeveria e Kosovës duhet të insistojë në respektimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më sot dhe plotësimin e tyre me marrëveshjet tjera që do ta rrumbullakosnin maksimalen e normalizmit të raporteve mes dy vendeve si subjekte të barabarta të së drejtës ndërkombëtare, pa e adresuar në mënyrë direkte njohjen e Kosovës nga Serbia.

Kjo çështje vetvetiu do të shtrohet gjatë bisedave për anëtarësimin e Serbisë në BE, ku njohja e Kosovës është kusht i pathënë publikisht që do ta determinojë sjelljen e Beogradit në dialogun me Kosovën.

Në bisedat me BE-në dhe në dialogun me Kosovën, Serbia nuk do të mundet më të luajë me dy karta që kushtëzojnë hezitimet dhe obstruksionet.

Por, kushti, që dialogu me Serbinë ta ketë rrjedhën e duhur është jetësimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Pas vlerësimit kritik të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që taksativisht numëron pikat ku duhet pasur kujdes që ky Asociacion të mos shndërrohet në nivel të pushtetit autonom dhe potencialisht bllokues të shtetit të Kosovës, gjë që është përkrahur edhe nga faktorët ndërkombëtarë, ky projekt duhet të jetësohet, por i shoqëruar me përmbushje obligimesh që i ka Serbia për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën.

Çështja tjetër që duhet ta adresojë Qeveria është ajo e ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi, të cilin Podgorica tashmë e ka kryer si proces, kurse në Kuvendin e Kosovës është krijuar përshtypja se Qeveria nuk i ka numrat për ratifikim.

Dy shtete sovrane gjithnjë mund të bisedojnë për korrigjimet e arsyeshme të kufirit që i ndan, por fjala “korrigjim” nënkupton një proces krejt tjetër.

Për një skenar të tillë do të duhej të ekzistonte edhe pajtimi publik i Qeverisë së Malit të Zi, ndonëse edhe atje aktualisht mund të ketë pengesa nga Opozita me motive të kundërta nga Opozita e Kosovës.

Megjithatë, proceset janë të ndërlikuara dhe Qeveria nuk e ka rrugën e hapur për suksese përkundër përkrahjes së bashkësisë ndërkombëtare rreth çështjeve më të ndjeshme dhe mund të dështojë edhe te Ratifikimi i Demarkacionit dhe në Dialogun me Serbinë nëse Asociacioni bëhet pazar i papërballueshëm.

Në këtë rast ndoshta do të bëhet e paevitueshme shpallja e zgjedhjeve të reja.

Zgjedhjet do të mund ta sqaronin çështjen e legjitimitetit dhe të numrave, duke eliminuar pretendimet përmbysëse dhe populliste pa mbështetjen e elektoratit.

Për shpërndarjen e votës ende nuk ka indikacione të sigurta dhe mund të ndodh që, me disa ndryshime të vogla, skena politike të mbetet e ndarë ashtu siç ka qenë edhe në vitin 2014.

Zgjedhjet, nëse tregohen të paevitueshme, por jo nga imponimet dhe kërcënimet e dhunshme – mbase është mirë të ndodhin pas fillimit të proceseve të Gjykatës Speciale, kur do të dihej se cili prej liderëve e ka kredibilitetin e plotë për të garuar për pushtet, dhe cilët do të jenë nën hetime dhe të gjykuar.

Oda e Baton Haxhiut, kritikohet edhe nga Edi Rama

Periskopi.com Lajme

 

Haxhiu thotë se PDK-ja i humbë zgjedhjet nëse ato mbahen në mars

Drejtori ekzekutiv i Klan Kosovës, Baton Haxhiu, ka folur për gjendjen aktuale të skenës politike në vend, dhe për ndryshimet që ajo mund t’i pësojë deri në kohën e zgjedhjeve.

Periskopi.com Lajme

Haxhiu në TV Dukagjini ka thënë se bazuar edhe në sondazhe, Partia Demokratike e Kosovës është akoma partia më e madhe në vend, por, çdo ditë e mosmbajtjes së zgjedhjeve e dobëson më shumë këtë parti.

Ai ka thënë se PDK-ja ka shumë çështje me të cilat duhet të merret, si rastet “Drenica 1” dhe “Drenica 2”, kryetarët e akuzuar të komunave, pozita e Presidentit, Gjykata Speciale dhe individët që do të akuzohen nga kjo gjykatë, struktura e brendshme e partisë pas ardhjes së Kadri Veselit në krye të saj, dhe të gjitha këto sjellin dobësi në skenën politike.

Haxhiu ka shtuar se dobësimi i PDK-së në zgjedhjet e ardhshme krijon hapësira të mëdha që Lidhja Demokratike e Kosovës të dalë fituese e zgjedhjeve.