Analiza e institutit gjerman tregon 13 zona të konfliktit në Ballkan, përmendet edhe Kosova

Periskopi.com Lajme

Në ish-Jugosllavi janë 13 zona në të cilat mund të shpërthejnë konfliktet, ose që tashmë janë në zhvillim e sipër, që më së shpeshti janë rezultat i tensioneve etnike shekullore, tregon një ekspertizë e kohëve të fundit e Institutit të Heidelbergut për Hulumtimin e Konflikteve. Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, përkatësisht ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, janë zona më e rrezikshme e konfliktit në rajonin e Ballkanit, siç kanë konstatuar analistët gjermanë.

Ballkani edhe më tej mbetet zonë e rrezikut të lartë të konflikteve etnike, madje edhe ndërshtetërore, e një situatë e tillë ka ndikim të drejtpërdrejtë në Kroaci. Ekziston një e dhënë shumë e saktë: Në ish-Jugosllavi janë 13 zona në të cilat mund të shpërthejnë konfliktet, ose që tashmë janë në zhvillim e sipër, që më së shpeshti janë rezultat i tensioneve etnike shekullore, tregon një ekspertizë e kohëve të fundit e Institutit të Heidelbergut për Hulumtimin e Konflikteve.

Silvia Steininger është politologe dhe juriste, e cila në Institutin e Heidelbergut për Hulumtimin e Konflikteve (IHHK) është përgjegjëse për hetimin e konflikteve dhe tensioneve në rajonin e Ballkanit. IHHK që nga viti 1992 e publikon çdo vit një barometër të konflikteve, i cili e ofron një analizë të konflikteve globale. «Ndarjet, përpjekjet për shkëputje, protestat kundër qeverive dhe provokimet në nivele etnike: Ballkani nuk qetësohet», ka thënë Steininger kohët e fundit në një intervistë për Deutsche Welle, duke e përshkruar rajonin.

Tri grupet e konflikteve

Në analizën e gjerë theksohet se në Ballkan ekzistojnë tri grupe të konflikteve dhe të tensioneve. I pari përfshin ato që lidhen me tensionet etnike, të cilat janë kryesisht mbetje të luftërave ballkanike, dhe prandaj më shpesh paraqiten në vendet e ish-Jugosllavisë. Grupi i dytë janë të ashtuquajturat konflikte klasike ndërmjet opozitës dhe pushtetit, e ato IHHK i kualifikon si jo të dhunshme në Rumani e Bullgari, ose me paraqitje të dhunës në Kosovë dhe në Maqedoni. Grupi i tretë i konflikteve janë ato të lidhura me militantët. E tillë është për shembull përballja ksenofobike, grupet e ekstremit të djathtë dhe minoritetet në Hungari, apo konfliktet me grupet islamike në Bosnjë-Hercegovinë.

Bota, në përgjithësi, nuk është e qetë. Analistët e IHHK kanë arritur gjatë vitit 2016 të numërojnë 402 zona të konflikteve, ndër të cilat në 226 konflikte është përfshirë dhuna, nga përleshja e demonstruesve me policinë deri te lufta e vërtetë, të tilla si ato në Afganistan, në Siri dhe në Libi. Vetëm Turqia ka pasur qindra të vrarë në serinë e shpërthimeve, e shumë konflikte kalojnë pa u vënë re, siç janë luftërat ndërmjet forcave egjiptiane të sigurisë dhe mbështetësve të Shtetit Islamik në Gadishullin Sinai, në të cilat në të dyja anët janë vrarë 474 persona. As kontinenti europian nuk është kursyer, meqë në Donbas vijon konflikti i vazhdueshëm ndërmjet separatistëve pro-rusë dhe forcave ukrainase, ndërsa janë regjistruar më shumë se 9800 të vdekur.

Krahasuar me situatën atje, në Ballkan vazhdon një paqe e qëndrueshme, por sipas përfundimeve të Silvia Steininger dhe anëtarëve të grupit të saj të kërkimit, në këtë rajon relativisht të vogël ekziston një numër i madh i konflikteve jashtëzakonisht të gjata dhe shumë helmuese. Në veçanti, numri i konflikteve etnike në Ballkan mezi është ulur, por «potenciali konfliktuoz në Ballkan mbetet dukshëm më i lartë».

Në të vërtetë, cilat janë ato pikat neuralgjike në analizën e politologëve të Heidelbergut në Europën Juglindore, së cilës i përket edhe Kroacia? Në ish-Jugosllavi ekzistojnë 13 zona të konfliktit, disa prej të cilave janë shumë të rrezikshme.

Dr. Josip Glaurdiq, politolog që deri vonë ka punuar në Universitetin e Kembrixhit, ndërsa tani ligjëron në Universitetin e Luksemburgut, thotë se e kundërshton tezën e historisë së papërfunduar në Ballkan, sepse duhet të punojnë vazhdimisht për ta kuptuar se nga vijnë kërcënimet. «Me gjuhën e së djathtës duhet të jemi të gatshëm, ndërsa me gjuhën e së majtës asgjë nuk duhet të na befasojë», është ironik dr. Glaurdiq.

«Stabiliteti i një zone të caktuar nuk është një vlerë e parazgjedhur. Ajo është e kushtëzuar politikisht, për aq kohë sa ekzistojnë akterë politikë, të cilët janë mjaft të fuqishëm dhe të cilët kanë interes të mbjellin tension dhe të krijojnë jostabilitet – kjo do të jetë ashtu. Dhe kur kësaj ia shtoni rezervuarin e madh të të gjitha llojeve të pakënaqësisë që rrjedh nga luftërat e fundit, do ta keni recetën për probleme të mëdha», shprehet Glaurdiq.

Kroacia përmendet direkt në këtë për dy situata, nga të cilat e para ka të bëjë me kërkesat politike të pakicës lokale serbe. Edhe pse nuk specifikohet se për çfarë bëhet fjalë, si duket është kërkesa për futjen e alfabetit cirilik në hyrjen e institucioneve shtetërore në Vukovar, gjë që e kundërshton pushteti lokal i HDZ-së. Dhe, nuk është mirë, sepse ky problem është vendosur si një zonë e konfliktit në Ballkan, që e ka marrë vendin e parë, e që do të thotë se kërkon diskutim për zgjidhje.

Zonë e konfliktit është edhe mosmarrëveshja për kufirin slloveno-kroat, e cila thuhet se vazhdon që nga viti 1991, edhe në nivelin e debatit politik, ndërsa armiqësia do të ofronte shpjegim më të saktë.

Madje tri zona të konfliktit janë vendosur në Bosnjë-Hercegovinën fqinje, por, për fat të mirë, me nivel relativisht të ulët, nëse bëhet fjalë për rreziqet. Kjo ka të bëjë me konfliktin politik ndërmjet kroatëve dhe boshnjakëve krahas kërkesës për krijimin e entitetit kroat në Federatën e BeH, që është përshkruar si «autonomi e kërkuar», pastaj përpjekjet për shkëputjen e Republikës Serbe, që është detektuar si tentativë e tillë. Të dy këto konfliktet ende janë politike, megjithatë shkaktojnë tensione të përhershme; ja dëshmitë: ditëve të fundit, në Shiroki Brijeg, i gjithë stadiumi vërshëlleu gjatë intonimit të himnit kombëtar boshnjak, dhe gjatë kësaj kohe publiku brohoriste «Ne, kroatët!», ndërsa udhëheqësi politik boshnjak Bakir Izetbegoviq paralajmëroi se çdo përpjekje për t’u ndarë Republika Serbe nga Bosnjë-Hercegovina në mënyrë të pashmangshme do të çonte në konflikt që do të kishte pasoja të paparashikueshme për gjithë rajonin, duke theksuar se kjo është «vijë e kuqe», të cilën Milorad Dodik assesi nuk do të duhej të përpiqej për ta kaluar.

Por këtu (edhe më tutje) luftohet me fjalë, prandaj në IHHK kanë qëndrim se ky është nivel ulët i rrezikut për konflikt.

Prandaj është rritur shkalla e vlerësimit të «kërcënimit të grupeve islamike që veprojnë në këtë vend». Ajo është ngritur në një nivel tjetër, që tregon një konflikt serioz, por jo të dhunshëm në kohën e shkrimit të raportit.

Në rrezik më të madh është Maqedonia, ku janë në rrjedhë dy konflikte. Ai i intensitetit më të ulët u referohet kërkesave të komunitetit shqiptar për autonomi (në muajt e fundit shqiptarët i kanë shtuar kërkesat e tyre dhe tani duan zyrtarizmin e dygjuhësisë dhe ndryshimet kushtetuese, gjë që ka shkaktuar tensione të reja, të cilat nuk kanë ekzistuar në kohën e raportit të IHHK), derisa konfliktet e kundërshtarëve dhe përkrahësve të VMRO-së të ish-kryeministrit Nikola Gruevski, i cili është i dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim të policisë, janë ngritur në një shkallën e tretë të rrezikshmërisë, e cila përfshin dhunën në mesin e pjesëmarrësve.

Autonomia e Sanxhakut

Situata në Maqedoni është shumë shpërthyese, edhe pse presidenti Gjorge Ivanov ia dha mandatin kryetarit të socialdemokratëve, Zoran Zaev, për ta formuar Qeverinë, pasi e refuzoi këtë për muaj të tërë, duke argumentuar se ishte platformë jokushtetuese ajo me të cilën Zaev arriti marrëveshje për koalicion me partitë e pakicës nacionale shqiptare.

Siç pritej, marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, përkatësisht ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, janë zona më e rrezikshme e konfliktit në rajonin e Ballkanit, siç kanë konstatuar analistët në institutin Heidelberg.

Në Serbinë e sotme janë tri zona të konfliktit, e këto janë pozita e komunitetit boshnjak, i cili e dëshiron autonominë e Sanxhakut, dhe enklavat shqiptare në Luginën e Preshevës, që tentojnë bashkimin me Kosovën. Rreziku i tretë i provokimit të konflikt janë islamistët radikalë që janë kthyer nga Iraku dhe Siria, disa prej tyre me siguri të prirë për terrorizëm.

Mundësitë e humbura

Edhe në Kosovë janë regjistruar tri zona të konfliktit, njëra prej të cilave është më e rrezikshmja në mesin e shqiptarëve, meqë anëtarë të Lëvizjes «Vetëvendosje» me demonstrata të dhunshme tentuan ta përmbysin qeverinë e atjeshme. Edhe pse nuk ka pasur dhunë, marrëdhëniet zyrtare ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe ndërmjet serbëve të Kosovës dhe autoriteteve lokale, të cilat pothuajse tërësisht janë shqiptare, janë tensionuar në shkallë të rrezikshme.

Cila është atëherë zgjidhja, ashtu që Ballkani, sado që mund të tingëllojë banale, të pushojë të jetë një fuçi baruti, ku edhe konflikti më i vogël ndërnacional mund të shkaktojë shpërthim. Shpesh është konsideruar se zgjidhja është në pranimin e përshpejtuar të vendeve të rajonit në Bashkimin Europian, madje edhe sipas kritereve më të buta sesa në rastin e Kroacisë. Mbështetësit e kësaj ideje argumentojnë se integrimet europiane do t’u jepnin fund tensioneve ballkanike dhe do ta trasonin rrugën e prosperitetit. Edi Rama, kryeministër shqiptar, kohët e fundit shkoi një hap më tej dhe në mënyrë të hapur u kërcënua: BE-ja duhet ta përshpejtojë pranimin e anëtarëve të rinj, ose Shqipëria dhe Kosova do të mendojnë për bashkimin e tyre në një shtet të vetëm shqiptar. Në këtë, nga Beogradi pasuan kërcënimet e luftës për shkak se autoritetet serbe ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Ndryshe nga elitat politike të Ballkanit, Josip Glaurdiq dyshon në lidhje me tezën, sipas së cilës Bashkimi Europian mendon intensivisht për shpëtimin e Ballkanit: «Është humbur një numër i madh i mundësive, veçanërisht nga Brukseli, por edhe nga shumica e fuqive të mëdha. Të pritet nga Bashkimi Europian, që ndodhet në mesin e negociatave për Brexit, de facto pa aleatë në Washington dhe me kërcënimet nga brenda e nga jashtë për të gjetur energji të re për zgjerim në rajon, është një iluzion. Europa në këtë kohë thjesht nuk ka kapacitete për këtë. Dhe, mbi të gjitha kapacitete njerëzore. Disa breza të liderëve të mundshëm europianë me përzgjedhje negative thjesht kanë humbur. Zgjedhjet franceze ofrojnë njëfarë shprese se kjo tendencë mund të ndryshojë, por diçka e tillë duhej të ndodhte edhe në shumë vende të tjera. Vetëm kur kjo të ndodhë, nëse ndodh, mund të shpresojmë për një politikë konstruktive drejt Evropës Juglindore. Deri atëherë na presin probleme të mëdha, të cilat i financojnë dhe i inkurajojnë ata që janë të interesuar për jostabilitetin e rajonit tonë dhe të Evropës. Para së gjithash, këtu është fjala për Moskën», paralajmëron dr. Glaurdiq.

Një shpjegim shumë të ngjashëm për revistën Magazin e ka shprehur edhe Nikola Samarxhiq, profesor i historisë në Fakultetin e Filozofisë në Beograd dhe analist politik. Samarxhiq rikujton se integrimi europian i Ballkanit Perëndimor është shndërruar në prioritet strategjik për të gjitha shtetet anëtare, të cilat janë nën presionin hibrid të agresionit rus dhe lëvizjeve populiste, të cilat gjithashtu janë me klientelë kryesisht ruse dhe kuislinge. Megjithatë, Federica Mogherini kohët e fundit e ka pranuar që administrata e Brukselit, me të në krye, nuk është në gjendje që në të njëjtën kohë të merret me edhe me Brexit-in, edhe me Ballkanin Perëndimor. «Një mungesë e tillë e lidershipit dhe e vizionit kërcënon me regres politik, ekonomik dhe të sigurisë, të cilit nuk do të jetë në gjendje t’i kundërvihet ajo pjesa jo e integruar e Ballkanit Perëndimor, me institucionet e veta joefikase dhe të korruptuara, dhe çdo hapësirë të​ zbrazët do ta zënë Rusia dhe Turqia, të cilat tashmë e kanë ndarë Bosnjën, duke rrëmbyer sovranitetin e entitetit serb dhe atij myslimano-kroat», tërheq vërejtjen Samarxhiq.

Proceset e dështuara

Sipas këtij historiani, Ballkani është zonë e tensioneve të vazhdueshme, sepse shumica e shteteve atje nuk i kanë përfunduar proceset e modernizimit, që përfshijnë sundimin e ligjit, konsensusin shoqëror për kapitalizmin, platformën e gjerë shoqërore të komunizmit, zhvillimin e lirisë dhe heqjen e kufijve. Jugosllavia ishte e pasuksesshme, jo vetëm si bashkësi e kombeve dhe e kombësive, por si bashkësi që nuk lejoi realizimin e këtyre vlerave dhe të institucioneve që garantojnë realizimin e këtyre vlerave. Fati në fatkeqësi, vlerëson Samarxhiq, është paaftësia e përgjithshme për ta filluar një luftë të re.

«Për fat të mirë, jemi mjaft çarmatosur, dhe nuk ka më APJ, cila i gjeneroi konfliktet e viteve të nëntëdhjeta. Por, jemi nën presion apo stres të vazhdueshëm, sikur kjo nuk ishte e mjaftueshme, dhe sikur lufta kurrë nuk ka mbaruar. Mezi i harrojmë disi vitet e nëntëdhjeta, ose Luftën e Dytë Botërore, dhe atëherë fillon zhurma për fajin dhe përgjegjësinë në Luftën e Parë Botërore, dhe ashtu pa mbarim. Në Serbi, çdo ditë është nga një përvjetor i ngjashëm, me të cilin opinioni maltretohet, e opinioni nuk është në gjendje të formulojë çfarëdo mohimi racional të manipulimeve të tilla: çdo vit, tre muaj të bombardimeve virtuale të vitit 1999, me kujtime të dhunshme për një vuajtje dhe poshtërim nacional, por me mungesën e kujtesës se shpërbërja e dhunshme e Jugosllavisë duhej të parandalohej aty ku kishte filluar. Për më tepër, arrestimi dhe vdekja e Milosheviqit, Stuhia, e kështu me radhë», kujton Nikola Samarxhiq.

Krahas ekspertëve nga Heidelberg, edhe për Glaurdiqin dhe Samarxhiqin mbijetesa e shteteve komplekse, të tilla si Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia, si dhe njohja e Kosovës nga Serbia është shndërruar në kusht për paqe në Ballkan. Për këtë nuk janë optimistë të tepruar.

«Një ditë mund të ndodhë që edhe Serbia ta njohë Kosovën. Por shtrohet pyetja nëse Kosova do të ekzistojë atëherë, apo para kësaj do ta fillojë bashkimin me Shqipërinë. Edhe Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia mund të mbijetojnë, megjithatë është e vërtetë se pa ndikimin e fortë dramatik të Bashkimit Europian, sepse në Amerikën e Trumpit nuk duhet llogaritur, e ardhmja e Maqedonisë dhe e Bosnjë-Hercegovinës është duke u vënë gjithnjë e më shumë në pikëpyetje», është skeptik Josip Glaurdiq.

Nikola Samarxhiç vlerëson se e gjitha është çështje e kohës dhe se është e nevojshme që Serbisë në këtë proces t’i lihet pak më shumë kohë dhe durim, ndërsa Kosova duhet t’i përjetojë drejtpërdrejt përfitimet nga negociatat në Bruksel dhe nga integrimi evropian.

Përgjegjësia për BeH

«Na duhen edhe vizione për të ardhmen e përbashkët, para së gjithash t’u mundësohet shqiptarëve ta shfrytëzojnë gjithë hapësirën ish-jugosllave për të lëvizur lirshëm, për të investuar, për të punuar, për t’u arsimuar, për t’u shëruar, për të vënë kontakte. Dhe, mendoj se në këtë moment çështja e mbijetesës së Bosnjë-Hercegovinës dhe Maqedonisë është ultimative, e në këtë veçanërisht paralajmëruan ngjarjet aktuale në Shkup, ku klientela ruse u përpoq të shkaktojë një grusht shteti me arsyetim se interesat nacionale i rrezikojnë edhe ato parti shqiptare që ishin pjesë e koalicionit qeveritar të VMRO-së nga viti 2008. Përgjegjësia e Zagrebit dhe Beogradit nuk përfundon me marrëdhënien ndaj Bosnjë-Hercegovinës, e cila assesi të bëhet një vend i takimeve dhe bashkëpunimit rajonal, por edhe ndaj çështjes shqiptare, të cilën është e domosdoshme për ta akomoduar në perspektivën më të gjerë rajonale».

Reklamë
Reklamë

Rusia reagon për Ramën e Thaçin: Duan ndryshimin e kufijve

Periskopi.com Lajme

Rusia ka shprehur shqetësim mbi deklaratat e fundit të politikanëve shqiptarë, kryeministrit Rama e presidentit kosovar Hashim Thaçi, në lidhje me atë që sipas Moskës, e konsiderojnë si qëllim për rishikimin e kufijve të Ballkanit dhe përpjekje për të destabilizuar juglindjen e Europës.

Përmes një deklarate zyrtare të publikuar nga Ministria e Jashtme e Rusisë, Moska vlerëson se nën maskën e akuzave të pabazuara të përpjekjeve për destabilizim të Ballkanit, po bëhen përpjekje për të implementuar projektin e Shqipërisë së Madhe, projekt që bazohet në Kushtetutën shqiptare, e cila i jep të drejtën Tiranës të mbrojë interesat e shqiptarëve jashtë vendit, kudo që ata ndodhen.

“Nën maskën e bisedimeve hipokrite mbi nevojën e stabilizimit të rajonit nën mbikëqyrjen e NATO-s, themelet e vërteta të stabilitetit po tronditen. Një kurs i ri politik është adoptuar për të rishikuar kufijtë në Ballkan, gjë që shton në mënyrë të paevitueshme potencialin për konflikt”, thuhet në deklaratë.

Ky, – siç nënvizon Moska zyrtare, – është konteksti i deklaratave të kryeministrit shqiptar Edi Rama, si dhe kreut të të vetëquajturës Kosovë e pavarur, Hashim Thaçi, mbi gatishmërinë e tyre për të bashkuar forcat nën një shtet të vetëm shqiptar.

Këtyre deklaratave, – vijon më tej Ministria e Jashtme ruse, – u ka bërë jehonë edhe kreu i Bashkisë së Luginës së Preshevës, në jug të Serbisë, një rajon i populluar kryesisht nga shqiptarë, të cilët shpallën dëshirën për të qenë pjesë e shtetit të përbashkët Shqipëri-Kosovë. Ministria e Jashtme ruse shkon më tej, teksa thotë se pjesë e këtij konteksti është edhe e bujshmja “platformë e Tiranës”, e miratuar nga partitë shqiptare në Maqedoni, që po minon themelet e shtetit maqedonas.

E pavarësisht këtyre deklaratave, padronët kryesorë të Tiranës dhe Prishtinës – Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, – ose kanë qëndruar të heshtur, ose kanë dhënë vetëm disa deklarata si zakonisht të pakuptimta, thuhet në komunikatë.

“Ne nuk mund të ndihmojmë, por pajtohemi tërësisht me shqetësimet e shprehura qartazi nga kryeministri serb, njëkohësisht presidenti i zgjedhur Aleksandar Vuçiç, si dhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, të cilët kanë dënuar me vendosmëri retorikën e politikanëve shqiptarë dhe kanë kërkuar përgjigjen e duhur ndaj këtyre zhvillimeve nga ana e Brukselit, Uashingtonit, si dhe vendeve të tjera kryesore europiane”, thuhet nga Ministria e Jashtme ruse.

Kremlini zyrtar ka theksuar gjithashtu edhe ironinë e hidhur, siç është shprehur edhe nga pala serbe, se nëse Vuçiç do t’i lejonte vetes të sugjeronte publikisht bashkimin e Republikës Serbe në Bosnje-Hercegovinë me Serbinë, ai do të ishte bombarduar nga zyrtarët në Bruksel.

E për këtë arsye, diplomacia ruse ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të reagojnë në mënyrë të menjëhershme  përballë politikanëve të Tiranës dhe Prishtinës, por edhe kujtdo në vendet e Ballkanit, që lëshojnë pretendime apo spekulime mbi rishikimin e kufijve të Ballkanit, gjë që është e papranueshme.

“Ne kërkojmë nga partnerët perëndimorë që të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe mirëkuptimin, duke mos aplikuar standarde të dyfishta”, përfundon deklarata.

Reklamë
Reklamë

Nëse shpërthen në Ballkan, Rusia me Serbinë

Garancitë që nga Kremlini i ka sjellë kryeministri serb Aleksandar Vuçiq se ”Serbia mund të llogarisë në ndihmën politike dhe ushtarake të Rusisë në rast të turbullirave të reja në Ballkan, është mesazh i qartë për fqinjët se në rast të bartjes së krizës në territorin e Serbisë, do të kenë përgjigje adekuate dhe aleatin e fuqishëm me Serbinë”.

Periskopi.com Lajme

Sipas asaj që shkuan portali serb “blic”, mesazhi i kryetarit rus Vladimir Putin ka ardhur në momentin kritik, në kohën e paralajmërimeve se Kosova do të formojë ushtrinë,ngjarjeve dramatike në Maqedoni dhe krizës institucionale në Bosnjë e Hercegovinë.

Nga ana tjetër, me pakon ushtarake të Moskës, në të cilën gjenden gjashtë Migë 29, 30 tanke T-72 dhe po kaq automjete të luftës BRD-M2, armata serbe praktikisht do të bëhet më e pajisura në rajon dhe do të mund ta mbrojë territorin dhe popullin e vet.

Sipas asaj që shkruan portali serb, Putin Serbisë i ka ofruar edhe mundësinë e dërgimit raketave për mbrojtje kundërajrore “buk” ose “tunguska”, e në rast të krizës së sigurisë në rajon edhe sistemin raketor S-300.

Reklamë
Reklamë

Financial Times: Qëllimi i Rusisë, ta destabilizojë Ballkanin

Gazeta ndërkombëtare, Financial Times, shkruan se Bashkimi Europian dhe NATO mund të kenë gabuar në gjykimin e tyre rreth politikave të presidentit rus, Vladimir Putin, njofton Klan Kosova.

Periskopi.com Lajme

 

Sipas FT, derisa rrezikun nga Rusia e kanë menduar se vjen nga konflikti në Ukrainë, rusët rrezikojnë dika tjetër.

Është pikërisht Ballkani Perëndimor, shkruan FT, ku Rusia ka synimet më të prera për destabilizim dhe i cili lehtësisht mund të ndodhë.

Reklamë
Reklamë

Rusia po destabilizon Ballkanin: Alarmi bën bashkë liderët e BE-së

“Ne po shohim rritjen e ndikimit rus, ne po shohim edhe rritjen e ndikimit turk, Shtetet e Bashkuara janë pjesë e lojës, edhe BE-ja po ashtu. Atje kryqëzohen interesa të ndryshme në një pikë”. Por, është roli i Rusisë ai të cilin McAlister e përshkroi si negativ.

Periskopi.com Lajme

Bashkimi Evropian duhet të tregojë më shumë prani në Ballkanin Perëndimor për t`u dalë ballë synimeve ruse për sestabilizimin e rajonit. Këtë ja ka thënë gazetës së njohur britanike “The Guardian” një politikan i lartë i BE-së, në prag të takimit të liderëve të BE-së në samitin e Brukselit të enjten.

“Gjeopolitika është kthyer sërish në Ballkan” ka thënë David McAllister një politikan i lartë gjerman njëherësh kreu i komitetit për punë të Jashtme i Parlamentit Evropian.

“Ne po shohim rritjen e ndikimit rus, ne po shohim edhe rritjen e ndikimit turk, Shtetet e Bashkuara janë pjesë e lojës, edhe BE-ja është pjesë e lojës, kështu që atje kryqëzohen interesa të ndryshme në një pikë”.

Por, është roli i Rusisë ai të cilin politikani në fjalë e përshkroi si negativ, duke pasur parasysh përfshirjen e Kremlinit në tentimin për grushtshet në Mal të Zi dhe përkrahjen e Moskës për politikanët e linjës së fortë nacionaliste në regjion, shkruan “The Guardian”, transmeton albinfo.ch.

Rusia po ashtu e ka zgjeruat influencën e saj në debatin politik për organizimin e propagandës anti perëndim dhe anti BE, veçanërisht në mediat nüe gjuhën serbe, të cilat e propagojnë pikëpamjen që promovohet nga Kremlini, ashtu si dhe “teoritë konspiracionishte dhe ultranacionalizmi serb”.

Liderët e BE-së prandaj, sipas një drafti të parë nga “The Guardian” do të debatojnë sot në Bruksel lidhur me tensionet në rritje në Ballkan. Ata do të ripërtërijnë premtimet e tyre se porta për anëtarësimin në BE vazhdon të mbetet e hapur ndërkohë që do të theksojnë rëndësinë e reformave dhe “marrëdhënieve të mira fqinjësore”.

Por shtetet anëtare janë të ndara në pikën nëse duhet që në komunikatën e samitit të identifikohen “fuqitë e jashtme” që po rrisin rolin e tyre në regjion, përcjell albinfo.ch. Rusia është pjesë e brengës por zyrtarët janë po ashtu të shqetësuar me rritjen e rolit të Turqisë.

Më tutje ”The Guardian” thekson se diplomatët e BE-së shprehen të shqetësuar me faktin se qytetarë të Ballkanit kanë shkuar të luftojnë në Irak dhe në Siri që të luftojnë për grupet islamike ekstreme. Një numër disproporcional i kosovarëve, shqiptarëve dhe boshnjakëve kanë marrë pjesë në luftime në Lindjen e mesme i referohet gazeta rrjetit BIRN.

Lidhur me nivelin e afrimit të shteteve ballkanike në procesin e asociiimit në BE, gazeta theskon se Shqipëria, Bosnja, Kosova dhe Maqedonia vazhdojnë të mbeten mbrapa. Ndërsa vizitën e shefes së politikës së jashtme, Mogherini në Ballkan “The Guardian” e cilëson si një përpjekje për të forcuar synimet për integrim në BE të shteteve përkatëse. Por, duke folur pas vizitës, Mogherini ka zënë në gojë “shqetësime të thella” dhe njëkohësisht edhe  “optimizëm” se ato shtete mund të bashkohen eventualisht në BE. Por Ballkani mund të shndërrohet fare lehtë në një fushë shahu ku mund të shtyhen fuqitë e mëdha”, ka thënë ajo.

Në vijim gazeta ndalet te treni serb me mbishkrime provokative si “Kosova është Serbie”, i dërguar në janar nga Beogradi, duke i hedhur raportet në mes dy vendve në një krizë. Ndërkohë Maqedonia po zhytet në një krizë të rëndë politike që i ndërsen fqinjët kundër njëri tjetrit. Mali i Zi nga ana tjetër, ishte dridhur në tetor nga tentimi i vrasjes së kryeministrit properëndimor të vendit, përcjell albinfo.ch. Puçi i dështuar ishte dirigjuar nga autoritetet ruse, edhe pse Moska e ka mohuar çdo përfshirje të saj.

Tensionet janë të pranishme edhe në Bosnjë, ku lideri i Republika Srpska, Dodik akuzohet se po e lufton marrëveshjen paqësore të vitit 1995 e cila i kishte dhënë fund luftës katërvjeçare civile.

mcAllister ka thënë se disa nga liderët e regjionit janë ankuar se Ballkani është harruar nga BE-ja. Prandaj, ka thënë ai, është koha që BE-ja të tregojë praninë e saj. Një sondazh i ri ka treguar se serbët mendojnë se Rusia ka qenë donatori më i madh në vend, edhe më i madh pra se BE-ja, nga e cila vlerësohet që Serbia t`i ketë marrë rreth 3 miliardë euro nga viti 2000 deri tash. Kjo shumë e tejkalon dukshëm atë të ardhur nga Rusia.

McAllister po ashtu shpreh keqardhjen për qëndrimin e Serbisë që të mos u bashkohet sanksioneve që BE ka vendosur ndaj Rusisë. Ndërkaq ai ka theksuar se “Serbia duhet të mbështesë në tërësi politikën e jashtme të BE-së nëse dëshiron të bëhet anëtare”.

Rusia po destabilizon Ballkanin: Alarmi bën bashkë liderët e BE-së

Reklamë
Reklamë

Gjuha e urrejtjes në Ballkan

Dhuna ndaj pakicave fillon me gjuhën diskriminuese dhe ofenduese që përdoret ndaj tyre.

Zoran Arbutina Opinione

Në të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor dëgjohen mjaft shprehje fyerëse dhe diskriminuese në jetën publike. Sidomos të forta janë atë nëpër stadiume apo në gjuhën e politikanëve. Si fyerje përdoren për shembull, majmun, cigan, pederast e kështu me radhë.

Johanna Deimel, nga Shoqata për Evropën Juglindore në Mynih thotë se përdorimi i gjuhës së shthurur në hapësirën publike që drejtohet qoftë kundër pakicave etnike, atyre seksuale etj, ka traditë në Ballkan, por aktualisht përdorimi i saj po shtohet. “Kjo lidhet me faktin se megjithë procesin e afrimit me BE-në, vendet e Ballkanit janë ende larg vënies në jetë të parimeve demokratike dhe atyre të shtetit të së drejtës.”

Frustrimi për perspektivën evropiane dhe gjendja shpesh e vështirë dhe pa perspektivë ekonomike bën që tensionet në vendet e Ballkanit të shtohen. Sipas ekspertes për Ballkanin Deimel kjo bën që “në media të përhapet një gjuhë urrejtjeje e shfrenuar, e cila nuk përballet me rregulla.”

Evropa dhe populizimi

Kjo lidhet edhe me një zhvillim që vihet re në mbarë Evropën, sepse në disa vende të BE-së, si në Francë, Hungari, Poloni dhe Holandë, po vihet re një forcim i partive të djathta dhe po vihen në pikëpyetje demokracitë liberale. Nacionalizimi po forcohet dhe dëgjohen sllogane kundër perëndimit dekadent. “Qëndrime të tilla gjejnë në Ballkan shumë mbështetës”, – thotë Deimel

Tepër shqetësuese është në këtë mes gjuha e urrejtjes me përmbajtje etnocentrike – fyerja e hapur e pakicave etnike. Kjo gjuhë po ripërtërihet në Ballkan dhe po keqpërdoret për qëllime politike.

Deimel paralajmëron për përdorimin e gjuhës luftarake, pra që njerëzit flasin sërish për luftë dhe ndryshim kufijsh, gjë që sipas saj është tepër e rrezikshme, sepse “lufta nuk nis vetiu, por përgatitet edhe përmes gjuhës.”

Ligje vetëm në letër

Aktivistja kroate për paqen Cvijeta Senta thotë se institucionet shtetërore mbajnë përgjegjësi të madhe. Në ligj parashikohen dënime për gjuhën e urrejtjes që konsiderohet si vepër penale, por në realitet gjëra të tilla nuk zbatohen. “Kjo bën që ata që i shajnë ta ndjejnë veten të kërcënuar, kurse ata që shajnë të marrin më tepër guxim.” Sipas saj në rast se dikë e diskretiton duke e quajtur serb apo cigan dhe duke e shpallur si person të padëshirueshëm, nuk është problem që më pas të përpiqesh ta eleminosh.

Shumë organizata të shoqërisë civile në të gjithë rajonin janë angazhuar në luftë kundër gjuhës së urrjetjes dhe denoncojnë përdorimin e saj tek autoritet. Por shpesh ata nuk merren seriozisht ose madje bëhen vetë viktima ofezash. Aktivistja Cvijeta Senta thotë se BE-ja duhet të jetë e vëmendshme për raste të tilla, sepse “pa kontroll nga jashtë, zhduket edhe presioni për t’u sjellë ndryshe” dhe dalin në pah shprehje seksiste dhe raciste.

Reklamë
Reklamë

Ballkanit i kanoset përsëri luftë

Urrejtja nacionaliste po rindez kon?ikte të vjetra. Një tren në drejtim të Kosovës çoi për pak në katastrofë.

Thomas Frankenfeld Opinione

Nga Thomas Frankenfeld, “Hamburger Abendblatt”

Gjendja politike e Evropës është mëse e diskutueshme. Dalja e Britanisë së Madhe nga shtëpia e përbashkët e Unionit Evropian, riorientimi populist djathtas, nëse jo nacionalist në shumë shtete, kursi agresiv i Rusisë dhe mbase edhe një luftë tregtare me SHBA-të e gërryejnë idilën e dikurshme të një «ishulli të të lumëve» në mes të një bote të konflikteve. Ajo çfarë Evropa nuk mund të t’ia lejojë aspak vetes është shpërthimi i një lufte të ndezur nga urrejtja nacionaliste. Por mu kjo i kanoset Ballkanit, pra atje ku më 1914 shpërtheu Lufta e Parë, stërkatastrofa e Evropës.

Në territorin e ish Jugosllavisë digjen së brendshmi disa konflikte njëherësh. Në Maqedoni, për shembull, ku më 2015 erdhni në trazira të përgjakshme dhe luftime ndërmjet pjesëtarëve të pakicës shqiptare dhe forcave maqedonase të sigurisë dhe ku vetëm në qytetin e Kumanovës humbën jetën 22 njerëz. Nga Shqipëria dhe Kosova erdhën kërcënime të zymta, sipas të cilave, nxitja e një konfliikti për Maqedoninë mund të ishte «shkatërrimtar». Maqedonia llogaritet si një fuçi baroti politike. Dhe, në Kosovën e banuar me shumicë shqiptare gjendja është acaruar deri në atë masë, sa që ish këshilltari i kancelares Angela Merkel (CDU) dhe drejtori i tanishëm i Qendrës për Studime të Aplikuara Konflikti në Mynih, Werner Weidenfeld, në «Fokus» paralajmëroi se në Ballkan shumë shpejt mund të shpërthente një luftë e re. Ka një «potencial të lartë konfliktuoz». Vërtet Serbia dëshironte të integrohet në UE dhe me diplomatët e UE-së flet gjithnjë miqësisht kur është fjala për integrimin. Por UE-ja nuk po e kupton që ky ‹bonton› mund të kalojë papritur në agresion të pastër, kur është fjala për Kosovën. Unioni Evropian duhet të shfaqet shumë më i vendosur kundër serbëve, kërkon Weidenfeld. Më 1999, Nato e detyroi përmes sulmesh ajrore – pa pandat të OKB-së – armatën jugosllave të tërhiqet nga Kosova, ku serbët ishin shkrehur brutalisht kundër shqiptarëve dhe ushtria guerile kosovare UÇK rezistonte me sulme kundër serbëve. Më 2008, Kosova u shkëput njëanshmërisht nga Serbia. Serbia këtë nuk dëshiron as ta njohë, as ta pranojë. Kosova, mejdani i betejës së humbur kundër Perandorisë Osmane në vitin 1389, për serbët paraqet një territor të shenjtë historik, nga i cili ajo u përzu atëbotë. Shkëndija e krizës së eskaluar së fundmi ishte masa e qeverisë serbe të kryeministrit Aleksandër Vuçiç, që pas 20 vjetësh të fillonte përsëri trafiku me tren në Kosovë. Ajo që do të mund të ishte një vepër konstruktive, ishte në fakt një ofensivë e pastërt propagandistike – dhe një provokim për shqiptarët, i cili gati çoi në luftë. Serbët donin të nisnin një tren për në Mitrovicën e banuar para së gjithash nga serbët në veri të Kosovës, në të cilin në 21 gjuhë, ndër të tjera edhe në shqip, qëndronte: «Kosova është Serbi.» Një njesit forcash speciale kosovare qëndronte gati për ta zaptuar trenin. Kryetari i serbisë Tomisllav Nikoliç pas kësaj u kërcënua me përdorimin e ushtrisë.

Kryeministri Vuçiç lëshoi një «paralajmërim të fundit» për shqiptarët, por e tërhoqi frenin, duke e ndaluar trenin në Rashkë, në vendin e fundit kufitar serb. Sikurse në Maqedoni, as qeverisë në Serbi nuk po i ecën ta ngrisë ekonominë. Po lulëzojnë krimi i organizuar dhe korrupsioni. Shumë njerëz qëndrojnë keq; për më tepër, ata janë të zhgënjyer nga UE-ja, e cila pavarësisht derdhjes së shumë parave dhe misionit më të madh të jashtëm të UE-së, Eulex, nuk po ia del ta kalojë urrejtjen dhe pamundësojë shpërthimet e dhunës. Në Ballkan po bie ora e agjitatorëve nacionalistë. Sidomos rinia e paperspektivë po orientohet nga autoritete, idhuj të supozuar të fortë. Dhe, në sfond penjtë i tërheq aleati i vjetër i Serbisë, Rusia, së cilës i leverdis kursi destabilizues i Beogradit./dialogplus

Reklamë
Reklamë

Gorbachev: Duket se bota po bëhet gati për luftë

Ish lideri sovjetik Mikhail Gorbachev shkruan se bota aktualisht po përballet me probleme te mëdha dhe se politikbërësit botërorë nuk kanë qenë asnjëherë më konfuz se tani.

Periskopi.com Lajme

Në një shkrim autorial te publikuar në Time, ai u bënë thirrje presidentit amerikan Donald Trump, atij rus Vladimir Putin dhe Kombeve të Bashkuara që “ta ndryshojnë situatën”. Kërcënimi më i madh sipas tij, botës i vjen nga armët bërthamore.

“Por gara më e madhe sot është politikbërja ushtarake dhe gara për armët e reja. Kjo duhet të ndalohet menjëherë dhe fokusimi në bashkëpunim duhet të jetë top prioritet”, shkruan ai.

“Shumë trupa dhe armatim po sjellen në Evropë. Armët e NATO’S dhe Rusisë që ishin të destinuara ‘të qëndronin larg njëra tjetrës’ tani po afrohen”, shkruam Gorbachev.

Sipas tij, fuqitë e mëdha të prira nga OKB duhet të bëjnë hapat e menjëhershëm për ta parandaluar situatën.

“Miratimi i një rezolute nga Këshilli i Sigurimit që do ta shpallte te papranueshme luftën nukleare është hapi i parë”, shkruan ai.

“Mendoj se inicimi i një rezolute te tillë duhet të vie nga dy presidentet e dy superfuqive: Donald Trump dhe Vladimir Putin”, shkruan ai./Periskopi/

Reklamë
Reklamë

Johnson – Trumpit: Shikoni çfarë kanë bërë rusët në Ballkan

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Boris Johnson ka thënë se janë të gabuara mospëlqimet e qeverive të Bashkimit Evropian (BE) ndaj reagimit që Turqia ka dhënë ndaj tentativës për grusht shteti më 15 korrik dhe se Turqia është e rëndësishme për sigurinë e përbashkët të Evropës.

Periskopi.com Lajme

Johnson u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve në seancën e organizuar në Dhomën e Ulët të Parlamentit Britanik.

Johnson ka theksuar se është mbrojtës i shtetit izraelit porse rritja e vendbanimeve ilegale në Bregun Perëndimor nuk do t’i kontribuojë paqes, transmeton lajmi.net.

Sipas Johnson, zgjidhja e vetme e çështjes palestinezo-izraelite është zgjidhja me dy shtete. Duke folur për sulmin e fundit ndaj ushtarëve izraelitë në Jerusalem, Johnson ka potencuar se “Jemi duke u përpjekur që palestinezët ta kuptojnë se nuk do të ketë shpresë për paqe derisa nuk i kontrollojnë ekstremistët”.

Duke vënë në pah se asnjëherë nuk i ka mbështetur politikat e presidentit rus Vladimir Putin në Siri, Sekretari i Jashtëm britanik Johnson ka thënë se “Nëse shikojmë luftën kibernetike të Rusisë dhe veprimtarinë e saj në Ballkanin Perëndimor, shohim se ajo nuk ka bërë gjëra të mira. Megjithatë, është me rëndësi të kuptohet se mund të ketë disa fusha në të cilat mund të punojmë me Rusinë”.

Shefi i diplomacisë britanike, Boris Johnson ka deklaruar se Britania e Madhe i ka thënë presidentit të ri amerikan, Donald Trump dhe ekipit të tij se Rusia është e gatshme për manovra të ndryshme të ndyta.

Ai ka theksuar se Trumpit dhe ekipit të tij i ka thënë se Rusia është përgjegjëse për hakime gjatë zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, transmeton lajmi.net.

Siç transmeton AP, Johnson ka thënë se “është praktikisht e qartë se hakimi i emailave të demokratëve ka ardhur nga rusët”. /Lajmi.net/

Reklamë
Reklamë

Ish-këshilltari i Enver Hoxhajt, thotë se Kosova rrezikohet nga serbët dhe Vetëvendosje

Analisti amerikan Daniel Serwer thotë se Kosova është imune ndaj Moskës, e cila po tenton të shkaktojë trazira në Ballkan, por sipas tij, Kosova ka probleme të brendshme.

Periskopi.com Lajme

Ai thotë se problemet e Kosovës janë integriteti territorial dhe sovraniteti, raporton Periskopi

Ai në një intervistë për Televizionin Publik ka thënë se serbët dhe Vetëvendosje po i shkaktojnë këto probleme në Kosovë, duke mos pranuar integritetin territorial të Kosovës.

“Kosova ka probleme të vazhdueshme të integritetit territorial dhe sovranitet të saj. Që të dyja këto kërcënohen nga njëra anën prej serbëve që nuk e pranojnë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës e nga ana tjerët nga vet shqiptarët, nga Vetëvendosje që nuk e pranojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës”, tha ai.

“Autoritetet në Kosovë me të drejtë do të donin të përfundonin këtë çështjen me Malin e Zi dhe Asociacionin dhe që të ecin drejtë çështjeve më të rëndësishme siç janë krijimi i vendeve të punës dhe ekonomia. Jam në anën e politikanëve që duan të t’i kryejnë këto çështjet e mëdha politike dhe të kalojnë që detaje, në çështje ekonomike dhe Kosova të ecë para që në thelb”, thotë ai.

Serwer thotë se është shumë vështirë të punohet diçka tjetër kur ka probleme territoriale dhe integritet në një shtet./ Periskopi

Reklamë
Reklamë