Xhamia më e madhe në Ballkan po ndërtohet në Tiranë

Ndërtimi si karabina i kësaj vepre madhështore e cila do të jetë pritëse për mijëra besimtarë muslimanë, ka përfunduar, ndërsa punimet e tjera vazhdojnë me shpejtësi.

Periskopi.com Uncategorized

Ndërkohë që besimtarët muslimanë në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ende përballen me vështirësi në kryerjen e lutjeve të tyre, për shkak të numrit të vogël të xhamive dhe hapësirave të pakta të tyre, ndërtimi i një prej faltoreve më të madhe në Ballkan, Xhamisë së Namasgjasë, po vazhdon pandërprerë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndërtimi si karabina i kësaj vepre madhështore e cila do të jetë pritëse për mijëra besimtarë muslimanë, ka përfunduar, ndërsa punimet e tjera vazhdojnë me shpejtësi.

Pas shumë vitesh tentativa, gurthemeli i parë i saj më në fund u hodh më 13 maj të vitit 2015, ku në ceremoni ishte i pranishëm edhe Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili gjatë një fjalimi tha se kjo do të jete dhurata më e vyer e Turqisë për popullin shqiptar.

Duke folur për AA, drejtuesi i punimeve të kësaj xhamie, Hüseyin Şentürk, tregon për avancimin e punimeve duke thënë se ndërtimi karabina i kësaj faltoreje sapo ka përfunduar dhe se kanë nisur nga puna me fazën tjetër të punimeve, atë të punëve të detajuara.

Punimet vazhdojnë sipas parashikimeve

Duke vënë në dukje se ata janë vazhdimisht nën mbikëqyrje të punimeve mbi letër dhe në terren, Şentürk, në vijim shton: “Ndërtimi i xhamisë po vazhdon me shpejtësi ashtu sikurse ishte planifikuar. Shpresojmë që në fund të vitit 2018 të hapim xhaminë për besimtarët. Normalisht jemi duke bërë llogaritë nëse do të mundemi ta mbarojmë pak më parë. Kemi pas shtetin e Turqisë dhe si rrjedhojë nuk kemi patur as edhe një problem financiar apo të ngjashëm me këtë dhe kur gjendja është e tillë nuk mbetet asnjë problem për ndërtimin e saj. Ndërtimi karabina ka përfunduar, ndërsa tenderat për punimet e tjera të hollësishme janë mbyllur. Ndërtimi po vazhdon sipas parashikimeve. Kemi bërë gjithashtu edhe tenderin për veshjen me gurë të xhamisë.”

Ai thotë se të gjitha kompanitë nënkontraktuese janë vendase dhe më pas shton: “Tani jemi duke hyrë në një fazë të re punimesh. Disa punë të veçanta janë mbulesa me plumb e kupolave dhe për ti bërë këto do të sjellim ekipe nga Turqia. Ndërsa dritaret e kësaj xhamie do të prodhohen në punishten e kompanisë tonë Komaş.”

Drejtuesi i punimeve thotë se dy katet e fundit janë drejt përfundimit, kate këto të cilat do të përdoren për parkimin e automjeteve, ndërsa puna në katin 0, kat i cili do të jetë për përdorim të shumëllojshëm, është duke vazhduar. Ai thotë se i vetmi ndërtim i cili nuk ka nisur është ai i godinës së muzeut për shkak se në të aktualisht ka një problem të vogël me pronësinë, ndërsa vë në dukje se sapo të zgjidhet problemi menjëherë do të fillojnë punimet.

Namazet në rrugë do të “falen vetëm për nostalgji”

Duke folur për kapacitetin e xhamisë, Şentürk tha se vetëm në ambientet e brendshme të kësaj faltoreje do të mund të kryejnë ritet e tyre të paktën 3.650 persona dhe shtoi: “Me thirrjen e imamit ‘të shtrëngohemi sepse jashtë ka shi, apo bën ftohtë’ vetëm në ambientet e mbyllura të xhamisë mund të falen 5 mijë persona, ndërsa në të gjitha hapësirat në këtë faltore do të mund të falen 10 mijë njerëz. Me shpresë të Allahut tani e tutje nuk do të jetë e nevojshme që namazet të falen jashtë, vetëm nëse si nostalgji, por kjo xhami është e mjaftueshme për të përballuar këtë fluks.”

Şentürk foli edhe për reagimet e qytetarëve për ndërtimin e kësaj xhamie duke thënë se ka marrë reagime shumë pozitive, madje ka njerëz të cilët luten dhe preken deri sa derdhin lot kur shohin punën e bërë deri tani. “Më parë punonim në gropë dhe askush nuk e dinte se çfarë ndodh këtu, por kur xhamia nisi të ngrihej atëherë filluan të vijnë edhe reagimet pozitive të qytetarëve”, thotë ai.

Duke theksuar se është shumë i lumtur që është pjesë e një projekti të tillë, Şentürk në vijim shton: “Ne si Turqi jemi duke lënë një gjurmë në Ballkan me këtë vepër. Zoti qoftë i kënaqur nga Turqia dhe ata që janë bërë shkas për ndërtimin e kësaj xhamie.”

Në kompleksin e Xhamisë së Namazgjasë do të ketë hapësira për zyra, bibliotekë dhe sallë konferencash. Ndërkohë në këtë xhami do të mund të kryejnë ritet e tyre fetare mijëra besimtarë. Pranë xhamisë do të ndërtohet edhe një muze i cili quhet ndryshe edhe si “Muzeu i Bashkëjetesës”.

Tirana e shpallur kryeqytet në vitin 1920, deri në vitin 1967, vit ky në të cilin feja u shpall e ndaluar në Shqipëri nga sistemi komunist, numëronte rreth 40 xhami, ndërsa popullsia e saj ishte afro 100 mijë. Ndërkohë sot kryeqyteti i Shqipërisë ka më shumë se 1 milionë banorë dhe ka vetëm 18 xhami të vogla, duke përfshirë edhe periferitë, të cilat nuk përmbushin aspak nevojat e besimtarëve muslimanë. Namazet e xhumave falen në rrugët dhe oborret e xhamive, ndërsa ato të bajrameve falen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Havolli tregon përse Kosova është kundër tregut unik në Ballkan

Këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Sokol Havolli, në emisionin Interaktiv të KTV-së, ka treguar arsyet se përse Kosova është kundër tregut unik në Ballkan.

Periskopi.com Lajme

Havolli ka thënë se Kosova tashmë e ka të rregulluar tregun e jashtëm me marrëveshjet siç janë CEFTA dhe MSA-ja. Çkado tjetër përtej këtyre sipas Havollit, është e panevojshme dhe jo e dobishme për Kosovën.

Havolli ka folur për idenë e tregut unik të Ballkanit që është diskutuar në samitin e Sarajevës.

“Në fakt kur ka ardhur si propozim prej këshillit të përbashkët rajonal. Dikush e ka dhënë si ide aty. Ne kemi pasur vërejtjet tona në këtë propozim sepse ka ndodhur në një afat shumë të shkurt. Ka pasur një deklaratë të përbashkët për këtë çështje, por e kemi reduktuar deklaratën e përbashkët”, ka thënë Havolli.

“Kryeministri e ka thënë se Kosova është për tregti të mallrave dhe se nuk ka asnjë barrierë për këtë. Në fakt kemi kërkuar sqarime [tregun unik] por nuk kanë ardhur. Jemi kundër pasi diplomat e Kosovës nuk pranohen në vendin e rajonit si mungesë e lirisë të lëvizjes në disa prej këtyre vendeve, jemi të pabarabartë në këtë treg, prandaj është një refuzim pa asnjë mëdyshje”, ka shtuar ai.

“Është rivizatim i një harte të vjetër që nuk i përfshin disa vende të BE-së”, ka thënë veç të tjerash Havolli.

BE në panik, 5 ngjarjet që do shkaktojnë kaos në Ballkan

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk këtë javë theksoi se tensionet në Ballkan janë jashtë kontrollit, dhe këto të fundit sipas tij po shkaktohen pjesërisht për shkak të ndërhyrjes së faktorëve të huaj të cilët janë duke u përpjekur për të destabilizuar këtë zonë tash e një kohë.

Periskopi.com Lajme

 

Mediat kroate raportojnë se kjo situatë ka shkaktuar panik në Bashkimin Evropian, pasi ata më në fund e kanë kuptuar se kaosi në Ballkan mund të jetë në rritje.Mediat kanë evidentuar pesë ngjarjet të cilat do të mund të shkaktonin probleme dhe destabilizim në rajon: Problemi për krijimin e Qeverisë në Maqedoni – Situata në Maqedoni është mjaft alarmante.

Presidenti Gjorge Ivanov, ka refuzuar t’ia japë mandatin Zoran Zaevit edhe pse ky i fundit ka arritur të sigurojë nënshkrimet e shumicës. Ai si arsyetim e ka përdorur Platformën Shqiptare, e cila sipas tij e shkelë sovranitetin dhe pavarësinë e Maqedonisë. Shqiptarët në anën tjetër, duan të ndryshojnë kushtetutën për të futur gjuhën shqipe si të dytën zyrtare, dhe duan përfaqësim të barbartë të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Madje LSDM, ka drejtuar akuza te Presidenti se po tenton të bëjë grusht shteti. Situata e tensionuar në Bosnjë dhe Hercegovinë – Shteti i Bosnjës ka qenë një ndarje mes dy njësive federale – pjesën kroate të Federatës dhe atë të Republikës së Serbisë.

Udhëheqësi i Republikës së Serbisë, Milorad Dodik rregullisht ka kërcënuar që do të organizojë një referendum për pavarësi, dhe situata duket mjaft e tensionuar. Kosova e dëshiron Ushtrinë, Serbia kundër – Deputetët e Kosovës kanë miratuar një rezolutë që kërkon lirimin e pakusht të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, e që deri te ky vendim do të ndërpritet edhe dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Përveç kësaj, mosmarrëveshjet kanë lindur pasi Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mori hapa konkretë dhe vendosi për hartimin e projektligjit që do të transformonte Forcën e Sigurisë së Kosovës në Ushtri.

Për këtë hap, menjëherë ka reaguar kryeministri i Serbisë, Aleksandr Vuçiç i cili ka thënë se kjo është në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe Kushtetutën e Kosovës.

Ndërhyrja ruse në Mal të Zi – Shteti i Malit të Zi sipas të gjitha gjasave në muajin maj do të bëhet anëtar i 29-të në NATO. Rusia është e vendosur kundër këtij vendimi, dhe e gjitha kjo ka kulmuar me akuza për orkestrimin e një grusht shteti nga Rusia në Mal të Zi. Podgorica zyrtare thotë se ata kanë kapur një grup rusësh duke u përpjekur të kryenin një sulm terrorist në ditën e zgjedhjeve, pra më 15 tetor të vitit të kaluar.

Sipas Policisë malazeze gjatë natës së zgjedhjeve ishte planifikuar të kryheshin një serivë veprimesh terroriste, duke sulmuar institucionet, dhe duke mos përjashtuar as rrëmbimin e qëllimshëm të kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviç. Kurse këto akuza kategorikisht i ka mohuar Kremlini zyrtar.

Ndikimi i fuqive botërore në ngjarjet e Ballkanit – Duke folur për ndërhyrjen e faktorëve të jashtëm, Donald Tusk ndoshta i është referuar Rusisë, e pse jo edhe Turqisë e cila është politikisht shumë e pranishme në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Për shumë vite pikërisht Bashkimi Evropian ka mbështetur ndikimin e Uashington në Rajon, por pas ardhjes në pushtet të Donald Trumpit kjo ka ndryshuar.

Ministri i jashtëm malazez, Srxhan Darmanvovic ka thënë se qeveria e Malit të Zi nuk ka parë ndonjë kthesë në politikën amerikane në Ballkan, por ai i ka bërë thirrje BE-së dhe NATO-s që të rrisin përpjekjet që të garantojnë siguri dhe stabilitet në rajon.

NATO dhe BE duhet ta ndalin bashkë Rusinë në Ballkan

NATO nuk mund të ndaloj e vetme Rusinë dhe duhet të formulojë një "strategji të madhe" për sigurinë në Europë me Bashkimin Europian, thotë Adrian Bradshaw, zëvendëskomandant suprem i NATO’s.

Periskopi.com Intervista

Në një intervistë për gazetën “The Financial Times”, Gjenerali britanik Adrian Bredshow, zëvendëskomandanti i NATO’s për Evropë, ka shprehur mendimin se NATO’ja nuk mund ta sprapsë e vetme Rusinë, dhe se duhet të formulojë një ‘strategji të madhe’ për sigurinë në Evropë së bashku më Bashkimin Evropian.

Gjenerali britanik Sir Adrian Bradshaw, thotë se Rusia do të paraqes rrezik për aq kohë sa Vladimir Putin do të jetë në pushtet. Thotë se mund të ketë pasoja ‘katastrofike’ nëse Perëndimi humb koherencën te ‘një kundërshtar që i ka në duar të gjitha nivelet e pushtetit’.

“Është përgjegjësi e NATO’s që jo vetëm të jetë arkitekte dhe ekzekutuese e strategjisë ushtarake, por të kuptojë se si strategjia ushtarake mund të integrohet me armët tjera të fuqisë kombëtare dhe të ngrit flamurin kur nevojiten aksionet jo ushtarake”, tha gjenerali Bradshaw.

“Duhet të lëvizim në drejtim të mundësisë së formulimit të një strategjie të madhe sipas modës së vjetër”, theksoi ai.

Ai tha se është shtuar shqetësimi për rajonin e Ballkanit, për çka nevojitet një qasje e përbashkët ndërmjet BE’së dhe NATO’s. Qeveria në Mal të Zi thotë se Rusia ishte pas trazirave vitin e kaluar.

”Jemi në dijeni (për atë që po ndodh në Ballkan) dhe po e përcjellim gjendjen me shumë, shumë kujdes”, ka thënë Gjenerali Bredshow, duke dhënë përfundimin se “Ballkani është pika e dobët (e sigurisë) në Evropë”.

Derisa perëndimi po merret me ekstremizmin islamik, Bredshow thotë se pak njerëz e kuptojnë rrezikun që vjen nga Moska.

Gen Bradshaw ka shërbyer si zëvendëskomandant i NATO’s që nga viti 2014. Ai do të zëvendësohet nga James Everard.

Mos u mashtroni, Zvicra nuk kërkon punëtorë nga Ballkani

Zvicra nuk pranon punëtorë të rinj nga Ballkani thotë një shqiptare që jeton dhe vepron atje.

Periskopi.com Lajme

Mirishahe Limani, aktiviste që jeton dhe vepron në Zvicër thotë se « Operacione » të jashtëzakonshme kanë filluar edhe në Kosovë ku « njerëz të pashpirt » dhe përfitues të situatës së vështirë ekonomike në vend janë në kërkim të viktimave të reja.

Shkrimi i plotë i saj:

KUJDES kosovarë!

Zvicrra nuk është duke pranuar punëtorë të rinjë nga Ballkani

Operacioni Papyrus që ka të bëjë vetëm me kantonin e Gjenevës, konkretisht rregullimin e statusit të qëndrimit të atyre që jetojnë dhe punojnë në këtë kanton prej shumë vitesh ka ngjallur debat dhe interesim të jashtëzakonshëm jo vetëm në këtë kanton por edhe më gjerë.

« Operacione » të jashtëzakonshme kanë filluar edhe në Kosovë ku « njerëz të pashpirt » dhe përfitues të situatës së vështirë ekonomike në vend janë në kërkim të viktimave të reja.

Përfituesit kanë filluar të organizohen dhe të mashtrojnë njerëzit se në Zvicërr po kërkohen punëtorë të rinj. Kjo nuk është e vërtetë. Ata pretendojnë t’i bindin njerëzit se pas 6 muajsh do të ju jepet edhe leja e qëndrimit ( viza 😎. As kjo nuk është e vërtetë.

Shumë shqipatarë që jetojnë në kushte të vështira ekonomike në Kosovë, vetëm se kanë filluar të grumbullojnë shumën e të hollave që iu kërkohet nga « organizatorët » që organizojnë udhëtimet e tyre për në Zvicër. Kjo shumë thuhet të jetë nga 10 deri 20 mijë euro. Ata grumbullojnë këtë shumë duke shitur « kafshatën e gojës » për të siguruar një ardhmëri më të mirë. Shesin tokën, kafshët shtëpiake, traktorët e veturat e tyre, shtëpitë e mandje edhe huazojnë para të gatshme nga të tjerët.

Ju lutemi, shqiptarë, mos lejoni të ju mashtrojnë ata që paranë e kanë Zot.

Zvicra nuk është duke kërkuar punëtorë të rinj dhe nuk premton të rregulloj qëndrimin e askujt pas 6 muajsh punë.

Është i vetmi kantoni i Gjenevës që ka filluar një operacion që quhet Papyrus e që ka për qëllim të rregulloj statusin e atyre që janë në këtë kanton prej shumë vitesh.

Kriteret për ta plotësuar kushtin janë të shumta, pos tyre po i përmendi vetëm dy që ju ta keni të kjartë. Viza e punës i lejohet atyre familjeve që i kanë fëmijët nën moshën 18 vjeçare prej mëse 5 vitesh në shkollat gjenevase, prindi ( apo prindërit) e të cilëve punojnë rregullisht.

Për ata që nuk janë të martuar duhet t’i kenë së pagu 10 vite ( të pandërprera) qëndrim dhe punë në ketë kanton.

Shqiptarë, mos iu besoni atyre që duan të përfitojnë nga kjo situatë. Mos merrni rrugë të gabuara, rrugë në të cilat ju shpijnë njerëzit e pashpirt të cilët do të ju varfërojnë e ju japin premtime të rrejshme. Ju lutemi shqiptarë, kudo që jeni, përcjelleni këtë informatë tek të gjithë të afërmit që pa dashje mund të bien viktimë e përfituesve të situatës së vështirë ekonomike në vend.

58 të arrestuar nga një operacion ndërkombëtar në Ballkan

Operacioni ndërkombëtar i policive të 19 shteteve i koduar “Ditët e Përbashkëta të Veprimit”, i shtrirë në Ballkanin Perëndimor, ka vënë në pranga 58 persona, ndërsa janë sekuestruar armë zjarri e municione.

Periskopi.com Lajme

 

Mësohet se në sajë të këtij operacioni janë kapur 48 armë zjarri, 883 municione dhe 505 gram eksploziv, njofton Top-channel.

Bëhet e ditur se në pranga janë vënë në 58 persona, në shtetet e Ballkanit Perëndimor. /Insajderi.com

 

Propozohet ndryshimi i kufijve të Ballkanit: Të krijohen shtete etnike

Timothy Less, drejtor i Nova Evropa, një konsulencë e riskut politik, si edhe ish-diplomat britanik në Ballkan, përsëri ka dalë me tezën e tij se zgjidhja më e qëndrueshme në Ballkan është krijimi i Shqipërisë së Madhe, Serbisë së Madhe dhe Kroacisë së Madhe.

Periskopi.com Lajme

Less propozon që të ndryshohen kufijtë e Ballkanit, ndërkaq rolin kryesor në këtë drejtim duhet ta ketë SHBA-ja.

Ai konsideron se serbët dhe kroatët në Bosnjë punojnë për të sfiduar Marrëveshjen e Dejtonit, ndërkaq shtonë se shqiptarët në Maqedoni bëjnë thirrje për federalizim të vendit. Less përmend edhe serbët e Kosovës që insistojnë në enklava vetëqeverisëse, duke mos lënë anash edhe shqiptarët e Preshevës për një entitet vetëqeverisës.

Ish-diplomati Less propozon që Washingtoni të mbështetë ndarjen e shteteve shumëetnike ku minoritetet kërkojnë diçka më tepër se që e kanë. Kështu, sipas Less, kroatët në Bosnjë do të bashkoheshin me Kroacinë, kurse serbët me Serbinë; Veriu i Kosovës do të bashkohej me Serbinë, ndërkaq Lugina e Preshevës, Kosova e mbetur, një pjesë e Maqedonisë do të duhej t’i bashkoheshin Shqipërisë. Dhe, Mali i Zi duhet të mbetet shtet i pavarur, ose të bashkohet me Serbinë, duke e humbur një pjesë territori shqiptar.

Timothy Less e mbështet idenë e tij në vegimin e Woodrow Wilson-it për vetëvendosje të popujve.

Ballkani përfshihet nga temperatura tejet të ftohta

Në malet e Bosnje e Hercegovinës u shënuan temperaturat më e ultë në Ballkan, në minus 27 gradë Celsius.

Periskopi.com Lajme

Vala e të ftohtit pushtoi edhe brigjet e Detit Adriatik. Në qytetin kroat Split, temperatura e ajrit është minus shtatë gradë, që është temperatura më e ulët në 50 vitet e fundit. Rekordi paraprak është prej 23 janarit të vitit 1963, kur në Split janë matur minus nëntë gradë Celsius.

Për shkak të temperaturave të ulëta dhe stuhive të fuqishme, deri në gadishullin Shën Pjetri deti është ngrirë.

Në rajonin e Makarska tashmë dita e tretë po fryn erë me shpejtësi prej 90 kilometra në orë, ndërsa temperatura ka zbritur deri në minus shtatë gradë.

Temperatura të ulëta janë shënuar edhe në Greqi. Në Selanik sot në mëngjes ishte minus shtatë gradë, ndërsa për nesër parashihet minus 10 gradë. Në Athinë temperatura është rreth zeros, ndërsa në pjesët veriore të vendit janë matur minus 15 gradë.

Në Turqi reshjet e borës e bllokuan Stambollin, rreth 500 fluturime ajrore janë anuluar për shkak të kushteve të këqija atmosferike, ndërsa është ndërprerë edhe komunikacioni ujor. Për shkak të dukshmërisë së pamjaftueshme sot është ndërprerë lëvizja e objekteve lundruese nëpër Bosfor, shkruan kosovapress.

Gjatë natës, shtresa e borës në Stamboll arriti deri 40 centimetra dhe shkaktoi kaos nëpër rrugë.

Në Bullgari, në afërsi të kufirit me Turqinë janë gjetur trupat e dy emigrantëve ilegal irakianë, të cilët janë ngrirë për shkak të temperaturave të ulëta.

Vala e ftohtë i kaploi edhe Poloninë, Belgjikën dhe Italinë, ku ka edhe viktima në njerëz.

Numri i përgjithshëm i viktimave në Poloni, të cilët vdiqën nga hipotermia prej 1 nëntorit u ngrit në 53, ndërsa në dy ditët e fundit vdiqën 10 persona. Në pjesë të caktuara të vendit temperatura e ajrit ka zbritur deri minus 20 gradë.

Së paku gjashtë persona të pastrehë vdiqën nga të ftohtit në Itali, ndërsa fluturimet janë rikahëzuar, rrugët janë mbyllur, ndërsa komunikacioni hekurudhor është ndërprerë.

Qytetarët e Moskës patën Krishtlindjet më të ftohta në 120 vitet e fundit, me ç’rast gjatë natës janë matur minus 30 gradë. Në Sankt Petersburg janë matur minus 24 gradë, ndërsa policia gjeti trupin e një burri, i cili ishte ngrirë gjatë natës.

Edhe Zvicra është kapluar nga i ftohti polar. Në Davos janë matur minus 19 gradë, ndërsa në Bernë minus 15,5 gradë.

Në Belgjikë humbi jetën një burrë pasi doli nga rruga për shkak të ngricave.

Në dy fshatra të Bavarisë mbrëmë temperatura zbriti deri minus 26 gradë, ndërsa në Berlin janë matur minus 15 gradë.

Gara e armatimit mes Kroacisë dhe Serbisë rrezikon paqen në Ballkan

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, me rastin e vizitës në Moskë ka arritur marrëveshje për marrjen e gjashtë aeroplanëve ushtarakë MIG 29, 30 tanke T 72 dhe mjete ushtarake BRDM-2, të cilat do të bëhen pjesë e arsenalit ushtarak serb.

Periskopi.com Lajme

Kroacia në të njëjtën kohë ka nënshkruar marrëveshje për blerjen e “haubicave” gjermane PzH-200.

Të gjitha këto armë janë një garë e re ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, në kohën e retorikës së luftës e cila është shpeshtuar kohëve të fundit.

Kroacia, para blerjes së ‘haubicave’ gjermane, ka blerë armatim nga SHBA, por edhe i ka marrë disa aeroplanë ushtarak F-16 si dhuratë nga SHBA-ja.

Përveç garës së ngushtë ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, gara e madhe është ndërmjet Rusisë dhe SHBA-ve për furnizim me armatim të rëndë aleatët e tyre tradicional. /lajmi.net

Shqipëri të madhe, Serbi të madhe dhe Kroaci të madhe për paqe në Ballkan

Lugina e Preshevës,Maqedonia Perëndimore dhe pjesa më e madhe e Kosovës duhet të bashkohen me Shqipërinë, Republika Srpska dhe veriu i Kosovës me Serbinë, ndërsa Entiteti kroat në B e H me Kroacinë, transmeton Koha.net një pjesë të shkrimit nga revista Foreign Affairs.

Periskopi.com Lajme

Revista e njohur amerikane Foreign Affairs ka publikuar analizën e situatës politike në hapësirën e ish – vendeve të Jugosllavisë e autor i analizës është Timothy Less.

Ai në shkrim ka përmendur krijimin e kufijve të rinj dhe formimin e Shqipërisë së madhe, Serbisë së madhe dhe Kroacisë së madhe.

Është koha, ka thënë Less, raporton tvn1, për një qasje të re e radikale në mënyrë që të mbahet paqja dhe qetësia në rajonin e Ballkanit.

Sipas tij, në periudhën e parë, Washingtoni duhet të pranojë kërkesën e shqiptarëve për federalizim me Maqedoninë dhe kërkesën e Kroacisë për vendosjen e entitetit të tretë në B e H, thotë autori.

Në periudhën afatgjate, SHBA-ja duhet të mundësojë që këto territore të ardhshme të realizojnë marrëdhënie të afërta politike dhe lidhje ekonomike me fqinjët e tyre, dhënien e dyshtetësisë dhe krijimin e institucioneve të përbashkëta, ndërsa të qëndrojnë në përbërje të shteteve ku janë edhe tash.

Dhe në periudhën e fundit, duhet mundësuar secesionin e këtyre territoreve nga shtetet ekzistuese dhe lidhjen e tyre me vendet me vendet amë, fillimisht ndoshta si rajone autonome.

“Lugina e Preshevës,Maqedonia Perëndimore dhe pjesa më e madhe e Kosovës të bashkohet me Shqipërinë, Republika Srpska dhe veriu i Kosovës me Serbinë, ndërsa Entiteti kroat në B e H me Kroacinë”, thotë Less.

Në ndërkohë Mali i Zi, ci cili do të mund të mbetej pa enklavën shqiptare do të mund të bashkohej me Serbinë e zgjeruar.

Këto propozime mund të shokojnë ata që flasin për multietnicitete, pasi muletniceteti është i bukur, por i parealizueshëm, ka thënë autori , ndërsa ka shtuar se SHBA-ja përfundimisht duhet ta mbarojë punën që e ka filluar në Ballkan.

Ai ka theksuar se serbët e kroatë po e duan ndryshimin e marrëveshjes së Daytonit, liderët shqiptarë në Maqedoni kërkojnë federalizim në baza etnike.

Në Kosovë minoriteti serb po do krijimin e rrjeteve të enklavave vetëvendosëse me pavarësi më të madhe nga qeveria qendrore, shqiptarët në Luginë kërkojnë më shumë autonomi, në Mal të Zi shqiptarët kërkojnë entitet e në Kosovë e Shqipëri nacionalistët luftojnë për shtete unik.

Less ka qenë shef i konsullatës britanike në Banjllukë , ka theksuar se Bosnja e Hercegovina është shteti më i dobët në rajon.

Xhamia më e vjetër në Ballkan u ndërtua në Kosovë nga një familje emigrantësh nga Aleppo

Kontaktet e para me islamin në Ballkan u zhvilluan me ardhjen e turqve, gjatë shekujve 14 dhe 15, kur u krijua shoqata e parë për rëndësinë e Islamit dhe në Ballkan, por edhe shumë më herët.

Periskopi.com Lajme

Historiani boshnjak Muhammad Hadzhijahiq thekson se në afërsi të Mostarit janë gjetur monedha nga periudha e kalifit Mervani II (745-750), që janë paratë e para që kanë arritur në  Bosnje përmes tregtarëve arabë, të cilët tregtonin në masë të madhe në Mesdhe, dhe në atë kohë, Dubrovniku ka qenë një qendër e rëndësishme e tregtisë.

Banorët e Dubrovnikut ishin tregtarë të aftë, megjithatë, osmanët i gjetën përgjatë lumit Drina në qytetet mesjetare si Srebrenica, Zvorniku dhe Tuzla e sotme.

Kështu, është e mundur, për shkak të rrugëve tregtare në Dubrovnik, në fshatin Mlike të Kosovës në vitin 1289, njëqind vjet para Betejës së Kosovës, kolonët dhe mjeshtrit nga qyteti sirian i Aleppos, ndërtuan xhaminë më të vjetër në Ballkan – xhaminë Haji Husein. Në një pllakë guri dhe tabela të shtypura në gjuhën arabe, thuhet se xhamia është ndërtuar në vitin1289 dhe rinovuar në vitin 1822, nga familja Ahmed al-Aga, transmeton KosovaPost.

Sipas informatave historike, familja e al-Aga ishte në periudhën e viteve 1095 në kërkim të një jete më të mirë përfundoi në Kosovë, por duke pasur parasysh ishte një familje e madhe, herë pas here u  vendosën në pjesën jugore të Kosovës, dhe pasi u  përshtaten me mjedisin e ri  vendosën të qëndronin më gjatë, dhe në vitin 1289 ata ndërtuan një xhami.

Siç flasin legjendat kombëtare dhe dokumentet besohet se emigrantët ishin kryesisht nga provinca dhe qyteti i Aleppos, pasardhësit e tyre sot ende e mbajnë emrin e familjes Halepovci (Aljabakovci) dhe ka ende në Mlike, Krushevë, Dragash dhe Restelicë. Gjithashtu, pasardhësit e tyre mund të gjenden dhe në Prizren,si farkëtarët dhe mjeshtrit. Mund të gjenden edhe  në pjesë të tjera të Kosovës dhe Maqedonisë.

Si konfirmim i kësaj teze është dokumenti që muslimanët e këtij vendi të marrë nga Damasku në vitin 1995  të Ministrisë së vakufeve të Republikës Arabe të Sirisë, e cila në përkthim thuhet si vijon:

Ne Muftinia e Qarkut të Halepit, nga Republika Arabe e Sirisë, konfirmojmë se familja e al-Agës është e lashtë, anëtarët e së cilës kanë emigruar në vitin 1095, ndërsa emigrimi i tyre ka vazhduar deri në vitin 1291, ku ndërtuan xhaminë në fshatin e tyre në Mlike, me qëllim të kryerjes së riteve fetare. Mbi këtë bazë, kjo xhami është në të vërtetë pronë e këtyre familjeve, respektivisht familjeve të muslimanëve arabë të zhvendosur dhe nuk janë nga ndërtimet osmane. Ne vërtetojmë pronën e tyre dhe kërkojmë nga autoritetet që t’u ndihmojnë në këtë.”

Xhamia gjatë historisë së trazuar të Kosovës është djegur dy herë, por vendasit e kanë ruajtur me kujdes pllakën e gurit me mbishkrimin arab, duke e fshehur atë në nënkulm (papafingo) të shtëpive dhe vende të tjera të fshehta; duke ruajtur kështu edhe faktin se xhamia e parë në Ballkan është ndërtuar nga emigrantët selxhuk nga Halepi, njëqind vjet para betejës së Fushë – Kosovës.

NATO e gatshme të intervenojë në Ballkan

Një dokument konfidencial i NATO-s për sigurinë në Ballkan në të cilin kishte qasje të veçantë e përditshmja kroate, "Vecernji list", është miratuar në një takim të ministrave të jashtëm gjatë këtij muaji.

Periskopi.com Lajme

NATO është e gatshme për të ndërhyrë në Ballkan kur është e nevojshme për të parandaluar konfliktet ndër-etnike dhe për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, sipas një dokumenti sekret të NATO-s për situatën në Ballkanin Perëndimor, shkruan gazeta kroate.

Në dokumentin e miratuar janë përshkruar në detaje dy lloje të kërcënimeve me të cilat përballen vendet në fqinjësinë juglindore kroate: Sjellja destabilizuese e Rusisë dhe ekstremizmi dhe radikalizmi në rritje si pasojë e kthimit të luftëtarëve të huaj nga Siria dhe Iraku, transmeton zeri.info

Nuk thuhet saktësisht  se çfarë do të thotë se aleanca është e gatshme për të ndërhyrë në mënyrë operacionale, por burime jo zyrtare thonë se ka të bëjë me promovimin e sigurisë dhe stabilitetit dhe se nuk duhet parë si një kërcënim, por si një mesazh i parandalimit të kërcënimeve të mundshme.

Në dokument theksohet numri i “rreth 260 luftëtarëve të huaj”, të cilët nga Bosnja dhe Hercegovina shkuan për të luftuar në anën e organizatës terroriste ISIS dhe al-Kaedës në Irak dhe Siri.

Arsyeja e dytë që përbën shqetësim për vendet anëtare të NATO-s është situata në Ballkanin Perëndimor, ku dokumenti konfidencial thekson qasjen e Rusisë kryesisht drejtuar popullatës serbe në rajon. Në mesin e serbëve mesazhet ruse kanë ndikimin shumë të madh, thuhet në dokument. /Zeri

Bugajski: Clinton do të ishte më e mirë për Ballkanin dhe Kosovën

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Janusz Bugajski, nga Qendra për Analiza të Politikës Evropiane, me seli në Washington, thotë se Hillary Clinton do të ishte shumë më e mirë për Ballkanin, për rajonin dhe Kosovën, pasi ajo, jo vetëm që do ta vazhdonte politikën e presidentit Obama, por ajo do të dëshironte që ta arrinte kompletimin e misionit.

Periskopi.com Lajme

Radio Evropa e Lirë: Fillimisht dua t’ju pyes për zgjedhjet presidenciale amerikane. Shumë ekspertë dhe analistë thonë se nuk kanë parë garë të këtillë të ashpër dhe të paqartë, sikur kjo ndërmjet Hillary Clintonit dhe Donald Trumpit. Si do t’i përshkruanit ju këto zgjedhje?

Janusz Bugajski: Janë zgjedhje të pazakonshme sepse të dy kandidatët janë ekstremisht jo të popullarizuar. Mendoj se çfarëdo kandidati tjetër republikan me gjasë do ta mundte Hillary Clintonin, ndërsa nga ana tjetër, pothuajse secili kandidat demokrat do ta mundte lehtë Donald Trumpin.

Ne e kemi një garë që, para se gjithash, është e dy kandidatëve jo të popullarizuar. E dyta, ka shumë sulme personale, në masë të madhe të prodhuara nga Trumpi, dhe e treta, fokus i pamjaftueshëm në çështje politike. Por, mendoj se zgjedhjet aktualisht janë shumë të gjata, pasi po vazhdojnë prej votimeve partiake dhe mendoj se shumë amerikanë janë të ngopur me to.

Radio Evropa e Lirë: Kuptohet, si çdokund në botë, interesim i madh për këto zgjedhje mbretëron edhe në Ballkan dhe Kosovë. Meqë nuk ka pasur deklarata direkte nga të dy kandidatët për çështjen e Kosovës dhe Ballkanit, çka mund të presim nëse Hillary Clinton ose Donald Trump bëhen president të Shteteve të Bashkuara?

Janusz Bugajski: Mendoj se është shumë e qartë se Hillary Clinton do të ishte më e mirë për Ballkanin, për rajonin dhe Kosovën, pasi ajo, jo vetëm që do ta vazhdonte politikën e presidentit Obama, por ajo do të dëshironte ta arrinte kompletimin e misionit. Me fjalë të tjera, ta ndihmojë Kosovën të lëvizë në institucionet ndërkombëtare, të ketë siguri për shtet funksional, përpjekje për luftim të korrupsionit, pastaj përpjekje për kufizim të ndikimit rus në rajon.

Derisa presidenca Trump është shumë e paqartë, shumë e paparashikuar. Besohet se ai kishte lidhje të afërta biznesore me Rusinë, ai u është shmangur kritikave ndaj Putinit, ai e ka përshkruar NATO-n si potencialisht të vjetëruar… Pra, ka shumë frikë se presidenca Trump, aktualisht, do t’i kthente prapa disa nga përfitimet që janë bërë në rajon gjatë 10 viteve të kaluara.