Hilmi Jashari

Avokati i Popullit me Raportin për të drejtat e shëndetit seksual

Me synimin e rivendosjes së të drejtave të cenuara të individëve dhe me qëllim të vendosjes së standardeve të garantuara, si dhe promovimit të praktikave të mira, Avokati i Popullit sot ka prezantuat raportin me temë “Të drejtat në shëndetin seksual dhe riprodhues në Kosovë, një realitet përtej ligjit?”.

Periskopi.com Uncategorized

“Të drejtat e shëndetit riprodhues dhe seksual (DSHRS) kanë një kornizë mbrojtëse me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që përfshin jo vetëm të drejtat e njohura nga Kapitulli i Kushtetutës mbi të drejtat e njeriut, por edhe të drejtat e njohura nga traktatet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat Kushtetuta i njeh për aplikim të zbatueshëm drejtpërdrejtë dhe me prioritet në rast konflikti me legjislacionin vendor”, thuhet në këtë komunikatë.

Ky raport, i pari i këtij lloji në Kosovë, ka për objektiv vlerësimin e të arriturave dhe barrierave politike, ekonomike, sociale dhe kulturore mbi shëndetin seksual dhe riprodhues në vend, përmes thjerrës së të drejtave të njeriut, të garantuara me Kushtetutë; mbajtjen e autoriteteve përkatëse përgjegjëse kundrejt obligimeve të tyre ligjore në raport me të DSHRS; dhënien e rekomandimeve për veprimet që hapin potencial për progres dhe mbështetje për realizmin e të DSHRS për popullatën e Kosovës.

“Vlerësimi është kryer nga Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), me udhëzimet teknike dhe mbështetje financiare nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA), zyra nacionale në Kosovë dhe është bazuar në rishikimin e dokumenteve dhe publikimeve relevante, ashtu siç edhe në konsultimet me autoritetet publike, shoqërinë civile, organizatat ndërkombëtare dhe profesionistët e fushës”, thuhet në komunikatë.

Vlerësimi është i fokusuar brenda kornizës së shtatë çështjeve kyçe: Shërbimet dhe informatat mbi kontraceptivët; Abortin e sigurt; shëndetin e nënës; HIV/AIDS; Edukimi gjithëpërfshirës seksual; Dhuna kundër gruas; Kanceri dhe shëndeti riprodhues, duke pasur parasysh brenda fokusit të vlerësimit edhe Grupet vulnerabël; besueshmërinë dhe praninë e të dhënave; jo-diskriminimin, privatësinë përfshirë konfidencialitetin, pjesëmarrjen etj.

Tutje thuhet se sistemi i gjerë shëndetësor dhe konteksti socio-ekonomik, si dy çështje thelbësore për të kuptuar të DSHRS janë marrë parasysh gjatë hartimit të Raportit, i cili ka identifikuar po ashtu fushat e progresit dhe pengesat.

Analizimi i të dhënave është mbështetur në tre pyetje kyçe: Cila është gjendja e të DSHRS të popullatës së Kosovës, përfshirë grupet e margjinalizuara? Cilat ligje kyçe, politika dhe iniciativa janë miratuar nga Qeveria dhe cila është gjendja e implementimit të tyre? dhe Cilat janë përputhjet dhe mospërputhjet mes mbrojtjes kushtetuese të DSHRS-së dhe realitetit?

Raporti konstaton se Kosova ka progres domethënës sa i përket kornizës kushtetuese për mbrojtjen e të DSHRS-ve; numër relevant ligjesh e politikash; progres në zhvillimin e një sistemi të ri shëndetësor me sistem të duhur referimi dhe veçanërisht në lidhje më çështjet e DSHRS-së: shkallë të ulët të vdekshmërisë dhe prevalencë të ulët të HIV/AIDS-it.

Raporti thekson se Kosova ka nevojë për: aktualizim, implementim dhe monitorim të implementimit të politikave; të zhvilloj Sistemin e Informimit Shëndetësor, ashtu që të dhënat e duhura dhe disagreguara të grumbullohen në mënyrë rutinore; të zgjeroj ofrimin e edukimit gjithëpërfshirës të detyrueshëm seksual në të gjitha shkollat; të përmirësoj privatësinë dhe konfidencialitetin në institucionet shëndetësore; të përmirësojë njohuritë dhe qasjen në metodat e kontracepsionit modern; të mbështes implementimin e kornizave ligjore dhe politikave mbi dhunën ndaj gruas përmes ngritjes së vetëdijes rreth DSHRS-ve, në këtë kontekst mes popullatës, gjyqësorit dhe institucioneve kyçe; të adresojë shërbimet ilegale të abortit; si dhe të adresojë të drejtat e shëndetit riprodhues dhe seksual tek grupet e rrezikuara.

Raporti përcjell 62 rekomandime për autoritetet përgjegjëse, të shpërndara sipas çështjeve kyçe të trajtuara dhe duke pasur parasysh problemet e ndërlidhura, si dhe grupet e rrezikuara dhe të margjinalizuara.

hilmi

Avokati i Popullit me raport për promovimin e barazisë në komuna

Avokati i Popullit u ka përcjellë kryetarëve të Komunave Prishtinë, Gjilan, Viti, Ferizaj, Lipjan, Klinë, Rahovec, Novobërdë dhe Obiliq, Raportin Ex Officio lidhur me mos respektimin e procedurave ligjore gjatë procesit të rekrutimit te personelit, sipas konkurseve të shpallura nga Drejtoritë Komunale të Arsimit në Republikën e Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Qëllimi i këtij raporti është promovimi i barazisë, si dhe tërheqja e vëmendjes së Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA) në Republikën e Kosovës, lidhur me nevojën e ndërmarrjes së veprimeve përkatëse për zbatimin e ligjit dhe respektimin e procedurave ligjore të rekrutimit, transmeton Koha.net.

Avokati i Popullit ka analizuar dokumentacionet dhe konkurset e shpallura nga DKA-të në 19 komuna të Republikës së Kosovës dhe ka vërejtur se gjatë hartimit të konkurseve, në të kaluarën dhe tani, janë parashtruar kritere të cilat kanë qenë në kundërshtim me ligjin, duke pamundësuar trajtimin e barabartë.

Bazuar në konkurset e analizuara, Avokati i Popullit ka vërejtur se DKA-të e komunave të cekura në Raport, nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim që konkurset e shpallura të jenë në harmoni me ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe të kujdesen që t’i përgjigjen detyrimit të përcaktuar me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, i cili në nenin 4, paragrafin 2, shprehimisht përcakton se: “Të gjitha organet e komunës kujdesen që qytetarët e komunës t’i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë […] me qëllim që ata të gëzojnë të drejta dhe mundësi të barabarta në shërbimet komunale të të gjitha niveleve.”.

Avokati i Popullit vëren se sipas vendimeve gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), “e drejta për të mos u diskriminuar shkelet kur Shtetet trajtojnë në mënyrë jo të barabartë persona në situata të ngjashme pa dhënë një justifikim objektiv dhe të arsyeshëm”.

Në bazë të të gjitha dëshmive të paraqitura dhe fakteve të mbledhura, në pajtim me legjislacionin përkatës, Avokati i Popullit ka theksuar shkeljet në konkurset e shpallura dhe ka konstatuar se ka pasur shkelje të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, me që zyrtarët përgjegjës të DKA-ve në komunën e Prishtinës, Gjilanit, Vitisë, Ferizajt, Lipjanit, Klinës, Rahovecit, Novobërdës dhe Obiliqit, kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Në përmbyllje të Raportit, Avokati i Popullit e konsideron të domosdoshme që këto praktika të mos përsëriten në të ardhmen, në mënyrë që të gjitha veprimet e organeve komunale të jenë në harmoni me dispozitat ligjore dhe në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut.

Duke u nisur nga parimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe me qëllim të përmirësimit dhe rritjes së efikasitetit të autoriteteve, Avokati i Popullit u ka nisur rekomandimet relevante komunave gjegjëse:Komuna e Prishtinës të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që të siguroj të drejtën e garantuar Kushtetuese të kandidatëve që secili person është i lirë të zgjedhë vendin e punës.

Komunat Gjilan dhe Viti, të ndërmarrin të gjitha masat që t’u jepet fund rasteve të tilla të trajtimit të pabarabartë dhe të sigurohet që të gjithë kandidatët të gëzojnë të drejta dhe mundësi të barabarta për punësim në institucionet e arsimit, pa marrë parasysh vendin ku jetojnë apo ku kanë lindur.

Komunat Prishtinë, Viti, Ferizaj dhe Rahovec të sigurojnë që komisioni për përzgjedhjen e mësimdhënësve të formohet në përputhje me ligjin.

Komunat Ferizaj, Lipjan dhe Klinë, të garantojnë të drejtën e çdo kandidati për të aplikuar në të gjitha vendet e punës pa kufizime të mëtejme.

Komunat Viti, Novobërdë dhe Obiliq, të ndërmarrin të gjitha masat që në të ardhmen hartimi i konkurseve të bëhet në mbështetje të akteve ligjore të cilat janë fuqi.