Agim Bahtiri padit Avni Kastratin për vuajtje psikike (Video)

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka paditur për shpifje, kryetarin e degës së PDK-së në Mitrovicë, Avni Kastrati, për të cilin thotë se “me qëllim të denigrimit, revanshizmit dhe xhelozisë, ka deklaruar të dhëna joreale dhe të paqëndrueshme”.

Periskopi.com Lajme

Si bazë e padisë të siguruar nga Veriu.info, është përdorur një video e publikuar në media më datë 22.09.2016, për të cilën Bahtiri thotë se përmban shpifje me qëllim “të përbaltjes së emrit të tij”.

“Për më tepër, i padituri abuzimin e paditësit e ndërlidh me veprimet e Sami Bilallit, duke bërë shpifje drakonike dhe të marrëzishme për gjoja se në zyrën e paditësit është biseduar vlera mbi 300 mijë euro, të përvetësuara në mënyrë mashtruese, nga personi siç thotë i paditur këshilltar i kryetarit dhe vet paditësi, e që në realitet të gjitha këto veprime të Sami Bilallit me sirianin e ashtuquajtur ‘Arnaut’ kanë ndodhur në kohën kur paditësi fare nuk ka qenë në Kosovë por ka jetuar dhe vepruar në shtetet e Evropës perëndimore, ashtu edhe siç dihet se si kryetar i komunës paditësi mandatin e ka marrë duke filluar nga data 24.12.2013” (sic.), thuhet në padinë e bërë nga kryetari Bahtiri.

Bahtiri thotë se me anë të këtyre shpifjeve, siç thotë ai, i janë shkaktuar trysni, vuajtje psikike dhe shpirtërore me ndikim në reputacionin e tij në sferën e aktivitetit shoqëror dhe biznesor.

“Për këto arsye, paditësi në kuptim të nenit 5, paragrafi 5.4, të ligjit civil kundër shpifjes dhe fyerjes parashtron këtë padi për faktin se i padituri me veprimet e veta në mënyrë të rëndë dhe kualifikuese ka cenuar nderin, dinjitetin, prestigjin dhe reputacionin e paditësit, duke i shkaktuar kështu shqetësim psiqik dhe dhembje shpirtërore …” (sic.), thuhet ndër të tjera në padinë e siguruar ng portali Veriu.info.

Bahtiri ka kërkuar që Gjykata Themelore në Mitrovicës ta detyrojë Kastratin që në emër të kompensimit moral t’i paguajë 50 mijë euro dëmshpërblim.