Automjetet dizelë do të zhduken për 10 vjet

Për 10 vjet automjetet dizelë do të zhduken nga tregu botëror i automobilave, parashikon një raport nga gjigandi bankar zviceran UBS, citon “The Financial Times”.

Periskopi.com Lajme

Arsyet për rënien e kësaj teknologjie në Evropë janë dy: Zhvillimi i shpejtë i automjeteve elektrike dhe normat e reja të rrepta mjedisore. UBS parashikon se pjesa e automobilave dizelë do të bie nga 13.5 për qind në nivel global, në 4 për qind në vitin 2025. Për Evropën, rënia do të jetë rreth 50 %. Shitjet e modeleve dizelë të kontinentit të vjetër kanë filluar të bien nga viti 2012, përcjell albinfo.ch.

Në shumicën e vendeve të BE-së deri tani automobilat dizelë janë taksuar me akciza shumë të ulëta sesa ata me benzinë, si një masë për të ndihmuar fermerët dhe bujqit, të cilët kanë pajisje kryesisht me naftë. Por, vende si Franca dhe Belgjika kanë njoftuar tashmë se do të heqin këtë avantazh, për të mos përmendur angazhimin e zyrtarëve të kryeqyteteve, si Paris, Madrid dhe Athinë, për të ndaluar plotësisht motorët me naftë. Në një situatë të tillë me naftë do të mbijetojnë vetëm kamionët që e përdorin si lëndë djegëse, parashikon UBS.

Analiza e bankës tregon se në vitet e ardhshme tregu më i madh i rritjes do të ketë më shumë vetura hibridet. Sipas UBS-së, vetura të tilla do të arrijnë një të katërtën e të gjitha shitjeve të makinave të reja më 2025.

UBS: Automjetet dizelë do të zhduken për 10 vjet

 

Ministri që flet rrallë, sqaron Projektligjin e Automjeteve

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, mes tjerash, është miratuar Projektligji për Automjetet, i cili, siç tha ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, është në përputhje të plotë me vendimin e Qeverisë së Kosovës për eliminimin e të gjitha barrierave që pengojnë hyrjen e subjekteve të reja në treg dhe në mënyrë shprehimore përcakton obligimin për licencimin e më shumë subjekteve në secilën fushë që mbulon ky projektligj.

Periskopi.com Lajme

Në fjalën e tij, ministri Zharku, tha se fushëveprimi ligjor i automjeteve është i rregulluar me Ligjin për Siguri në Komunikacionin Rrugor.

“Duke i pasur parasysh praktikat e vendeve të tjera të BE-së, ky ligj është ndarë në tri ligje: Ligji për Patent shofer dhe Ligji për Rregullat në Trafikun Rrugor, të cilat tanimë janë miratuar edhe nga Parlamenti i Kosovës, kurse Projektligji për Automjete e kompleton këtë pako të ligjeve. Me këtë ligj përcaktohen kushtet bazë të pajisjeve dhe instalimeve, të cilat duhen t’i kenë mjetet, dimensionet, masa më e madhe e lejuar dhe ngarkesa boshtore e mjetit, si dhe kushtet, të cilat duhet t’i plotësojë mjeti në komunikacion, kushtet për importim, kontrollimi teknik i automjeteve, regjistrimi i automjeteve dhe çështje të tjera”, tha ministri Zharku.

Ministri theksoi rëndësinë e veçantë që i është kushtuar sigurisë në komunikacion dhe mbrojtjes së ambientit me këtë ligj.

“Në kuadër të kësaj është paraparë kontrollimi teknik mobil, si shërbim shtesë mbi kontrollin e rregullt dhe periodik të automjeteve pjesëmarrëse në komunikacion dhe njëherësh do të rritet monitorimi ndaj kualitetit të shërbimeve, të cilat i ofrojnë qendrat e kontrollimit teknik. Sa i përket licencimit, për herë të parë në vendin tonë projektligji propozon licenca të përhershme për kontrolla teknike por me kusht që gjatë gjithë kohës t’i përmbushin kushtet e parapara me ligj”, tha ministri Zharku.