Tensionet me Athinën: Bushati takim me homologun grek Kotzias

Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati është duke zhvilluar një vizitë pune në Athinë, ku është takuar me homologun grek Nikos Kotzias.

Periskopi.com Lajme

Ministrat kanë biseduar gjerësisht për çështjet që prekin marrëdhëniet dypalëshe, me fokus, përfshirë këtu disa marrëveshje dhe rrugën europiane të Shqipërisë, si dhe tek situata në rajon pas tensioneve të krijuara në Maqedoni.

Bushati dhe Kotzias kanë biseduar kokë më kokë dhe më pas kanë shkuar për të asistuar bisedimet mes komisioneve të përbashkëta të punës.

Takimet janë zhvilluar pa praninë e mediave. Ndërkohë, gjatë mbrëmjes Kotsias do të presë ministrin shqiptar edhe në një takim privat. /TCh

Deklaratat e Ramës, Athina thërret ambasadorin shqiptar

Pas zhurmës së krijuar në media nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama, se Akropoli u shpëtua prej një shqiptari, por edhe përplasjeve me tone të larta mes Athinës dhe Tiranës për situatën në Himarë, Ministria e Jashtme greke ka thirrur për sqarim ambasadorin shqiptar, Dashnor Dervishi.

Periskopi.com Lajme

Dervishit , siç njofton tch, i janë kërkuar shpjegime lidhur me këto deklarata. Ende nuk dihen tonet e bisedimeve, por burime në Ministrinë e Jashtme helene thonë se pala greke ka ngritur shqetësimin e saj jo vetëm për tonet jo diplomatike të kryeministrit Rama, por edhe për deklaratën e Ministrisë së Jashtme shqiptare, e cila sipas Athinës përmbante një qasje agresive që nuk i shërben uljes së tensioneve.

Burimet thanë se edhe ambasadori shqiptar ka tërhequr vëmendjen e Athinës për qëndrimin e Ministrisë së Jashtme greke, që për palën shqiptare konsiderohet si ndërhyrje flagrante dhe pa takt në çështje të brendshme të Shqipërisë.

Gjithsesi, të dyja palët ranë dakord se ulja e toneve konsiderohet si emergjente, pa qenë i nevojshëm përshkallëzimi në drejtim negativ i marrëdhënieve dypalëshe.

Dakordësia mbi çështjet me interes të përbashkët duhet të dominojë mbi deklaratat emocionale, kanë pohuar njëzëri palët gjatë takimit në Ministrinë e Jashtme greke.

Ndërkohë, në Athinë kanë qenë partitë politike të opozitës që kanë kërkuar mbledhjen me urgjencë të Këshillit të Lartë të Politikës së Jashtme lidhur me deklaratat e kryeministrit Rama, por edhe për unifikimin e politikës greke në mbrojtje të minoritetit grek të Himarës.

Disa deputetë, me në krye ish-ministren e Jashtme Dora Bakojanis, kanë kërkuar marrjen e masave drastike për të penguar ekspansionin e qeverisë Rama në marrëdhëniet dypalëshe.