Astrit Dehari

Një vdekje e tepërt që mund të godasë Kosovën

Gazeta e njohur frankofone “Le Temps” i ka kushtuar një artikull të tërë rastit të vdekjes së Astrit Deharit.

Periskopi.com Lajme

Sipas gazetarit, Kosova është “gjithnjë e më shumë si një bombë me sahat, ku vdekja misterioze e një aktivisti të ri të opozitës në qelinë e tij kristalizon zemërimin kundër qeverisë dhe presidentit Hashim Thaçi”. Albinfo.ch ju sjell përmbajtjen e këtij shkrimi.

Një dinstinkt në pallto me portretin e një të riut zeshkan dhe po e njëjta  fytyrë e qeshur e ngjitur në murin e një ndërtese. Ata janë me qindra të mbledhur në sheshin “Nënë Tereza”, rruga kryesore e Prishtinës. Është momenti i përkujtimit, sepse para ca ditësh ka vdekur një djalosh. Astrit Dehari, 26 vjeç, student i vitit të 6-shtë në Mjekësi dhe militant i lëvizjes opozitare “Vetëvendosje”, u gjet i vdekur më 5 nëntor në një qeli në burgun e Prizrenit. Që nga ajo ditë, një valë zemërimi është përhapur sikur një zjarrë i  tërbuar. “Drejtësi për Astritin”, “Drejtësi për Astritin”, brohorisin miqtë dhe familja e tij.

Autoritetet shpejt kanë arritur në përfundim se vdekja e Daharit ishte vetëvrasje, duke cituar faktin se ai kishte marrë hapa, një shpjegim shumë shpejt i braktisur, kurse më pas flitej sa ai ishte asfiksuar nga gëlltitja e një shisheje plastike. Tom Gashi është një nga avokatët më të famshëm dhe më i diskutueshëm në Kosovë. Ishte ai që e mbrojti ish-komandantin e UÇK-së, Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinajn në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë (ICTY). Me vdekjen e të riut, avokati pranoi të  përfaqësojë familjen e tij dhe menjëherë vajti për të blerë një shishe mjaltë në një dyqan afër. Duke imituar gjestin, ai tregon sa ishte e pamundur të fusësh shishen e mjaltit në gojë për t’i dhënë fund ditëve të tij, gjë që të gjithë mjekët konfirmuan më pas. Shishja, në formë të arushës, është pothuajse 6 cm e gjerë, që do të thotë se është e pamundur të hyjë në fyt nëse dikush tjetër nuk e shtyn me forcë.  Fotografitë e Astritit në autopsi tregojnë një fytyrë të pastër dhe të qetë. Por, një prerje shihet dukshëm prapa qafës, ndërkohë që duart e tij dhe këmbët mbajnë gjurmë të lëndimeve sikurse ai është përpjekur t’i rezistojë ekzekutuesit e tij.

 

“Ka vetëm një hipotezë të besueshme: ajo e një rrahjeje, apo një procedure me pyetje, e cila ka përfunduar keq”, thotë avokati, duke nënvizuar kontradiktat që po grumbullohen në lidhje me procedurën. “Mbi të gjitha, ne kërkojmë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm dhe të Drejtësisë, si dhe formimin e një komisioni të pavarur hetimor”. Astrit Dehari u arrestua më 30 gusht. I akuzuar si pjesëmarrës i një “grupi terrorist” dhe duke marrë pjesë në demonstratat e verës së kaluar, gjatë të cilave me disa koktej molotov është sulmuar Parlamenti. Në paraburgim, ai është marrë në pyetje vetëm në fund të 68 ditëve.

Prindërit e Astritit banojnë në një fshat në periferi të Prishtinës, e cila po zgjerohet kohët e fundit nga urbanizimi i kryeqytetit. Në vitin 1981 babai i tij, Avni Dehari, ishte strehuar në Zvicër, ku i kanë lindur tre fëmijët e tij. Poet, ai ishte aktiv në radhët e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), një grup nacionalist me bindje marksiste-leniniste, kryesisht i vendosur në diasporë. Është nga ky grup që lindi UÇK-ja, është në radhët e LPK-së që udhëheqësit aktualë të Kosovës kanë kryer klasat e tyre. “Ata ishin miqtë tanë, por ne u ndamë kur kuptuam që ata kanë zgjedhur të zhyten në korrupsion”. Të rritur në një familje, ku ne nuk bëjmë kompromise mbi parimet, dy djemtë e tij i janë bashkuar në mënyrë të natyrshme lëvizjes “Vetëvendosje”.

Familja është kthyer për të jetuar në Kosovë në vitin 2001, kur Astrit kishte 12 vjet. “Ne kemi pasur mundësi të kërkojmë nënshtetësinë zvicerane, por Kosova është vendi ynë. Astriti shpeshherë hidhërohej me miqtë e tij, të cilët të gjithë kërkonin të emigrojnë. Ai donte të qëndrojë në Kosovë”. Ditën e varrimit familja mori një telegram ngushëllimi nga Hashim Thaçi, të cilin ajo nuk e pranoi: “Regjimi akuzon djalin tim për terrorizëm dhe më pas kreu i shtetit i dërgon një mesazh ngushëllimi … një djaloshi që mendohej që ishte terrorist? Kjo nuk ka logjikë”.

Ambasadat perëndimore në Prishtinë shumojnë presionet diskrete, duke kërkuar që hetimet të vazhdojnë me baza të reja, nga frika se çështja e Deharit do të  shkaktojë një shpërthim social në Kosovë, ku të rinjtë, të goditur nga papunësia masive, janë të ndarë mes rebelimit dhe mërgimit. Lëvizja “Vetëvendosje” bëri thirrje gjithashtu për një hetim të pavarur, por tregon një lloj përmbajtjeje. “Qeveria kërkon të na kriminalizojë, ai dëshiron të na provokojë qëllimisht me shpresë se do të shkaktojë në Kosovë zjarr dhe gjak, për t’u paraqitur më pas si të vetmit garantues të rendit”, thotë Visar Hymeri, kryetar i partisë.

Ky rast arrin në një moment ku skena politike e Kosovës është më e dëmtuar se kurrë. Dy burrat e fuqishëm të vendit, presidenti Hashim Thaçi dhe ish-krahu i djathtë i tij, Kadri Veseli, kryetar i Parlamentit, mundohen të shënojnë territorin e tyre para se të bien akuzat e para të Gjykatës Speciale për krimet e UÇK-së, që priten në muajt e ardhshëm.

“Ne jemi të mësuar me korrupsionin e udhëheqësve tanë, por nëse ata fillojnë të vrasin fëmijët tanë, duke folur për demokraci, kjo është e tepërt”, thotë me zemërim një mësues që ka ardhur për t’i shprehur ngushëllime familjes. “Ne nuk do t’i lejojmë ta transformojnë Kosovën në një diktaturë të Pinoqetit”.

Një vdekje e tepërt që mund të godasë Kosovën

 

 

 

 

 

 

Astrit Dehari

Drejtësi për Astrit Deharin u kërkua edhe në Zvicër

Rreth 200 bashkatdhetarë që jetojnë Bernë, rrethinë e në qytete tjera të Zvicrës, u tubuan në Ostermundigen të Bernës, për ta nderuar jetën dhe veprën e Astrit Deharit, i cili ndërroi jetë në Burgun e Prizrenit në rrethana të pasqaruara. Deri tani askush nga organet kompetente të pushtetit nuk ka dhënë asnjë lloj përgjegjëse.

Periskopi.com Lajme

Të prekur thelle dhe të indinjuar nga ky rast, bashkatdhetarët e kërkuan drejtësi të pavarur dhe të pamotivuar politikisht për Astrit Deharin.

Para të pranishmëve, përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, i cili pasi foli për figurën e Astrit Deharit si njeri dhe veprimtarë i dalluar, tha se kjo vrasje është e qëllimshme nga një pushtet kriminal. Ndaj, siç shkruan portali “zsh”, është më se e nevojshme që të bëhen hetime të pavarura dhe të besueshme.

Para të pranishmëve foli edhe Kryetari i Qendrës së Vetëvendosjes për Zvicër, Mujë Shala. Në këtë rast dhe në të gjitha rastet tjera gjërat duhet të thuhen me gjuhën e vërtetë, ndaj edhe ka ardhur koha që t’i thuhet mjaft kësaj politike kriminale- nënvizoi Shala.

Këtë tubim e udhëhoqi njëri nga organizatorët, Ismet Rashiti, i cili shprehu dhembjen për këtë humbje.

“Astriti që nga hapat e parë të bërë këtu në Bernë, bashkë me gjithë familjen e tij, ishte vërë në shërbim të lirisë, pavarësisë dhe bashkimit kombëtar. Jemi tubuar këtu të kërkojmë drejtësi për vdekjen e papritur të Astritit tonë Burgun e Prizreni”, tha ndër të tjera ai.

Drejtesi per Astritin

Vetëvendosje nuk ka informacion nëse është lejuar hetim ndërkombëtar për Astrit Deharin

Shkodran Hoti nga zyra për informim e Lëvizjes Vetëvendosje thotë se nuk ka asnjë informacion nëse Shteti i Kosovës ka lejuar hetim ndërkombëtar lidhur me vdekjen e Astrit Deharit.

Periskopi.com Lajme

“Personalisht nuk kam ende ndonjë informacion nëse është lejuar hetimi ndërkombëtar nga institucionet për Astrit Deharin. Në rast se do të ketë ndonjë informacion më të ri do të ju kontaktojmë”, tha Hoti.

Analisti Halil Matoshi, përmes një shkrimi në “Facebook” ka thënë se Institucionet e Kosovës kanë lejuar një shtet evropian të bëjë hetimet e pavarura lidhur me vdekjen e Astrit Deharit. Këtë informacion nuk e ka konfirmuar ende as avokati Tomë Gashi.

Astrit Dehari

Avni Dehari tregon të kujt ishin armët e gjetura në shtëpinë e tij

Avni Dehari, babai i Astrit e Arbnor Deharit ka folur në “Rubikon” për armët e gjetura në shtëpinë e tij.

Periskopi.com Lajme

Sipas Deharit, armët ishin të shokut të Arbnorit. Para vdekjes së Arbnorit, ai i kishtë kërkuar leje babait të tij që t’i ruante armët e shokut në shtëpi. Dehari tha se i kishte thënë mos ta bënte atë.

Pas vdekjes, Dehari theksoi se pasi që i kishte gjetur, i kishte mbyllur në një vend pasi i ruante si shenjë të djalit.

Dehari tha se kishte japur deklaratën për të vërtetën mbi armët mirëpo ajo nuk ishte marrë parasysh.

“Më kanë pyetur se kush e merr përgjegjësinë për këto armë, kam thënë përgjegjësia është e imja. Kur është bërë vazhdimi i paraburgimit, armët kanë mbetur mbi Astritin, nuk është marrë për bazë deklarata ime”, ka thënë ai./KTV/

Astrit Dehari

Të gjitha vizitat që iu bënë Astrit Deharit në burg (Dokument)

Në bazë të lejeve të lëshuara nga gjyqtari Vehbi Kashtanjeva, në gjashtë nga shtatë vizitat që Astrit Deharit iu bënë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren familjarët u shoqëruan nga zyrtarë të “Vetëvendosjes”.

Periskopi.com Lajme

Aktivisti tash i ndjerë i Lëvizjes “Vetëvendosje” Astrit Dehari gjatë 68 ditëve në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ka pasur gjithsej 7 vizita.

Në të gjitha vizitat të pranishëm ishin prindërit dhe gruaja e tij, e në gjashtë prej tyre familjarët shoqëroheshin nga zyrtarë të “Vetëvendosjes”.

Për shtatë javë, çdo të enjte, të ndjerit Dehari i kanë shkuar në vizitë familjarë, të shoqëruar nga aktivist të subjektit që ai i takonte dhe secila vizitë ka zgjatur 60 minuta.

KALLXO.com ka siguruar të gjitha lejet e lëshuara për vizitë Deharit nga gjyqtari i procedurës paraprake Vehbi Kashtanjeva, në të cilat shihet se u është lejuar vizita përveç familjarëve edhe aktivistëve të VV-së.

Vizita e fundit kishte ndodhur dy ditë para se Dehari të vdiste në rrethana të pasqaruara. Atë sipas dokumentacionit të siguruar e kishin vizituar prindërit Avni e Xhemile Dehari, gruaja Arta Boshtraj dhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes “Vetëvendosje”, Sami Kurteshi.

Kjo vizitë, referuar lejes së lëshuar nga gjyqtari Kashtanjeva, është bërë më 3 nëntor dhe ka zgjatur një orë.

Në vizitën e parafundit-atë të datës 27 tetor, veç tre familjarëve të lartpërmendur (prindërve dhe gruas), sipas lejes së lëshuar nga nga gjyqtari Kashtanjeva, i pranishëm ka qenë edhe sekretari organizativ i “Vetëvendosjes” Dardan Molliqaj.

Dje gjyqtari Kashtanjeva mohoi se u dha leje zyrtarëve të “Vetëvendosjes” ta vizitojnë Deharin në burg, por sot zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Mirlinda Gashi tha se ky gjyqtar mund të ketë lëshuar leje edhe për vizitat e Kurteshit dhe Molliqajt, por mund të mos i kujtohet kjo gjë pasi lëshon shumë leje për vizita te të paraburgosurit.

Sot në një konferencë për medie sekretari organizativ i “Vetëvendosjes” Dardan Molliqaj tha se ai dhe Kurteshi vizituan Deharin në burg.

Molliqaj në konferencë shpjegoi procedurat e ndjekura gjatë vizitave të tilla.

“Procedurat janë kështu: kërkesë bën familja për personat të cilët duan ta vizitojnë dikë, në këtë rast të ndjerin,” shpjegoi Molliqaj.

KALLXO.com ka kërkuar nga Zyra për Informim e VV-së emrat e aktivistëve që e kanë vizituar Deharin, por nuk ka marrë përgjigje prej saj.

Më 20 tetor, sipas lejes së gjyqtarit të siguruar nga KALLXO.com, Astrit Deharin në burg e kishte vizituar Brym Maximilian. I njohur si Brym Max, një profesor i filozofisë që ka ligjëruar disa herë edhe në VV e Lëvizjen Studentore SKV. Brym në letrën e shkruar pas vdekjes së Deharit, kishte thënë se e njeh atë që nga viti 2008 dhe se shpesh i ndjeri kishte përkthyer shkrimet e tij nga gjermanishtja në shqip.

Në vizitën e katërt të 13 tetorit, gjykatësi u dha leje ta vizitojnë  Deharin prindërit Xhemilja e Avniu, bashkëshortja Arta dhe Hekuran Myrtaj.

Myrtaj konfirmoi për KALLXO.com se është anëtar i “Vetëvendosjes”.

“Po jam edhe anëtar i ‘Vetëvendosjes’,” tha ai.

Një javë para kësaj, gjithnjë sipas lejeve të gjyqtarit në kombinimin e njëjtë të familjes, Deharit i kishte shkuar në vizitë edhe koordinatori i Qendrës së Lëvizjes “Vetëvendosje” në Ferizaj, Emrush Xhemajli. Xhemajli ishte kandidat i VV-së për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e fundit.

Sipas lejes, në fund të shtatorit  Deharin e kishte vizituar aktivisti tjetër i “Vetëvendosjes” Egzon Balaj. Në këtë takim ishin edhe familjarët e të ndjerit, prindërit dhe gruaja.

Vizita e parë në paraburgim e Astrit Deharit është e vetmja ku atë e vizituan vetëm familjarët, pa praninë e zyrtarëve të Vetëvendosjes. Në këtë vizitë, ishin prindërit dhe gruaja, si dhe dy nipërit e të ndjerit. Kjo ishte vizita e vetme të cilën gjykatësi Kashtanjeva Deharin e cilësonte si “të akuzuar”, ndërsa në lejet tjera i referohej si “i pandehuri”.

Astrit Dehari dhe pesë aktivistë të “Vetëvendosjes” u arrestuan më 30 gusht nën dyshimin për sulm me raketahedhës ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Ai dhe dy  aktivistë të tjerë Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti ndodheshin në paraburgim, ndërsa tre të tjerët nën masën e arrestit shtëpiak.

Dehari vdiq më 5 nëntor në rrethana të pasqaruara deri më tani. Autopsia e trupit të të ndjerit u bë të hënën, ku veç ekspertëve të institutit të mjekësisë ligjore, prezentë ishin edhe ekspertë të caktuar nga familja.

Raporti final i autopsisë pritet të publikohet së shpejti e hetimet për rastin është duke i vazhduar prokuroria.

Sot “Vetëvendosje” kërkoi ndërprerjen e hetimeve nga grupi aktual hetues.

vizita-2 vizita3 vizita4 vizita5 vizita-6 vizita7