Sfidat nuk ndalin rrugëtimin e grave të Kosovës drejt biznesit të suksesshëm

Në traditën kosovare, gruaja gjithmonë është cilësuar si “shtylla e shtëpisë”. Ndërsa, sot ajo cilësohet si shtyllë e shtetit.

Artinë MUÇIQI Lajme

Në të kaluarën gratë më shumë kishin qenë ndihmëse të familjarëve të tyre, në punë të rënda, në fushë e në ara, ndërsa sot ato kanë heshtur të gjitha paragjykimet për sukseset që mund të korrë një grua në fushën e biznesit.

Pavarësisht progresit që është shënuar, gratë që merren me biznes në Kosovë ende përballen me shumë sfida. Importi i produkteve të ngjashme, luhatja e çmimeve dhe paragjykimet e qenurit grua janë disa nga sfidat me të cilat përballen gratë në fushën e të bërit biznes.

Me të gjitha këto u përballë 47 vjeçarja nga Podujeva, Afërdita Murati, kur para dy viteve nisi të merrej me kultivimin dhe përpunimin e kulturës së mjedrës.

aferdita-murati

Barrierat, paragjykimet dhe sfidat me të cilat u përballë, nuk e ndalen rrugëtimin e Muratit. Falë këmbëngulësisë së saj, ajo sot është shndërruar në njërën nga kultivueset më të shquara të kulturës së mjedrës në qytetin e Podujevës, zonë e cila shquhet si epiqendër e kultivimit dhe përpunimit të kësaj kulture.

Me kulturë të mjedrës e kishte filluar biznesin edhe Blerta Restelica, po ashtu nga Podujeva. Meqë kishte studiuar bujqësinë, Restelica kishte qenë e përgatitur profesionalisht për këtë biznes, ndërsa falë granteve që kishte fituar, nuk kishte pasur vështirësi sa i përket anës financiare.

blerat-restelica

Rrugëtimi në fushën e të bërit biznes nuk kishte qenë i lehtë për kultivueset nga Podujeva. Pavarësisht përkrahjes që kishin pasur, sfidat nuk munguan. Çmimet luhatëse të pikave grumbulluese të kulturës së mjedrës dhe ndjeshmëria e kësaj kulture dëmtonin bizneset e tyre. Ndërsa, shqetësuese e cilësojnë edhe praninë e produkteve të ngjashme të importuara në treg me çmime më të ulëta.

Drejtoresha e “N.P Kastroberry”, Afërdita Murati ka kërkuar nga institucionet dhe organizatat që të bëjnë më shumë për promovimin e produkteve vendore, në mënyrë që konsumatorët të vetëdijesohen për cilësinë dhe sigurinë e të konsumuarit produkte vendore.

Murati me biznesin e saj ka gjeneruar edhe vende të reja të punës. Biznesin e kishte nisur me vetëm 70 ari tokë të mbjellur me kulturë të mjedrës, ndërsa tani ka një hektar e 70 ari.

Ajo ka bërë të ditur për Periskopin se numri i punëtorëve për kultivimin dhe përpunimin e mjedrës do të arrijë deri në 15 gjatë sezonit të verës, ku do të angazhohen sa më shumë gra, në mënyrë që ato të pavarësohen dhe të sigurojnë vetë të ardhurat.

Dy fermeret nga Podujeva, Afërdita dhe Blerta, kanë një mesazh të qartë për gratë që duan të nisin biznes në Kosovë.

mjedra

Sipas tyre, nëse një grua ka vetëbesim, guxim dhe përkrahje nga të tjerët, atëherë do të arrijë t’i mposhtë të gjitha paragjykimet.

“Një grua asnjëherë nuk duhet të dorëzohet. Mjafton të merren shembull gratë kosovare, që me punën e tyre janë treguar “kampione” në fushën e të bërit biznes”, thonë ato.

Madje, Blerta Restelica thotë se sukseset e vazhdueshme të grave në fushën e biznesit kanë lënë pa tekst paragjykuesit.

“Unë jam myslimane dhe barti mbulesën islame. Kjo ka bërë që paragjykimet të fokusohen më shumë në mua si Blerta me mbulesë, sesa si një grua në biznes. Pavarësisht të gjithave, puna e pandalshme mposhti të gjithë këto paragjykime”, tregon Restelica.

Panairet që organizohen në Kosovë janë një mundësi e mirë për promovimin e produkteve të tyre.

“Përveç shitjes së produkteve, panairet janë një mundësi e mirë edhe për bashkëpunime me biznese të tjera”, thotë Afërdita Murati, e cila njëkohësisht është anëtare në Organizatën Joqeveritare “Gratë në Biznes” që u ndihmon grave të rrisin bizneset e tyre.

Por, institucionet qeveritare, donatorët dhe shoqëria civile duhet të kordinohen më shumë rreth politikave të fuqizimit ekonomik për gratë, thotë shefja e Grupit të Grave Deputete, Blerta Deliu, sipas së cilës, shoqëria kosovare ka një numër të konsiderueshëm të grave sipërmarrëse, të cilat janë treguar të zonjat në biznes.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në raportin “Gratë dhe burrat në Kosovë (2014-2015)” rezulton se vetëm 13 për qind e bizneseve në Kosovë janë në pronësi të grave.

Agjencia e Statistikave

Sipas Deliut, këto shifra të ulëta të bizneseve që janë në pronësi të grave tregojnë se gratë nuk janë të përceptuara nga publiku, familjarët dhe komiteti i biznesit.

Madje, thotë Deliu, gruaja në Kosovë vazhdon të mbetet peng i traditës, duke hequr dorë nga trashëgimia.

Shefja e Grupit të Grave Deputete thotë se çdo ditë e më shumë po vërehet interesim i shtuar i grave për hapjen e bizneseve, andaj duhet të ketë më shumë programe dhe fonde të veçanta që do t’i ndihmonin gratë për fillimin e ndonjë biznesi.

blerta-deliu

“Gjithsesi duhet të krijohen politika afirmative dhe lehtësuese sidomos për ato gra që fillojnë një biznes. Kjo do të inkurajonte edhe gratë tjera që të fillonin biznesin e tyre”, deklaroi Deliu.

Mungesa e qasjes në financa dhe politikat fiskale të shtetit, sipas saj, janë vetëm disa nga pengesat me të cilat përballen gratë.

Ajo ka ngritur shqetësimin se shumica e bizneseve që udhëhiqen nga gratë në Kosovë janë biznese të vogla.

Por, këto shifra do të përmirësohen, duke u ofruar më shumë përkrahje grave për zhvillimin e bizneseve të tyre. Kështu thuhet në përgjigjen e Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).

Drejtori i Drejtoratit për Zhvillimin e Sektorit Privat në kuadër të KIESA-s, Nol Buzhala ka thënë për Periskopin se Panairi “Gratë në Biznes”, Skema ‘Voucher’ e Këshllimeve në bashkëpunim me KOSME dhe skema e granteve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në bashkëpunim me Zyrën e BE-së, kanë qenë disa nga projektet e kësaj agjencie që u kanë ofruar mbështetje grave në Kosovë, për vazhdimin e veprimtarisë së tyre në fushën e biznesit.

nol-buzhala

Buzhala ka bërë të ditur se në Panairin “Gratë në Biznes” që u mbajt prej 26 deri më 28 korrik në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë, mbi 60 biznese me pronare gra shiten dhe promovuan produktet e tyre.

Derisa në kuadër të Skemës ‘Voucher’ të Këshillimeve që ofron këshillime të subvencionuara kishin përfituar gjithsej 204 ndërmarrje, ku nga to 59 ndërmarrje përfituese kanë qenë me pronare gra, që i bie se gratë ndërmarrëse kanë përfituar 28.92 %.

Ndërsa në projektin e tretë për skemën e granteve për ndërmarrjet mikro dhe të mesme, kishin përfituar gjashtë gra ndërmarrëse.

Drejtori i Drejtoratit për Zhvillimin e Sektorit Privat ka deklaruar se sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), nga periudha 1 korrik 2012 deri më 13 dhjetor 2016, biznese të regjistruara janë 43,68, nga to me pronare gra janë 7,988 biznese apo 18 për qind e tyre.

Por, shkalla e papunësisë tek gratë mbetet ende shqetësuese. Sipas statistikave të ASK-së, shkalla e papunësisë tek gratë është më e lartë se tek burrat.

Bazuar në raport, shkalla e papunësisë për gratë për vitin 2014 ishte 41.6% kundrejt 33.1% të burrave, përderisa në vitin 2015 për gratë ishte 36.6% kundrejt 31.8% të burrave./ Periskopi.com

 

Panairi Grate ne Biznes

Reklamë
Reklamë

Ulja fiktive e shkallës së papunësisë

Në vitin 2014, shkalla e papunësisë ka qenë 35.5 për qind, ndërsa të punësuar kanë qenë 323 mijë persona. Në qershorin e vitit 2016, papunësia ka rënë në 26.2 për qind, ndërsa të punësuar kanë qenë 328 mijë persona. Pra ka vetëm 5 mijë persona më shumë të punësuar në vitin 2016 se sa që kishte në vitin 2014, por është shënuar ulje të shkallës së papunësisë prej 9.3 pika të përqindjes.

Periskopi.com Lajme

Agjencia e Statistikave vazhdon të prodhojë numra jo-kredibilë sa i përket papunësisë dhe nivelit të punësimit në Kosovë. Në qershorin e vitit 2016, sipas ASK-së, në Kosovë kanë qenë të punësuar 328 mijë persona. Kurse, në vitin 2014, numri i personave të punësuar ka qenë 323 mijë. Pra ka vetëm 5 mijë persona më pak të punësuar në vitin 2014 se sa në vitin 2016.

Derisa, niveli i punësimit ndryshon shumë pak, ASK-ja ka raportuar për një diskrepancë të madhe për sa i përket shkallës së papunësisë. Në vitin 2014 shkalla e papunësisë ka qenë 35.5 për qind, kurse në qershorin e vitit 2016 papunësia ka rënë në 26.2 për qind. Pra, kemi një ulje të shkallës së papunësisë prej 9.3 pika të përqindjes. Por, nëse përllogaritet numrat e punësimit i bie që shkalla e punësimit në vitin 2016 është rritur për vetëm 1.6 për qind në vitin 2014.

Historiku i anketave të fuqisë punëtore që i bën ASK-ja tregon për një lëvizje të shkallës së papunësisë që nuk është në përputhje me atë të punësimit. Në të kaluarën shkalla e papunësisë është ulur apo rritur kryesisht duke lëvizur numrin e personave që nuk janë aktivë.

Agjencia e Statistikave i ka publikuar dy Anketa të Fuqisë Punëtore për vitin 2016. Njëra është për tremujorin e parë, pra përiudhën janar-mars. Kurse, Anketa tjetër është për periudhën mars-qershor. Anketat janë publikuar, të premten, në një diferencë prej 1 orësh.

Shkalla e papunësisë në tremujorin e parë të vitit 2016, sipas ASK-së, ka qenë 27.7 për qind, apo të papunë kanë qenë 115 mijë e 93 persona.

Papunësia në tremujorin e dytë ka rënë për nga përqindja, por jo edhe për nga numri i personave të papunë. Sipas ASK-së, shkalla e papunësisë ka qenë 26.2 për qind, ndërsa të papunë janë llogaritur 116 mijë e 812 mijë persona. Pra, edhe pse kemi rreth 1 mijë persona më shumë të papunë, ASK-ja thotë se shkalla e papunësisë ka rënë për rreth 1.5 pika të përqindjes.

Këto të dhëna tregojnë për një rënie të madhe të papunësisë krahasuar me vitin 2015. Të dhënat e ASK-së thonë se shkalla e papunësisë në vitin 2015 ishte 32.9 për qind, apo 145 mijë e 776 persona konsideroheshin si të papunë. Pra, ASK-ja thotë se për vetëm gjashtë muaj (janar–qershor), 30 mijë persona janë konsideruar të papunë më pak se sa në vitin 2016.

E në vitin 2014, shkalla e papunësisë ka qenë 35.5 për qind, ndërsa të papunë janë llogaritur 176 mijë e 743 persona. Pra, sipas ASK-së, për dy vjet 627 persona janë më pak të papunë.

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e dytë (TM2) 2016, është 27.9%, apo 328 mijë e 694 persona thuhet se kanë qenë të punësuar. Kurse, në tre muajt e parë të vitit shkalla e punësimit ka qenë është 25.5% e popullsisë në moshë pune. Shprehur në numra, i bie që të punësuar kanë qenë 300 mijë e 673 persona. Pra, sipas të dhënave të ASK-së për vetëm 3 muaj në Kosovë janë punësuar 28 mijë persona. Kurse, krahasuar me vitin 2015, numri i të punësuarve është për 32 mijë më shumë. Kjo rritje e shkallës së punësimit vjen pas një rënieje prej 25 mijë personave në vitin 2015 krahasuar me vitin 2014.

Agjencia e Statistikave ka vazhduar të ulë shkallën e papunësisë duke e rritur numrin e personave jo-aktivë.

Në tremujorin e parë të vitit 2016, nga popullsia në moshë pune, 64.8% nuk janë ekonomikisht aktivë. Personat joaktivë konsiderohen edhe ata që nuk janë të punësuar dhe që nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh. Shprehur në numra i bie që joaktivë në tremujorin e parë kanë qenë 764 mijë e 14 persona.

Krahasuar më vitin 2015, i bie që 31 mijë persona më shumë kanë qenë joaktivë. Rritja e kontingjentit të personave jo-aktivë ka ndikuar në uljen e shkallës së papunësisë. Në vitin 2015, në mesin e personave në moshë pune, 62.4% nuk kanë qenë ekonomikisht aktivë, apo 733 mijë e 432 persona.

Përderisa në periudhën janar-mars, ASK-ja thotë se është rritur numri i personave jo-aktivë, të kundërtën e thonë për tremujorin e dytë. Në tremujorin e dytë, ASK-ja thotë se shkalla e personave jo-aktivë ka rënë në 62.2 për qind. Shprehur në numra i bie që 32 mijë persona janë më pak në kontingjentin e personave joaktivë. Jo-aktivë konsiderohet edhe personat të cilët janë lodhur duke kërkuar punë dhe se me rastin e anketimit nuk besonin se mund të gjenin një vend pune.

“Nga 62.2% e popullsisë në moshë pune, që është joaktive. Prej tyre 114,437 persona nuk kërkonin punë sepse besonin se nuk ka punë, e të cilët ndryshe klasifikohen si persona të dekurajuar që përbëjnë 9.7 % të popullsisë në moshë pune, me nivele pak me larta për femrat se sa meshkujt”, thuhet në raportin e ASK-së për tre mujorin.

Nëse e analizojmë pjesën kur ASK-ja raporton për shkallën e personave joaktivë, del se zakonisht ka lëvizur numri i personave të dekurajuar.

“Nga 64.8% e popullsisë në moshë pune, që është joaktive. Prej tyre 140,678 persona nuk kërkonin punë sepse…”, thuhet në raportin e ASK-së për tremujorin e parë. “Nga 62.4% e popullsisë në moshë pune, që është joaktive, 22.5% (165,700 persona) nuk kërkonin punë sepse…”, thuhet në raportin e vitit 2015. Sipas ASK-së më shumë gjasa kanë të punësohen personat e dekurajuar e që nuk kërkojnë punë, se sa ata që kërkojnë punë.

Kosova është vendi me nivelin më të lartë të popullsisë joaktive. Në Serbi, në vitin 2015, 48.4% e personave në moshë pune ishin jo-aktivë. Në Mal të zi personat joaktivë përbënin 39.4% të personave në moshë pune, kurse në Shqipëri 38.5%. Vetëm Bosnja e Hercegovina i afrohen Kosovës me nivel të joaktiviteti me 56.3 për qind./ KALLXO

Reklamë
Reklamë

ASK: 64.8 për qind të papunë në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka realizuar anketën e fuqisë punëtore (AFP), për tremujorin e parë të këtij viti, ku thuhet se në kuadër të popullsisë me moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 35.2 për qind, transmeton, Koha.net.

Periskopi.com Lajme

Sipas ASK-së anketa ka pasur shtrirje në 591 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3 702 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit nga korniza e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, 2011.

“Punësimi më i lartë është te meshkujt, 38.6%; ndërsa punësimi te femrat është 12.2%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me rreth 51% të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e prodhimit, tregtisë dhe ndërtimtarisë, me rreth 44%.

Ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë, statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës. Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, del se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune, ku në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. Në kuadër të popullsisë me moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 35.2%”, thuhet në komunikatë.

Shkalla e punësimit në anketën e fuqisë punëtore për tremujorin e parë të këtij viti, është 25.5%.
“Punësimi më i lartë është te meshkujt, 38.6%; ndërsa punësimi te femrat është 12.2%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me rreth 51% të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e prodhimit, tregtisë dhe ndërtimtarisë, me rreth 44%.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 16.2%; prodhimi me 13.7%; arsimi me 11.8%; dhe ndërtimtaria me 8.9%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim. Sa i përket të punësuarve me kontrata, del se 29.2% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 70.8% kanë kontratë të përkohshme”, thuhet në komunikatë.

Sipas rezultateve të AFP-së, në tremujorin e parë të këtij viti, shkalla e papunësisë është 27.7%. Papunësia më e theksuar është te femrat me 30.0%, krahasuar me meshkujt, që është 26.9%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 53.8%.

Sipas rezultateve të AFP-së, në tremujorin e këtij viti, fuqia joaktive është mjaft e lartë, 64.8%, me fokus të veçantë te femrat me 82.6%, krahasuar me meshkujt, 47.2%.

“Për realizimin e AFP-së, TM1 2016, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostat-it. Është hera e parë që ASK-ja publikon të dhëna tremujore nga AFP-ja. Këto të dhëna në baza tremujore ASK-ja i publikon për shkak të interesimit të madh të përdoruesve të statistikave zyrtare dhe konsiderohen si të dhëna preliminare. ASK-ja, brenda mundësive buxhetore, në vazhdimësi po bën përpjekje për ngritjen e kapaciteteve për të publikuar statistika të qëndrueshme dhe sa më cilësore”, thuhet në komunikatë.

Reklamë
Reklamë