Anija shqiptare “Oriku” pjesë e operacionit të NATO-s në Egje

Është nisur sot nga Porti i Durrësit anija “Oriku” në operacionin e NATO-s “Sea Guardian” në Detin Egje, që ka si qëllim pengimin e trafikantëve të qenieve njerëzore dhe menaxhimin e fluksit migrator.

Periskopi.com Lajme

Në një njoftim zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, gjeneral brigade Dedë Prenga, ushtarakë dhe familjarë të efektivëve pjesëmarrës në mision.

Ministrja Kodheli në fjalën e saj përshëndetëse ndër të tjera tha se “Pasiguria në rritje në Mesdheun lindor e jugor ka sjellë nevojën e një reagimi të përbashkët nga të gjitha vendet e Aleancës sonë. Ngjarjet që ndodhin në Siri, Irak dhe jo vetëm demonstrojnë rëndësinë që ka NATO për të qenë e mirëpërgatitur dhe e kudogjendur për t’iu përgjigjur çdo krize të mundshme. Misioni ushtarak detar në Detin Egje, midis dy vendeve tona aleate, Greqisë dhe Turqisë, është dëshmia më e mirë e unitetit dhe gatishmërisë që të gjithë vendet e NATO-s kanë”.

Kodheli u shpreh më tej se prania e Shqipërisë Detin Egje, në radhë të parë i takon solidaritetit që vendi tregon ndaj fqinjëve dhe aleatëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes mësohet se ekuipazhi i anijes “Oriku” përbëhet nga 21 ushtarakë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Kjo anije do i bashkohet Greqisë dhe Turqisë, të cilët nën komandën e holandezëve do të vijojnë kryerjen e operacioneve të NATO-s.