Fjalimi emocionues i aktivistes britanike të Vetëvendosjes për 10 shkurtin

Alexandra Channer nga Britania që dikur ishte anëtare e kryesisë së Vetëvendosjes, ka kujtuar më shumë mall 10 shkurtin e vitit 2007 kur u vranë Mon Balaj dhe Arben Xheladini.

Periskopi.com Uncategorized

Ajo thotë se ajo ditë sa është e ëmbël aq e hidhur duke shpjeguar pse i sheh të tilla dhe kërkoi drejtësi për rastin e vrasjes së tyre e edhe për të Arbnor dhe Astrit Deharit.

Në një fjalim që bëri të gjithë me lot, ajo tha se djemve, që të gjithë të lartpërmendurve iu shkel e drejta për liri dhe shprehje.

Fjalimi i saj i plotë dhe përplot emocion:

E kemi një fjalë në anglisht që përshkruan një moment me dy shije të kundërta në të njëjtën kohë, kur diçka është e ëmbël por edhe i hidhur.

10 shkurti për mua është një ditë e tillë, e hidhur, por çuditërisht edhe e ëmbël.

E ëmbël; sepse jemi këtu sërish bashkë, kur shikoj sallën po shoh shumë miq të vjetër, shumë shokë dhe shoqe të Vetëvendosjes, Baci Shaban, Baci Kadri, motër e Monit, Fahri, Arlinda, motra të Arbenit dhe nënë.

Të gjithë jemi të bashkuar për shkak të 10 shkurtit dhe nga 10 shkurti.

Jemi të lidhur nga përvoja e asaj dite, dhe ato ditëve të vështira që pasuan demonstratën.

Jemi të lidhur nga Moni dhe Arbeni dhe nuk jemi vetëm ne bashkë në këtë sallë.

Jemi të bashkuar edhe në mendimet e të afërmve dhe miqve tanë që nuk mund të jenë sonte këtu. Ata që jetojnë larg, gjithandej, dhe ata që janë edhe në Prishtinë por janë në arrest shtëpiak.

Prandaj, po them se 10 shkurti është një ditë e ëmbël, sepse ka krijuar një dashni mes nesh, ka krijuar diçka të bukur, nga diçka të zezë. Na ka lidhur përgjithmonë.

Por, edhe shumë e hidhur është kjo ditë, sepse na bashkon në mungesën e Arbenit dhe Monit. Dhe kjo mungesë, mbetet e hidhur, për shkak të një padrejtësie të dyfishtë.

– Së pari dy qytetarë ishin vrarë dhe shumë të tjerë të lënduar, duke shprehur një prej të drejtave të tyre fondamentale, të drejtën për të protestuar paqësisht.

Bashkë me të drejtën e shprehjes dhe lirinë nga diskriminimi, këto tri të drejta dhe liri janë themele të një shteti demokratik.

– Së dyti, institucionet dhe policët përgjegjës kurrë nuk dhanë llogari për këtë akt. Kurrë nuk ka pasur një hetim efektiv dhe të pavarur.

Policët rumun shkuan në Rumani dhe më 2009 një prokuror ushtarak mbylli hetimin atje duke thënë se nuk u identifikuan policët përgjegjës për vrasjen.

Por, jo duke pranuar këtë padrejtësi, familjet Xheladini dhe Balaj bashkë me Zenel Zeneli dhe Mustafë Nerjova, ngritën rastin në panel te të drejtat e njeriut pranë UNMIK-ut.

Rasti u hap në maj 2007, me punën e Bacit Halim dhe dy avokatëve britaneze. Zgjati tetë vite deri në mars 2015 kur paneli publikoi mendimin e tyre. Dhe ky mendim është shumë i rëndësishëm, sepse konfirmuan pafajësinë totale të Arbenit, Monit, Zenelit, Mustafës dhe krejt të tjerëve.

Mendimi i panelit është :

– UNMIK-u ka shkelur të drejtën e jetës duke shkaktuar vdekje dhe lëndime dhe duke dështuar pastaj për të bërë një hetim efektiv.

-Paneli vendosi që UNMIK ka shkelur të drejtën për të protestuar paqësisht, sepse forca e përdorur nuk ka qenë e nevojshme dhe nuk kishte asnjë dëshmi që protestuesit, e veçanërisht Moni, Arbeni, Zeneli dhe Mustafa ishin të dhunshëm.

Në bazë të këtij mendimi, paneli dha edhe disa rekomandime për UNMIK-un:

– të pranoj përgjegjësinë për dështimin për tu kujdesur për jetën e tyre dhe të kërkoj falje publikisht për këtë dështim

– të jep llogari për dëmtimin moral

– të ndihmojë me çfarëdo hetimi lidhje me këtë rast në të ardhmen

– të merr hapat për të siguruar se një rast i tillë nuk ndodh përsëri

PSSP-ja nuk është e detyruar për të pranuar këto rekomandime por duhet të japin një përgjigje në formë të vendimit publik. Dy vite pas ende jemi duke e pritur këtë vendim.

Prandaj, mendimi dhe rekomandimi i panelit janë shumë të rëndësishme por pa zbatim, siç tha edhe Amnesty International sot në deklaratën e tyre: Janë vetëm hapi i parë drejtë drejtësisë.

Duke folur për rastin e 10 shkurtit, e di që në mendimet tuaja vjen edhe Astriti.

Edhe te Astriti kanë dështuar ato institucione që kishin detyrën dhe përgjegjësinë për tu kujdesur për jetën e tij.

Edhe tek Astriti deri tash nuk ka pasur hetim efektiv dhe të pavarur.

Edhe te Astriti ka një shkelje të të drejtës elementare, sepse ai u burgos për të ndaluar lirinë e shprehjes së tij.

Edhe tek Astiriti  do të ketë një pritje të gjatë të drejtësisë me shumë pengesa, por shpresoj me hapa të vegjël afër drejtësisë.

Para shumë vitesh kur të gjithë ishim më të ri, fola në këtë sallë për ditën e 10 shkurti, atëherë; thash që aq shumë janë përmendur emrat e Arbenit dhe Monit, saqë më dukeshin si vëllezër.

Tashmë keni humbur edhe dy vëllezër Astritin dhe Arbnorin.

Moni dhe Arbeni, Arbnori dhe Astriti, ata na zmadhojnë dhe na bashkojnë në dashuri dhe në vendosmëri.

Ju faleminderit.

 

 

 

VV thotë se një aktivist tjetër i tyre tash po terrorizohet psiqikisht në burgun e Lipjanit

Lëvizja Vetëvendosje thotë se sot, me shqetësim kanë marr informacione se Atdhe Arifi, sipas tyre, i burgosur padrejtësisht, po terrorizohet psiqikisht në mënyrë të vazhdueshme nga autoritetet e burgut të Lipjanit, ku po mbahet padrejtësisht.

Periskopi.com Lajme

“Familja e aktivistit Atdhe Arifi, që e kishte vizituar sot atë, na tregoi që Atdheu po provokohet nga zyrtarët e burgut, të cilët gjatë gjithë kohës i futen në dhomë, e marrin nëpër zyra të ndryshme, e terrorizojnë pas mesnate duke hyrë në dhomën e tij me bateri dore, dhe në vazhdimësi i thonë “mos bëj vetëvrasje edhe ti, siç ka bërë Astriti””, thuhet në njoftimin e tyre.

Ky subjekt vlerëson se vdekja e Astrit Deharit para tri ditësh, dhe pastaj terrorizimi psiqik ndaj aktivistit të tyre Atdhe Arifi, sipas tyre, flet për terrorin sistemik që po instalohet në Kosovë dhe që për cak ka thyerjen shpirtërore e fizike të të rinjve e të rejave që po guxojnë t’i rezistojnë kësaj Qeverie.

“Këto metoda fashiste, e kanë shndërruar Kosovën në vend autoritar e policor dhe kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme për qytetarët e vendit tonë. Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon lirimin e menjëhershëm të Egzon Halitit dhe Atdhe Arifit. Burgjet e këtij regjimi nuk janë më ambiente të sigurta, të qeta e normale për të burgosurit, e veçanërisht për të burgosurit politikë. Lirimi i Atdhe Arifit e Egzon Halitit duhet të bëhet menjëherë dhe pa kushte”, thuhet në reagimin e këtij subjekti./ Periskopi