vetvendosje

VV aksion te burgu i Lipjanit, për lirimin e aktivistit të tyre

Dhjetëra aktivistë të Vetëvendosjes, të prirë nga sekretari i saj organizativ, Dardan Molliqaj, kanë bërë një aksion para Qendrës Korrektuese në Lipjan, ku po mbahet njëri nga gjashtë aktivistët e akuzuar për terrorizëm, Atdhe Arifi.

Periskopi.com Lajme

Duke shfrytëzuar orarin e shëtitjes së mëngjesit të të burgosurve, nga ora 09:00 e mëngjesit, ata kanë mbajtur pranë rrethojave të burgut, një afishe me mbishkrimin: “Lironi të burgosurit politikë”, raporton KTV.

Aktivistët kanë thirrur në vazhdimësi emrin e Atdhe Arifit, ashtu që të mund të dëgjoheshin nga vetë ai, që supozohej se ishte duke shëtitur në oborrin e burgut.

Deputetja e Vetëvendosjes, Donika Kadaj – Bujupi, ka mbajtur një fjalim me zërim të lartë, duke kërkuar lirimin e Atdhe Arifit dhe të gjashtë aktivistëve të tjerë, për të cilët ajo tha se po mbahen në burg padrejtësisht.

Ndërsa Sami Kurteshi, i ka cilësuar burgosjet e aktivistëve si politike.

Ky aksion ka përfunduar i qetë dhe pa ndërhyrjen e policisë, pjesëtarë të së cilës e kanë përcjellë gjatë gjithë kohës atë.