Naser Osmani / Foto: Kushtrim Ternava

Aktakuzë për keqpërdorim e 5 milionëve, por vendos për buxhetin e shtetit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Naser Osmani ka një aktakuzë të rëndë, është deputet i LDK’së, por kjo nuk ishte pengese që ai të jetë edhe kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës.

Teuta GASHI Lajme

Djaloshi i rrezikshëm i Halil Budakoves – kishte aktruar në filmat e Budakoves – del të jetë po aq i rrezikshëm edhe për partinë e tij, LDK’në.

Ata asnjëherë nuk ia kërkuan dorëheqjen, aq më pak ta shkarkonin nga posti i kryetarit të Komisionit, raporton Periskopi

Ai vet nuk e komenton këtë çështje, flet vetëm për aktakuzën ndaj tij, që e quan drejtësi selektive.

Analistët dhe monitoruesit e Kuvendit vlerësojnë se ai nuk do të duhej të ishte në krye të Komisionit për Buxhet, të paktën për çështje morale, meqë partia në të cilën ishte kandidat, LDK, nuk po ka guximin ta shkarkojë.

Osmani për Periskopi.com thotë se ai akuzohet për votim që ka bërë në vitin 2010 për lirimin nga mbikëqyrja e fabrikës “FAN” në Podujevë.

Ai vlerëson se votimi është e drejtë e garantuar e secilit.

Por, i pyetur se çfarë ndodh kur vërtetohet që dikush voton i ndikuar, ai tha se ndaj tij është bërë drejtësi selektive

Nuk ka pranuar të deklarohet sa i përket dorëheqjes së mundshme nga Komisioni parlamentar për buxhet dhe financa.

Në anën tjetër, monitoruesi i Kuvendit të Kosovës nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Albert Krasniqi thotë për Periskopi. com se Osmani do të duhej të jepte dorëheqje për shkaqe morale.

Madje sipas tij, marrëveshja e partive në koalicion PDK-LDK për largimin e ministrave që kanë aktakuzë do të duhej të vlente edhe për kryetarët e Komisioneve Parlamentare.

“Naser Osmani ende nuk është shpallë fajtor, vlen prezumimi i pafajësisë. Kjo do të duhej të ishte çështje e partisë, ata të përcaktoheshin që të mos mbajnë në poste njerëz me aktakuzë. Por për shkaqe morale ish dashtë më dhanë dorëheqje”, thotë Krasniqi.

Edhe analisti Imer Mushkolaj mendon se Osmani do të duhej të jepte dorëheqje.

Mushkolaj për Periskopi.com thotë se partitë politike në koalicion do të duhet t’i pastrojnë institucionet nga njerëz të dyshuar dhe të akuzuar për vepra penale.

“Është demagogji të flasësh për luftimin e krimit e të korrupsionit, si dhe për institucione demokratike, ndërkohë që në to mbajnë poste njerëz të inkriminuar e me aktakuza. Të tillët do të duhej të jepnin dorëheqje ose të shkarkoheshin nga partia, por fatkeqësisht në Kosovë kjo nuk ndodh”, thotë Mushkolaj.

Madje sipas Mushkolajt, brenda LDK-së ekzistojnë struktura dhe individë të ndryshëm, të cilët edhe i mbrojnë të tillët si Osmani.

“Por, LDK do të duhej ta gjente vullnetin për të vepruar në të mirë të ligjit dhe të institucioneve”, thotë ai.

Ndryshe, bashkë me deputetin Naser Osmani të akuzuar janë edhe Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Agron Kamberi, Adrian Kelmendi dhe Agim Deshishku.

Përveç Agim Deshishkut, që është blerës i ndërmarrjes “FAN” në Podujevë, të gjithë të akuzuarit e tjerë ishin zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në kohën për të cilën akuzohen.

Sipas aktakuzës Naser Osmani e Bahri Shabani ngarkohen se në bashkëkryerje me persona tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk e kanë përmbushur këtë detyrë duke ia mundësuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror vetes ose tjetrit, përkatësisht blerësit të Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”, Sh.P.K. të pandehurit Agim Deshishku në vlerën rreth 5.400.000.00 euro.

Blerësi i kësaj fabrike sipas kontratës me AKP-në duhej të bënte investime në të. Osmani e Shabani akuzohen edhe se si anëtarë të Bordit Drejtues të AKP-së kanë vendosur dhe votuar “për” që investimet e bëra jashtë hapësirave të ndërmarrjes të pranohen si investime brenda saj, duke liruar Ndërmarrjen e Re “FAN-Podujevë” nga monitorimi i AKP-së dhe kushtet e Marrëveshjes së Zotimeve.

Me këto veprime prokuroria pretendon se Osmani e Shabani kanë kryer keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Edhe Shkelzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi dhe Agron Kamberi në cilësinë e personave zyrtarë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit akuzohen si Osmani e Shabani në lidhje me përfitimin e paligjshëm të vetes ose blerësit të fabrikës “FAN” të Podujevës.

Lluka e Avdiu akuzohen se nuk ndërmorën masa edhe për zbatimin e  kontratës mes AKP-së e blerësit të fabrikës “FAN”.

Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi dhe Agron Kamberi ishin përgjegjës për monitorimin e investimeve të blerësit të ndërmarrjes “FAN”, ndërsa ata ngarkohen se “nuk kanë kontrolluar dhe monitoruar investimet e raportuara nga investitori, nuk kanë verifikuar deklarimet për investime, nuk kanë bërë monitorimin fizik të investimeve kapitale, verifikimin e dokumentacionit financiar të investimeve kapitale dhe zotimeve për punësim,”.

Agim Deshishku, blerësi i fabrikës “FAN” akuzohet se mashtroi zyrtarët e AKP-së me paraqitje të rreme ose fshehje të fakteve, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Deshishku akuzohet për mashtrim, legalizim i përmbajtjes së rreme dhe shmangie nga tatimi./ Periskopi

Hoteli Grand / Ilustrim

Pas gati 2 vjetësh, zhbllokohet procesi i privatizimit në Kosovë

Pas më shumë se dy vjet bllokade, në fillim të dhjetorit pritet të kthehet procesi i privatizimit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Periskopi.com Lajme

Për shkak të aseteve jo shumë të mëdha, kjo agjenci ka vendosur që shitjen e 50 aseteve të ndryshme ta bëjë përmes procesit të likuidimit, raporton KTV.

Zyrtarë të kësaj agjencie kanë bërë të ditur se deri në përfundim të këtij viti do të jenë dy procese të likuidimit. Ndërsa për vitin e ardhshëm, procesi i shitjes do të dinamizohet.

Zëvendësdrejtoreshë menaxhuese e AKP-së, Valbona Dibra ka thënë se AKP-ja është duke vlerësuar mënyrën e privatizimit të ndërmarrjeve të mëdha siç janë ato në Gjakovë, por edhe Hotel Grandin në Prishtinë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e bizneseve presin që menaxhmenti dhe bordi i ri të mësojnë nga gabimet e kaluara e kësaj agjencie, pasi i njëjti ka rëndësi për zhvillimin ekonomik të vendit.

Madje sipas tyre, bllokada në privatizim është një nga faktorët ndikues të rënies së investimeve të jashtme.

Al Petrol

13 pika të karburanteve në dry, AKP e “AL Petrol” përballen në gjykatë

Qe një kohë 13 pika të derivateve të naftës, asete shoqërore kanë mbetur të mbyllura në dry dhe nga mos operimi i tyre, AKP-ja po humb mijëra euro. Këto asete i ishin dhënë kompanisë “AL-Petrol” me qira, por pas një mosmarrëveshje me AKP-në kjo kompani kishte hequr dorë nga to.

Periskopi.com Lajme

Agjencia këmbëngul se “AL Petrol” i mbeti borxh për qiranë, ndërsa ish qiraxhiu e ka paditur agjencinë në gjykatë nën pretendimin se ia pagoi AKP-së qiranë për pikat të cilat i shfrytëzoi.

Në fillim të këtij viti, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) kishte arritur të fut nën kontroll asetete e veta të derivateve që kanë qenë të uzurpuara. Më pas njëzet e gjashtë pompa të derivateve ishin lëshuar me qira. Trembëdhjetë sosh i ka të lëshuara me qira.

Ndërkaq, sipas AKP-së, mospagesa e qirasë nga ana e kompanisë së derivateve të naftës, “AL Petrol”, ka rezultuar me mbylljen e trembëdhjetë pikave të karburanteve në gjithë Kosovën, raporton lajmi.net.

“AL Petrol ka hequr dorë nga të gjitha pikat e shitjes së derivateve, përkatësisht 13 pika që kishte shfrytëzuar me qira. AL Petrol ka bërë njoftim me shkrim se arsyeja e tërheqjes është mos vazhdimi i kontratës së qirasë, ndërkaq AKP nuk e ka vazhduar këtë kontratë pa u paguar qiratë e prapambetura mujore. AL Petroli i ka borxh AKP-së dhe AKP-ja do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore për inkasimin e borxhit. Këto pika të karburanteve janë nën administrimin e Agjencisë dhe së shpejti do të dalin në tender publik për qiradhënie”, ka bërë të ditur për lajmi.net zyra për marrëdhënie me publik dhe media e AKP, duke shtuar se, AKP-ja aktualisht i ka dhënë në shfrytëzim me kontrata të qirasë trembëdhjetë pika të karburanteve tek shfrytëzuesit, përmes procesit të rregullt konkurrues.

“Pikat e karburanteve shfrytëzohen nga qiramarrësit në vijim: 1.IPKOS – Kontratë e vazhduar, 2. D Petrol – Kontrata nuk është vazhduar ende, 3. Ina Trgovina – Kontrata në proces të nënshkrimit, 4. Ilirian Power – Kontrata e vazhduar, 5 NTP Besarti – Kontrata nuk është vazhduar”.

Në AKP, nuk kanë treguar se sa është borxhi total i ish qiraxhiut.

Nga ana tjetër, Zyra për marrëdhënie me publikun e “AL Petrol”, thotë se AKP-ja u ka atyre mijëra euro borxh dhe se për këtë e kanë paditur në Gjykatë.

“Kontrata e AL Petrol me AKP ka përfunduar më herët dhe “AL Petrol” nuk i ka borxh AKP-së, por AKP-ja i ka borxh kompanisë AL Petrol në vlerë prej  420.000 euro për qiranë që e kemi paguar për pikat të cilat nuk i kemi shfrytëzuar. Kompania AL Petrol e ka paditur AKP-në për këtë dhe lënda është në Gjykate”, kanë thënë zyrtarët e “AL Petrol”.

Shumica e këtyre pikave të karburanteve kanë qenë të uzurpuara për disa vite nga biznesmeni, Bedri Selmani (Kosova Petrol).

AKP

Pas një viti rifillon privatizimi

Pavarësisht se po bëhet gati një vit qëkur është funksionalizuar Bordi i AKP-së, asnjë ndërmarrjeve shoqërore (NSH) deri më tash nuk është privatizuar. Zyrtarë të AKP-së thonë që vala e re e privatizimit do të shpallet më 4 nëntor, ku gjithsej do të jenë 54 asete nga rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës.

Periskopi.com Lajme

“Agjencia ka filluar me valët e reja të shitjeve të aseteve të NSH-ve dhe vala e re Nr. 27 do t’i përmbajë gjithsej 54 asete nga rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës, ndërsa shpallja e valës do të bëhet më datë 4 nëntor, përderisa ceremonia e dorëzimit dhe e hapjes së ofertave do të mbahet një muaj më vonë, më datë 7 dhjetor”, thuhet në përgjigjen e AKP-së, dhënë gazetës. Sipas tyre, pengesat e deritashme për mosprivatizimin e ndërmarrjeve shoqërore kanë ngecur për mungesë të Bordit të Drejtorëve.

“Me zgjedhjen e anëtarëve të Bordit nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe inaugurimin e Bordit të ri të Drejtorëve, Agjencia ka punuar intensivisht në përfundimin e punëve të mbetura nga periudha e shkuar, ka përfunduar procesin e zgjedhjes së menaxhmentit të ri të Agjencisë përmes një procesi të hapur dhe konkurrues, si dhe ka bërë ndryshimet e nevojshme në politikat operuese dhe në rregullat e tenderit, me qëllim të përmirësimit të procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre. Menaxhmenti i Agjencisë ka bërë të gjitha përgatitjet për valën e re të shitjeve dhe vala e re e shitjeve të aseteve tashmë është aprovuar nga Bordi i Drejtorëve në mbledhjen e mbajtur, më datë 13 tetor, ndërsa shpallja do të bëhet në fillim të muajit të ardhshëm”, thuhet më tej në përgjigje./Zëri