sormani

Sormani largohet nga Partizani

Adolfo Sormani i jep lamtumirën Partizanit. Trajneri që vetëm pak muaj më parë u prezantua me shumë bujë, ka ndërprerë bashkëpunimin me të kuqtë pas startit jo në pritshmëritë e drejtuesve të skuadrës së kuqe.

Periskopi.com Sporti

Lajmin e bën të ditur klubi kryeqytetas në faqen zyrtare ku thekson se divorci ka ardhur pasi palët kanë rënë dakort për të ndjekur rrugë të ndryshme.

“Klubi njofton se Adolfo Sormani ka ndërprerë aventurën me të kuqtë. Traineri Italian nga sot nuk do të jetë më në drejtimin e 15 –të herë kampionëve të vendit. Palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët duke ndërprerë më mirkuptim bashkëpunimin mes tyre. Në krye të ekipit emërohet Sulejman Starova”, thekson Partizani në komunikatën zyrtare, ku nuk sqaron nëse Starova do ta drejtojë ekipin për shumë kohë apo do do të jetë emri tranzitor i stolit të kuq. Ishte data 1 korrik kur klubi kryeqytetas prezantoi trajnerin italian Adolfo Sormani, por pas 2 muajve e gjysmë, 51-vjeçari nuk arriti të mbijetonte në stolin e skuadrës, pavarësisht kualifikimit historik në turin e tretë të UEFA Chamions League.

Pas 5 javëve të para të Kategorisë Superiore, Partizani renditet në vendin e 3 me 8 pikë, 7 më pak se Skënderbeu kryesues. Humbja e fundit në Kukës duket se vulosi fatin e trajnerit që erdhi në vendin tonë mes pritshmërive të mëdha, duke vendosur si objektiv edhe vazhdimin e projektit të nisur nga klubi për rritjen e mëtejshme të sistemit zinxhir.