Ulja fiktive e shkallës së papunësisë

Në vitin 2014, shkalla e papunësisë ka qenë 35.5 për qind, ndërsa të punësuar kanë qenë 323 mijë persona. Në qershorin e vitit 2016, papunësia ka rënë në 26.2 për qind, ndërsa të punësuar kanë qenë 328 mijë persona. Pra ka vetëm 5 mijë persona më shumë të punësuar në vitin 2016 se sa që kishte në vitin 2014, por është shënuar ulje të shkallës së papunësisë prej 9.3 pika të përqindjes.

Periskopi.com Lajme

Agjencia e Statistikave vazhdon të prodhojë numra jo-kredibilë sa i përket papunësisë dhe nivelit të punësimit në Kosovë. Në qershorin e vitit 2016, sipas ASK-së, në Kosovë kanë qenë të punësuar 328 mijë persona. Kurse, në vitin 2014, numri i personave të punësuar ka qenë 323 mijë. Pra ka vetëm 5 mijë persona më pak të punësuar në vitin 2014 se sa në vitin 2016.

Derisa, niveli i punësimit ndryshon shumë pak, ASK-ja ka raportuar për një diskrepancë të madhe për sa i përket shkallës së papunësisë. Në vitin 2014 shkalla e papunësisë ka qenë 35.5 për qind, kurse në qershorin e vitit 2016 papunësia ka rënë në 26.2 për qind. Pra, kemi një ulje të shkallës së papunësisë prej 9.3 pika të përqindjes. Por, nëse përllogaritet numrat e punësimit i bie që shkalla e punësimit në vitin 2016 është rritur për vetëm 1.6 për qind në vitin 2014.

Historiku i anketave të fuqisë punëtore që i bën ASK-ja tregon për një lëvizje të shkallës së papunësisë që nuk është në përputhje me atë të punësimit. Në të kaluarën shkalla e papunësisë është ulur apo rritur kryesisht duke lëvizur numrin e personave që nuk janë aktivë.

Agjencia e Statistikave i ka publikuar dy Anketa të Fuqisë Punëtore për vitin 2016. Njëra është për tremujorin e parë, pra përiudhën janar-mars. Kurse, Anketa tjetër është për periudhën mars-qershor. Anketat janë publikuar, të premten, në një diferencë prej 1 orësh.

Shkalla e papunësisë në tremujorin e parë të vitit 2016, sipas ASK-së, ka qenë 27.7 për qind, apo të papunë kanë qenë 115 mijë e 93 persona.

Papunësia në tremujorin e dytë ka rënë për nga përqindja, por jo edhe për nga numri i personave të papunë. Sipas ASK-së, shkalla e papunësisë ka qenë 26.2 për qind, ndërsa të papunë janë llogaritur 116 mijë e 812 mijë persona. Pra, edhe pse kemi rreth 1 mijë persona më shumë të papunë, ASK-ja thotë se shkalla e papunësisë ka rënë për rreth 1.5 pika të përqindjes.

Këto të dhëna tregojnë për një rënie të madhe të papunësisë krahasuar me vitin 2015. Të dhënat e ASK-së thonë se shkalla e papunësisë në vitin 2015 ishte 32.9 për qind, apo 145 mijë e 776 persona konsideroheshin si të papunë. Pra, ASK-ja thotë se për vetëm gjashtë muaj (janar–qershor), 30 mijë persona janë konsideruar të papunë më pak se sa në vitin 2016.

E në vitin 2014, shkalla e papunësisë ka qenë 35.5 për qind, ndërsa të papunë janë llogaritur 176 mijë e 743 persona. Pra, sipas ASK-së, për dy vjet 627 persona janë më pak të papunë.

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e dytë (TM2) 2016, është 27.9%, apo 328 mijë e 694 persona thuhet se kanë qenë të punësuar. Kurse, në tre muajt e parë të vitit shkalla e punësimit ka qenë është 25.5% e popullsisë në moshë pune. Shprehur në numra, i bie që të punësuar kanë qenë 300 mijë e 673 persona. Pra, sipas të dhënave të ASK-së për vetëm 3 muaj në Kosovë janë punësuar 28 mijë persona. Kurse, krahasuar me vitin 2015, numri i të punësuarve është për 32 mijë më shumë. Kjo rritje e shkallës së punësimit vjen pas një rënieje prej 25 mijë personave në vitin 2015 krahasuar me vitin 2014.

Agjencia e Statistikave ka vazhduar të ulë shkallën e papunësisë duke e rritur numrin e personave jo-aktivë.

Në tremujorin e parë të vitit 2016, nga popullsia në moshë pune, 64.8% nuk janë ekonomikisht aktivë. Personat joaktivë konsiderohen edhe ata që nuk janë të punësuar dhe që nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh. Shprehur në numra i bie që joaktivë në tremujorin e parë kanë qenë 764 mijë e 14 persona.

Krahasuar më vitin 2015, i bie që 31 mijë persona më shumë kanë qenë joaktivë. Rritja e kontingjentit të personave jo-aktivë ka ndikuar në uljen e shkallës së papunësisë. Në vitin 2015, në mesin e personave në moshë pune, 62.4% nuk kanë qenë ekonomikisht aktivë, apo 733 mijë e 432 persona.

Përderisa në periudhën janar-mars, ASK-ja thotë se është rritur numri i personave jo-aktivë, të kundërtën e thonë për tremujorin e dytë. Në tremujorin e dytë, ASK-ja thotë se shkalla e personave jo-aktivë ka rënë në 62.2 për qind. Shprehur në numra i bie që 32 mijë persona janë më pak në kontingjentin e personave joaktivë. Jo-aktivë konsiderohet edhe personat të cilët janë lodhur duke kërkuar punë dhe se me rastin e anketimit nuk besonin se mund të gjenin një vend pune.

“Nga 62.2% e popullsisë në moshë pune, që është joaktive. Prej tyre 114,437 persona nuk kërkonin punë sepse besonin se nuk ka punë, e të cilët ndryshe klasifikohen si persona të dekurajuar që përbëjnë 9.7 % të popullsisë në moshë pune, me nivele pak me larta për femrat se sa meshkujt”, thuhet në raportin e ASK-së për tre mujorin.

Nëse e analizojmë pjesën kur ASK-ja raporton për shkallën e personave joaktivë, del se zakonisht ka lëvizur numri i personave të dekurajuar.

“Nga 64.8% e popullsisë në moshë pune, që është joaktive. Prej tyre 140,678 persona nuk kërkonin punë sepse…”, thuhet në raportin e ASK-së për tremujorin e parë. “Nga 62.4% e popullsisë në moshë pune, që është joaktive, 22.5% (165,700 persona) nuk kërkonin punë sepse…”, thuhet në raportin e vitit 2015. Sipas ASK-së më shumë gjasa kanë të punësohen personat e dekurajuar e që nuk kërkojnë punë, se sa ata që kërkojnë punë.

Kosova është vendi me nivelin më të lartë të popullsisë joaktive. Në Serbi, në vitin 2015, 48.4% e personave në moshë pune ishin jo-aktivë. Në Mal të zi personat joaktivë përbënin 39.4% të personave në moshë pune, kurse në Shqipëri 38.5%. Vetëm Bosnja e Hercegovina i afrohen Kosovës me nivel të joaktiviteti me 56.3 për qind./ KALLXO