‘Zbuluesi’ i viti 2016 – Adem Salihaj me fisin e tij “Kalash”

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Adem Salihaj gjatë vitit që po lëmë pas ka habitur të gjithë me një ‘zbulim’ të tij.

Periskopi.com Lajme

‘Zbulimin’ e tij vendosi që ta prezantojë në një konferencë të thirruar pranë bustit të ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Në mënyrë që të dukej sa më serioz, me disa dokumente në duar Slihaj tha se kishte zbuluar një fis ilir të quajtur “Kalasha” në Afganistan.

Kjo që kishte thënë Salihaj kishte shkaktuar shumë tallje në rrjetet sociale. E, kjo si duket ia ka shuar entuziazmin dhe seriozitetin që kishte ai për këtë punë.

Tani që kanë kaluar disa muaj pas prezantimit të ‘zbulimit madhor’, Salihaj zgjedh të heshtë për këtëçështje.

Gjatë prezantimit të këtij ‘zbulimi’ Salihaj u bëri thirrje Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që të merren seriozisht me këtë çështje, duke kërkuar që të shkohet për ekspertizë më të thellë në Afganistan, edhe pse dihej se ata jetojnë në Pakistan.

E, i kontaktuar nga Periskopi për ta pyetur se ku ka shkuar puna për ekspertizën në lidhje me këtë fis, ai nuk ka pranuar të flas për këtë temë, me arsyetimin e se nuk është marrë seriozisht.

Se ky fisi ekziston dihej edhe më herët, por si duket Slihaj nuk kishte informacion, ose diçka e shtyri që të bëhej kinse nuk e di, e të dal qesharak para të gjithëve.

Në kohën kur Salihaj doli të fliste për këtë temë, Periskopi pati mësuar se ai konferencën e kishte thirruar për një temë krejt tjetër dhe shumë serioze, por që në minutata e fundit ai kishte vendosur ta ndërrojë temën.

Disa ditë para se ai të filste për kalashët, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi kishte kërkuar nga Prokuroria që të fillojë hetime për atentatit ndaj Rugovës, e një natë më parë tha se atentati ndaj tij ndodh pak qaste para se ata të dy bashkë, Rugova dhe Thaçi të në nënshkruanin një koalicion për krijimin e Qeverisë së re. Kjo sipas Thaçit, ndodhi në vitin 2015.

E, i pyetur nëse tentoi të fliste për vrasjen e pasluftës dhe u kërcënua nga dikush, Salihaj kishte mohuar  të ketë ndodhur një gjë e tillë.

“Jo, nuk jam kërcënuar nga askush, sot isha në katër televizione të ndryshme dhe i thash të gjitha ato, që mendoj se duhet thënë lidhur me deklarimet e Thaçit dhe aktualitetin politik”, pati thënë Salihaj.

E për kalashët e Salihajt shumë media në botë,  shumë vite më parë kishin raportuar për këtë popull. Madje edhe gjenetikisht ka dalë se ADN-ja e popullit Kalash janë një përzierje gjaku nga Evropa që nga koha e pushtimeve të Aleksandrit. Ky popull thuhet se me shumë gjasa janë pasardhës të drejtpërdrejtë të ushtrive të lashta greko-maqedonase e që në Pakistan u zhvendosën rreth 2 mijë e 300 vite më parë.

Jo vetëm mediat nëpër botë, në Kosovë, publicisti Fahri Xharra që shumë vite thotë se ky popull janë me prejardhje shqiptare, pra ilirë./Periskopi

 

 

Reklamë
Reklamë

2016-ta, vit i krizës për BE-në

Njëlloj sikur Brexit, çështje tjetër që lëkundi imazhin e BE-së ishte edhe politika në lidhje me refugjatët. Më 16 janar, Austria mbylli kufirin e saj me Slloveninë dhe Hungarinë

Periskopi.com Lajme

Viti 2016 për Bashkimin Evropian (BE) ishte vit kur përmes Brexit-it u vë në pikëpyetje e ardhmja e tij, vit kur u sprovua “shoqërimi” i tij me Ukrainën, vit kur ngeli pa ndikim në Siri, vit kur anëtarët e tij “u rebeluan” dhe vit i ngritjes së partive populiste anti-Bruksel, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky vit veçanërisht kaloi i tendosur për shkak të debateve në lidhje me Brexit-in. Kryeministri i atëhershëm britanik, David Cameron, në Samitin e Liderëve të BE-së që u mbajt në muajin shkurt tha se ka arritur marrëveshjen e nevojshme për të ngelur në BE dhe se në referendum do të zhvillonte fushatën në këtë drejtim.

Megjithatë, në referendumin më 23 qershor, qytetarët e Britanisë votuan në favor të shkëputjes nga BE-ja. Shteti më i fuqishëm i Unionit, Gjermania, vendimin e Brexit, që kishte kuptimin e një triumfi të së djathtës ekstreme, e cilësoi se “plagë e thellë”. Përderisa për herë të parë një shtet mori vendimin për ndarje nga Unioni, në të njëjtën kohë filloi të vihet në pikëpyetje e ardhmja e BE-së.

Kriza e refugjatëve

Njëlloj sikur Brexit, çështje tjetër që lëkundi imazhin e BE-së ishte edhe politika në lidhje me refugjatët. Më 16 janar, Austria mbylli kufirin e saj me Slloveninë dhe Hungarinë. Më pas, Austrinë e ndoqën edhe shtetet e Ballkanit.

Megjithëse në saj të marrëveshjes me Turqinë kalimet në Greqi u zvogëluan, kalimet në Itali përmes Mesdheut shënuan rritje. Kjo rritje në të njëjtën kohë solli me vete 4.500 viktima që humbën jetën në Mesdhe, e cila është rrugë më e rrezikshme.

Derisa disa shtete shpalosën qëndrimin e tyre kundër pranimit të refugjatëve, BE-ja u drejtua drejt një marrëveshjeje me Afganistanin dhe disa shteteve të Afrikës që parashihte mbështetje financiare, në mënyrë që të mund t’i kthente migrantët ilegalë. Nga ana tjetër, BE-ja dështoi në zbatimin e detyrimeve të marrëveshjes së 18 marsit të arritur me Turqinë. Ndërsa BE-ja vazhdimisht ngrit zërin për të drejtat e njeriut, qëndrimi i saj kundrejt refugjatëve vuri në pikëpyetje vlerat e saj.

U mjaftua vetëm “duke dënuar” në lidhje me Sirinë

Ndërkohë, lufta në Siri tregoi përmasat e ndikimit të BE-së. Veprimet e BE-së, të cilat përveç tryezave nuk u gjendën në praktikë, ngelën të kufizuara vetëm me deklarata dënimi. Sanksionet e mundshme të saj kundrejt Rusisë për rolin e saj në Siri, u bllokuan nga vetoja italiane.

Presidenti francez François Hollande, në fjalën e tij gjatë samitit të fundit të liderëve në këtë vit, aludoi në paaftësinë e BE-së duke u shprehur: “Në qoftë se 28 shtete nuk mund të arrijnë marrëveshje për një problem të këtillë dhe në qoftë se nuk mund ta dënojnë një masakër, atëherë pse kemi një union prej 28 shtetesh”. Derisa me deklaratën finale të samitit të liderëve dënoheshin regjimi sirian, Rusia dhe Irani, Turqia arriti marrëveshje për evakuimin e civilëve nga Halepi.

Frika nga sulmet terroriste

Edhe terrori u bë shkak i ngjeshjes së axhendës së BE-së në vitin 2016. Organizata terroriste DEASH, e cila vitin e kaluar realizoi sulmet në Paris, më 22 mars goditi Brukselin me bomba, ndërsa më 14 korrik qytetin francez të Nicës përmes një kamioni i cili u fut midis një turme. Në këto dy sulme, jetën humbën afër 120 persona, ndërkohë që kohë pas kohe në Gjermani, Francë dhe Bruksel u organizuan sulme me thika që synuan policinë apo qytetarët.

Për efikasitet më të madh, Brukseli ndryshoi dokumentin kornizë për luftën kundër terrorizmit. Megjithatë, ky hap nuk prodhoi zgjidhje. Më 19 dhjetor, në kryeqytetin gjerman, Berlin, u organizua sulm me kamion ndaj turmës një treg të Krishtlindjeve. Si pasojë e këtij sulmi që sërish u mor përsipër nga DEASH-i, jetën humbën 12 persona.

Shqetësimet nga fitorja e Trump

Fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA, i cili mbronte mendimin se Evropa duhet të rrisë shpenzimet për mbrojtje dhe ishte kundër marrëveshjeve tregtare me Evropën, hapi rrugën për merakosje në Bruksel. Planet e tij Brukseli i kishte ndërtuar duke u mbështetur në fitoren e Hillary Clinton-it, ndërkohë që menjëherë pas qartësimit të rezultateve, përmes një deklarate të përbashkët, Trump u ftua në samitin e liderëve.

Disa ditë pas zgjedhjeve, më 13 nëntor, ministrat e Jashtëm të BE-së u mblodhën në një drekë të përbashkët pune për të diskutuar në lidhje me efektet e fitores së Donald Trump. “Na merr në konsideratë!”, ishte mesazhi që iu dërgua Trumpit, ndërkohë që Trump ende nuk është takuar as me Juncker, as me Tusk.

Aneksim, luftë e brendshme, vdekje: Çmimi i besimit në BE-në

Nga ana tjetër, Marrëveshja e Partneritetit për Ukrainën vuri në pikëpyetje “çmimin që duhet paguar për besimin në BE-në”. Incidentet që filluan me kundërshtimin e marrëveshjes së presidentit të atëhershëm Viktor Janukoviç me BE-në më 21 nëntor të vitit 2013, hapën rrugën për luftën që ende vazhdon në lindje të vendit, aneksimin e Krimesë dhe vdekjen e 9.758 personave.

Në vazhdën e kësaj, në referendumin që u mbajt në Holandë më 6 prill, Marrëveshja e Partneritetit BE-Ukrainë u refuzua me shumicë absolute, njëlloj siç kishin dëshiruar partitë populiste. Ndërkaq, në samitin e fundit të vitit, liderët e BE-së sollën kufizime në Marrëveshjen e Partneritetit BE-Ukrainë për shkak të kundërshtimit në Holandë.

Edhe krahas të gjitha këtyre kufizimeve, a do të zbatohet marrëveshja ose jo ngelet të qartësohet me miratimin e Parlamentit të Holandës. Përderisa qeveria e Ukrainës përjetoi dëshpërim, Marrëveshja e boshatisur e Partneritetit u bë “certifikata e shoqërimit” me Brukselin.

Gjithashtu, fakti që Brukseli ende nuk ka hequr vizat për qytetarët e Ukrainës dhe Gjeorgjisë edhe krahas përmbushjes së kritereve, hapi debatet në lidhje me atë se sa BE-ja u ngelet besnik premtimeve.

Mposhtja në Moldavi

Me triumfin e pro-rusit Igor Dodon, kryetarit të Partisë Socialiste, në zgjedhjet që u mbajtën në ish-republikën sovjetike të Moldavisë, BE-ja e përballur me probleme besueshmërie dhe lëkundje të imazhit, mori goditje në përpjekjet e saj kundër Moskës. Ulja e flamurit të BE-së nga Dodon para Presidencës në ditët e fundit të vitit, ishte tregues i thyerjes së ndikueshmërisë së Brukselit.

Shtet tjetër ku u forcua efekti Moldavi kundër Brukselit ishte Bullgaria. Në zgjedhjet presidenciale më 6 nëntor, fitues doli pro-rusi Rumen Radev, ish-komandant i Forcave Ajrore. Kryeministri Bojko Borisov, i cili mbështeti kundërshtarin e Radevit në zgjedhje, dha dorëheqje pas shpalljes së rezultateve, ndërkohë që temë debati u bënë politikat e mundshme që do t’i ndiqte presidenti i ri.

Në Itali u refuzuan “politikat pro-BE”

Kryeministri i Italisë, Mateo Renzi, u detyrua të japë dorëheqje pas humbjes në referendumin për ndryshime kushtetuese që u mbajt më 5 dhjetor. Refuzimi në referendum u cilësua “refuzim ndaj politikave pro-BE” të Renzit, ndërkohë që Lëvizja ‘5 Yje’, parti euroskeptike, shënoi ngritje. Në rast se pas zgjedhjeve që do të mbahen në pushtet vjen Lëvizja ‘5 Yje’, e cila është në favor të daljes nga eurozona, Italinë e pret ndryshim i madh në politikat e BE-së. Paqartësia e cila vazhdon ka ngritur shqetësime për thellim të krizës në sektorin bankar.

Forcimi i së djathtës ekstreme në Austri

Në zgjedhjet që u mbajtën në Austri më 22 maj, kandidati djathtist ekstrem Norbert Hofer nga Partia e Lirisë e Austrisë (FPÖ) humbi me diferencë të vogël. Pas ankesave, zgjedhjet u përsëritën më 4 dhjetor, kurse fitues kësaj radhe doli kandidati i pavarur i së majtës Alexander Van der Bellen, gjë që zvogëloi shqetësimet e Brukselit. Megjithë këtë, shqetësime ka shkaktuar fakti që FPÖ ende ngelet partia më e fuqishme.

Anëtarët e BE-së u revoltuan ndaj BE-së

Në vitin 2016, shtetet që njihen si V4, Çekia, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia, u revoltuan ndaj Brukselit, pasi kjo e fundit e bëri të detyrueshme pranimin e refugjatëve nga shtetet anëtare. Shtetet V4, të cilët morën emrin nga qyteza hungareze ku u mbajt takimi i parë, Visegrad, njoftuan se nuk do të pranonin refugjatë, duke i detyruar BE-në dhe anëtarët e tjerë të bëjnë ndryshime të politikave.

Nga këto shtete, vëmendje më të madhe tërhoqi Hungaria. Kryeministri hungarez Victor Orban tërhoqi reagime si përmes deklaratave kundër refugjatëve, njashtu edhe me referendumin për mospranimin e refugjatëve, ndërsa shpesh u akuzua për “tendenca autokratike”. Ndërka, Jean Asselborn, ministri i jashtëm i Luksembuergut i cili kritikoi ashpër qeverinë Orban, bëri thirrje për largimin e Hungarisë nga BE-ja.

Polonisë iu dha afat prej dy muajsh

Vend tjetër me të cilin Brukseli kishte probleme ishte Polonia. Me arsyetimin për mospërputhje me parimet e sundimit të ligjit, Komisioni Evropian i dha Polonisë afat prej dy muajsh për ta tërhequr amandamentin në lidhje me procedurat e gjymikit në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë, Polonia ende nuk ka marrë në konsideratë Brukselin dhe nuk ka hedhur hap në këtë drejtim.

Valonia kundër 28 anëtarëve

Marrëveshja CETA për tregti të lirë midis BE-së dhe Kanadasë, arriti të nënshkruhet vetëm pas përpjekjeve të shumta për shkak të kundërshtimit të rajonit Valonia. Mundësia për veto e rajonit belg Valonia me popullsi prej 3.5 milionë banorësh ndaj një marrëveshjeje të këtillë, vuri në pikëpyetje mekanizmat vendimmarrës të BE-së.

Ndërkaq, ende vazhdon paqartësia rreth të ardhmes së Partneritet Transatlantik për Tregti dhe Investim që kërkohet të arrihet me SHBA-të. Gjersa Brukseli është në favor të marrëveshjes, nuk pritet që ajo ta ketë mbështetjen e Donald Trump, i cili do t’ia fillojë detyrës më 20 janar.

Reklamë
Reklamë

Fotografitë fituese nga gara për fotografinë me të mirë për bujqësinë #Tokajone 2016

Juria profesionale për përzgjedhjen e fotografive më të mira nga gara e fotografisë më të mirë në bujqësi 2016, ka kryer vlerësimet duke përzgjedhur 100 fotografitë më të mira, në mesin e të cilave 10 edhe do të marrin shpërblimet sipas vendimit për hapjen e garës.

Periskopi.com Galeria

Juria ishte në përbërje të Ridvan Slivoves, fotograf, Kushtrim Ternava, fotograf dhe Leonora Arifi, shefe e divizionit për informim në MBPZHR.

Dhjetë fotografitë më të mira do të shpërblehen financiarisht. Vendi i parë do të shpërblehet me 800 euro, vendi i dytë me 500 euro dhe vendi i tretë me 300 euro. Ndërkaq nga vendi i katërt deri të vendi i dhjetë do të shpërblehen me nga 100 euro. Të gjitha 100 fotografitë do të përfshihen në një album promovues për bujqësinë në vend.

Në ditët e ardhshme, çmimet do t’iu ndahen edhe zyrtarisht fituesve si dhe do të promovohet albumi me fotografi. Ky është edicioni i dytë i kësaj gare.

9-drenusha-lika 10-bleron-caka 8-arben-llapashtica 7-bujar-gashi 6-sefer-aliqkaj 5-arian-mavriqi 4-besnik-hamiti vendi-i-trete-agon-nimani vendi-dyte-riola-morina vendi-i-pare-ardian-zullufi

Reklamë
Reklamë

Të gjeturat kryesore të Raportit 2016 për Kosovën (Dokument)

Periskopi.com Lajme

Kriteret politike

Polarizimi mes qeverisë dhe opozitës ka vazhduar. Funksionimi normal parlamentar është penguar përgjatë një pjese të periudhës kohore të përfshirë në këtë raport, duke përfshirë përdorimin e mjeteve të dhunës nga ana e anëtarëve të opozitës. Të gjitha partitë politike duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të ri-angazhohen për një dialog konstruktiv, me kuvendin si forumi kryesor për debat politik.

Kthimi i kohëve të fundit i anëtarëve të opozitës në aktivitetet parlamentare është një hap i mirëpritur, raporton periskopi

Institucionet e Kosovës kanë përmbyllur obligimet e mbetura për themelimin e Dhomave të Posaçme dhe Zyrës së Prokurorisë së Posaçme për të hetuar dyshimet për krime ndërkombëtare të kryera gjatë dhe pas konfliktit të vitit 1999.

Procedurat për marrëveshjen bilaterale me vendin nikoqir të Dhomave të Specializuara (Holandën) janë përmbyllur. Në qershor 2016, mandati i EULEX-it është zgjatur deri në qershor të vitit 2018.

Kuvendi kompletoi shumicën e emërimeve të diskutueshme nëpër institucionet e pavarura dhe agjenci. Megjithatë, emërimet ishin shpesh objekt i ndikimit politik. Kjo e dëmton funksionimin e pavarur dhe menaxhimin efikas të këtyre organeve.

Janë të nevojshme përpjekje më të mëdha për tu siguruar që emërimet bëhen mbi bazën e meritave.

Ka një nivel të përgatitjes në fushën e reformës së administratës publike. Një progres i mirë përfshinë miratimin e strategjisë gjithëpërfshirëse për manaxhim financiar publik dhe të ligjit për procedurat e përgjithshme administrative.

Vazhdimi i politizimit të administratës publike, megjithatë, mbetet një shqetësim serioz. Organizimi i administratës shtetërore është e fragmentuar dhe nuk siguron linja efekase të llogaridhënies, dhe mbivendosja e përgjegjësive në agjencitë qeveritare duhet të adresohet. Mbikëqyrja parlamentare e aktiviteteve të qeverisë duhet të rritet. Rekomandimet e institucioneve mbikëqyrëse duhet të ndiqen, për të siguruar qeverisje të përmirësuar dhe llogaridhënie.

 

Sistemi gjyqësor i Kosovës është në një fazë të hershme. Hapa të rëndësishëm pozitiv janë ndërmarrë gjatë periudhës raportuese me miratimin e amendamenteve të kushtetutës dhe legjislacionit më të nevojshëm dytësor për të zbatuar ligjet e pakos 2015 për drejtësi.

Kosova ka emëruar gjithashtu edhe shumicën e anëtarëve të institucioneve kryesore dhe ka vazhduar të rrisë normën e saj të pastrimit të rasteve. Megjithatë, administrimi i drejtësisë është i ngadalshëm dhe joefikas, dhe ka llogaridhënie të pamjaftueshme të zyrtarëve gjyqësorë.

Gjyqësori është ende i dobët për të larguar ndikimin politik dhe institucionet e  sundimit të ligjit vuajnë nga mungesa e fondeve dhe burimeve njerëzore.

Kosova është në një fazë të hershme/ka një nivel të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit. Kosova ka forcuar kapacitetet e saj institucionale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, me krijimin e një ekipi multidisiplinar hetimor, krijimin e një mekanizmi përcjellës për rastet e nivelit të lartë të korrupsionit dhe rastet e krimit të organizuar, si dhe me forcimin e departamentit për krime të rënda në gjykatat themelore.

Kjo ka çuar në rritjen e numrit të rasteve të nivelit të lartë që hetohen dhe ndiqen penalisht. Megjithatë, korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem shumë serioz. Është i domosdoshëm një vullnet i fortë politik për ta trajtuar këtë në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar. Numri i hetimeve dhe dënimeve përfundimtare mbetet i ulët. Mangësitë në legjislacion janë të pranishme dhe zbatimi duhet të përmirësohet në mënyrë të veçantë në çështjen e pastrimit të parave, konfiskimin dhe sekuestrimin e aseteve si dhe hetimin financiar.

Ndikimi i tepruar gjatë hetimeve dhe mungesa e përkushtimit strategjik politik e pengon luftën kundër krimit të organizuar. Kosova ka vazhduar përpjekjet e saj për të luftuar terrorizmin, por ende përballet me sfida në këtë fushë.

Është arritur pak progres në fushën e të drejtave të njeriut, me disa hapa të ndërmarrë në zbatimin e pakos së ligjeve për të drejtat e njeriut të vitit 2015 dhe deklarimeve për përkrahjen e të drejtave të personave LGBTI. Megjithatë, zbatimi vazhdon të pengohet për shkak të mungesës së burimeve dhe përkushtimit politik, në veçanti në nivel lokal. Më shumë duhet të bëhet për të garantuar në mënyrë efikase të drejtat pronësore dhe të adresohet çështja e kthimit dhe ri-integrimit të personave të zhvendosur, mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe kundërshtimi i dhunës mbi baza gjinore. Mbrojtja e të drejtave të personave që u përkasin minoriteteve dhe personave me aftësi të kufizuara duhet të forcohet në mënyrë të konsiderueshme.

Kosova ka një nivel të përgatitjes në fushën e lirisë së shprehjes. Ka pasur zhvillime shqetësuese gjatë periudhës raportuese, duke përfshirë një numër të kërcënimeve kundër gazetarëve. Kuvendi ka treguar përkushtim të kufizuar në gjetjen e një zgjidhjeje për financim të qëndrueshëm të transmetuesit publik, duke e lënë atë të pambrojtur ndaj presioneve politike. Nuk ka pasur zhvillime legjislative për rregullimin e pronësisë së medias dhe transparencës.

Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Kosova mbeti e përkushtuar në implementimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Progresi ishte i kufizuar, edhe për shkak të procesit zgjedhor në Serbi dhe të situatës së brendshme në Kosovë. Megjithatë, gjërat ri-filluan të lëvizin në gusht 2016 me fillimin e punës në urën e Mitrovicës dhe lirinë e lëvizjes. Nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të zbatuar marrëveshjet tashmë të arritura. Hapat e ndërmarrë duhet të kenë një ndikim pozitiv dhe konkret në jetën e përditshme të qytetarëve në Kosovë dhe Serbi.

Kriteret ekonomike

Kosova është në një fazë të hershme në zhvillimin e një ekonomie funksionale të tregut. Janë bërë disa përparime, sidomos në mbështetjen e bizneseve të orientuara nga eksporti, përmirësimin e zbatimit të kontratave, veçanërisht në sektorin financiar dhe qasjen në financa. Megjithatë, vendimet e paqëndrueshme fiskale në lidhje me përfitimet e veteranëve të luftës mund të kenë një efekt negativ në stabilitetin makroekonomik të Kosovës dhe marrëdhëniet e saj me institucionet financiare ndërkombëtare. Deficiti i vazhdueshëm tregtar reflekton një bazë të dobët të prodhimit dhe aftësi të dobët konkurruese ndërkombëtare. Mbështetja në remitenca dhe ekonomia e shumëpërhapur informale e ulë edhe më shumë nxitjen e punësimit, duke rezultuar në pjesëmarrje të ulët të fuqisë punëtore, veçanërisht të grave, dhe shkallë të lartë të papunësisë, veçanërisht në mesin e punëtorëve të rinj dhe të pakualifikuar.

Kosova është në një fazë të hershme në ndërtimin e kapacitetit për tu përballuar me presionet konkurruese dhe forcat e tregut brenda Unionit. Nuk ka përparim në përmirësimin e cilësisë së arsimit, që paraqet bazën kryesore për të përmirësuar rritjen afatgjate ekonomke dhe konkurrencën.

Legjislacioni i BE-së

Kosova është në një fazë të hershme të përafrimit me standardet evropiane. Përafrimi legjislativ ka vazhduar në disa fusha, por zbatimi është i dobët. Është bërë pak progres në fushën e prokurimit publik dhe konkurrencës. Është bërë progres i mirë në fushën e doganave, veçanërisht në luftën kundër korrusionit, në mbledhjen e të hyrave dhe në uljen e kostos administrative për eksport, por Kosova duhet të rris luftën kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal. Sektori i energjisë vazhdon të përballet me probleme, me mungesë përparimi sa i përket mbylljes së termocentralit Kosova A apo renovimit të Kosovës B, dhe shumë pak progres të bërë në energjinë e ripërtëritshme.

Datat kryesore

Qershor 2003: Samiti i Selanikut; konfirmohet perspektiva e BE-së për Ballkanin Perëndimor

Shkurt 2008: Kosova shpall pavarësinë në mënyrë të njëanshme

Korrik 2010: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konkludon se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare e as Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244/99

Shtator 2010: Kuvendi i Përgjithshëm i KB miraton një rezolutë të paraqitur nga Serbia dhe të bashkë-sponsoruar nga të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së për të njohur përmbajtjen e opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe për të mirëpritur gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të lehtësuar një proces të dialogut në mes të palëve

Mars 2011: Nis dialogu i lehtësuar nga BE në mes të Prishtinës dhe Beogradit Janar 2012: Nis dialogu për liberalizimin e vizave

Tetor 2012: Paraqitet Studimi i Fizibilitetit për një Marrëveshje Stabilizim Asociimi në mes të BE-së dhe Kosovës

Prill 2013: Marrëveshja e parë e parimeve që qeveris normalizimin e raporteve arrihet në dialog në mes të Serbisë dhe Kosovës

Tetor 2013 – maj 2014: Negociatat për një Marrëveshje Stabilizim Asociimi

Prill 2016: Hyn në fuqi Marrëveshje e Stabilizim Asociimit

Maj 2016: Komisioni Evropian i bënë një propozim Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së ku rekomandon liberalizimin e vizave për Kosovën. / Periskopi

 

 

http://ec.europa.eu/enlargement/pdf/key_documents/2016/20161109_report_kosovo.pdf

Reklamë
Reklamë