Shqiptari që mbajti peng zyrtarët e burgut dënohet me 10 vite burgim

Gjykata greke e Lamias ka dënuar me 10 vite e 8 muaj burg shtetasin shqiptar, Alket Rizai, për akuzën e mbajtjes peng të 5 zyrtarëve të Burgut të Malandrinos, në Fokidha të Greqisë qendrore, më 17 mars të vitit 2013, bashkë me dy bashkëpunëtorë të tij me qëllim që të arratiseshin.

Periskopi.com Lajme

Me 10 vite e 8 muaj burg secili janë dënuar edhe dy bashkëpunëtorët e tij, si dhe me heqjen e të drejtave politike për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur për 5 vite.

Avokati i tij personal, Sakis Kehajoglou ka deklaruar ekskluzivisht për Top Channel se ky është një nga vendimet e fundit për veprat penale, për të cilat akuzohet Alket Rizai.

I pyetur se përse klienti i tij ka deklaruar në sallën e gjyqit se “Nuk jam as shenjtor, as djall. Nëse më dënoni ose jo, për 1 vit e gjysmë do të jem i lirë”, Kehagioglou ka thënë se Alketi ka mbledhur të gjithë dënimet ndaj tij, përfshi dhe burgimin e përjetshëm, dhe sipas ligjeve greke duke zbritur kohën që ka qëndruar në burg, ka llogaritur se për një vit e gjysmë ose diçka më shumë do të jetë përsëri i lirë.

Referuar Kodit Penal të Greqisë dhe konkretisht nenit 105, burgimi i përjetshëm nënkupton maksimumi 20 vite burgim. Por kur kryhet 3/5 e denimit, nisin procedurat për lirimin me kusht. Po ashtu, Kodi Penal i Greqisë, parashikon që pavarësisht numrit të dënimeve që një person mund të ketë, ato unifikohen në një të vetëm.

Në gjyqin e sotëm në Lamia, Rizai, i njohur në Greqi për arratisjet e tij të bujshme, sidomos ajo me helikopter nga Burgu i Korridhalosë, ka pohuar para trupit gjykues se nuk kishin ndërmend që të plagosnin apo vrisnin punonjësit e burgut që morën peng, ndërsa ka thënë gjithashtu se ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike, që po i konsumonte për herë të parë, shkruan Top Channel.