pdk

A do ta votojë PDK buxhetin për 2016?

Partia Demokratike e Kosovës përfundimisht duket se ka vendosur që ta votoj projektbuxhetin e propozuar nga ana e Qeverisë Mustafa, i cili është 2 miliardë euro, më i madhi që nga paslufta.

Periskopi.com Lajme

Gazeta Blic nga burime të saja brenda Qeverisë ka marrë vesh se buxheti do të kaloj.

“Edhe PDK është pajtuar që të miratohet buxheti. Përkundër pakënaqësive që kishin disa nga zyrtarët e PDK-së, pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve dhe të ish- kreut të partisë, Hashim Thaçi, kjo parti do ta votoj buxhetin”, tha ky burim.

Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti i kontaktuar nga Gazeta Blic ka thënë se nëse Grupi Parlamentar i kësaj partie do të marrë vendim që ta votoj buxhetin, atëherë edhe ai do ta respektoj këtë vendim duke e votuar buxhetin.

“Për buxhetin varet nga vendimi i Grupit Parlamentar, është çështje politike. Unë nuk kam qenë në mbledhje. Mirëpo, në qoftë se grupi parlamentar i jep mbështetje, edhe unë do të votoj”, tha ai.

Edhe Nait Hasani i kontaktuar gjatë ditës nga ana e Gazetës Blic tha se do ta votoj buxhetin, nëse për këtë vendos PDK.

Buxheti kishte përplasur ashpër PDK-në e LDK-në. Madje, kishin dështuar katër mbledhje radhazi të Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, për shkak se PDK nuk pajtohej me këtë buxhet, duke e quajtur fiktiv.

Ishte deputeti i PDK-së, Shukri Buja dhe zëvendësministri i Financave po nga kjo parti, Isni Kilaj, që kundërshtonin këtë buxhet dhe që kërkonin në vazhdimësi mbajtjen e zgjedhjeve të reja, si mundësia e vetme që të tejkalohet kjo situatë në të cilën është futur vendi.

Madje, edhe vetë kreu i PDK-së, Kadri Veseli nuk e kishte përjashtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. /Gazeta Blic