milovan drecun tanjug

Sipas Drecunit, Kosova njeh gjykimet serbe para 1999-shit

Kryetari i Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovën, Millovan Drecun deklaroi sot se Marrëveshja për drejtësinë midis Beogradit e Prishtinës dhe formimi i kolegjeve gjyqësore në Kosovë, në të cilat do të përfshihen gjyqtarë serbë, do të rrisë gjasat që ndaj serbëve të bëhen gjykime të drejta.

Periskopi.com Lajme

“Tani serbët nuk do të gjykohen sipas përkatësisë nacionale, por sipas ligjeve që janë në fuqi në këtë krahinë”, i ka thënë Drecun RTS-së, duke shtuar se në këtë mënyrë do të shmangen procedurat e padrejta siç ishte rasti i liderit të iniciativës “Serbia, demokracia, drejtësia” Oliver Ivanoviqit, transmeton Koha.net.

Ai ka konfirmuar se gjyqtarët dhe prokurorët serbë do të përfshihen në institucionet e Prishtinës, siç e quan ai shtetin e Kosovës, e po ashtu do të përfshihen edhe në gjykatën e apelit, porse aktgjykimet që janë marrë në Kosovë, siç është shprehur ai, para konfliktit në Kosovë më 1999 duhet të zbatohen.

Drecun ka thënë se nuk është i sigurt nëse pas marrëveshjes me Prishtinën do të ndryshojë kolegji gjyqësore në rastin Ivanoviq.

I pyetur rreth Asociacionit /Bashkësisë së Komunave Serbe, Drecun është përgjigjur se Beogradi e Prishtina nuk kanë biseduar drejtpërdrejt rreth kësaj çështjeje, por Delegacioni i Serbisë ka biseduar me Brukselin.

“Atyre po u ngushtohet hapësira që të jenë aq të butë. Nëse përmbushen të gjitha ato që parashihen me Marrëveshjen e Brukselit përveç AKS-së, atëherë Brukseli do të detyrohet të rrisë presionin ndaj Prishtinës”, është shprehur Drecun.