20161128165816835646

Simbolet e Pavarësisë së para 104 viteve ekspozohen në Tiranë

Një flamur kuqezi ruhet me fanatizëm nga familja Sala që prej 97 vitesh. Këtë të hënë, bashkë me objekte të tjera të kohës së pavarësisë, janë prezantuar në Muzeun Historik Kombëtar së bashku me historinë e tij.

Periskopi.com Lajme

“Ky është një flamur që vjen nga familja Sala. Është i qëndisur nga bashkëshortja e Sali Salës, një patriot i njohur nga qyteti i Korçës. Kur erdhi nga Amerika në vitin 1919, ai ideoi këtë flamur, të cilin ia qëndisi e shoqja. Ne e kemi ruajtur prej vitesh në familjen tonë. Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja, që nisën të grumbulloheshin flamuj në të gjitha krahinat e Shqipërisë”, tha Shpëtim Sala, koleksionist, raporton Tch.

Krahas flamujve, për publikun prezantohen edhe objekte origjinale të kohës, si shtypi periodik apo pena e Ismail Qemalit, me të cilën u nënshkrua Akti i Pavarësisë. Shpëtim Sala thotë se është i nevojshëm restaurimi i tyre, pasi kanë kaluar rreth 104 vite që nga koha kur janë përdorur për herë të parë.

“Krahas shumë objekteve të tjera, ne kemi ruajtur edhe këtë flamur. Nga gjyshi trashëgojmë edhe libra e dokumente të tjera. E kemi trajtuar me shumë kujdes. Ndoshta ka nevojë për një restaurim të vogël, por do ta realizojmë në të ardhmen”, tha më tej Shpëtim Sala.