Si erdhi deri te Gjykata Speciale?

Esat Shala Letra

Serbia priti 19 vjet nga shqiptarët që të bënin diçka serioze në akuzimin e serbëve për krimet dhe masakrat që i bënë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Por, për fatin e tyre të mirë, shqiptarët e Kosovës nuk e kishin as dijen dhe as vullnetin që ta bënin një gjë të tillë.

Politikanët, televizionet, dhe mediat në përgjithësi, asnjëherë nuk u morën në mënyrë sistematike me këtë çështje, dhe rrallë  e në mënyrë spontane publikonin ngjarje të tmerrshme të luftës. Madje, ‘të dhënat’ e luftës u përpunuan dhe publikuan në atë mënyrë që e bënë ‘bajate’ si temë, dhe nuk ndjellnin as krenari e as atdhedashuri te qytetarët. Në vend të një narrative që e mbronte sakrificën më sublime të popullit tonë, u lëshuan seriale turke e latine. Më shumë rëndësi i kushtohej titrimit të këtyre serialeve sesa përkthimit të ngjarjeve historike e të dhimbshme në realitetin e pasluftës.

Ndoshta, e gjithë kjo rrodhi kështu siç rrodhi, shkaku që populli ynë është mësuar me vuajtje dhe padrejtësi, aq sa i përjetoi ato si të natyrshme. Nuk kërkoi drejtësi. U mjaftua me lirinë.

Populli ynë, politikanët tanë, mediumet tona, do të duhej të kishin më shumë vëmendje në ngjarjet dhe masakrat që ndodhën në Kosovë. UÇK-ja ishte ushtri e pastër dhe e lavdishme. Ajo nuk iu takon asnjërit individ, si individ. Nëse dikush njëmend ka bërë krime, atëherë kjo tregon që ai nuk e ka pasur në zemër UÇK-në. Dhe kësisoj, përlyerja me fajësinë e krimit i takon vetëm si individ.

UÇK-ja ka qenë e pastër dhe asnjëherë nuk ka menduar që të bëj krime. Ata ishin çlirimtarë, dhe falë kontributit të tyre të lavdishëm, ne sot jetojmë të lirë. UÇK-ja nuk i takon asnjërit individualisht, por secilit prej nesh si kolektiv. Ajo nuk është e privatizueshme.

Disa ish-komandantë ose ish-pjesëtarë të UÇK-së sot në liri duhet të dënohen për veprat e tyre korruptive që i kanë bërë që nga përfundimi i luftës e deri më sot. Por këto ndërmarrje kriminale, nuk duhet të na bëjnë që ta shohim krejt UÇK-në si të keqe. Sepse UÇK-ja nuk është pronë e disa individëve.