Bujanoc / ARKIV

Serbia ndalon Festën e Flamurit në Luginën e Preshevës, nuk lejon valimin e tij

Gjykatat në Serbi vazhdojnë t’i dënojnë shqiptarët në Luginë të Preshevës për ngritjen e flamurit kombëtar. Festa e Flamurit në të tria komunat e banuara me shumicë shqiptare vazhdon të ndalohet nga Serbia “demokratike”.

Periskopi.com Lajme

Në xhaminë e fshatit Geraj, në komunë të Preshevës, nuk do të vendoset sivjet flamuri kuqezi. Simboli i pavarësisë së Shqipërisë në Festën e 28 Nëntorit të vitit të kaluar ishte vendosur në xhami. Por hoxha i fshatit, Hafëz Nexhatiu, thotë për “Zërin” se nuk do të vendoset më flamuri aty.

Ai ishte gjobitur me 300 euro pasi në xhaminë, në të cilin ai është imam, për festën kombëtare ishte vendosur flamuri.

“E kishin vendosur do djem të rinj. Nuk do ta vendosim më”, thotë hoxha i fshatit, një burrë rreth të shtatëdhjetave.

Ai nuk preferon shumë të flasë për gjobën që kishte marrë. As për atë nëse duhet vendosur flamurin. “Le ta vendosin në Komunë një herë…”, ka thënë Hafiz Nexhatiu.

Ndiqen dhe frikësohen shqiptarët që ngrenë flamurin shqiptar

Ilir Sadriu është një i ri tjetër nga Presheva. Ai më 11 nëntor të vitit 2014 ishte shoqëruar në policinë e Preshevës, pasi në pritjen që i ishte bërë kryeministrit Edi Rama si pjesë të ceremonisë kishin paraparë stolisjen e qytetit me flamuj kombëtarë.

“Vizita e kryeministrit Edi Rama, që ia bëri Beogradit e pastaj atë vizitë e vazhdoi në Preshevë më 11 nëntor 2014, ne si Komunë dhe Këshill Organizativ kishim organizuar një këshill organizativ për pritjen e kryeministrit Rama. Në këtë vizitë të kryeministrit shqiptar Edi Rama kishim parë të arsyeshme që ta stolisnim rrugën kryesore të Preshevës me flamuj kombëtarë”, rrëfen Sadriu.

Ai ka thënë se kishin angazhuar një kompani që merret me mirëmbajtjen e ndriçimit publik për shkak të mjeteve që dispononte dhe gjatë vendosjes së flamujve policia kishte shoqëruar ata në stacionin policor. “Personat përgjegjës kanë thënë se kanë qenë të angazhuar nga ana e Komunës për këtë”, thotë Sadriu, anëtar i Këshillit për Pritjen e Ramës.

Ai tha se pastaj ishte ftuar në bisedë informative në Stacionin Policor në Preshevë. “Ftesa është bërë kinse për vepër penale – ‘Rrezikim i sigurisë së përgjithshme në komunën e Preshevës’, por pastaj është parë se nuk ka elemente të veprës penale dhe lënda është proceduar në Gjykatën për Kundërvajtje”, rrëfen Sadriu.

Ai ka shtuar se me ligj nuk definohet përdorimi i flamurit të shteteve të huaja në Serbi, përveç flamurit të shtetit të Serbisë.

“Në këtë rast është bërë ftesë nga Gjykata për Kundërvajtje dhe si person përgjegjës, si person fizik është dënuar kryetari i Komunës së Preshevës dhe si person juridik është ndëshkuar Komuna, e cila ka bërë organizimin e vendosjes së flamujve kombëtarë”, ka thënë ai për gazetën “Zëri”.

Sadriu ka shtuar se moslejimi i përdorimit të flamurit është një e drejtë që e kanë gëzuar shqiptarët në kohën e ish-Jugosllavisë derisa në pushtet në Serbi kishte ardhur Millosheviqi.

“Kjo është vazhdimësi e politikës së Millosheviqit, pasi ne në Preshevë si shqiptarë përveç segmenteve tjera të kufizuara kjo është edhe një trysni më e madhe. Në këtë rast frikësohen edhe qytetarët tjerë fizikë qoftë nëse i ngrenë flamujt në dasma apo edhe në manifestime të tyre”, thotë ai, duke bërë me dije se kjo është një ngufatje në identifikimin e shqiptarëve në Preshevë.

Flamuri kombëtar shqiptar lejohej në ish-Jugosllavi, ndalohet në Serbinë “demokratike”

“Me konventat në fuqi, secili shtet ka obligim që pakicat kombëtare t’i mbrojë. Mendoj se duhet t’i bëhet një presion më i madh nga ana e faktorit politik vendor, por edhe atij shqiptar në Kosovë dhe në Republikën e Shqipërisë që Serbia t’i trajtojë shqiptarët në mënyrën e duhur”, shprehet Sadriu.

Në Bujanoc shumë struktura dhe persona fizikë e juridikë kanë paguar po ashtu gjoba shkaku i përdorimit të flamurit. Mes tyre është edhe Galip Beqiri, ish-kryetar i Këshillit Nacional Shqiptar.

“Jam dënuar me 10 mijë dinarë apo rreth 100 euro”, ka thënë ai, duke përmendur gjobën për shkak të vendosjes së flamurit.

Ai ka thënë se flamuri është i lejuar me kushtetutë në Serbi, por me ligj nuk lejohet të përdoret flamuri identik me flamurin kombëtar. “Duhet ndryshuar deri në 30 për qind”, ka thënë Beqiri.

Ai ka thënë se Këshilli Nacional kishte kërkuar që flamuri kombëtar shqiptar të njihet pa ndryshime. “Por në ligj kërkohet modifikimi 30 për qind. Ne nuk kemi pranuar ta bëjmë këtë duke u nisur nga fakti se flamuri është kombëtar”.

Beqiri ka thënë se pavarësisht kësaj çdo vit vendoset flamuri në ndërtesën e Komunës dhe atë të Këshillit Nacional.

Për Këshillin për të Drejtat e Njeriut në Preshevë këto veprime i cilësojnë si pjesë të standardeve selektive të cilat kanë karakter të presioneve politike që i zbatojnë organet shtetërore, të cilat mobilizohen dhe veprojnë me shpejtësi në çdo veprimtari ku shpërfaqen simbolet dhe kultura shqiptare. “Një angazhim të tillë nuk e kanë për shembull në ndriçimin e rasteve të zhdukjes dhe vrasjes së civilëve, shumica shqiptare, në këto hapësira që në vitet e ’90-ta. Për çështjen e përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar organet e hetuesisë dhe të gjyqësisë serbe përdorin vazhdimisht standarde të dyfishta. Disa herë tolerohet përdorimi i flamurit shqiptar duke e arsyetuar si ‘përdorim në hapësirë private’, disa herë të tjera lirohen të ‘dyshuarit’ dhe disa herë të tjera gjobitën personat fizikë dhe juridikë me referenca ligjore, plotësisht të ndryshme nga njëra-tjetra për të njëjtin veprim”, ka thënë Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Edhe në rastin e fundit me Partinë Demokratike dhe drejtuesin e saj Nagip Arifin, për veprën e vitit 2014, mund të shihet se në aktvendimin e saj Gjykata është referuar në një nen të Ligjit për Dukjen dhe për Përdorimin e Stemës, Flamurit dhe Himnit të Republikës së Serbisë. “Që mund të interpretohet se sipas organeve përgjegjëse, ‘shkelja’ qenka se krahas flamurit kombëtar shqiptar nuk është vendosur edhe flamuri i Republikës së Serbisë në përputhje me normën ligjore përkatëse. Në disa raste të tjera, organet e ndjekjes ndërmarrin veprime vetëm sepse ngrihet flamuri kombëtar shqiptar, duke iu referuar Ligjit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Minoriteteve, ku ndalohet de jure përdorimi zyrtar i flamujve për minoritetet që është identik me atë të një shteti tjetër, duke e konsideruar pra de fakto flamurin kombëtar shqiptar si flamur i Republikës së Shqipërisë”.

Në Luginë të Preshevës vazhdon politika e Millosheviqit rreth flamurit kombëtar

Kamberi ka përmendur edhe rastin e fundit të aktivistit të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, Enkel Rexhepi, lidhur me ekspozimin e gjenezës historike të flamurit kombëtar shqiptar, ku organet shtetërore i janë referuar si “prishje e rendit dhe qetësisë publike”. “Prandaj, vetë veprimi i organeve shtetërore serbe dëshmon se nuk kemi të bëjmë me zbatim të ligjit, por të përdorimit të tij për motive politike; në njërën anë për presione, shantazhe dhe disiplinime politike të veprimtarëve politikë dhe shoqërorë; ndërkaq në anën tjetër për ta ngritur frikën në mesin e popullatës shqiptare për të mos afirmuar simbolet dhe kulturën e saj kombëtare”, ka thënë Kamberi. Sidoqoftë, shton ai, kjo e dëshmon nevojën e zgjidhjes urgjente të çështjes së pazgjidhur të përdorimit të lirë të flamurit kombëtar shqiptar në Serbi.

“Sa i përket çështjes së përdorimit të lirë të flamurit kombëtar shqiptar, e jo vetëm, praktika dëshmon se jemi plotësisht të në njëjtën mendësi dhe veprim politik me atë të regjimit të Millosheviqit”, shprehet Kamberi.

Ai ka shtuar se përpjekjet e spektrit institucional dhe politik të shqiptarëve të Luginës për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare shqiptare në Serbi kanë ekzistuar, por janë dëshmuar me sa shihet si joefikase. “Sigurisht se vendimmarrësit politikë lokalë shqiptarë janë dashur t’i rimendojnë metodat politike për ta shtyrë këtë çështje drejt zgjidhjes”, thotë Kamberi.

Sipas tij, Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH), që është ligjërisht kompetent për fushën e simboleve kombëtare, gjithsesi se duhet të jetë më aktiv dhe më efikas. “KKSH-ja duhet të ndihmohet po ashtu më shumë edhe nga institucionet e tjera si pushtetet lokale të Preshevës dhe të Bujanocit; por edhe nga qeveritë, ajo e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë. Nga ana tjetër, edhe Prishtina dhe Tirana zyrtare kanë mundur të jenë më të përfshira në këtë çështje, duke i përdorur mekanizmat politikë dhe diplomatikë, të cilat i kanë në dispozicion në raport me Serbinë, qoftë me politikat e reciprocitetit, qoftë me politikat e marrëdhënieve bilaterale”.

Kamberi më tutje thotë se këto çështje duhet të ngrihen nga Kosova edhe në dialogun e Brukselit dhe nga Shqipëria në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE dhe të marrëdhënieve të “fqinjësisë së mirë” me Serbinë në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

Ai thotë se sigurisht se si në vitet e tjera shqiptarët e Luginës do ta kremtojnë Ditën e Flamurit, në hapësirat e ndryshme private. “Por ajo që është me rëndësi është aspekti institucional, përkatësisht format e organizimit që do t’i ndërmarrin institucionet e drejtuara nga shqiptarët për ta ilustruar mospajtimin e tyre politik me ndalimin zyrtar të përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar”, ka thënë Kamberi.