Gjuriq

Serbët e duan Asociacionin ashtu si e mendojnë vet

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka pritur sot në Beograd përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës. Sipas njoftimit për medie nga ky takim, ata i kanë shfaqur Gjuriqit shqetësimet për, siç transmetojnë mediet e Beogradit, refuzimin e Prishtinës që të nisë procesin e formimit të Asociacionit (Bashkësisë) të Komunave Serbe (AKS) si dhe për “radikalizmin e partive shqiptare në Kosovë, transmeton Koha.net.

Periskopi.com Lajme

Ata raportohet të kenë thënë se pa mekanizmat institucionale që do të siguronin themelimin e AKS-së, populli serb nuk mund të zgjidhë problemet e veta, të cilat po grumbullohen si pasojë e radikalizmit të partive politike shqiptare dhe të destabilitetit politik gjithnjë e më të theksuar në Krahinë, siç vazhdon Beogradi ta quajë Republikën e Kosovës.

Sipas përfaqësuesve serbë, Qeveria e Serbisë përmes dialogut në Bruksel do të duhej të bëjë presion që përfundimisht të krijohen kushtet për formimin e AKS-së, në mënyrë që të pengohet përshkallëzimi i mëtejshëm i mosbesimit dhe ashpërsimi i raporteve ndërmjet elitës politike serbe e shqiptare në Kosovë, citojnë mediet kumtesën nga ky takim.

Ata konsiderojnë se një Asociacion ashtu siç në këtë moment dëshiron ta formojë Prishtina as që është i nevojshëm, dhe nëse ai do të ketë ingerencat e organizatës joqeveritare në vend të autorizimeve thelbësore, do të ishte më shumë në dëm sesa në dobi të popullit serb.

Gjuriq thuhet se ka shprehur mirëkuptim dhe ka kërkuar edhe pak durim deri sa të përfundojë procesi i formimit të AKS-së që popullit tonë në Krahinë do t’i garantonte mbrojtje efektive të të drejtave kolektive, thekson kumtesa.

Ai pajtohet që AKS-ja duhet të formohet me autorizime në fushën e arsimit, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik, planifikimit hapësinor, zhvillimit rural, mbrojtje të mjedisit jetësor dhe informim, të parapara me Marrëveshjen e Brukselit.

Çdo gjë tjetër do të ishte shmangie nga autorizimet e marra për sipër dhe e bërjes të pakuptimtë të dialogut me ndërmjetësim të Bashkimit Europian, ka thënë Gjuriq.

Në mbledhje merrnin pjesë ministri i Pushtetit Lokal të Kosovës, Lubomir Mariq si dhe përfaqësuesit e organeve dhe kryetarët e komunave të pjesës veriore të Kosovës, Aleksandar Spiriq, Goran Rakiq, Ivan Todosijeviq, Vuçina Jankoviq, Zoran Todiq dhe Stevan Vulloviq.