Ramush Haradinaj

Seanca për Ramush Haradinajn fillon nesër në ora 11:00 në Francë

Ramush Haradinaj nesër (e enjte) pritet të dalë para trupit gjykues francez, që javën që shkoi e ndaloi kreun e AAK-së në paraburgim, një ditë pasi u arrestua në Francë në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia.

Periskopi.com Lajme

Lajmi.net merr vesh që seanca për Haradinajn do të fillojë në orën 11, në Gjykatën e Apelit në qytetin Colmar të Francës.

Sipas mbrojtjes së Haradinajt, ish kryeministri pritet që nesër të lirohet me kusht, deri në përfundimin e procedurës dhe dhënies së vendimit përfundimtar.

Në anën tjetër, Serbia ka paralajmëruar për nesër dorëzimin e kërkesës për ekstradim për Haradinajn. Kjo kërkesë tashmë është e plotësuar, pasi që Ministria serbe e Drejtësisë dje kishte dorëzuar kërkesën e parë.

Sipas autoriteteve serbe, Francës i është dorëzuar komplet dokumentacioni me aktakuzën e ngritur, aktakuzë kjo që sipas Beogradit zyrtar, nuk ka të bëjë me pretendimet për të cilat Haradinaj është gjykuar dy herë nga Tribunali i Hagës.

Ministrja serbe e Drejtësisë, Nela Kuburoviq, ka thënë se për Haradinajn aktakuza është për “krimet e pretenduara” në vitin 1999 e jo 1998.

Ndryshe, një Gjykatë e Apelit e la në paraburgim, të enjten që shkoi, ish-kryeministrin e Kosovës që u arrestua në aeroportin e Bazelit, shkaku i një urdhërarresti që Serbia e ka lëshuar  në vitin 2004.

E njëjta gjykatë i dha Serbisë afat kohor që të deponojë prova ndaj kreut të AAK-së.