S’diskutojmë në BE për lartësi të murit, ai rrënohet dhe pikë

Kryeministri Isa Mustafa e vlerëson vitin 2016 si të sukseshëm për Kosovën. Në një intervistë ekskluzive dhënë për Gazeta Metro, shefi i ekzekutivit duke folur për temën më të ndjeshme të kohëve të fundit, murin në veri, ka thënë se në BE Kosova nuk diskuton për gjatësi apo lartësi të murit. Ai sipas kryeministrit do të duhet të rrënohet. “Ai mur është ndërtuar në kundërshtim me çdo akt ligjor dhe si i tillë duhet të rrënohet. Pikë”.

Periskopi.com Lajme

Duke folur rreth çështjes së demarkacionit, kryeministri Mustafa ka thënë se ai është kushti i vetëm që kërkohet nga Bashkimi Europian për liberalizimin e vizave, pasi tashmë, Kosova ka plotësuar të gjithë 93 kriteret tjera të kërkuara.

Kryeministri ka shtuar se viti 2016 do të kujtohet edhe si vit për suksese që nuk lidhen drejtpërsëdrejti me punën e Qeverisë, si Medalja e Artë Olimpike e Majlinda Kelmendit, pranimi i futbollit në UEFA dhe FIFA dhe shenjtërimi i Nënës Terezë.

Keni kërkuar gjatë kësaj jave që demarkacioni me Malin e Zi të ratifikohet në Kuvend para përfundimit të këtij viti kalendarik. A është demarkacioni pengesa e vetme drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Cilat janë gjasat që të kalojë në Kuvend?

Kryeministri Mustafa: Tashmë është plotësisht e qartë që ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit në Kuvend, është hapi i fundit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret, më herët i kemi konkluduar 93 sosh, ndërkaq tashmë edhe historiku i lëndëve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i njohur si “Track Record”, ka filluar të zbatohet dhe ne krejt çfarë duhet të bëjmë për liberalizimin e vizave, është të ratifikojmë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Këto janë qëndrime të qarta të partnerëve tanë në BE dhe ne duhet ta bëjmë këtë hap sa më shpejtë që të jetë e mundur, në mënyrë që në muajt e parë të 2017, qytetarët e Kosovës të fillojnë të lëvizin pa viza.

Kur pritni të përfundohet çështja e liberalizimit të vizave?

Kryeministri Mustafa: Ne së fundi kemi marrë edhe një hap konkret që të jemi në shërbim të përmbylljes sa më të shpejtë të kësaj çështje që ka rëndësi esenciale si për lëvizjen e lirë por edhe për shtetësinë dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Për këtë arsye, ne së fundi kemi ndërmarrë edhe një iniciativë konkrete shtesë dhe në Qeveri e kemi miratuar themelimin e një komisioni të ekspertëve për matjen e territorit të Kosovës. Në kuadër të këtij komisioni janë paraparë përfaqësues institucionalë nga Akademia e Shkencës dhe e Arteve të Kosovës, Fakulteti i Shkencave Matematikore-Natyrore, nga partitë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën, nga Shoqëria Civile, nga Agjencioni i Kadastrave të Kosovës, nga Agjencioni i Pyjeve, KOSTT-i, Agjencia e Privatizimit, Policia e Kosovës, Agjencia e Statistikave, nga Komunat e Pejës, Deçanit, Istogut dhe Junikut, përfaqësues nga zona e Rugovës. Në Komision do t’i ftojmë edhe përfaqësuesit e BE-së, të Ambasadës Amerikane, të KFOR-it dhe të EULEX-it.

Ne vazhdojmë të kemi besim se kjo çështje mund të adresohet shpejt, të ratifikohet marrëveshja dhe të hapen dyert e qytetarëve tanë për lëvizje të lirë dhe që shteti i Kosovës të ketë kufirin me Malin e Zi ndërkombëtarisht të shënjuar dhe të pranuar.

Luftimi i korrupsionit, konkretisht arrestimi i 59 policëve a është pjesë e strategjisë anti korrupsion të Qeverisë, dhe a mos po ndalon kjo luftë vetëm në këtë nivel, duke mos prekur personat e fuqishëm politik?

Kryeministri Mustafa: Strategjia e Qeverisë për luftë të pakompromis kundër korrupsionit është gjithëpërfshirëse por ne nuk merremi me arrestime dhe nuk përzihemi në punët hetimore e operacionale të Policisë apo në raste konkrete. Qeveria e Kosovës është tërësisht e përkushtuar për të ndihmuar në aspektin e bazës ligjore, për të përkrahur institucionet kushtetuese në përmbushjen e pavarur të punës së tyre për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Qeveria, poashtu, në tërësi po përpiqet t’i eliminojë zbrazëtirat të cilat mund të shfrytëzohen për  akte korruptive, i kemi suspenduar të gjithë zyrtarët politikë dhe civilë për të cilët janë ngritur aktakuza për përfshirje në akte korruptive, kemi avancuar sistemin e prokurimit publik duke kaluar në prokurim elektronik si dhe kemi ndërmarrë shumë veprime dhe masa të tjera ligjore. Mirëpo, Qeveria nuk arreston njerëz pasi që ato janë çështje të policisë dhe të organeve të kompetente të zbatimit të ligjit. Qeveria e Kosovës e ka përshëndetur aksionin e Inspektoratit Policor të Kosovës dhe organeve tjera shtetërore, i cili rezultoi me ndalimin e dhjetëra zyrtarëve policorë nën dyshimin se janë përfshirë në vepra korruptive, por nuk dëshirojmë të ndikojmë në asnjë formë në punën e organeve kompetente kushtetuese dhe ligjore. Por, në Kosovë në vazhdimësi me veprime ligjore po dëshmohet përkushtimi i pakompromis i institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Çështja e buxhetit për vitin 2017 ka nxitur mospajtime me partnerin e koalicionit, PDK’në. Gjithashtu ka pasur kundërthënie se meqë e drejtoni ministrinë e Financave, keni orientuar më shumë projekte kapitale në komunat që qeverisë LDK’ja?

Kryeministri Mustafa: Në fakt, ne tashmë kemi miratuar me pajtim të plotë një Buxhet rekord me një shifër prej mbi 2 miliardë eurosh, që përbën një sukses shumë të madh dhe është një prej treguesve të progresit ekonomik që është shënuar gjatë këtyre dy viteve.

Ky buxhet i partnerëve të koalicionit, i koordinuar në çdo detaj, është Buxhet zhvillimor dhe hap perspektivë të shumanshme për vendin.

Mendoj se Buxheti 2017 është një prej sukseseve të partnerëve të koalicionit qeveritar, i cili ka pasur rol unifikues dhe jo të kundërtën.

Rreth çështjes së murit në  veri të Mitrovicës, çka po ndodhë dhe si e shihni këtë projekt? A do të qëndroj muri edhe me lartësi më të vogël se sa ajo ekzistuese duke ja vendosur shkallët ashtu siç ka aluduar shefja e diplomacisë të BE’së Federica Mogherini?

Kryeministri Mustafa: Më lejoni të jem i qartë. Muri në Mitrovicë është joligjor, nuk është i paraparë në asnjë projekt dhe ai është ndërtuar me synime të qarta që të na zhys neve në përplasje të brendshme dhe që ne të konfrontohemi me njëri tjetrin, gjë që ne nuk duhet ta lejojmë. Ai mur, në tërësi është i paligjshëm dhe duhet të rrëzohet me forcën e ligjit. Qytetarët e Kosovës dhe partitë politike nuk duhet të bien pre e këtij provokimi dhe që dikush ta shfrytëzojë politikisht por duhet të jemi unik. Përndryshe, ata që e ndërtuan do të arrijnë t’i realizojnë qëllimet për të cilën e kanë ndërtuar.

Ne nuk do ta diskutojmë në BE për gjatësi e lartësi të tij. Ai mur është ndërtuar në kundërshtim me çdo akt ligjor dhe si i tillë duhet të rrënohet. Pikë!

Agjensioni i Statistikave ka raportuar për rënie të papunësisë. Ju gjithashtu keni premtuar punësime në mandatin tuaj qeveritar prej 120 mijë vende pune. Ku janë punësuar këta njerëz, në çfarë sektorë dhe deri në fund të mandatit tuaj si do të punësohen pjesa tjetër?

Kryeministri Mustafa: Agjencia e Statistikave, në bazë të të dhënave të saj ka bërë të ditur se ka rënie të ndjeshme të papunësisë nga 35.3% në vitin 2014 në 26.2% këtë vit, që është për t’u vlerësuar. Kjo rënie e papunësisë është refleksion i reformave të shumanshme ekonomike që kemi ndërmarrë, duke filluar nga ato fiskale, stabiliteti financiar, ambienti i favorshëm i biznesit. Me përkrahjen e bujqësisë e shumë aspekte tjera. Si rezultat i këtyre reformave, ne tash e dy vjet po arrijmë rritje ekonomike mbi 4% që është më e madhja në rajon, kemi fuqizim të sektorit privat, ka vazhduar trendi pozitiv i investimeve.

Në fushën e financave, kemi rezultate të mëdha në reformat fiskale, të cilat kanë rezultuar me përmirësimin e kushteve të të bërit biznes, të cilat janë vlerësuar shumë lart nga Raporti i Bankës Botërore për vitin 2016.

Në fushën e zhvillimit ekonomik, është miratuar Ligji për Trepçën, i cili i hap mundësinë e zhvillimit të kësaj ndërmarrje vitale për ekonominë e Kosovës.

Në bujqësi është rritur ndjeshëm përkrahja për bujqit duke arritur rezultate të mëdha në prodhimet vendore. Është rritur konsumi i prodhimeve vendore, janë shtuar sipërfaqet e mbjella për shkak të rritjes të interesit të bujqve. Ka përmirësime të ndjeshme në pylltari dhe në zhvillim rural. Në infrastrukturë është punuar fuqishëm, në Tregti dhe Industri si rezultat i punës së madhe, Banka Botërore ka renditur Kosovën në raportin e të “Bërit Biznes 2017” disa vende më lartë duke konfirmuar progres të konsiderueshëm në përmirësimin e mjedisit afarist.

Sa i takon vendeve të punës të premtuara, ne me këto trende mund të jemi optimist se deri në fund të mandatit, në vitin 2018, me këtë rritje ekonomike do t’i afrohemi atyre numrave.

Vendet e reja të punës janë hapur kryesisht në sektorin privat. Mund të përmend këtu së një fabrikë me mbi 500 të punësuar u hap këtë vit në Podujevë. Ka edhe shumë biznese të tjera që janë hapur ndërkohë ose që kanë rritur kapacitetet. Janë hapur qindra vende pune në bujqësi dhe blegtori. Nga masat aktive të tregut të punës, kanë përfituar mbi 10 mijë qytetarë. Janë krijuar mundësi të punësimit sezonal jashtë vendit si dhe projekte të praktikës në punë e shumë projekte të tjera të dobishme për punëkërkuesit kosovarë.

Si do ta përkufizonit vitin 2016?

Kryeministri Mustafa: Unë mendoj që bilanci i vitit 2016 është pozitiv. A kemi mundur të bëjmë më shumë? Po! Kemi mundur që tash që po flasim të mos kemi nevojë për vizë për të udhëtuar në vendet e BE-së. Kemi mundur të kemi më shumë unitet politik, të ketë më shumë konstruktivitet. Mos të harrojmë se te në është votuar edhe kundër ratifikimit të MSA-së, kundër Ligjit të Trepçës, është bërë thirrje që Kosova të mos ketë kod telefonik ndërkombëtar të vetin po të vazhdohet me atë të vjetrin…

Megjithatë, në këto rrethana ne kemi arritur të bëjmë Kosovën vendin me rritjen më të madhe ekonomike në rajon, kemi luftuar terrorizmin duke pasur rezultate impresionuese, kemi fuqizuar subjektivitetin ndërkombëtar, kemi avancuar marrëdhëniet me NATO-n dhe me BE-në e shumë të arritura tjera.

Ky vit, po ashtu, do të mbahet mend gjithmonë edhe për ngjarje që nuk lidhen direkt me punën e Qeverisë, që janë Medalja e Artë, pranimi në UEFA dhe FIFA dhe është bërë shenjtërimi i Nënës Terezë. Andaj, është një vit i suksesshëm. Por, 2017 mund të jetë edhe më i suksesshëm, nëse agjendat tona do të jenë në shërbim të shtetit e jo të politikës ditore, të ketë më shumë debat për çështje e prekshme e jo për fiksione politike, nëse nuk do të jemi peng i asaj çfarë tha sot një “askushhiq” si Gjuriqi dhe të merremi me të tërë ditën. /gazetametro.net