Recension i librit “Pajtimi: Islami, Demokracia dhe Perëndimi” të Benazir Butos

Agron Kelmendi Opinione

I shkruar me një stil të thjeshtë, me një gjuhë të këndshme dhe elokuente, libri “Pajtimi: Islami, Demokracia dhe Perëndimi” i Benazir Butos bart vlera të mëdha dhe është tejet informues. Pikrisht këtu qëndron edhe shtylla që e mban në këmb këtë vepër monumentale, ajo është një shënim historik dhe politik që i ofron lexuesit një panoramë mbi ato ngjarjet që përbëjnë peisazhin politik dhe historik të botës islame në përgjithësi dhe Pakistanit në veçanti.

Buto ofron të dhëna të rëndësishme mbi mënyrën se si perceptohet perendimi në botën islame dhe islami në botën perëndimore, pasi ajo vetë ka jetuar në të dy këto qytetërime, dhe po ashtu hedh dritë mbi problemet që e mbështjellin nënkontinentin Indian.

Derisa autorja qëndron mbi themele të forta të “dhënies së informatave” ajo ruan objektivitetin dhe kështu ngrit cilësinë e veprës së saj. Megjithatë ajo fillon të rrëshqasë mbi një terren të lëkundshëm kur kalon në “dhënien e analizave”. Buto rreket të argumentojë se islami dhe demokracia janë kompatibile dhe se toleranca është një vlerë imanente e islamit. Duke cituar pjesë nga kurani dhe shkrime të shenjta ajo bie në grackën e kontradiktës.

Libri nuk përmban ndonjë analizë të thellë mbi ajetet kuranore, por vetëm përmend shkarazi ato duke e vënë në pah forcën e dobët argumentuese të autores. Ajo citon një ajet kuranor që thotë “nëse ke vrarë një person të pafajshëm, është njëlloj sikur të vrasësh gjithë njerëzimin”, për të mbështetur pretendimet e saj se islami është fe e paqes. Megjithiatë, vetëm pak faqe më poshtë ajo përmend një tjetër ajet ku thuhet “vritni politeistët kudo që t’i gjeni”.

Në dukje të parë duket sikur të dy ajetet janë në kontradiktë me njëri tjetrin, por një shikim më i kujdesshëm i tyre zbulon se ato jo vetëm nuk kundërshtohen por plotësojnë njëri tjetrin. Ajeti i parë thotë se nuk duhet të vrasësh të pafajshëm, ndërsa i dyti bën thirrje të vriten “fajtorët”. Sipas frymës që përçojnë ajetet e cituara nga Buto, ata që nuk besojnë te zoti janë armiq, janë mëkatarë, janë fajtorë kundër të cilëve, siç urdhëron një tjetër ajet i përmendur nga Buto, “duhet luftuar derisa ata (jobesimtarët) të paguajnë tribute nga frika”. Të gjitha këto autorja i kalon në heshtje dhe përpiqet dëshpërimisht, midis argumenteve që ngrejnë krye kundër pretendimeve të saj, të mbrojë tezën se islami bën thirrje për paqe dhe tolerancë. Teza që ajo hedh mund të jetë e drejtë. Qëllimi këtu nuk është të demantohet ajo. Por, mënyra në të cilën Buto përpiqet ta argumentojë lë shumë për të dëshiruar.

Brishtësia e argumenteve e shoqëron Buton edhe në vazhdim të librit ku ajo pretendon se prapambetja e Pakistanit krahasuar me Indinë në instalimin e demokracisë mund t’i atribuohet faktit se lideri i Indisë paska jetuar më gjatë se homologu i tij pakistanez. Duke insistuar se fati i një kombi mund të varet nga një individ, ajo bën përpjekje ta paraqes veten si shpëtimtare e Pakistanit dhe pishtare e demokracisë. Udhëtimi nëpër libër të jep përshtypjen sikur autorja po zhytet thellë në moralin e narcizmit, por ajo ia del të largohet nga aty në mënyrë mjeshtërore dhe këshu pengon këtë përshtypje te lexuesit të zërë rrënjë. Buto, megjithëse vende vende duket sikur është subjektive dhe pa dellin e analistes që argumenton fuqishëm, ajo në shumicën e rasteve transmeton në mënyrë objektive dhe shfaqet tejet argumentuese.

Buto kur kishte filluar të shkruajë këtë vepër sikur e kishte ndjerë fundin e saj fizik. Ajo shpesh herë në libër përmend momentet më kritike kur talibanët kishin tentuar ta vrisnin. Këto çaste ajo i shkruan me një precizitet kirurgeje kur kujton viktimat e ndarë në dysh si pasojë e shpërthimeve eksplozive vetëvrasëse, britmat, dëshpërimi i masës, ankthi, zhgënjimi, pezmi dhe impenjimi për të marrë vetën.

Për më tepër angazhimi si aktiviste për të drejtat e popullit pakistanez janë të pashtershme në substancën e të drejtave gjinore, racore e fetare. Ajo të gjitha këto kondita i sheshon në një model që sipas saj do t’i sillte lirinë dhe paqen e shumëkërkuar popullit të saj. Politikat e perëndimoreve ndaj popullit pakistanez për të janë të padurueshme, asaj më shumë i pengon qëndrimi i perëndimit të cilët përdorin standarde selektive ndaj demokracive në zhvillim. Ish-presidenti i SHBA’së Gjorgj W. Bush e kishte ndihmuar udhëheqësin e atëhershëm të Pakistanit Gjeneral Musharafin për hir të luftimit të terrorizmit, por në fakt ky kishte lidhje të drejtpërdrejta me grupe terroriste. Pikërisht ky fakt atë e çorienton, dhe në shumë raste nuk e kursen perëndimin me kritika. Por, në anën tjetër, sipas saj vlerat perëndimore dhe ato islamike nuk e përjashtojën njëra tjetrën. Mbi këtë tezë ajo mundohet të dekonstruktojë mitin se “Islami është pjesë përbërëse e luftës duke u thirur nën petkun e xhihadit”. Në fakt për Buton dhe filozofin islamist Ibn Khaldun, Xhihadi nuk është një vazhdimësi e përhershme e luftës por, ndryshimi i karakterit të shtetit nga një shtet luftarak në një shtet paqësor që do të thotë lëvizje drejt një shteti të qytetëruar. Sikur Roma perandorake që kishte evoluar edhe Buto e kërkon të njejtën gjë për islamin. Por sa është e vetëmjaftueshme të mbijetojë islami duke mos e vënë në përdorim xhihadin?!.

E persektuar disa herë me akuza për korrupsion dhe thirrje për shkeljen e kurorës së islamit, ajo detyrohet të largohet nga shteti. Edhe pse i kishte fituar zgjedhjet disa herë, megjithatë mandati i saj ndërpritet kohë pas kohe nga shërbimi i inteligjencës pakistaneze dhe ushtria. Tubimet e shumta që ajo i kishte mbajtur në periudhën e vitit 2007 paraqet një fotografi të qartë të asaj gjendjeje se në çfarë tranzicioni të vështirë po kalonte populli pakistanez. E rrëmbyer nga dashuria për vendin dhe entuziazmi për të ndryshuar politikën e një islamizmi radikal bën që shumë përkrahës por edhe vet ajo të flijohet për një Pakistan të lirë. Buto flet edhe për rastet kur shërbimi i inteligjencës pakistaneze kishin qenë të infiltruar në krijimin e organizatës talibane në vititn 1980. Ajo këtë e argumenton duke u mbështetur në burime të të afërmëve të saj, pra po flitet për periudhën kur qeveriste Musharafi – i cili së fundmi është më i përfoluri për organizimin e vrasjes së saj.

Buto disa herë tenton që të dekonstruktojë elementin religjioz të islamit që bartet tek grupi Al Kaeda. Sipas saj, kjo organizatë e frikshme nuk përfaqëson islamin dhe qëllimi i tyre është të nëpërkembin popullin duke i shfrytëzuar, kontrolluar dhe kërcënuar, por në kahun tjetër vlerësohet t’u ketë shërbyer shteteve tjera për qëllime ekspansioniste.

Një përshkrim të përgjithshëm u bën edhe shteteve të Lindjes së Mesme nga Irani e deri te Pakistani. Si janë krijuar sistemet politike, cilat nuanca ideologjike i kanë përqafuar dhe cili ka qenë model më i mirë i zhvillimit. Ajo kritikon teoricienët perëndimorë të cilët thonë se islami dhe demokracia përjashtojnë njëra tjetrën për shkak se islami i ka rrënjët në një autoritarizëm që promovon diktaturën. Buto bën përpjekje për të kritikuar këtë qasje duke u mbështetur në eksperiencën e saj që e kishte kaluar në shtete perëndimore si SHBA apo Britaninë e Madhe. Por deri në këtë pikë duket e pamjaftueshme kjo kritikë lidhur me bashkërendimin e vlerave perëndimore dhe islame. Ajo nuk merr parasysh ciklet historike nëpër të cilën kanë kaluar këto dy qytetërime, zhvillimin socio-ekonomik dhe atë teknologjik.

Për fund ajo orvatet të sjellë disa modele të suksesshme të perëndimit për t’i vënë në zbatim në vendin e saj. Modeli i Alaskës, i Norvegjisë, Banka Grameen, janë disa nga modelet që ajo i ëndërron për t’ia dhuruar Pakistanit. Të drejtat dhe lufta për barazi tek gratë zënë një vend të posaqëm në modelin që ajo kishte promovuar për të arritë paqen ndër vendet myslimane. Ishte udhëheqësja e parë myslimane e cila pa frikë kishte promovuar të drejtën e grave. Buto ofron mënyra konkrete për të reduktuar paragjykimet që ushqejnë qytetërimet ndaj njëri-tjetrit, për të rritur bashkëpunimin, për të mbjellë farat e mirëkuptimit dhe tolerancës, për të zhvilluar demokracinë e për të vënë këto në funksion të rritjes së mirëqenies së njerezve. Pra ajo na jep një udhëzues si të arrihet pajtimi midis dy botëve, asaj perëndimore dhe asaj islame.

Si një grua e shkolluar dhe që ka rreh rrugët e botës, ajo del përtej kornizave që shoqëria e saj native ka instaluar në mendjen e njerëzve. Buto, përgjat gjithë librit na shfaqet liberale, tolerante, pa paragjykime dhe si një model që duhet të jetë burim frymëzimi, sidomos për njerëzit e vendit të saj të lindjes. Megjithatë, Pajtimi përmban edhe disa doza të vogla të një mendësie islamo-pakistaneze, të cilat më shumë se sa për autoren, flasin për forcën me të cilën kultura ushtron ndikim në ndërtimin e hartave dhe skemave mendore të individëve. Libri i Butos nuk mund të kuptohet si i ndarë nga jeta e saj. Madje edhe vetë libri është një jetëshkrim. Pavarësisht se autorja përpiqet të mbështet të kundërtën, libri të jep mësimin se kultura formëson individin më shumë se sa individi farkëton shoqërinë. Demokracia nuk është sistem që mund të instalohet nga një njeri apo nga një grup personash, por është një vetëdije masive. Pra, demokracia buron nga poshtë, dhe mbinë vetëm mbi truall pjellor. Nga lartë mund të vendoset vetëm diktatura.

Shkruan: Agron Kelmendi