ast2

Raport për vdekjen e Astrit Deharit nga QKRMT

Në kuadër të mandatit për monitorimin e vendeve të ndalimit, pas rastit të vdekjes së Astrit Deharit me 05.11.2016, i paraburgosur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ekipi monitorues në përbërje të dy juristëve dhe dy mjekëve të QKRMT-së, më 10.11.2016 ka vizituar Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Periskopi.com Lajme

Në kuadër të metodologjisë monitoruese, ekipi monitorues ka takuar dhe intervistuar drejtorin e kësaj qendre, stafin civil dhe atë shëndetësor, disa nga të paraburgosurit, si dhe ka konsultuar regjistrat përkatës rreth rastit.

QKRMT thotë se për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe respektimit të parimit të konfidencialitetit, të dhënat nga vizita monitoruese nuk janë bërë publike, por të njëjtat janë përpiluar në raporte të veçanta zyrtare të cilat u janë dërguar institucioneve dhe mekanizmave përkatëse kompetente për hetimin e rastit, duke përfshirë: Prokurorinë Themelore në Prizren, përfaqësuesin ligjor të familjes Dehari dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Kjo Qendër thotë se meqenëse disa nga të dhënat e këtij raporti kanë qarkulluar në opinion apo janë bërë publike, për hir të korrektësisë dhe informimit të drejtë ndaj opinionit, QKRMT ju njofton se në raportin dërguar Prokurorisë janë përfshirë edhe të dhënat si në vijim.

“Në evidencat zyrtare të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, QKRMT ka gjetur se rasti i Astrit Deharit është evidentuar si tentim vetëvrasje. Ndërsa në përshkrimin e rastit është evidentuar se është gjetur me puls dhe frymëmarrje normale. Po ashtu, në këto evidenca është regjistruar se mjekët e ndihmës emergjente gjatë ndihmës së parë i kanë bërë aspirimin pasi kanë dyshuar se i ndjeri Astrit Dehari “ka pirë diçka”. Këto të dhëna janë evidentuar në dy regjistra zyrtarë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren”, thuhet në komunikatën e QKRMT-së, raporton Koha.net.

Duke marrë për bazë raportin preliminar të autopsisë se Astrit Dehari ka vdekur nga asfiksia, QKRMT ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prizren që në hetime të përfshihet edhe procesi i ofrimit të ndihmës së parë, për shkak të tri rrethanave të ndryshme që e kanë përcjellë rastin, si:

1) evidentimi zyrtar se kishte puls dhe frymëmarrje normale, evidentuar nga infermierja kujdestare e qendrës së paraburgimit, e cila është personi i parë shëndetësor që e ka parë;

2) evidentimi zyrtar se nga mjekët e urgjencës iu është bërë aspirimi për shkak se kanë dyshuar se “ka pirë diçka”, evidentuar nga infermierja kujdestare e qendrës së paraburgimit;

3) sipas raportit të autopsisë, shkaktari i vdekjes ka qenë asfiksia.

“QKRMT, duke respektuar fazën e hetimeve dhe ndjeshmërinë e çfarëdo informacioni të ndërlidhur, ka paraqitur këto shqetësime dhe ka kërkuar që të konsultohen ekspertë të pavarur për të konstatuar se a është dhënë ndihma e duhur mjekësore nga momenti i parë deri në konstatimin e vdekjes. Në raportin zyrtar të QKRMT-së dërguar institucioneve kompetente, është kërkuar që të hetohen edhe çështje të tjera procedurale lidhur me rastin, për të cilat QKRMT shpreson se do të merren në konsideratë nga organet përkatëse”, përfundon komunikata e QKRMT-së.