edi-rama-dettaglio-3-jpgfilename_utf-8edi-rama-dettaglio-3

Rama alarmon grekët, priten tensione

Raportet mes Tiranës dhe Athinës pritet të shoqërohen me tensione akoma më të mëdha, e kjo pas intervistës së dhë në nga kryeministri Edi Rama në televizionin grek “Skai”. Qëndrimi i Ramës për çështjen çame dhe kërkesa për heqjen e ligjit të luftës ka alarmuar politikën greke, e cila ka mbajtur një qëndrim të menjëhershëm, duke theksuar se tezat e hedhura po e kthejnë Shqipërinë në një shqetësim real në rajon.

Periskopi.com Lajme

Qëndrimi më i ashpër nga ardhur nga kreu i Partisë Demokracia e Re (Nea Demokratia), Qirjakos Micotaqis (Kyriakos Mitsotakis), duke deklaruar se Shqipëria po shfaq një nacionalizëm në rritje, duke vendosur të gjitha çështjet në tavolinë.

Këtë deklaratë lideri i opozitës së djathtë e mbajti gjatë një fjalimi në Parlament. “Shqipëria është një tjetër shqetësim i madh real në rajon”, ka thënë para deputetëve të tij kreu i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis.

Sipas tij, tre çështje që kanë të bëjnë me politikë e jashtme po e vënë Greqinë në një pozitë të vështirë në raport me interesat kombëtare. Duke iu referuar deklaratave të fundit të kryeministrit Rama ai akuzoi qeverinë Tsipras për strategjinë që po ndjek lidhur me çështje të politikës së jashtme.

“Është e papranueshme të shtoni një tjetër shqetësim të madh në rajon. Shqipëria ka vënë në tryezë të gjitha çështjet”, theksoi Mitsotakis. Kreu i opozitës greke iu referua edhe deklaratave të presidentit Erdogan që sipas tij mohojnë bazën ndërkombëtare konvencionale për Traktatin e Lozanës.

“Në një mjedis të tillë, Greqia është e margjinalizuar, qeveria nuk ka strategji të qartë kombëtare”, deklaroi kreu i Demokracisë së Re.

Ndër të tjera, Mitsotakis e cilësoi kreun e qeverisë shqiptare satelit te presidentit turk Rexhep Taip Erdogan dhe një nacionalist. Partia opozitare në vend, Demokracia e Re ka kërkuar me anë të përgjegjësit të saj për politikën e jashtme thirrjen e menjëhershme të Këshillit greke për Politikën e Jashtme për të diskutuar strategjinë e qeverisë së Aleksis Tsipras ndaj “kërcënimit të Shqipërisë” siç e kanë quajtur ato dhe marrjen e masave ndaj Tiranës zyrtare.

Kjo thirrje është bërë nga deputeti Jorgos Kumacakos. Më i përmbajtur është treguar nënkryetari i konservatorëve, Adonis Georgiadhis, i cili ka komentuar se “Rama me mirësi në dukje ka ngritur çështje shumë serioze dhe të rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe”.

Opozita thërret Kotzias

Tre deputetët e opozitës, Dora Bakojanis, Janis Kefalogianni dhe Maximus Charakopoulos i kanë kërkuar disa pyetje kryediplomatit Nikos Kotzias në lidhje me prishjen e ndërtimeve në Himarë. Bakojanis është një emër për Shqipërinë, ajo si ministre e Jashtme e qeverisë së Karamanlis firmosi paktin e kufirit detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.

Kryediplomati grek Kotzias ka mbajtur një qëndrim sa i përket të drejtave të minoritetit në Shqipëri, duke e cilësuar prishjen e 19 objekteve në Himarë si një shkelje të rëndë, ndërsa nuk ngurron të bëjë presion me anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Kotzias thekson se ‘pala shqiptare vazhdon të ndjekë një praktikë anakronike” në zonat minoritare.

Në përgjigje të një letre të disa deputetëve grekë mbi rrënimin e shtëpive dhe dyqaneve të minoritarëve grekë në Himarë, Kotzias thekson se “projektimet e paligjshme dhe provokuese shqiptare për prishjen e ndërtesave në Himarë përbën shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, të pakicave dhe të pronës së anëtarëve të minoritetit grek në rajon”.

Kotziasi thekson se këto çështje janë të lidhura edhe me gjendjen aktuale të sundimit të ligjit dhe administrimin e drejtësisë në Shqipëri dhe me angazhimin që Tirana zyrtare ka për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të minoritetit. Sipas tij mbrojtja e minoritetit dhe reforma në drejtësi janë 2 nga 5 kushtet kyçe që Sipas tij “Shqipëria duhet të përmbushë menjëherë në mënyrë qëndrueshme për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE”.

Kreu i diplomacisë helene thekson se “projektimet e paligjshme dhe provokuese shqiptare për prishjen e ndërtesave në Himarë përbën shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, të pakicave dhe të pronës së anëtarëve të minoritetit grek në rajon”. Mediat grek shkruajnë se Kotzias hedh poshtë pretendimet e palës shqiptare se drejtat e pakicave respektohen në të gjithë vendin.

Më tej në letrën e tij, Kotzias harron gjuhën diplomatike dhe akuzon ashpër Shqipërinë se po tenton të eliminojë elementin grek, ndërsa në mënyrë abuzive Himarën e quan zonën ku kanë jetuar historikisht grekë. “Për fat të keq, pala shqiptare vazhdon të ndjek praktika anakronike në zonat minoritare, ku ajo nuk njeh të drejtat e pakicave. Kështu, në zona të tilla si Himara, e cila historikisht jeton popullsia më e madhe etnike greke, pakicave nuk u njihen të drejtat.

Ka një përpjekje të dukshme të Tiranës për të promovuar qytetërimin shqiptar të këtyre zonave dhe për të eliminuar elementin grek”, thuhet në letrën që Kotzias i ka drejtuar si përgjigje deputetëve Dora Bakojanis, Janis Kefalogianni dhe Maximus Charakopoulos që kishin kërkuar informacion mbi situatën.

Duke i quajtur të paligjshme veprimet e shtetit shqiptar në Himarë, Kotzias shprehet se ministria që ai drejton ka reaguar menjëherë me dy njoftime, ka vënë në dijeni ndërkombëtarët dhe i ka kujtuar Tiranës detyrimet që duhet të përmbushë nëse synon të anëtarësohet në BE.

Komenti i analistit grek Raptis

Një nga analistët më të njohur grekë, Christos Raptis ka shkruar një shkrim me titullin “Shqipëria Europë, Greqia Ballkan” pas intervistës së kryeministrit Rama për televizionin SKAI, pas të cilës, thotë ai, u ndje qytetar i një vendi të botës së tretë.

“U impresionova me anglishten e tij, qëndrueshmërinë e argumenteve të tij, fjalën e saktë/ racionale dhe modestinë e tij. Me pak fjalë, brenda një ore i përqeshi të gjitha këto dënglat/idiotësitë nacionaliste greke lidhur me gjoja ‘Shqipërinë e Madhe’, apo gjoja kërcënimet që i përkasin minoritetit grek në Himarë, të cilat në mënyrë konstante i shpërndajnë disa gazetarë të marrosur, si dhe persona që nuk kanë me çfarë të merren dhe riprodhohen në pusin e ujërave të zeza të internetit e në broshura të ndryshme margjinale”, thotë Raptis.

Mediat i mëshojnë mohimit të “Shqipërisë së Madhe” nga Rama

Intervista e dhënë për ‘SKAI’ është pasqyruar dhe komentuar gjerësisht edhe ne shumicën e mediave greke. Paketa Rama e çështjeve të pazgjidhura mes Athinës dhe Tiranës.

Ky është titulli i shkrimit të prestigjiozes greke “Kathimerini” që vë theksin te disa nga pretendimet e palës shqiptare, duke perifrazuar kryeministrin Rama për disa nga këto problematika si “Çështja çame një problem i të drejtave të njeriut”, “Arqipeshkpvi shqiptar”, referuar Gjergj Dushmanit, “Shfuqizimi i ligjit të luftës”, apo “Marrëdhëniet strategjike me Turqinë dhe Maqedoninë”.

“Kathimerini” në komentin që i bën intervistës vë theksin te miqësia e Ramës me presidentin turk Erdogan dhe konfirmimin e tij për marrëdhënie të shkëlqyera me Turqinë. Ndërsa e përditshmja greke “Protothema” shkruan se ishte një intervistë ku më shumë kishte pretendime të ngritura, sesa dhënie përgjigjesh për pyetjet e gazetarit.

Më i rezervuar është titulli që zgjedh agjencia shtetërore e lajmeve për të ardhmen dhe bashkëpunimin, ndërsa në qarqet gazetareske që nuk janë dakord me shumicën e atyre që tha kreu i Ekzekutivit shqiptar, mbizotëron opinioni se ai përdori një gjuhë të kulturuar dhe mënyrë diplomatike për të ngritur çështje të rëndësishme dypalëshe që vite më parë ishin tabu.

Edhe pro konservatorja “Eleftheros Typos”, që në artikullin e fundit të saj shprehte shqetësimet për deklaratat e Erdoganit për kufijtë dhe Edi Ramën e cilësonte si satelit të tij, nuk ka asnjë koment, por mjaftohet me titullin e artikullit “Janë marrëzi ato që thuhen për Shqipërinë e Madhe. Nuk kemi ambicie kundër Greqisë”. Reagimet kanë qenë të shumta edhe në rrjetet sociale.

Një pjesë e qytetarëve grekë që kanë ndjekur intervistën kanë komentuar në profilin e gazetarit Alexis Papahelas në lidhje me anglishten e kryeministrit Rama. “Trishtim dhe zhgënjim kur dëgjon Ramën të flasë anglisht më rrjedhshëm se kryeministri ynë,” shprehet një qytetar.

Ndërsa të tjerë shkruajnë se Rama merr mbështetje nga Erdogani, prandaj ishte aq i prerë në çështjet që ngriti. Intervista është ndjekur nga 130 mijë shikues, ndërsa në faqen e internetit mori mbi 500 mijë klikime.