Qytetari i varur i një shteti të pavarur

Jetlir Buja Opinione

Më 17 shkurt festohet 10 vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Kjo është dekada e parë e ekzistencës së një shteti dhe natyrisht që për historinë nuk përbën kohë të gjatë. Megjithatë, një dekadë është shumë e gjatë për banorët e këtij vendi, të cilët janë të zhgënjyer me atë që e pasoi Pavarësinë.

Kosova sot nuk është një vend i dashur nga qytetarët e saj. Nuk ka ndonjë matje, por unë besoj që të paktën çdo i katërti kosovar i moshës rinore, dëshiron që të largohet nga vendi i tij i pavarur. Në fluksin e madh të ikjeve që u bënë në fund të 2014-s dhe fillim të 2015-s, përmendej shpesh termi i ‘perspektivës’. Thuhej që në Kosovë nuk ka perspektivë. Shumica prej tyre i jepnin perspektivës njëfarë dimensioni ekonomik, por është evidente që kemi të bëjmë me më shumë se kaq. Një pjesë e madhe ka përçmim për të kaluarën dhe kulturën e këtij vendi. Për zgjedhjet që bëhen në formë kolektive. Nuk po flas vetëm për zgjedhjet mes partive politike, por poashtu edhe për zgjedhjet e përditshme në shijet muzikore, ose përgjithësisht artistike, në zgjedhjet për të mos bërë asgjë në përmirësimin e sporteve, ose në përmirësimin e gjërave tjera.

Pra, tash e një dekadë Kosova nuk jep perspektivë. Që ta shohim etimologjikisht, kjo fjalë nënkupton “të shohësh më nga afër”. Kjo nënkupton që kosovarët të cilët donin të iknin nga Kosova shkaku i mungesës së perspektivës, e kishin pak më të thelluar se që artikulohet idenë e tyre për një gjë të tillë. Ata e mendonin poashtu jo vetëm mungesën e tyre në skemën e prodhimit, por poashtu edhe sigurinë për vendin eventual brenda asaj skeme. Iu mungonte qartësia në shikimin e mundësive të tyre. Nuk ishte e sigurtë që nëse profilizoheshe, merrje ndonjë zanat a bëheshe i mirë në ndonjë gjë – e fitoje një vend pune dhe një mundësi për avancim në karrierë.

Si rrjedhojë e kësaj mos-perspektive njerëzit e humbën entuziazmin festues të ditës së shpalljes së pavarësisë, dhe e humbën dashurinë për vendin e tyre. Kjo ndër tjera çoi edhe në një racizëm internal – ku shoqëria jonë paragjykohet si inferiore nga vetë qytetarët e saj.

Por, kjo është rrjedhojë e njëfarë shpërputhjeje mes pritjeve dhe asaj që njëmend mund të arrihej. Padyshim, klasa politike është e padijshme dhe e pamençur të nxis zhvillimin. E sidoqoftë, zhvillimi i vendit nuk është se nuk ndodh. Kjo sepse, nuk varet gjithçka nga institucionet dhe liderët e këtyre institucioneve. Kosova ka një diasporë mjaft të fortë, e poashtu mundësi të mira për ndërmarrësi. Nëse kjo e fundit nuk po zhvillohet sa duhet, ka të bëj para së gjithash me kulturën tonë dhe mbetjet komuniste në mendësinë tonë. Unë nuk besoj që Kosova aplikon politika të pafavorshme për bizneset e vogla. Nëse dikush dëmtohet nga politikat e qeverive të deritashme të Kosovës, atëherë janë bizneset e mëdha që detyrohen – shkaku i taksave të larta, rrymës disafish më të shtrenjtë se për qytetarët, moskthimit të këtyre taksave, detyrimit për të bashkëpunuar me politikën e ndonjëherë haraçit – të punojnë edhe në forma të paligjshme ose në atë që njihet si ekonomi informale.

Por, Kosova megjithëse vendi më i varfër në Evropë, nuk mendoj se promovon pabarazi të madhe sociale. Të paktën jo, brenda sferave të institucionalizuara të pushtetit. Një teoricien i sistemit neoliberal mund të thotë që ky është problemi, por e vërteta është se këtu nuk ka asnjë problem. Nëse ritmi i rritjes së ekonomisë është i vogël kjo ndodh sepse nuk mund të jetë ndryshe.

Shumë njerëz i kanë kontribuar idesë se gjithçka varet nga disa pika të caktuara ku pushteti ushtrohet mbi një shoqëri të tërë. Ta zëmë, i shohim akterët politikë brenda një skene teatrale – dhe mendojmë se çdogjë në shoqëri lëvizet prej tyre. Nuk është aspak e vërtetë. Kosova është një vend i lirë, një vend ku ka hapësirë të madhe për ushtrimin e një mori forcash të ndryshme nga shumë njerëz të papërfshirë në skenën teatrale për të cilën folëm.

Kosovarët duhet të çlirohen nga paranoja se çdogjë është e kapur dhe e varur. Duhet të fitojnë njëfarë pavarësie individuale brenda kësaj shoqërie. Të kuptojnë që individi është në njëfarë konflikti të përhershëm me shoqërinë – për nga vetë natyra e saj. Harrojeni Hegelin, brenda shoqërisë nuk do të ndiheni asnjëherë si në shtëpi – siç e definon ai lirinë. Këtu qëndron e gjithë tragjedia që duhet pranuar. Sepse vetëm kështu pranohet dhe ushtrohet liria e njerëzve.

Është e trishtë të shohësh ende ngarendjen e moçme për Bashkim Kombëtar me Shqipërinë, apo për Kosovën si djep të Serbisë. Kosovarët duhet ta zhvillojnë vendin e tyre duke u nisur nga interesat e tyre krejtësisht vetjake – e të cilat i shërbejnë shoqërisë duke qenë pikërisht vetjake. Pra, me ironi mund të themi që shoqërinë individi mund ta ndihmojë, jo duke menduar për fatin e saj, por duke menduar për vete.

Kjo është pavarësia që do të duhej ta fitonim qe një kohë të gjatë. Të angazhoheshim pa pritur një renditje ideale të potencialeve dhe kapaciteteve tona individuale. Kjo nuk do të ndodh asnjëherë! Shteti nuk do të jetë kurrë i përsosur. Gjithnjë do të ketë gjenerim të shtypjeve.

Unë mendoj se flamuri i Shqipërisë te rrethi në Prishtinë duhet të hiqet, dhe në vend të tij të vihet flamuri i Republikës së Kosovës. Kjo do të shenjonte – nëse jo tjetër – çlirimin e brendshëm të Kosovës nga ëndrrat e kota fallocentriste për të qenë territorialisht më të mëdhenj. Dhe e gjithë kjo, vetëm sa për t’u matur me fqinjtë.

Unë nuk mendoj se shqiptarët e Kosovës luftuan për bashkim me Shqipërinë. Mendoj se kjo luftë ndodhi si reaksion ndaj shtypjes së madhe, dhe e dëshirës për vetë-kontroll e vetë-vendosje. Për liri. Dhe nga kjo pamësi, liria del e kundërt me bashkimin kombëtar – ku do të duhej t’i ridorëzonim një pjesë kontrolli te dikush tjetër.