Isa-Mustafa1

Qeverisja e Isa Mustafës varfëroi kosovarët

Për tri vite sa vendi qeveriset nga koalicioni LDK-PDK, kosovarët konsumojnë më pak, paguajnë më shtrenjtë dhe vazhdojnë të jenë më të varfërit në Evropë.

Periskopi.com Lajme

Kështu e vlerësojnë gjendjen në Kosovë të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare e vendore, një vit para se t’i përfundojë mandati i Qeverisë Mustafa, shkruan Gazeta Fjala.

Ndërkaq, njohës të ekonomisë vlerësojnë se rritjen ekonomike, të cilën kryeministri Mustafa thotë se është më larta në rajon, mbi 3.6 për qind, nuk po e ndjejnë ne jetën reale të gjithë qytetarët.

Kosova sipas tyre ka standardin e jetesës më të ulëtin në Evropë. Bile për kohën sa vendi qeveriset nga koalicioni LDK-PDK, është rritur varfëria.

30 për qind ka arritur varfëria e përgjithshme në Kosovë kurse varfëria ekstreme kalon 10 për qindëshin.

Sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, për të gjetur një zgjidhje për zbutjen e gjendjes së rëndë sociale, shumë familje alternativë të vetme kanë ndihmat sociale nga shteti.

Kështu që vetëm për një muaj rreth 500 familje aplikojnë për herë të parë për asistencë sociale në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Edhe konsumi për ekonomi familjare gjatë vitit 2015 në Kosovë ka qenë 7.503 euro, apo 100 euro më pak se një vit më parë.

“Nga kjo vërehet se ka pasur rënie të lehtë prej 1,4 përqind në krahasim me vitin 2014. Në vendbanimet urbane kanë pasur një rënie të konsumit prej 1,8 për qind dhe në ato rurale prej 0,9 për qind”, thuhet në Anketën e Ekonomive Familjare për vitin 2015.

Sipas kësaj ankete, kosovarët kanë probleme esenciale të mbijetesës, duke përfshirë pafuqinë për të përballuar shpenzime minimaale si ajo për qiranë dhe për të siguruar ushqimin.

Ndërkohë këto shifra rreth standardit të jetësës dhe tjerave për cmimet duket se nuk paraqesin shqetësim për kryeministrin, Isa Mustafa.

Madje, ai në deklarimet e fundit për media është mburrur me siç ka thënë ai të arriturat e mëdha të Qeverisë së tij.

“Instituti IFO i Universitetit të Munihut, ndër më prestigjiozët në Evropë, ka publikuar të dhënat për rritjen ekonomike për Evropën. Qartësisht shihet se Kosova ka rritjen më të lartë ekonomike në rajon dhe në Evropë. Po ashtu, një prej mediave kryesore të biznesit në botë, Business Insider, në një artikull të saj ka renditur Kosovën në vendin e 13 në botë për lehtësitë e krijuara për bizneset”, ka shkruar Mustafa

Dështimi i reformës fiskale

Megjithatë rritja ekonomike e proklamuar me pompozitet nga kryeministri Mustafa nuk ka dhënë asnjë efekt në përmirësimin e jetës se qytetarëve.

Qeveria e Isa Mustafës pati premtuar se gjendja do të përmiresohet me uljen e TVSH-së në produktet bazë nga 16 në 8 për qind.

Por hulumtimi i fundit i Institutit Gap mbi efektet e TVSH-së në uljën e çmimeve të konsumit, ka gjetur se jo që nuk u ulën çmimet, por me planin e tij ministri Avdullah Hoti del të këtë pasur qëllim kryesor rritjen e të hyrave buxhetore.

Në të njejtën kohë kur ka ndodhur ulja e TVSH-së për produktet bazë, është rritur shkalla standarde e TVSH-së në shumicën e produkteve nga 16 në 18 për qind, apo 12.5 për qind më e lartë se para shtatorit të vitit 2015.

“Në bazë të kodeve tarifore të produkteve të importuara në vitin 2015, TVSH e zbritur është aplikuar në rreth 300 kode doganore, ndërsa në rreth 5,500 kode tjera tarifore është vendosur TVSH prej 18 për qind. Siç është pritur, rritja e TVSH-së së”, thuhet në hulumtimin e GAP-it

Ekspertët: Rritjes ekonomike nuk po i gëzohen qytetarët

Entuziazmin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafës, për rritjen ekonomike, nuk e vlerësojnë njësoj edhe ekspertët e ekonomisë.

Ibrahim Rexhepi, njohës i çështjeve ekonomike, thotë për Gazetën Fjala, se nuk dyshon aspak në shifrat që ka përmendur kryeministri, mirëpo sipas tij një rritjeje të tillë, nuk po i gëzohen qytetarët e Kosovës.

“Nuk duhet dyshuar ne shifrat qe permend kryeministri. Ne fakt, ato jane thene edhe nga Fondi Monetar Nderkom,betar dhe nga Banka Boterore. Mirepo, gjithmone nen hije mbetet nje fakt tjeter- pse kesaj rritje nuk i gezohet e tere popullata ne Kosove, perkatesisht pse ajo nuk po ndikon edhe ne rritjene mireqenies se pergjithshme”, ka thënë Rexhepi.

Rexhepi, përmend edhe disa faktorë të tjerë që po ndikojnë veç në shtim të korrupsionit e informalitetit. Raporti i fundit nga Amnesty International e renditë Kosovën ndër vendet me të korruptuara në rajon dhe më gjerë.

Sipas Rexhepit, shkalla e papunësisë ka mbetur shumë e lartë, njëkohësisht janë lartësuar deficit tregtar, korrupsioni e informaliteti.

“Jane keto arsyet pse efektin e rritjes e shijojen vetem nje kategori e ngushte e njjerezve, perkatesisht ata qe kane casje ne parane publike, qofte si perfitues te drjetperdrejte, apo permes tendereve. Ata vjelin frytat, pasi qe edhe rritja ekonomike kryesisht eshte e nxitur nga sektori publik”, deklaron eksperti i ekonomisë.

Sipas tij qytetarët do të ishin në situatë më të rëndë, sikur të mos kishte alternative të financimit të buxhetit familjar

Pa e përmendur, nuk i lë remitancat, të cilat i sheh si ndikim në rritje të konsumit.

“Popullata do te ishte en situate edhe me te rende sikurse te mos kishte forma alternative te financimit te buxhetit familjar. Rol dominant ketu ka diaspora, e cila, zyrtarisht, secilin vit ne Kosove dergon mbi 700 milione euro, para qe po ndikojne ne rritjene konsumit. Ndikim kane edhe pagat ne sektorin publik, te cilat me heret u rriten jahste cdo logjike ekonomike”.

Ndërkohë sipas një raporti të Institutit për Zgjidhje Strategjike Kosova renditet në mesin e vendeve që patën rritje ekonomike, por që e njejta nuk u përkthye në rritje të kualitetit të jetesës.

Të gjitha vendet, përveç Greqisë (-1.3 % rritje të GDP-së më 2016), do të kenë rritje pozitive ekonomike më 2016. Sipas parashikimit të FMN-së, Sllovakia do të ketë rritje të GDP-së prej 3.6 % ndërsa Polonia 3.5 %. Mali i Zi (3.5 %), Rumania (3.9 %) dhe Kosova (3.8 %) do të kenë rritje relativisht të lartë të GDP-së më 2016.