Qeshim me propagandën ruse. Por edhe historia që prodhon Hollywood-i është rrenë

Simon Jenkins Opinione

Ajo dridhet para ekranit, ndërsa i kullon gjaku nga fytyra. Disa prej plagëve të saj janë të reja, por të tjerat janë të thella. Askujt s’i bëhet vonë, sepse performanca e saj është sensacionale. Emri i saj është ‘e vërteta’ dhe ajo është rrahur shumë keq.

Trilleri i ri, “All the Money in the World, i bazuar në kidnapimin e John Paul Getty III në vitin 1973, shpalos një njoftim se “është i inspiruar” nga ngjarje të vërteta dhe që zhanri i saj është “histori”. Çka don të thotë kjo, meqë disa pjesë të këtij filmi është e qartë se nuk janë të vërteta? Pse të mos thuhet “i inspiruar nga gënjeshtra”, dhe që zhanri është triller? Kjo do të ishte e vërtetë.

Ngjashëm, promovimi i filmit të fundit për Churchillin, ‘Darkest Hour’, e shfaq aktorin Gary Oldman në rolin e “Churchillit”. Çdokush, përfshirë njeriun e madh, është bërë që të duket si në jetën reale. Kërkohet nga ne që ta marrim si të vërtetë. E megjithatë, përfshin një skenë të fabrikuar, jashtë karakterit, në të cilën ai flet me një njerëz të zakonshëm, qartësisht duke dashur që ta bëjnë të duket më mirë. Nëse kjo nuk është e vërtetë, atëherë sa pjesë të tjera “nuk janë Churchilli”? Diçka prej filmit, shumica, apo i gjithë filmi?

Shikuesve të serialit televiziv “The Crown” poashtu iu kërkohet që t’i trajtojnë të dhënat e jetës së Mbretëreshës si të sakta. E megjithatë, historiani mbretëror Hugo Vickers ka referuar dokumente që u bë e qartë se ishin të montuara – përshirë çështjen Profumo në lidhje me Princin Philip dhe osteopatin e shoqërisë së lartë, Stephen Ward. Shikuesit nuk i ofrohet asnjë ndihmë për të parë atë që është e vërtetë dhe atë që është e rreme. The Crown do të jetë tash “e vërteta” rreth Elizabetës dhe Philipit, gjithandej botës në përjetësi.

A duhet të brengosemi? Mbrojtësit e Hollywood-it pretendojnë që dokumentaret e montuara janë një shaka e mirë dhe e pastër. Meqë çdo lajm është zbavitës, pse të ankohemi nëse kjo zbavitja e vesh vetveten si lajm, që të bëj thirrje seksuale? E çka nëse kidnapimi i Gettyt nuk përfundonte me një ndjekje banale policore, ose nëse Princi Philip kurrë nuk e ka pasur aferën e lartpërmendur? Biografi Lawrence James e pëlqen filmin e ri për Churchillin sepse – edhe pse mund të mos jetë “tërësisht i vërtetë” – është “historia ashtu siç është dashur të jetë… histori si një vepër arti e punuar për të magjepsur botën”.

Hamendem nëse do të thoshim të njëjtën gjë për filmat e fabrikuar që glorifikonin gjermanët. Nuk na është thënë se çka mendon Mbretëresha për shtrembërimet e bëra te “The Crown”, por dyshoj se ajo do ta quante atë “historia siç do të duhej të ishte”: Pse producentët e filmave e ndjejnë nevojën që të fabrikojnë incidente në jetën e Mbretëreshës, ose të Getty-t, apo të Churchillit, kur e vërteta është mjaftueshëm e vërtetë? A i vyejnë njëmend Churchillit gënjeshtrat për ta ngritur reputacionin e tij?

Industria e filmit duket se e ka humbur besimin te trillimi si një mënyrë për t’i lëvizur zemrat dhe mendjet. Ajo kërkon autenticitetin e historisë që t’i ndihmojë në shitje. Por trillimi varet nga “pezullimi i mosbesimit”, në vendosjen e një realiteti të rremë bindës, siç bën Tolstoji te Lufta dhe Paqja për luftën e Borodinos. Por synimi i dokumentareve që të jenë të bëjnë gazetarinë e realitetit ‘real’. Kjo varet nga besimi në saktësinë e rrëfyesit.

Filmi për Gettyn për mua ishte i prishur vazhdimisht, në çdo sekuencë, sepse lëvizte herë pas here nga historia në një fantazi të qartë. Fakti dhe trillimi e rrëzonin njëra-tjetrën derisa e humba besimin në atë që nuk duhej të besoja.

Kjo është arsyeja pse, mes dramave të Washingtonit, preferoj “Washington Behind Closed Doors” dhe “Krahu Perëndimor”, më shumë se “All the President’s men” dhe “Oliver Stone’s JFK”. E dija se këta të fundit ishin trillim, ndërsa të parët pretendonin se bazoheshin në fakte, por vetëm deri në një pikë. E kam admiruar filmin e Spielbergut “Schindler’s List”, sepse e dija që ai ngulmonte të verifikonte evidencën e tij. Jam kënaqur duke e parë “Frost-Nixon” kur doli, poashtu, sepse ishte krejtësisht i saktë.

Jam trajnuar si gazetar që të respektoj evidencën – sado e papërshtatshme qoftë – sepse gazetaria duhet të mbajë fortesën e së vërtetës derisa historianët të mbërrijnë. Gabimet mund të bëjmë, por falsifikimi i qëllimshëm është gabim, dhe ne e dimë se është. Kjo është arsyeja pse perëndimi përdori propagandistët rusë për ta përqeshur Rusinë – dhe ende e bën – që sajonte lajme dhe e shtrembëronte historinë. Kjo është arsyeja pse e sulmojmë Donald Trumpin që vepron ngjashëm.

Kësisoj, unë jam i kënaqur që po ndihem jo rehat duke parë gënjeshtra të veshura si të vërteta. Të besosh atë që lexon e sheh në lajme dhe libra ose në ekrane nuk është një preferencë e rastësishme. Sado pavetëdijshëm që të mbështetemi në të. Ne duhet të besojmë ata që shkruajnë, redaktojnë, regjistrojnë e filmojnë atë që paraqitet si e vërteta, sepse nuk kemi alternativë tjetër.

Problemi nuk është që të mbyllemi në kinema. Të dhënat e fundit për presidencën e Trumpit, në librin e sapopublikuar të Michael Wolffit “Fire and Fury”, janë të mbushura me gjoja të stërdëgjuarat citime të dorës së dytë e të tretë, shpesh tepër fyese për individët e përmendur. Trumpi, zor të jetë i paanshëm, tha që gjysma e tyre janë gënjeshtra. Një raportues i BBC-së u shpreh se përshkrimi që i bëhet Shtëpisë së Bardhë të Trumpit, është shkatërrues “edhe nëse vetëm gjysma e tyre janë të vërteta”. Kjo padyshim varet se për cilën gjysmë flasim. Mund të thosha të njëjtën për raportuesit e lajmeve të BBC-së, por jo – sepse unë pres që gjithçka të jetë e vërtetë.

Kjo shtyllë e ndershmërisë gazetareske, New York Times-i, përdorte një rregull duke i ndaluar “citimet e paatribuuara poshtëruese”, përveç atyre ku birimet ishin veçanërisht të verifikuara dhe që i bëheshin të ditura vetë redaktorit. Ato ditë kanë mbaruar, në Britani nëse jo edhe në Amerikë. I besoj integritetit të Wolffit, por a duhet të besoj se i ka verifikuar ata që i kanë dhënë atij thashetheme dashakëqij, vetëm sepse atij i pëlqejnë ato?

Çka do të ndodh nëse libri bëhet film? Shumë nga gazetaria sot montohet me citime të paatribuuara. Nuk kemi asnjë mundësi që të dimë nëse ato janë të sajuara. Na duhet veç të besojmë te ndershmëria e raportuesve dhe redaktorëve. Mbi atë bazë të hollë besimi, e gjithë fabrika e inteligjencës sonë për botën që na rrethon rri e varur.

Jam i sigurtë që historianët një ditë do të gjejnë kohë që të ndreqin versionet e Hollywoodit për historinë: ata i kanë kaluar katër shekuj për të korrigjuar Shakespear-in, merreni me mend. Por ne të gjithë nuk mund të presim aq gjatë. George Orwell nuk po bënte shaka kur tha që ata të cilët e kontrollojnë të kaluarën, e kontrollojnë edhe të ardhmen.

Filmat dokumentarë që vullnetshëm e shtrembërojnë historinë duhet të marrin një certifikatë me një F të madhe, për fiksion [trillim]. Kur t’iu përplaset e vërteta për fytyre, atëherë do ta marrin vesh se çka po bëjnë: se po gënjejnë.

Përktheu e përshtati: Periskopi