beqir

Prokurorja që e shpalli vetëvrasje rastin e Dafina Zhubit, e bija e anëtarit të PDK-së – Beqir Sadikaj

Në mbrëmjen e 17 shkurtit, në një banesë në lagjen “Emshir”, në Prishtinë, u gjet e vrarë 34-vjeçarja Dafina Zhubi.

Periskopi.com Lajme

Dje Gazeta Online Insajderi raportoi se prokurorja Fitore Sadikaj e kishte mbyllur rastin e Zhubit si vetëvrasje, përkundër faktit që Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kishte vlerësuar se provat çojnë në përfundim se ajo është vrarë nga i dashuri i saj, Astrit Dibra.

Insajderi, nga burime të vetat kishte marrë vesh se prokurorja Sadiku vendimin për mbylljen e rastit e ka marrë në bashkërendim me kryeprokurorin e Prishtinës, Imer Beka, i cili ka ndikim të madh në Prokurori.

“Kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka ka ndikuar mbi prokuroren, Fitore Sadikaj që vdekjen e Dafina Zhubit ta cilësojë si vetëvrasje, e jo vrasje. Ka ndikuar po ashtu që ta lirojë nga paraburgimi të dyshuarin Astrit Dibra”, shkroi dje gazeta.

Por, lidhjet e fuqishme nuk i mungojnë as prokurores Sadikaj.  Periskopi mëson se Fitore Sadikaj është e bija e Beqir Sadikajt, zyrtar i lartë në Partinë Demokratike të Kosovës dhe ish-kandidat për deputet nga radhët e po kësaj partie.

beq

Në zgjedhjet e fundit, Sadikaj kishte arritur që të marrë vetëm 5,395 vota duke dështuar që të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës.

Beqir Sadikaj ishte po ashtu anëtar i Këshillit Drejtues në Universitetin e Prishtinës dhe profesor në Fakultetin Juridik, ku ligjëron lëndët në Bachelor: Sociologjia juridike, Sociologjia, Komunikimi masiv dhe në në Master: E drejta e mediave. Njihet si një ndër kontribuesit më të mëdhenj që të shkarkohet ish-rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu.

Babai i prokurores, Beqiri ishte bërë i njohur edhe kur i ishte vërtetuar plagjiatura dhe ishte degraduar nga Profesor i Asocuar në asistent, megjithëse vendimi ishte shfuqizuar me pas.

Sadikaj në PDK e ka të angazhuar edhe djalin, Triumfin, i cili mban një post jo aq të parëndësishëm. Ai është kryetar i Rinisë Demokratike të Prishtinës në PDK.

tr

Rrethanat e vdekjes së Zhubit filluan të kontestohen që nga fillimi, por duket se dikush insiston në klasfikimin e vdekjes së saj si vetëvrasje. Ndër më meritorët që rasti i saj të mbyllet me këtë vendim janë prokurorja Sadiku dhe kryeprokurori Beka, siç raportoi edhe Insajderi.

Zhubi kishte vdekur në banesën e Astrit Dibrës në lagjen “Emshir” në Prishtinë. Ishte gjetur e shtrirë në shtratin e dhomës pa shenja jete. Një plumb kishte shpuar kokën e saj. Dibra kishte thënë se kishte qenë në dhomën tjetër kur kishte dëgjuar të shtënën.

Në një takim në mes të kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, prokurorit nga kjo zyrë, Lulzim Sylejmani dhe kryeprokurorit të Prishtinës, Imer Beka ishte nxjerr përfundimi se duhet të ngritet aktakuzë për vrasje bazuar në prova.

Takimi ishte mbajtur pasi nëna e viktimës dhe avokati i saj ishin ankuar se prokurorja e rastit nuk po i përfillte kërkesat e tyre dhe po refuzonte të kryente veprime hetimore që do të ndikonin në zbardhjen e së vërtetës. /Periskopi/