66afedd988dea33658cb71e484b851ba_xl-650x300

Prokuroria zgjeron hetimet në rastin e sulmit ndaj Konsullatës së Turqisë në Prizren

Periskopi.com Lajme

Pesë të dyshuarit për sulmin me gur dhe koktej molotovi në ndërtesën e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Turqisë në Prizren mund të përballen me akuzat edhe për rrezikimin e objektit zyrtar të personave nën mbrojtje ndërkombëtare.

Kjo ngase Prokuroria Themelore e Prizrenit ka marrë vendim që të zgjerojë hetimet duke përfshirë edhe dispozitat e veprës penale të rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, përkatësisht paragrafin 3 të saj, shkruan sot Koha Ditore.

“Prokuroria ka vendosur që të zgjerojë hetimet lidhur me dyshimin se në këtë rast mund të jetë kryer një vepër më e rëndë penale nga neni 173, paragrafi 3 i Kodit Penal të Kosovës. Pra, vepra penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm mbetet dhe hetimet zgjerohen edhe për veprën penale nga neni 173, paragrafi 3”, ka thënë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, teksa ka sqaruar se me rastin po merret Departamenti i Krimeve të Rënda.

Neni 173 i Kodit Penal të Kosovës përkufizon veprën penale “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”. Ndërsa paragrafi 3 i këtij neni thekson se “Kushdo që kryen një sulm të dhunshëm mbi objektet zyrtare, vendbanimin privat ose në mjetet e transportit të një personi nën mbrojtje ndërkombëtare, kur akti i tillë ka gjasë të rrezikojë personin ose lirinë e tij, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet”.