Prokurori do ta kundërshtojë lirimin e Enver Hasanit

Prokurori Abdurrahim Islami paralajmëroi se do ta kundërshtojë vendimin e Gjykatës së Apelit për shfajësim të Enver Hasanit nga akuzat për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumenti.

Periskopi.com Lajme

 

Pasi Gjykata e Apelit njoftoi dje se hodhi poshtë aktakuzën dhe pushoi hetimet ndaj Enver Hasanit për aktakuzën ku ai si kryetar i Gjykatës Kushtetuese akuzohej për falsifikim të nënshkrimit të një anëtari ndërkombëtar të saj, prokurori special Abdurrahim Islami bëri të ditur se do ta kundërshtojë këtë vendim.

Abdurrahim Islami që përfaqësoi Prokurorinë Speciale në këtë gjykim ndaj Enver Hasanit tha për KALLXO.com se ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit do të parashtrojë kërkesë për mbrojtje ligjshmërie në Gjykatën Supreme.

Ky prokuror edhe dje kur foli për KALLXO.com, aktakuzën ndaj Hasanit që u hodh poshtë nga apeli e konsideroi të bazuar.

“Prokuroria konsideron se të gjitha provat në bazë të të cilave është ngritur aktakuza janë marrë në harmoni me kodet në fuqi dhe janë të ligjshme dhe në këtë rast nuk ekziston asnjë rrethanë që do ta përjashtojë përgjegjësinë penale ndaj të pandehurit,” tha dje Islami.

Një javë pasi u ngrit aktakuza ndaj Enver Hasanit në janar të 2016-ës, në Emisionin “Jeta në Kosovë” u diskutua për të.

Sipas aktakuzës që u hodh poshtë nga apeli, Enver Hasani në mënyrë të kundërligjshme në cilësinë e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese vendosi në lidhje me dekretin e Presidentes që kishte të bënte me vazhdimin e mandatit për tre gjyqtarët ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentes rreth vazhdimit të mandatit të 3 gjyqtarëve ndërkombëtarë, Hasani ka shënuar edhe emrin e gjyqtarit Robert Carolan, edhe pse ky gjyqtar nuk kishte marrë pjesë në shqyrtimin e kësaj çështjeje, ngase bëhej fjalë edhe për vazhdimin e mandatit të tij.

Hasani është deklaruar vazhdimisht i pafajshëm  duke e cilësuar aktakuzën si hakmarrje ndaj tij për shkak të punës së tij si kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Emisioni Jeta në Kosovë më 9 nëntor 2014, kishte raportuar për rrugën e cila çoi deri te vazhdimi i mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Ndaj Enver Hasanit është duke u zhvilluar edhe një proces tjetër gjyqësor lidhur me një tender për përkthim librash gjatë kohës sa ai ishte rektor i Universitetit të Prishtinës.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Reklamë
Reklamë