Astrit Dehari

Prokurori i sulmit ndaj Kuvendit flet për rastin Dehari

“Unë asnjëherë nuk e kam autorizuar Policinë që ta vizitojë në burg Deharin, madje as që është kërkuar ndonjë autorizim nga unë për këtë sepse s’kanë pasur për çfarë të shkojnë”, thotë prokurori Abdurrahim Islami, i cili po heton rastin e sulmit kundër Kuvendit të Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Prokurori që po hetonte rastin për sulmin në Kuvendin e Kosovës, ku i dyshuar ishte edhe Astrit Dehari, thotë se ai asnjëherë nuk e ka autorizuar Policinë e Kosovës që ta vizitonte atë në burg.

“Unë asnjëherë nuk e kam autorizuar Policinë që ta vizitojë në burg Deharin, madje as që është kërkuar ndonjë autorizim nga unë për këtë sepse s’kanë pasur për çfarë të shkojnë. Ata kanë qenë të dëgjuar në momentin e parë kur janë arrestuar”, tha prokurori Abdurrahim Islami.

“Përveç provave që janë siguruar në fillim asnjëherë nuk kam autorizuar dikë që ta vizitojë në burg dhe për ta hequr çdo konfuzion se prokurori ka qenë duke pritur pasi që ata janë dëgjuar pas arrestimit”, tha Islami.

Megjithatë, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, thotë se fakti që vizitat nuk kanë qenë të autorizuara nga prokurori nuk do të thotë se ato nuk kanë ndodhur.

Çështja e vizitave të aktivistit të ndjerë të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, u bë temë diskutimi edhe më herët për shkak të vizitave familjare të autorizuara nga gjyqtari i procedurës paraprake.

KALLXO.com kishte kontaktuar më parë me Gjykatën Themelore të Prishtinës lidhur me vizitat familjare të autorizuara nga gjyqtari i procedurës paraprake dhe kishte marrë këtë përgjigje.

“Lidhur me kërkesën tuaj që keni parashtruar ju njoftojmë se gjyqtari i procedurës paraprake nuk është në dijeni lidhur me ndonjë kërkesë për leje-vizitë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren për të ndjerin A.D.”, ka thënë zëdhënësja Mirlinda Gashi.

Megjithatë, pak kohë më pas KALLXO.com kishte publikuar të gjitha lejet për vizita te Astrit Dehari, të nëshkruara nga gjyqtari Vehbi Kashtanjeva.

Astrit Dehari dhe pesë aktivistë të “Vetëvendosjes” u arrestuan më 30 gusht nën dyshimin për sulm me raketahedhës ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Ai dhe dy aktivistë të tjerë, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti, ndodheshin në paraburgim, ndërsa tre të tjerët nën masën e arrestit shtëpiak.

Hetimet për vdekjen e Deharit janë duke vazhduar.

Autopsia e trupit të të ndjerit u bë të hënën e kaluar, ku veç ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore, prezentë ishin edhe ekspertë të caktuar nga familja.

Raporti lidhur me autopsinë e Astrit Deharit u publikua të premten e javës së kaluar, ndërsa kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit duke iu referuar gjetjeve të autopsisë tha se vdekja e Deharit ishte vetëvrasje.

Familja e Deharit, avokati i familjes së tij dhe subjekti politik që i takonte i ndjeri – Vetëvendosje, janë shprehur skeptik ndaj konstatimeve të këtij raporti.

Në një deklaratë lidhur me kërkesën e ministres së Drejtësisë që Scotland Yard ta hetojë vdekjen e djalit të tyre, Avni e Xhemile Dehari thonë se pa dorëheqjen e Dhurata Hoxhës e të Skënder Hysenit dhe pa ndërprerjen e hetimeve aktuale nuk pajtohen për hetime ndërkombëtare