prishtina

Prishtina, pjesë e komunitetit global të të rinjve

Global Shapers Prishtina ka njoftuar se nëpërmjet kësaj organizate kryeqyteti është bërë pjesë e komunitetit më të madh të të rinjve në botë të quajtur Global Shapers Community.

Periskopi.com Lajme

 

Ky komunitet është nismë e Forumit Botëror të Ekonomisë, i cili ka për qëllim që të mbledh të rinjtë anembanë botës të cilët janë të talentuar, entuziastë dhe kreativ në zgjidhjen e problemeve brenda komunitetit të tyre, qoftë nëpërmjet projekteve, qoftë nëpërmjet kampanjave vetëdijesuese apo ndërmarrjeve sociale.

“Të rinjtë në Prishtinë dhe në Kosovë në përgjithësi përballen me shumë probleme, por në të njëjtën kohë unë shoh tek ta edhe shumë potencial dhe entuziazëm për të sjellë ndryshime pozitive në komunitet”, shprehet Andrea Garaiova, kuratore e organizatës. “Unë shpresoj që nëpërmjet punës tonë të arrijmë të kanalizojmë këtë entuziazëm dhe energji duke i përkrahur dhe duke i formësuar të rinjtë me aftësitë dhe hapësirën që ata kanë nevojë për të dhënë kontributin e tyre në shoqëri”.

Komunitetit Global Shapers në Prishtinë synon të mbledh rreth vetes të rinj të pasionuar në fusha të ndryshme shoqërore në Prishtinë dhe Kosovë, me qëllim që bashkërisht të punojnë në krijimin e një ambienti më të përshtatshëm për shoqërinë tonë. Qëllimi më prioritar i komunitetit është që nëpërmjet realizimit të projekteve, të fuqizoj rininë nëpërmjet edukimit dhe ekonomisë.

Promovimi i edukimit digjital (e-learning), përkrahja e këshilleve të nxënësve në shkolla të mesme, e promovimi i ndërmarrjeve sociale janë vetëm disa nga projektet me të cilat ky komunitet do të punojë në të ardhmen, por pa përjashtuar edhe fusha të tjera.

Lansimi zyrtar i organizatës Global Shapers Prishtina do të bëhet nëpërmjet projektit “Social Innovator Speaking Series” i cili do të organizohet më 30 nëntor 2016, nga ora 18:00 në hapësirat e Hotel Sirius.

“Nëpërmjet këtij projekti po synojmë që të sjellim para të rinjve ndërmarrës social të suksesshëm qofshin ata që kanë krijuar ndonjë biznes, apo kanë ndërmarrë ndonjë iniciativë shoqërore, për të treguar storiet e tyre me shpresë që të inspirojmë të rinjtë për mënyrën se si ata vet mund të realizojnë projektet ose ëndrrat e tyre edhe në Kosovë”, thotë Avdyl Gashi, menaxher i projektit. “Me pak fjalë nëpërmjet këtij projekti duam t’i mësojmë të rinjtë se si të zënë peshk”.

 

Paralelisht me lansimin, organizata po përgatitet të hapë thirrjen për të rinj entuziastë dhe të talentuar që ti bashkohen komunitetit me talentet e tyre, për të sjellë ndryshime pozitive në shoqëri.

“Ne kemi disa projekte nga fusha e edukimit dhe teknologjisë deri në mbështetjen e ideve kreative të biznesit për nxënësit e shkollave të mesme të cilat mezi po presim të fillojmë t’i realizojmë pas lansimit”, shton për fund Andrea Garaiova, kuratore në Global Shapers Prishtina.

Ky komunitet aktualisht gjendet në më shumë 440 qytete të botës, dhe numëron më shumë se 6630 anëtarë të rregullt dhe 311 alumni.