mjegulla-prishtine-690x458-657x350

Prishtina futet në vijën e kuqe me ndotje ajri

Prishtina ka hyrë në vijën e kuqe për sa i përket ndotjes së ajrit. Kështu thonë drejtues të Partisë së Gjelbër, por edhe matjet e cilësisë së ajrit që i bën Ambasada amerikane, në Prishtinë, shkruan sot Koha Ditore.

Periskopi.com Lajme

Vlerat e cilësisë së ndotjes së ajrit kanë arritur në 161, që sipas sqarimeve që jepen në sajtin e Ambasadës amerikane, rezulton se Prishtina ka hyrë në vijën e kuqe të ndotjes së ajrit, vlerat e ndotjes së të cilës sillen prej 151 deri në 200, e cila ndryshe definohet si vija “Unhealthy”(e pashëndetshme).

Në sajtin e Ambasadës sqarohet se ndotja e ajrit paraqet problemin kryesor shëndetësor, me të cilin përballen me miliona njerëz në botë.

“Monitori i cilësisë së ajrit i vendosur në ambasadë mat ajrin në Prishtinë çdo një orë, duke përllogaritur kështu masën e pluhurit, ndotjen, tymin, përmbajtjen e karbonit dhe të lagështisë”, thuhet në sajtin e Ambasadës.

Zyrtarë të Komunës së Prishtinës nuk kanë folur për statistikat e ndotjes së ajrit në Prishtinë. Ata thonë se Komuna do të dalë me një raport për këtë çështje të premten.

“S’ka rezultate deri të premten, kur të dalë raporti”, citohet Muhedin Nushi, përmes zyrtarit të informimit të komunës, Erzen Vraniqi.

Por ndryshe nga Komuna, drejtues të Partisë së Gjelbër kanë thënë se ndotja e ajrit në Prishtinë është alarmante. E kësaj gjendjeje, sipas tyre, i kanë “kontribuar” shumë faktorë.