Presidenti priti përfaqësues të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim kryetarin e Shoqatës të Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jasharin, sekretarin e kësaj shoqate, Ramiz Ramën, dhe kryetarin e Shoqatës të Invalidëve të Luftës, Fadil Shurdhajn.

Periskopi.com Lajme

Në këtë takim është biseduar për sfidat që po ballafaqohen familjet e dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës, sidomos ato që kanë të bëjnë me disa barriera ligjore.

Presidenti Thaçi është interesuar për mirëqenien e tyre, duke thënë se liria dhe pavarësia e Kosovës nuk do të ishte e mundur pa sakrificën e tyre.

Përfaqësuesit e këtyre dy shoqatave kanë theksuar se ekziston një nevojë për një zbatim më të mirë të ligjeve që prekin këto kategori, si dhe një koordinim më i mirë ndërmjet institucioneve, sidomos ministrive.

Me këtë rast, presidenti Thaçi ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë në realizimin e kërkesave të këtyre kategorive, gjithmonë duke u bazuar në praktika pozitive në rajon dhe Evropë./ Periskopi