Potenciali i tërbimit

Slavoy Zizek Opinione

Ndoshta arritja kryesore e Leninit ishte që ai heshturazi e hoqi nocionin e marksizmit ortodoks të revolucionit – si një hap të nevojshëm në progresin historik. Në vend të tij, ai e ndoqi pikëpamjen e Saint-Justit, që thoshte se revolucioni është si lundërtari që navigon në territore të paeksploruara.

Kjo ishte përgjigjja e Leninit për problemin madhor të marksizmit perëndimor: si është e mundur që klasa punëtore nuk e konstituon vetveten si një agjent revolucionar? Marksizmi perëndimor, i asaj kohe, ishte në kërkim konstant për agjentë të tjerë social që do të luanin rolin e agjentëve revolucionarë, për të zëvendësuar të sëmurën klasë punëtore: fshatarët e botës së tretë, studentët dhe intelektualët; dhe të përjashtuarit… por edhe refugjatët, për të cilët disa majtistë të dëshpëruar mendojnë se janë “proletarët nomadikë”.

Dështimi i klasës punëtore si subjekt revolucionar është në bërthamën e revolucionit Bolshevik: mjeshtëria e Leninit qëndronte në detektimin e ‘potencialit të tërbimit’ të fshatarëve të zhgënjyer. Revolucioni i tetorit u fitua me slloganin “tokë dhe paqë,” që iu adresua masës së madhe fshatare, duke e kapur një moment të vogël nga pakënaqësia e tyre radikale.

Kundër së tanishmes

Lenini po mendonte për këta rreshta një dekadë para revolucionit, që tregon arsyen pse ai ishte i tmerruar nga suksesi që dukej në horizont i reformave të tokës që bëri Stolypin, i cili mësynte krijimin e një klase të re e të fortë të fermerëve të pavarur.  Ai shkroi se nëse Stolypin do të kishte sukses, shansa për revolucion do të humbej për dekada të tëra. Të gjitha revolucionet socialiste, nga Kuba deri në Jugosllavi, e ndoqën këtë model, duke kapur mundësinë në një situatë kritike ekstreme.

Çështja nuk është vetëm se revolucioni nuk udhëton më me historinë, duke ndjekur ligjet e tyre – problemi është shumë i ndryshëm. Edhe sikur aty të jetë një ligj i historisë, pak-a-shumë predominant në rrjedhën më të madhe të zhvillimit historik, dhe revolucioni mund të ndodh në ndonjë hapësirë të ngushtë intervenuese, “kundër së tashmes.”

Disa ia kundërvënë Leninin e 1917-s, Leninit të viteve të fundit të jetës së tij, një Lenin më pragmatik e më realist që dëshpërimisht kërkonte të institucionalizonte revolucionin në një mënyrë shumë më modeste. Sidoqoftë, çfarë këto dy qëndrime kanë të përbashkët është vullneti i pamëshirë për të marrë pushtetin dhe më pas për ta mbajtur atë.

Fokusi i Leninit për të marrë pushtetin nuk e shpreh vetëm dëshirën e tij për pushtet, por në fakt don të thotë shumë më shumë: obsesionin e tij (në sensin e mirë të këtij termi) për hapjen e një “territori të çliruar,” hapësirë që do të kontrollohej nga forcat emancipuese jashtë sistemit global kapitalist.

Kjo është arsyeja pse çdo poezi për një revolucionalizim permanent ishte krejt e huaj për Leninin – kur, pas humbjes së një revolucioni të pritur në mbarë evropën në vitet e hershme 20’, disa Bolshevikë menduan se do të ishte më mirë të humbnin pushtetin sesa ta mbanin atë në ato kushte, ide që e tmerronte Leninin.

Në anën tjetër, kishte më shumë ‘utopizëm’ në përpjekjet e Leninit për të mbushur hapësirën e lirë jashtë sistemit kapitalist me përmbajtje të re – paradoksi është që Lenini ishte pragmatist për atë se si të merrje pushtetin, por utopist në atë se çka të bëhej me të.

Dhe sot jemi në rrethana të ngjashme. Ndërsa rezistenca majtiste kundër kapitalizmit global dështon vazhdimisht e vazhdimisht që të minojë avancimin e tij, mbetet jashtë lidhjeve me shumë trende që qartë tregon dezintegrimin progresiv të kapitalizmit. Është sikur dy tendencat (rezistenca dhe vetë-dezintegrimi) lëvizin në nivele të ndryshme dhe nuk mund të takohen me njëra-tjetrën, kështuqë ne kemi protesta të kota në paralele me shkatërrimin imanent dhe nuk ka mënyrë për t’i bërë këto dyja bashkë në një akt të koordinuar kapërcyeshmërisë emancipuese të kapitalizmit.

Utopia e vërtetë

Si erdhi deri te kjo? Ndërsa (shumica) e majta dëshpërimisht kërkon të mbrojë të drejtat e punëtorëve të vjetër kundër sulmeve të kapitalizmit global, janë thuajse ekskluzivisht kapitalistët ‘më progresivë’ ata (nga Elon Musk deri te Mark Zuckerberg) që flasin për post-kapitalizmin – sikur tema tjetër e një pasazhi nga kapitalizmi dhe sikur ta dinim se një rend i ri post-kapitalist përshtatet nga vetë kapitalizmi.

Megjithëse Marksi n’a ofron një analizë të pakapërcyeshme të riprodhimit kapitalist, gabimi i tij nuk ishte vetëm në predikimin e tij të shkatërrimit final të kapitalizmit, por edhe në mos-rrokjen e asaj sesi kapitalizmi doli gjithnjë e më i fortë pas secilës krizë. Ka një gabim më tragjik se ky në veprën e tij.

Sipas Wolfgang Streeck – Marksizmi e kishte mirë për ‘krizën finale’ të kapitalizmit. Ne po hyjmë në atë krizë sot, por kjo krizë është thjesht ai proces i zgjatur i shkatërrimit dhe dizintegrimit, me asnjë ‘Aufhebung hegelian’ në horizont, me asnjë agjent për t’i dhënë këtij shkatërrimi një kthesë pozitive dhe për ta transformuar atë në një pasazh të niveleve më të larta të organizimit social.

Duke parë të ardhmen tonë apokaliptike, nga katastrofat ekologjike deri te migrimet masive, njerëzit duhet të ndjekin atë që thotë shkrimtari Samuel Becket: “Provo sërish. Dështo sërish. Dështo më mirë.”

Utopia e vërtetë është ideja që, nëse shkojmë më tej brenda sistemit ekzistues të kapitalizmit global, do të shpëtojmë veten tonë. Kështuqë, n’a duhet më shumë se kurrë shpirti radikalist i Leninit i kombinuar me një pragmatizëm të pamëshirshëm.

Ndoshta dikush të ndërmarrë rrezikun që të përsërisë këtu një shaka klasike sovjetike: në një galeri zyrtare të Moskës, shfaqet një pikturë me titullin “Lenini në Varshavë”, në të cilën është vizatuar Nedhezda Krupskaya, gruaja e Leninit, në dhomën e saj në Kremlin duke bërë seks të egër me një anëtar të ri të Komsomol-it (shën.i përkthyesit: organizatë e të rinjëve në Bashkimin Sovjetik). Një vizitor i befasuar në galeri, kur sheh pikturën e pyet guidën: “Por, ku është Lenini këtu?”, ndërsa guida i përgjigjet me qetësi: “Lenini është në Varshavë.”

Le të imagjinojmë një ekspozitë të ngjashme në Moskë më 1980, me një pikturë me të njëjtin titull (Lenini në Varshavë) ku do të ishin të vizatuar top-anëtarët e nomenklaturës sovjetike duke debatuar për “rrezikun” që paraqiste lëvizje polake për solidaritet për interesat e Bashkimit Sovjetik. Një vizitor sovjetik do të pyeste guidën: “Por, ku është Lenini këtu?” dhe ky i fundit do t’i përgjigjej: “Lenini është në Varshavë.”

Shkaku i intervenimeve perëndimore të koordinuara nga Papa dhe Reagani, e të tjerë, Lenini ishte në Varshavë në vitet 1970 e 1980; shpirti i tij ishte atje në protestat e punëtorëve nga të cilat nxorri krye solidariteti. | The Independent | Përktheu Periskopi