Postimet e Ramës me mendësinë e Vëllait të Madh

Preç Zogaj Opinione

“Vëllai i Madh” i kohës sonë, me shumë gjasë, do të vetëmodifikohej në përputhje me trendin e ri, por pa ndryshuar thelbin, prirjen e tij maniakale për t’u mbirë njerëzve në sy njëzet e katër orë, non stop, për të qenë aty, para tyre dhe mbi ta edhe kur ata nuk duan, për t’i ndjekur ekran më ekran e portal më portal si në një rrethim të hekurt, të pashpresë edhe kur njerëzit provojnë të shpëtojnë prej tij me ndihmën e telekomandës.

Në qoftë se shkrimtari anglez Xhorxh Oruell  do ta përshtaste për Shqipërinë e sotme romanin e tij të famshëm “1984””, botuar në vitin 1948 si një profeci dhe njëherësh si një stigmë kundër totalitarizmit ideologjik që sundoi gjysmën e botës për më shumë së katër dekada, personazhi qendror i librit, “Big Brother” (Vëllai i Madh) nuk mund të ishte më ai i pari që kontrollon nga çdo ekran-kamera jetën private të individëve.

Së paku, në aparencë demokracia nuk e lejon dhe nuk e mundëson këtë. “Vëllai i Madh” i kohës sonë, me shumë gjasë, do të vetëmodifikohej në përputhje me trendin e ri, por pa ndryshuar thelbin, prirjen e tij maniakale për t’u mbirë njerëzve në sy njëzet e katër orë, non stop, për të qenë aty, para tyre dhe mbi ta edhe kur ata nuk duan, për t’i ndjekur ekran më ekran e portal më portal si në një rrethim të hekurt, të pashpresë edhe kur njerëzit provojnë të shpëtojnë prej tij me ndihmën e telekomandës. Lodhen kot. Vëllai i Madh i Shqipërisë demokratike është më i shpejtë, është i kudondodhur, është i palodhur, është i pasjellshëm, është i pamëshirshëm. Nuk u jep asnjë mundësi njerëzve të fillojnë ditën pa u ofruar në ekrane dhe në rrjete suflaqen e tij propagandistike, nuk u lejon një paradite, një pasdite apo një mbrëmje pa fytyrën dhe fjalën e tij.

Veç po të shkëpusin çdo lidhje me rrjetet e informimit dhe të jetojnë pa lajme si murgjit tibetianë. “Vëllai i Madh” i Shqipërisë demokratike jeton dhe punon on-line, në një “reality show” të panjohur në histori, në inversin e roleve të vjetra që përshkruan Oruelli.

“Vëllai i Madh” i ditëve tona më shumë don të shihet e të predikojë se sa të shohë e të dëgjojë. Nga ky pozicion e ka bërë zakon t’u bëjë zgjimin shqiptarëve sa pa zbardhur drita me kartolina dhe mesazhe me pamje të bukura apo me pamje punimesh nga Shqipëria. Ky është Kryeministri Edi Rama. Skribët e tij dhe ai vetë e reklamojnë këtë mani si tregues të thjeshtësisë dhe respektit për qytetarët. Afërmendsh, ka plot njerëz në Shqipëri që i mirëpresin këto postime dhe këtu kam parasysh, pikësëpari, militantët e tipit “socialistja e Beratit” që nuk duan as punë, as zhvillim, por veç Partia të jetë në pushtet dhe agjitacioni të ndrijë. Ka gjithashtu një serë pasanikë të ish nomenklaturës komuniste që kënaqen dhe frymëzohen nga postimet e Ramës për të predikuar lart e poshtë “mirë e kemi Shqipërinë “!

Por nga ana tjetër, ky zgjim i përditshëm me postime nuk u pëlqen, lë pa fjalë, neverit, provokon, indinjon, u fut krupën mijëra e mijëra të tjerëve. Nuk ka pikë rëndësie sa për qind janë ata që i duan dhe sa për qind janë ata që nuk i duan. Numrat këtu nuk kanë fare rëndësi. Një gjë tjetër i vë kapak kësaj thagme. Askush nuk e bën. Asnjë kryeministër në Europë, as në dy Amerikat, as në Australi, as në Zelandën e Re, as në Azi, as në Afrikë, askund. Vetëm Kryeministri i Shqipërisë e bën.

Si është e mundur? A nuk i respektojnë vallë popujt e tyre kryeministrat e vendeve të tjera të botës? Sigurisht që i respektojmë, por në një formë tjetër, jo duke i konsideruar qorra që nuk shohim arritjet e qeverisë ndaj duhet t’ua postojë Kryeministri! A nuk ka vepra publike të ndërtuara apo në ndërtim e sipër në vendet e tjera? Sigurisht, që ka. Shumë më shumë se në Shqipëri. Ka kryevepra, ka mrekullira, ka qytete dhe lagje vezulluese që të kënaqin sytë kur i sheh, por asnjë kryeministri perëndimor nuk i shkon ndërmend t’ua postojë qytetarëve mëngjes për mëngjes për t’u thënë, shikoni sa mirë po punoj, shikoni si po ndryshon vendi në drejtimin tim! Se për ketë e bën Rama, për asgjë tjetër. Për propagandë. Për trushplarje të maskuar si promovim arritjesh. Për narcisizëm politik. Për të mbuluar skandalet e drogës, krimit dhe korrupsionit të Qeverisë së tij.

Nuk e bëjnë në këtë formë, me këtë frekuencë dhe për çdo lopatë me dhe kryeministrat e vendeve perëndimore, sepse nuk është kjo detyra e tyre. Nuk e bëjnë duke e ditur se çdo vend, siç ka zhvillim dhe pamje të bukura, ka plagë, ka drama, ka shëmtim gjithashtu në zona të caktuara. Kryeministri i popullit është me zemër atje ku ka vuajtje pikësëpari. Ai mund të mos i ketë gjetur zgjidhjet për të luftuar vështirësitë dhe vuajtjet e njerëzve, por ama ai e shmang lëndimin dhe provokimin e të tjerëve me sjellje të shbalancuara, me gjeste të shpifura propagandistike. Dhe të mendosh se Shqipëria është vendi që ka më shumë drama, prapambetje dhe eksod në krahasim me çdo vend tjetër në rajon. Po të nisej nga postimet e Edi Ramës, dikush që nuk di më shumë për Shqipërinë, do të thoshte po ikin kot shqiptarët, po ikin si budallenjtë, po ikin nga ishujt parajsorë të Qeverise së Edit! E vërteta është krejt e kundërta. Cili shqiptar nuk e di! Kryeministri megjithatë mbetet i paepur në cinizmin dhe flateritë e tij sikur po jep sihariqe, sikur po e bën lule nga e para këtë vend të rrënuar para se të vinte ai në pushtet. Duke parë postimet e tij, një rruge tre-katër kilometra këtu, një shesh qyteti me zbukurimet e krishtlindjeve atje, një urë e riparuar apo e ndërtuar sefte më tej, imagjinata nuk i reziston një ushtrimi: Çfarë do të bënte ky njeri po të kishte në bilancin e tij ndonjë vepër si rruga e Kombit, si autostrada e Vlorës, si rrjeti i rrugëve rurale, si projekti i gazsjellësit TAP, si rrjeti i hidrocentraleve dhe shumë vepra të tjera që u ndërtuan ose nisen të ndërtoheshin gjatë qeverisjes së Sali Berishës? (Edhe atëherë kam shkruar kundër paradave propagandistike të asaj qeverie, megjithëse sot duket se kanë qenë dukshëm më të përmbajtura e më të përligjura për madhësinë e veprave në krahasim me tallanditë e Ramës për gjëra të zakonshme).

“Puna flet vetë”, thotë një fjalë e urtë popullore. “Fshati që duket, s’do kallauz”, thotë një tjetër. “Kalliri plot e mban kokën ulur”, thotë një e tretë. Ka plot të tilla që shpalosin një raport krejt të ndryshëm me punën nga ai që ka qeverisja propagandistike. Po t’i mbante sadopak parasysh, zoti Rama do t’u kishte kursyer qytetarëve një pjesë të postimeve dhe fjalimeve të veta propagandistike.

Por çështja është më e thellë. Agjitacioni i vjetër me forma të reja nuk është thjesht pasion, apo hobi. Është vetë qeverisja. Mendë- sia propagandistike e është forma dhe përmbajtja e qeverisjes së sotme. Kjo mendësi tradhton një shkëputje të plotë nga jeta reale e njerëzve, një braktisje të detyrave elementare. Të marrim vetëm një shembull: Çmimet e zarzavateve dhe frutave në prag të festave kanë kërcyer përpjetë jashtë çdo logjike, duke sfiduar shpalljet propagandistike që u bënë para pak javësh se do të mbaheshin nën kontroll. Kjo është një çështje e madhe, me të cilën merren qeveritë e popullit dhe për popullin. Është fjala për të mbrojtur konsumatorët nga abuzimet, një detyrë që mund ta kryejë vetëm Qeveria. Për këto duhej të gjëmonte Kryeministri. Le të eglendisej edhe me postime nëse nuk duron dot pa to, por pasi të bëjë punën për të cilën paguhet.

Qeverisja propagandistike është një provokim, është një fyerje për njerëzit, është ndyrësia vetë, në fakt. Ajo tradhton mendësinë totalitare të drejtuesit të vetëprojektuar timonieri, të politikës në plan të parë dhe kudo.

|Panorama| Periskopi|