Policia e Kosovës

Policia s’ka buxhet për helikopterë, uniforma e çizme

Për shkak se shumë kërkesa financiare nuk janë marrë parasysh nga Ministria e Financave. Këto pa kënaqësi i kanë paraqitur sot Hamdi Hyseni, drejtor financiar në Polici, para anëtarëve të Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Kërkesat kryesore të Policisë janë: pajisja me helikopterë, uniformat , pajisja me këpucë e çizme dhe shumë projekte të tjera , ku në total kërkesa për buxhet shtesë kalon shifrën mbi 42 milionë euro .

“I kemi kërkuar 4 milionë euro për veshmbathje, nuk janë ndarë … Kemi kërkuar kërkesa për municion i veçantë është municion për armë të kalibrave më të mëdha mirëpo nuk kemi hasur në mirëkuptim as këtu. Mandej kemi paraparë pagesa shtesë për funksionalizimin e blerjen e helikopterëve , mirëpo  nuk kemi hasur në mirëkuptim as këtu….Për paga kemi 1.2 milion euro kemi kërkuar mjete shtesë …Kemi kërkuar mjete shtesë për krijimin e Policisë rezervë siç është e paraparë me ligjin për themelimin e Policisë rezervë  në vlerë prej 848 mijë eurove. ..Për helikopter e kemi paraparë një kosto prej 10 milionë e 401 mijë euro, për vitin 2017”, tha Hyseni.

Por deputeti i AAK-së Daut Haradinaj i ka thënë disa herë përfaqësuesit nga Policia se për furnizim me veshmbathje janë disa here mjete. Për këto ai ka kërkuar sqarim nga Hyseni.

“Pajisje me uniforma dhe me çizme..keni pasur tenderë vazhdimisht që nuk janë realizuar . Mjetet kanë qenë të ndara . Ku e keni në tabelën buxhetore merrni shikojeni ju”, tha Haradinaj.

Sipas Haradinajt me  veprimet e Policisë në tenderë të ndryshme dikush duhet të shkojë në burg.

Kjo deklaratë e deputetit të AAK-së ka nxitur reagimin e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme Valdet Hoxha.

Hoxha i ka ftuar të gjithë që të bëhen bashkë siq tha ai “kundër hajnisë”.

“Në qoftë se ju vini në dijeni që dikush prej MPB-së bën shkelje ju lutem adresoni në Prokurori. Sepse boll ky vend ka vuajtur, pa procedura t’u keqpërdor t’u vjedh. Është faza e fundit kur na bashkërisht pozitë e opozitë , Komision e Ministri ta bëjmë këtë vend”, tha Hoxha.

Për deputetin  e Vetëvendosjes Rexhep Selimi, më me rëndësi ishte  blerja e helikopterëve, andaj ai kërkoi të dijë se sa mjete duhet për t’u formuar kjo njësi, ndonëse drejtori Hyseni tregoi se për këtë njësi duhen 10 milionë euro.

Kjo pikë e rendit të ditës ka zgjatë më shumë se 2 orë. Në fund Haradinaj tha se do të shihet mundësia që të ndikojë në përmbushjen e kërkesave buxhetore që kanë Policia e Kosovës.