Përplasja për Kosovën në Beograd (Video)

Periskopi.com Lajme

Tre anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Kryesuesi Dragan Çoviç, Bakir Izetbegoviç dhe serbi Mladen Ivaniç kanë qëndruar dje në Beograd ku kanë pasur takim me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Në konferencën për media është shënuar një incident kur dy palët kanë folur për Kosovën dhe qëndrimin e dy vendeve ndaj pavarësisë së saj.

Kur kryesuesi kroat i Presidencës boshnjake Dragan Çoviç ka folur për Kosovën duke thënë se Sarajeva sa i përket kësaj çështjeje do të t’i përshtatet qëndrimeve të Beogradit, ka reaguar anëtari tjetër Bakir Izetbegoviç

Izetbegoviç ka thënë se politika e jashtme e Bosnjës duhet të jetë e pavarur.

“Politikën ndërkombëtare të BeH do ta udhëheqin këta tre persona dhe ajo do të udhëhiqet në Sarajevë. Natyrisht, do t’i marrim shumë parasysh qëndrimet e vendeve fqinje sepse jetojmë me Serbinë, jetojmë me Kroacinë dhe BE-në, ku kemi marrë obligime në procesin e integrimeve. Por qëndrimi im është se politika e jashtme bëhet në Bosnjë e Hercegovinë dhe unë e luta Çoviçin që atë që e tha ta thotë si qëndrim të tij e jo si të Presidencës”, ka thënë Izetbegoviç.

Presidenti serb pastaj ka reaguar me një mimikë duke shfaqur revoltë për qëndrimin e Bakir Izetbegoviç.

“Ja pra kështu duket. Unë vetëm e citova atë që e mora gjatë bisedave zyrtare, por gjendja është kështu rreth Kosovës dhe kufijve”, ka thënë Vuçiq.

Vërejtja e Izetbegoviçit ka nxitur reagime të shumta në Serbi dhe Republika Serbe, sikur edhe ditë më parë kur Izetbegoviç shfaqi mendimin e tij personal se Bosnja është dashur ta njohë Kosovën kaherë.