Përkeqësohet gjendja e Nexhmedin Spahiut: Thërret për vrasje të ish-ushtarit të UÇK-së (Foto)

Periskopi.com Lajme

Përdhosja e flamurit të Kosovës nga ish-ushtari i UÇK-së, Frashër Oseku, i cili jeton dhe vepron në Suedi, është bërë temë diskutimi ditëve të fundit, me tendenca që veprimit të tij individual t’i jepet kahje politike.

Frashër Oseku, për të cilin në mënyrë të përsëritur thuhet se është aktivist i VV-së nga protagonistë të PAN-it ose njerëz të afërt me këtë koalicion, është ndarë i pakënaqur edhe mbrëmë me një kronikë të RTK-së, transmetuar në edicionin qendror të lajmeve, shkruan Periskopi.

Skandali i RTK-së: Ish-ushtarin e plagosur të UÇK-së e quan anëtar të VV-së, shpërthen me sharje ky i fundit (Video)

Mbrëmë, trasmetuesi publik qëllimisht ka dezinformuar shikuesit, nga të cilët financohet, se Oseku ishte aktivist i VV-së, derisa nuk e ka përmendur fare faktin se ai ishte pjesë e UÇK-së, nga betejat të së cilës kishte marrë edhe plagë, edhe pse këto informacione janë sqaruar nga vet Oseku.

Në këtë debat janë përfshirë edhe mbështetësit e idesë së kombit kosovar, Halil Matoshi i PAN-it dhe analisti Nexhmedin Spahiu.

Komenti që ka marrë vëmendjen ishte ai i Spahiut, i cili në statusin e Matoshit kërkon vrasjen e atyre që përdhosin flamurin nga ana e Agjensionit Kosovar të Inteligjencës (AKI). Arsyetimi i Spahiu për kërkesën e tij është shumë i çuditshëm dhe aspak i verifikueshëm, për të mos thënë që është shpifje.

Spahiu thotë se Shërbimi Sekret Izraelit MOSAD vret ata që përdhosin flamurin shtetëror, prandaj, sipas tij, njëjtë duhet të bëj edhe shërbimi kosovar i Inteligjencës, edhe pse pretendimi i tij për MOSADIN nuk verifikohet në asnjë mënyrë.

Në po këtë status, ka reaguar gazetari dhe analisti Bajrush Morina, i cili thotë se po të kishte drejtësi, Nexhmedin Spahiu do të akuzohej dhe të dënohej për nxitje të urrejtjes dhe rrezikim të jetës së një qytetari.

Por, duket se Spahiu ishte gjaknxehtë derisa komentonte dhe Morinës i përgjigjet ashpër dhe e ofendon pak komente më poshtë.

Morinës, Spahiu i thotë se e ka vendin në Shtime dhe jo në burg, edhe pse nuk specifikon arsyen përse Morina duhet të dërgohet në Shtime. Por, me siguri duhet ta ketë pasur fjalën për Insitutin e Shëndetësisë Mendore që gjendet në këtë komunë.

Morinës duket se nuk i bënë më përshtypje insistimi i Spahiut për të vrarë qytetarë e për të dërguar në Shtime të tjerë. Ai vlerëson në një koment tjetër se Spahiu ka kaluar në “metastazë mendore”, përderisa qeshet me komentet e tij. /Periskopi/