20161124083847857646

Përfaqësuesit e Luginës ndihen të fyer nga institucionet e Kosovës: Jemi shfrytëzuar vetëm për fotografi

Me dhjetë fotografi ishte shoqëruar komunikata për media e Ministrisë së Kulturës që njoftonte se “Kosova nënshkruan dy marrëveshjet e para zyrtare me komunat e Preshevës dhe Bujanocit”, shkruan sot Koha Ditore.

Periskopi.com Lajme

Ministri Kujtim Shala, zëvendësi i tij, Rexhep Hoti, e sekretari Veton Firzi bashkë me zyrtarë të tjerë të MKRS-së kishin pozuar me kryetarët e dy komunave dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu. Ministri Shala kishte shfrytëzuar rastin që të shkrepte një fotografi edhe duke vënë një lule në atë që njihet si instalacion, ku në vend të Lapidarit të dëshmorëve të UÇKMB-së në Preshevë, që ishte larguar nga Qeveria Serbe në janar të vitit 2013, janë vënë 28 vazo me lule. Nëpërmjet dy memorandumeve të tetë janarit të këtij viti dhe një tjetri që ishte lidhur në fund të atij muaji, MKRS-ja zotohej për përkrahje financiare të Luginës sa i përket fushës së kulturës, rinisë dhe sportit.

Gati një vit pas, përfaqësuesit e Luginës që i nënshkruan memorandumet, pos që vlerësojnë se dokumentet kanë mbetur vetëm në letër, ndihen edhe të fyer e të mashtruar nga institucionet e Kosovës. Konsiderojnë se janë shfrytëzuar vetëm për fotografi.

Në bazë të memorandumeve të lidhura me Komunën e Preshevës dhe atë të Bujanocit, MKRS-ja numëron katër obligime.

Por sipas nënshkruesit të këtij memorandumi, kryetarit të KKSh-së, Jonuz Musliu, gjithçka ka mbetur në letër dhe Ministria e Kulturës as nuk ka marrë mundin t’u kthejë përgjigje asnjëherë.