isuf-kurtaj-640x445

Për PISA-t e vitit 2016

Sot duhej të më shkonte mendja për Nolianin, këmbëzbathurin sybukur që e zura mik në Durrës gjatë verës, nuk e di në ka gjetur ndonjë leckë për të mbuluar "putrat" e njoma, kraharorin e brishtë, qerosin me xhunga, qafën e rrjepur nga llumi... lutem që të ketë gjetur ngrohtësinë që i mungonte në familje.

Isuf Kurtaj Opinione

Sot duhej të më shkonte mendja dhe për një nga fytyrat më të ëmbla që më kanë zënë sytë ndonjëherë, për Ajsin. Që nga shtatori, kohë kur ne u njohëm dhe zumë shoqëri, nuk më ka dalë më përpara. Do lutesha pafund që sot, pjesët e trupit të saj të vockël të jenë të mbuluara nga pacavrat, që duart të mos i ketë të ngrira, që kokën ta ketë strukur nën sqetullën e nënës së saj të varfër, që në atë kohë nuk kishte strehë mbi kokë. Sot duhej të më shkonte mendja për qindra njerëzit zemërthyer, të plagosur, të dërrmuar… që takova të rrëzuar çdo ditë. Por më shumë se për çdokënd sot duhej të na shkonte mendja për një kategori individësh, të cilët unë i quaj “kacavjerrësa”. Ata kanë fatet tona në dorë… (nuk) janë pushtetarë.

I gjejmë kudo, rrethohemi, por kacavjerrësat për të cilët e kam fjalën unë, janë ata të medias. Karakteri i kacavjerrësave të medias: -Me trillim ia fusin djallit, nuk tremben dhe nuk i bën syri ‘dritë’ dhe kur i dalin në shesh mashtrimet, ngordhin të shtrembërojnë dhe të shpikin nga një alibi sa herë që përplasen me shpatulla në mur. S’lexojnë, s’dinë, por bëjnë çmos që të shumojnë “farën” e tyre. Si rezultat i promovimit të këtij modeli janë “prodhuar” Ramizat në vendimmarrje lokale, Vesela në ekzekutiv, Buzhala në media dhe Dastina në drejtësi. Këta prototipa, kërkojnë me ngulm të kthejnë në standard (a)logjikën e tyre të menduarit dhe sjelljes.

Duke bërë kompromise me injorancën, duke shtrembëruar realitetet, me qëllim që të krijojnë realitete që nuk ekzistojnë. Nën presionin e këtyre dhe më i arsyeshmi shpesh humb “toruan” dhe rrëshqet në propagandën e tyre. Këta soj njerëzish përpiqen të na mbushin mendjen që dhe ne që jemi ndryshe, të bëhemi si ata, në të kundërt na veshin epitete si: eskremistë, komunistë, bolshevistë, vehabistë…. truqet mediatike dhe marifetet propagandistike të tyre kanë polarizuar shqiptarët sa s’ka më. Ata duan të krijojnë njeriun e ri kosovar. Njeriun që qëndron kokëulur që konsumon pa përtypur atë që i serviret, për të qenë si të tjerët, për të mos u etiketuar “ndryshe”, për të mos u bërë objekt sulmi, paragjykimi dhe “lincimi”.

Sepse këta kacavjerrësa kanë manipuluar një fushë të rëndësishme që vetë ua mundësojmë, dhe ata si të pangopur vijojnë të ushqehen pa fund me kërma, me ato që vetë prodhojnë… E duke qenë se fundviti lyp optimizëm më duhet të rri në pritje të momentit kur ata të fillojnë të ushqehen me njëri – tjetri, sepse ajo kohë do vijë….thjesht shpresoj sa më shpejt! Deri sa të vijë ajo ditë do të lutem që Noliani, Ajsi… të kenë gjetur “oxhakun” për t’u ngrohur.