Për korrupsionin në Kosovë më shumë flasin ambasadat se sa institucionet e saj

Periskopi.com Intervista

Profesor Rexhep Qosja në rrëfimin e tij të gjatë për “Gazeta Shqiptare”, ndalemi në ngjarjet më të bujshme të vitit që lamë pas e pritshmëritë për vitin ku sapo hymë. Nga çështja Saimir Tahiri, te ish-Prokurori Përgjithshëm, nga Vettingu, te opozita PD-LSI profesori jep opinionin e tij përmes një gjykimi të përftuar së largu.

Ai argumenton pse nuk ka besim te Vettingu, pse nuk duhet paragjykuar deri në fund ish-ministri i Brendshëm dhe ndalet më pas te sjellja e opozitës. Një shuplakë e fortë vjen në drejtim të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla të cilin Akademiku e gjen fajtor për mosdorëzimin para drejtësisë të fajtorëve për Gërdecin e 21 janarin.

 

Profesor, çështja e lëndëve narkotike prej vitesh në Shqipëri është problem. Po së fundmi, në dosje e hetime janë përfshirë emra zyrtarësh të lartë, deri te një ish-ministër si Saimir Tahiri. Ku ka gabuar qeveria Rama?

Kultivimin, shitjeblerjen, përdorimin e lëndëve narkotike, sigurisht jo në gjithë përshtrirjen e tyre gjatë disa vjetëve të fundit, qeveria e sotme në krye me Edi Ramën e ka trashëguar prej më përpara: e ka trashëguar prej qeverisë së Sali Berishës. Djali i një mikut tim, që është i martuar me një vajzë prej një qyteze në Shqipëri, gjatë vizitës te miqtë në atë qytezë, sheh se vëllai i së shoqes po jetonte ndaras nga prindërit, në shtëpi të re, të pajisur jashtëzakonisht bukur, shtrenjtë, se vishej mirë, se nuk ngurronte të bënte shpenzime të pamatura. Një ditë e pyet mikun:
-Ku i merr ti paratë për gjithë këto shpenzime?
-Merrem me lëndë narkotike, mbjellim kanabis, e shes e fitojmë shumë. Këtu shumica merren me kanabis, përgjigjet ai.
-Ti ua shet atë drogë edhe të rinjve, edhe këtu, në vendlindje? e pyet prapë.
-Pse jo, i përgjigjet miku.
-A e di ti, miku im i dashur, se ashtu, me drogë rrezikon të ardhmen, madje jetën e atyre të rinjve që ua shet, shkatërron shpirtërisht, ndonjëherë edhe në tërësi, jetën e prindërve të tyre?
Ky dialog mes dy të rinjve, që nuk merr fund me kaq, tregon se droga, në radhë të parë kanabisi, ishte lënda e parë e tregtisë edhe në kohën e Sali Berishës e të Fatos Nanos. Por, atëherë për drogën, për krimet e ndryshme, për gjakmarrjet, për korrupsionin e për të këqija të tjera politike, familjare, shoqërore, shtetërore nuk flitej në medie si sot e sa sot.

Sot, në mediat e Shqipërisë ndodh çka nuk ndodh askund në Evropë: lajmet e ditarëve, ta themi në orën 19:00, a 19 e 30 a në 20:00 fillim e fund janë lajme për kultivimin e drogës, për tregtinë me drogën, për luftën e policisë me kultivuesit dhe grupet e eksportuesve të drogës, për zbulimin dhe arrestimin e trafikantëve të drogës, për krimet në familje, për grupet e ndryshme kriminale, për prostitucionin, për luftën e pandalshme politike ndërmjet opozitës dhe pozitës!

Lajmi për ndonjë krim më të veçantë ndodh të jepet edhe para lajmeve për vizita a ngjarje të rëndësishme shtetërore! Këso perversitete informative nuk ndodh të shihen në mediet e shumë vendeve evropiane.
Saimir Tahiri! Nuk jam prokuror publik; nuk jam as gjykatës. Saimir Tahiri, them, mund të jetë fajtor për çka akuzohet e mund të jetë i pafajshëm. Unë respektoj një paragraf juridik pamatshëm të rëndësishëm për drejtësinë dhe për demokracinë dhe ky është paragrafi në Kushtetutën e SHBA-së në të cilin thuhet: çdo kush është i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij. Saimir Tahirit, një njeriu politik inteligjent, të aftë, ndoshta më pak vigjilent se çdo të duhej në detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme, qe sa muaj, ndoshta gati qe një vit, po i shkelen egër, egër të drejtat e njeriut duke u shkelur njëkohësisht prej akuzuesve të tij ligje e Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Dhe, po i shkelen prej prijësve (liderëve) të opozitës, prej prijësve e bashkëpunëtorëve të tyre të – PD-së dhe LSI-së. Kryetari i sotëm i PD-së dhe kryetari i përparshëm i PD-së, bashkëpunëtorët më të afërm të tyre në PD-në, kryetarja e sotme dhe kryetari i para disa muajve i LSI-së dhe bashkëpunëtorët e tyre më të afërm po e akuzojnë Saimir Tahirin jo si njerëz politikë, po si prokuror dhe si gjykatës, si gjykatës që e kanë sjellë verdiktin e fundit për Saimir Tahirin! Fjalët e tyre, akuzat e tyre ndaj Saimir Tahirit, në pjesën më të madhe të rasteve të mbështetura në të dhëna të rrejshme, të trilluara, në të vërtetë përmbajnë gjithë urrejtjen e tyre ndaj qeverisë së Edi Ramës, në mënyrë të veçantë ndaj Edi Ramës, por të mbuluar me emrin Saimir Tahiri! Rasti i Saimir Tahirit është rast, i shpikur a i ndodhur ende nuk dihet, me të cilin asnjë minutë nuk do të duhej të merrej njeriu politik, prijësi partiak a bashkëpunëtori i prijësit partiak.

Duke ia shkelur të drejtat më elementare njerëzore, duke e fyer, duke e përulur, duke e hequr zvarrë nëpër baltën e akuzave, që mund të dalin shpifje apo të vërteta vetëm gjykata do ta tregojë, këta njerëz politikë vetëm sa po tregojnë se sa larg prej nesh janë standardet dhe vlerat demokratike e juridike evropiane, dhe se sa gjatë do të jemi të prridhur prej primitivizmit ballkanik, në të vërtetë prej primitivizmit të urrejtësve tanë të ndryshëm!

-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla pat premtuar “arrestime të bujshme në vjeshtë”, por askush që etiketohej me mbiemrin i bujshëm nuk është në pranga. Ambasadori amerikan foli për peshq të mëdhenj, por rrjeta ende nuk është hedhur. Së fundmi një kryeprokurore e re u zgjodh duke krijuar kaos në parlament! A keni besim tek Vettingu dhe reforma në drejtësi? A mendoni se Vettingu do të çojë politikanë në burg?
Më është krijuar bindja prej disa paraqitjeve e veprimeve të tij, se ish- Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ishte prokuror politikisht dhe juridikisht i kapur prej Partisë Demokratike. Kërcënimet e tij për “arrestime të bujshme” në vjeshtë, në dimër, në verë a në pranverë ishin vetëm retorikë me të cilën mbulohej mashtrimi.

Ma thotë mendja se ky Prokuror i Përgjithshëm me heshtjet e tij ndaj krimeve të ndryshme, në të vërtetë, me sjelljet e tij me të cilat në thelb rehabilitoheshin krime të bëra a të lejuara prej zyrtarëve të lartë e kanë dëmtuar rëndë, rëndë drejtësinë shqiptare dhe e kanë bërë shtet pa drejtësi Shqipërinë. Ky njeri është fajtor pse nuk janë nxjerrë në gjykatë ata zyrtarë të lartë që sa herë kanë shkelur Kushtetutën, pse nuk janë nxjerrë në gjykatë fajtorët për tragjedinë me shumë të vrarë në Gërdec, pse nuk janë nxjerrë në gjykatë fajtorët për vrasjen e katër protestuesve në protestën e 21 janarit 2013. E të tjerë.

Vettingu?
Përpjekjeve për realizimin dhe zbatimin e Vettingut po i bëhet rezistencë e madhe, e fortë, prejse kanë filluar këto përpjekje. Dhe, rezistencë të hapët apo të fshehtë po i bëjnë ata që frikësohen prej atyre prokurorëve e gjykatësve që do të japin provimin e Vettingut dhe që do të bëhen prokurorë e gjykatës të rinj. Kam drojë, kam shumë drojë, se në krijimin e drejtësisë së shëndoshë, aq të nevojshme shqiptare do të gjenden protagonistë dhe personazhe që do ta sabotojnë. Dy të mira të mëdha në politikë, e Drejta dhe e Vërteta, nuk janë bërë të jetueshme ende në politikën shqiptare. E pa to nuk ka demokraci. Kam drojë, shumë kam drojë, se Vettingu nuk do t’i çojë në burgje ata që duhet të çohen në burgje, po vetëm disa nga rrogëtarët e tyre politikë e administrativë.

Mund të jetë se droja prej Vettingut, droja prej Prokurorit të ri të Përgjithshëm, qoftë edhe të përkohshëm, e nxiti protestën e fundit të PD-së dhe të LSI-së! E kam shikuar në tërësi testimin e shtatë kandidatëve e kandidateve për Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm. Jam ndier i gëzuar pse më të suksesshme në atë testim u treguan dy gra: zonjat Arta Marku dhe Ermira Tafani. Dhe më ka lënë përshtypje të veçantë paraqitja e zonjës Arta Marku puna e së cilës si juriste, si prokurore qëndronte në vendosmërinë e saj etike, se të gjitha që i kishte arritur në profesionin e saj, si juriste, i kishte arritur me shpatullat e saj. Dua të besoj se pa lejuar ndërhyrje të institucioneve politike e partiake, po me mendjen e saj, me vendosmërinë e saj, me etikën e saj juridike, ajo do të fusë vetëm drejtësi në Drejtësinë shqiptare.

-A janë PD dhe LSI një opozitë e fortë? Si e shihni ju opozitën që po bëjnë ata: nga tymueset e çizmet në parlament, te protestat jashtë tij?
-Mjerisht, njëqind herë mjerisht, PD dhe LSI e sotme po e kuptojnë dhe po e zbatojnë veprimtarinë partiake si veprimtari të konfliktit. Në sjelljet e tyre, në veprimet e tyre, në gjuhën e tyre, në ndjenjat që përmban ajo gjuhë e tyre akuzuese, aq shpesh shpifëse, mosduruese, nënçmuese është i përmbajtur konflikti, që do të mund të sillte edhe veprime tragjike po të mos ishte droja prej faktorëve ndërkombëtarë!

Në të vërtetë PD dhe LSI më shumë se si opozitë që veprimtarinë partiake e kupton dhe e zbaton si veprimtari të konfliktit, ato po duan të sillen si pushtet paralel në Shqipëri. Prijësit e tyre me bashkëpunëtorët e tyre të përkushtuar madje po veprojnë e po flasin si zyrtarë të “zgjedhur”! Ata mbledhin të dhëna jo vetëm në Shqipëri po kur e kur edhe në ndonjë vend tjetër kundër Saimir Tahirit, ndonjë ministri tjetër të qeverisë apo madje edhe kundër Edi Ramës. Ata individualisht apo në kuadër të delegacioneve partiake denoncojnë qeverinë, shtetin e vet në SHBA e në Evropë! Denoncimet që ia bëjnë qeverisë, denoncimet që ia bëjnë Shqipërisë në takime e mbledhje të ndryshme jashtë Shqipërisë të shpeshtën e herëve paraqiten jo me gjuhë partiake, jo me gjuhë opozite po me gjuhë të “zyrtarëve” të pushtetit paralelë në të vërtetë të agjentëve paralelë!
Për çizmen e hedhur në Parlament për të përmbysur me to kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, nuk dua të them një fjalë: do të thonë komediografë të ardhshëm!

Por dua të them: PD dhe LSI, kryetari i të parës dhe kryetarja e të dytës, po bëjnë çmos që të delegjitimojnë Kuvendin, që të vrasin parlamentarizmin shqiptar, që ta tregojnë Shqipërinë parashtet të çmendur!

-Përkundër këtyre, sa mendoni se po bëhet kundër korrupsionit dhe nepotizmit në Shqipëri e në Kosovë?
-Kundër korrupsionit dhe nepotizmit kohë pas kohe, me gjysmë gojë, po flasin ndonjë përfaqësues i ndonjë organizate joqeveritare, ndonjë gazetar i ndonjë medie të shkruar, ndonjë qytetar dhe ndonjë pushtetar.
Më zëshëm kundër korrupsionit në Kosovë po flasin ambasadorët e disa shteteve në Kosovë, kurse kundër korrupsionit dhe nepotizmit më së zëshmi po flet ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Rori Okonell.

Para disa javësh u mbajt edhe e ashtuquajtura java kundër korrupsionit. Përfaqësues të organizatave joqeveritare na dhuruan jo pak të dhëna për korrupsionin pandemik në Kosovë dhe jo pak dëshpërim pse peshqit e mëdhenj, të korruptuarit e mëdhenj, janë bërë të paprekshëm.

Java e luftës kundër korrupsionit kaloi dhe me të pothuaj kaloi edhe lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit!
Institucionet politike e shtetërore të Kosovës, në të cilat lulëzojnë shumanshëm, shumëfish dhe shumëllojshëm korrupsioni e nepotizmi, nuk duan të luftojnë as korrupsionin, as nepotizmin.
Po të donin të ndalnin, të parandalonin, të mbronin Kosovën dhe demokracinë e saj prej delikteve, kur e kur krimeve të quajtura korrupsion e nepotizëm, përpos Agjencisë (së vdekur) për luftë kundër korrupsionit, do të themelonin Këshillin kombëtar të kësaj Agjencie, mandej Strategjinë kombëtare për luftë kundër korrupsionit dhe Planin operativ të kësaj Strategjie.

Po të donin të mbronin Kosovën dhe demokracinë e saj prej sëmundjeve të quajtura korrupsion dhe nepotizëm do t’ia bënin të mundshme asaj Agjencie: të kontrollonte të ardhurat e zyrtarëve, të kërkonte shkarkimin e zyrtarëve me status të konfliktit të interesit, të niste e të realizonte veprime të veçanta për kontrollin e pasurisë së zyrtarëve e mes tyre edhe të kryetarit të shtetit, të kryetarit të Kuvendit e të kryeministrit.
Por, Kosova nuk dëshiron të bëhet si vendet e tjera evropiane megjithëse po bën luftë të madhe gojore për të hyrë në Evropë.
Po të donte të ishte vërtet si vendet e tjera evropiane, atëherë ajo si Shqipëria do të krijonte Vettingun dhe Vettingut do t’i nënshtroheshin edhe zyrtarët më të lartë politikë e shtetërorë, kurse ndër 12 pyetjet e Vettingut do të shtonte edhe një tjetër, të trembëdhjetën, në sajë të së cilës prej të pyeturit do të kërkohej të tregonte burimin e mjeteve financiare me të cilat ka krijuar pasurinë e tij: shtëpi, pallate, restorante, firma, tokë shumëhektarshe. E të tjera. E të tjera.