isa-mustafaaaaa

Për Isa Mustafën zgjedhjet në Drenas janë arsye për reformën zgjedhore

Kryeministri Isa Mustafa beson se mund të organizohet një proces i rregullt zgjedhor në Drenas, sepse, sipas tij, Kosova ka dëshmuar se ka mundësi të menaxhojmn zgjedhje fer dhe demokratike.

Periskopi.com Lajme

 

Mustafa, në një postim në profilin e tij në Facebook, ka thënë se zgjedhjet në Drenas janë një arsye më shumë për ta bërë reformën zgjedhore.

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas janë një arsye edhe më shumë që ta bëjmë reformën zgjedhore për të zgjidhë rastet e tilla, dhe më pak janë një demonstrim i fuqisë politike për një mandat të mbetur më pak se një vit. Sidomos kur dihet fakti se kryetarit të deritanishëm nuk iu dha mundësia që për mandatin e tij të vendosin qytetarët, por vendosi gjykata për një rast që nuk ka të bëjë me të qeverisurit”.

“Prandaj, është e rrugës që të zhvillojmë një fushatë e cila shpalos vlerat demokratike të të gjitha partive dhe të gjithë kandidatëve. Kandidatët kanë mjaftë hapësirë demokratike për të thënë dhe për të shpalosur ofertat e tyre për të ardhmen. Nuk shoh arsye të merremi me të kaluarën, sepse ajo nuk u ndihmon qytetarëve në përmirësimin e jetës së tyre”.

“Unë besoj se mund të organizojmë një proces të rregullt zgjedhor në Drenas, sepse kemi dëshmuar se kemi mundësi të menaxhojmë zgjedhje fer dhe demokratike dhe ne kosovarët ta marrim përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve”, ka shkruar Mustafa.