Peticioni per astritin

Për 5 ditë, mbi 25 mijë nënshkrime në peticionin “Drejtësi për Astritin”

Rreth 25 mijë nënshkrime është rezultati i peticionit “Drejtësi për Astritin”.

Periskopi.com Lajme

Në vetëm 5 ditë, shoqëria civile arriti të mbledhë këto nënshkrime të qytetarëve për të kërkuar që të sqarohen rrethanat në të cilat vdiq 26 vjeçari Astrit Dehari, ditën e 5 nëntorit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Gjatë ditës, organizatorët kanë bërë me dije se nesër do ta dorëzojë në Kuvendin e Kosovës peticionin me nënshkrimet e mbledhura për “Drejtësi për Astritin”.

Përmes një njoftimi për media, organizatorët kanë njoftuar se nesër (e martë) në orën 14:00 peticioni “Drejtësi për Astritin”, do t’i dorëzohet Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Qeverisë së Kosovës si dhe Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Besa Luzha, Florina Duli dhe Rudinë Jakupi në emër të të gjithë qytetarëve do të dorëzojnë peticionin. Me këtë rast janë ftuar të gjithë qytetarët e vendit që t’i bashkohen atyre në dorëzimin e këtij peticioni.

Shoqëria civile kishte thirrur të enjten e 24 nëntorit protestë, pas përfundimit të së cilës bëri thirrje për nënshkrimin e peticionit që ishte përgatitur mbi këto pika:

  1. Hetim të pavarur dhe transparent për rastin sa më parë
  2. Dorëheqjen e udhëheqësve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për mosgatishmërinë morale e ligjore për të kërkuar dhe dhënë përgjegjësi.
  3. Fillimin e menjëhershëm të ndjekjes penale të përgjegjësve që dështuan të garantojnë sigurinë e jetës së Astritit në institucionet e shtetit dhe shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës në tërë zinxhirin hierarkik për mos trajtimin dinjitoz të Astritit në qendrën e paraburgimit edhe pas vdekjes së tij.
  4. Kryesia e Kuvendit të Kosovës në bazë të Nenit 38, paragrafit 1 të Rregullores së Punës së Kuvendit, të thërras mbledhje të jashtëzakonshme për rastin e Astrit Deharit.

Astrit Dehari vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në ditën e 5 nëntorit. Raporti i autopsisë ka gjetur se ai ka ndërruar jetë nga asfiksia e shkaktuar nga vet 26 vjeçari, por familja Dehari e lëvizja Vetëvendosje pjesë e të cilës ishte ai nuk po e pranojnë këtë version.